“Nga koha e tretjes së ilirëve dhe shfaqjes së arbërve rrodhën rreth tetë shekuj. Do duhet të kalojnë po aq shekuj të tjerë për të asistuar në ringjalljen e atyre ilirëve, tashmë të shndërruar në shqiptarë falë disa filologëve eruditë të dalë nga universitetet më të mira gjermane. Kështu, nga gjithë sa parashtruam deri këtu, rezulton se problemi shqiptar nuk është një problem etnik apo kombëtar, por kryesisht një problem politik, kulturor e social”[1].
Me këto fjalë e mbyll “studimin” e tij Shqipëria në Antikitetin e vonë akademiku serb Vladislav Popoviç, botuar në përmbledhjen Les Illyriens et les Albanais më 1988, në kohën e “Serbisë së ringjallur” nën yllin e Slobodan Milosheviçit. Pra, ajo çka duan të thonë Popoviç e autorët e tjerë të atij botimi politikisht të motivuar, është se shqiptarët nuk janë një faktor i historisë, por një entitet politik e, diçka edhe kulturor e social, i montuar në universitetet gjermane, kuptohet, si instrument për t’u përdorur kundër sllavizmit. Për të arritur deri këtu, përfaqësuesit e shkollës historiografike nacionaliste serbe, përpunuan mitin e “gollës së madhe historike” në historinë e shqiptarëve të shekujve II-XI, e cila, sipas tyre, nuk lejon të flitet për një vazhdimësi mes ilirëve të lashtësisë e arbërve të mesjetës. Sa i përket të vetëquajturve shqiptarë të kohëve moderne, këta nuk paskan lidhje as me të parët e as me të dytët, pasi janë “të ardhur të rinj” në këto troje. Madje për të mbështetur këtë “interpretim” të tyre të historisë, autorët në fjalë, nuk hezitojnë t’i referohen edhe ndonjë figure krepuskolare të shkollës “së urryer” gjermane. Si për shembull historianit e gjeografit Prusian, Konrad Mannert. Në vitin 1812, ky vuri në dyshim edhe vetë dëshminë e Ptolemeut të Aleksandrisë, i cili në shek. II, mes fiseve ilire, përmend edhe arbrit (Albanoì) dhe kryeqendrën e tyre, Albanopolis. Mannert, që me sa duket nuk e kishte për zemër bashkëqytetarin e tij, “filo-shqiptarin” Leibniz, shkroi, se meqë emri i fisit ilir arbër nuk haset në burimet antike, përveçse në shënimin e Ptolemeut, “kemi të drejtë të dyshojmë, se shumë kohë pas Ptolemeut, dikush ka shtuar në dorëshkrimin e veprës së tij emrin Albanoi, shtyrë nga dëshira për të dëshmuar lashtësinë e atij populli”[2].
Insinuata e lëshuar kuturù nga “konspiracionisti” Mannert u injorua krejtësisht në shek. XIX, kur një masë e tërë historianësh, gjuhëtarësh e antropologësh ju qasën problemit shqiptar si një objekt i mirëfilltë kërkimi shkencor[3]. Bazuar në zbulimin, botimin e analizën multidisiplinore të lëndës burimore, personalitete si Franz Bopp, J. von Xylander, J. G. Hahn, K. Hopf, G. Meyer, J. F. Fallmerayer, Th. Mommsen, C. Jireček e të tjerë përcaktuan karakterin e vendin e gjuhës shqipe si gjuhë indoevropiane, lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me ilirishten, si dhe hodhën bazat për një histori shkencore të iliro-shqiptarëve[4]. Prandaj, mund të kuptohet e të mirëkuptohet pezmi i studiuesit serb Vladislav Popoviç, i cituar në fillim të këtij shkrimi, kundrejt kolosëve albanologë të shkollës gjermanike, të cilët zbuluan e dëshmuan ekzistencën e mbijetesën në Ballkanin perëndimor të një populli të stërlashtë, që nuk ishte populli serb. Pikërisht në kapërcim të shek. XIX-XX studiues serbë u kujtuan për hamendjet konspirative të “gjermanit të mirë” Konrad Mannert, dhe duke kapërcyer mbi të, shpallën zbulimin sensacional se ilirët e lashtësisë paskëshin qenë, hiç më shumë e hiç më pak, se sllavë. Madje sllavë ishin sipas tyre edhe trakët, madje-madje edhe italianët[5]. Kështu, duke i bërë me një të rënë të lapsit ilirët sllavë, goditej në mënyrë radikale autoktonia e shqiptarëve dhe promovohej autoktonia e serbëve. Sigurisht, ky zbulim u shoqërua nga një heshtje edhe më shurdhuese se ajo që kishte shoqëruar exploit-i e Mannert. I pari që mori distancë prej tij ishte vetë babai i historiografisë kritike serbe, Hilarion Ruvarac, i cili edhe pse nuk qe më pak serb se të parët, nuk e vuri asnjëherë në dyshim lidhjen gjenetike mes shqipes e ilirishtes, mes shqiptarëve e ilirëve[6]. Megjithatë, dekada më vonë, kur epokës së “bashkim-vëllazërimit” titist i erdhi fundi, përfaqësues të gjeneratës së re të historiografisë nacionaliste serbe, e morën si të mirëqenë tezën e mësuesve të tyre mbi kinse mungesën e lidhjeve gjenetike mes ilirëve të lashtësisë e arbërve të mesjetës. Madje e shoqëruan atë me një postilë asgjësuese, sipas së cilës, të vetëquajturit shqiptarë të epokës moderne, jo vetëm nuk kanë asnjë lidhje me ilirët dhe me Arbrit e shekujve II-XI, por ata paskan ardhur e janë vendosur në këtë anë të Ballkanit perëndimor aty nga shek. XIII, duke dëbuar prej andej “sllavët e vllehët autoktonë”. Vërtet, ka një kleçkë të vogël, pasi burimet bizantine, latine e sllave nga shek. I e deri në shek. XIII të erës sonë flasin vetëm për banorët ilirë apo iliro-arbërorë të asaj treve. Megjithatë, studiues serbë, si I. Božić, V. Popović, P. Komatina e shokë e kanë të gatëshme zgjidhjen. Sipas tyre, si “autoktonët sllavë e vllehë”, ashtu edhe “ardhacakët shqiptarë” të shek. XIII, janë quajtur prej atyre burimeve me emrin arbërorë (Albanitai, Albanenses, Arbanasi), me çka duhen kuptuar thjesht banorët e Arbrit, por jo etnia e tyre që në rrjedhë të shekujve paska ndryshuar disa herë[7]. Veçse, lexuesi është i përligjur të pyesë: nëse Francës ia dhanë emrin frankët, e po ashtu sikulët Sicilisë, helenët Heladës, longobardët Lombardisë, normanët Normandisë, serbët Serbisë, bullgarët Bullgarisë, kroatët Kroacisë; nëse Thesalia e antikitetit në shek. XI e ndërroi emrin në Vllahia e Madhe, siç ia dhanë asaj banorët e rinj vllehë të saj; nëse Albania e dikurshme e Kaukazit u ripagëzua në shek. XIX me emrin Azerbaxhan falë shumicës azere të popullsisë, e nëse kështu ka ndodhur gjithëkund, lind pyetja se ç’veti specifike paska patur ky vend i vogël i quajtur arbër (Albanon, Albanum), që ndryshe nga të tjerët, nuk e ka marrë emrin nga banorët, por ka qenë ai që u ka imponuar emrin e vet popullsive të ndryshme, që paskan ardhur e janë vendosur aty në kohë njëra pas tjetrës? E kështu, për shkak të emrit të tij arbër, na qenkan quajtur arbërorë si sllavët serbë ashtu edhe latinët vllehë, e po ashtu edhe shqiptarët e kushediçfarshëm, të dyndur në atë vend “vonë, shumë vonë”, sipas përcaktimit të bërë nga historianët serbë[8].
Gara për të sajuar etnogjeneza të reja për shqiptarët, ku sot shquhen studiues sllavë e mes tyre ata serbë, merr kuptim kur konstaton se pas viteve 1990, të njëjtët studiues kanë ndërtuar gjenealogji të reja për vetë popujt e tyre. Në themel të tyre qëndron obsesioni i “autoktonisë”. Kështu, sllavët krijuan “shkollat” e tyre autoktoniste që rreken, secila për llogari të vet, të provojnë hershmërinë e popullit të vet. Qëllimi i paracaktuar i tyre është të tregohet se sllavët nuk janë ardhës të rinj në Ballkan, por janë banorë të hershëm të tij, madje më të hershëm se ata që shkenca deri tani i ka konsideruar si popujt e vjetër të atij gadishulli[9]. Kështu, kohët e fundit “autoktonistët” sllovenë kanë zbuluar se populli i tyre e ka origjinën nga venetët, ata kroatë pretendojnë se janë pasardhës të dyndjeve parahistorike me prejardhje iraniane. Ndërkohë, serbët, malazezët e bullgarët kanë shpikur origjina “protosllave” apo “protobullgare”. Në Serbi “shkolla autoktoniste” ka gjetur përfaqësuesen më luftarake te autorja Olga Lukoviç-Pjanoviç. Për t’i kapur idenë, lexuesi nuk ka pse të humbë kohë të lexojë “studimin” dyvëllimësh të saj. Mjafton titulli nervoz, kategorik e i paapelueshëm që ajo ka zgjedhur për veprën e vet: Serbët, populli më i vjetër. Në këto kushte, duken të largëta kohët, kur historianë me integritet e autoritet serbë, si Hilarion Ruvarac, Jovan Kovačević e makar Milutin Garašanin, Fanoula Papazoglou e Sima Ćirković, këta të fundit edhe në botimin e porositur të vitit 1988, Les Illyriens et les Albanais, patën megjithatë ndershmërinë profesionale e kurajon qytetare për të pohuar se në shek. VI-VII, kur erdhën në Ballkanin perëndimor, sllavët gjetën aty popullsitë e hershme, para së gjithash ilirët, paraardhësit e shqiptarëve modernë[10].
Në historiografinë mbi shqiptarët në mesjetë është bërë zakon të fillohet me dëshminë e shek. II të gjeografit Ptoleme të Aleksandrisë i cili, mes popujve e fiseve të tjera, përmend dhe fisin ilir të arbërve (Albanoi) dhe kryeqendrën e tyre Albanopolis. Pastaj kapërcehen nëntë shekuj, për të mbërritur tek historiani bizantin, Mihail Ataliati, i cili i sjell në gojë arbrit (albanët) si trupë luftëtarësh besnikë të gjeneralit bizantin Georg Maniakes në Sicili. Mbi këtë bazë është ngritur miti i “zbrazëtirës historike të shqiptarëve” në shek. II-XI, çka i ka mundësuar shumëkujt “ta mbushi” atë zbrazëtirë me mitologji të sajuara në tavolinë. Ndërkohë, në ato nëntë shekuj “heshtjeje”, burimet vijojnë të flasin për ilirët si një entitet i formuar etno-kulturor dhe për Ilirinë, atdheun e tyre. ilirë i quajnë burimet edhe pas shek. II popullsitë e përfshira në provincat e dikurshme romake të Prevalit, Dardanisë, Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër. Madje, ato popullsi nuk mungojnë të përcaktohen prej tyre edhe si “farë ilire” (Ίλλυριòν τò γένος), apo “popull ilir” (τὸ Ἰλλυρίων ἔθνος) . Për ilirë e për farë ilire flasin edhe Prokopi i Cezaresë, në shek. VI, dhe Theofan Konfesori, në shek. VIII[11]. Në shek. VI, murgu Kozma shkruante se ky popull ilir zinte hapësirën mes grekëve e dalmatëve dhe bashkë me bullgarët, grekët, dalmatët, gotët, spanjollët, bizantinët, frankët etj., bënte pjesë në bashkësinë e popujve të krishterë “që besonin dhe përhapnin fjalën e Krishtit”[12]. Porphyrogeneti në shek. X, Anna Komnena në shek. XI, Eustathi i Selanikut në shek. XII, Pahimeri në shek. XIII apo Skutarioti e Kritobuli në shek. XIV-XV, parapëlqejnë akoma t’u drejtohen termave Iliri, për vendin, dhe ilirë, për banorët, në një kohë kur etnonimet Arbëri dhe arbërorë (Albania, Albanenses) kishin fituar tashmë përdorim të gjerë në burimet bizantine dhe në ato perëndimore[13]. Në kapërcyell të shek. XII-XIII, dy klerikë të lartë, sekretari (kartofylaks) i peshkopatës së Athinës, Georg Bardhani dhe kryepeshkopi i dioqezës së Epirit, Joan Apokauku, e quanin Epirin me emrin Iliri (Ἰλλυρίς) dhe banorët e saj ilirë (Ἰλλυριοί) [14]. Madje, këta të fundit nuk mungojnë t’i quajnë edhe barbarofonë, ngaqë nuk njihnin “gjuhën e pastër e fisnike greke”[15]. Madje, burime të shek. XV, si i ashtuquajturi “Epitaf i perandorit Manuel Paleologu” e gjithashtu intelektuali bizantin Georgios Gemista Plethoni, kur bëjnë fjalë për emigrimet e shqiptarëve të asaj kohe drejt krahinave greke, i thërrasin shqiptarët me emrin e lashtë ilirë[16]. Vlen të thuhet, se autorë, si Efremi e Nikefor Gregora, përdorin për shqiptarët si njerin apelativ (ilirë), ashtu edhe tjetrin (arbërorë)[17]. Dhe po ashtu vepron edhe autori tjetër i shek. XV, Kritobuli i Imbrosit[18]. Ndërkohë, po në shek. XV, Mihal Dukas, i cili flet për të njëjtat ngjarje për të cilat bën fjalë Kritobuli, i quan shqiptarët me emrin arbërorë[19]. Nga ana e tij, Georgios Scholarios, flet për “ilirë” (Ἰλλυριῶν ἔθνος), madje edhe për “kombin e ilirëve”, ndërkohë që atdheun e tyre e quan “Arbëri” (Ἀλβανιτία)[20]. Gjë që tregon, se këto dy nocione ishin të barasvlershme për bizantinët. Dhe në fakt, në shek. XIV autorë bizantinë nuk mungojnë ta thonë shkoqur, se “ilirët janë arbërorët e sotëm”[21], apo anasjelltas: “arbërorët janë farë ilire”[22].
Ja pra, që e ashtuquajtura “gollë” e shek. II-XI, gjatë së cilës pretendohet se arbrit nuk përmenden në burimet historike, nuk ekzistoka. Në Mesjetë njerëzit e kishin fare të qartë se arbrit ishin pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve. Në mënyrë implicite e dëshmon këtë qysh në shek. X vetë historiani, njëherësh perandor i Bizantit Konstantin Porfyrogjeneti. Ky në librin e tij Mbi qeverisjen e Perandorisë e sjell fjalën për një vend në anët e Kaukazit, diku midis Azerbajxhanit e Armenisë së sotme, i cili prej antikitetit e deri në shek. XIX përmendet në burimet me emrin Albania[23]. Kështu e quan rregullisht edhe Porfyrogjeneti[24]. Por, në një rast të vetëm, ai e quan atë vend me emrin Iliri[25]. Bëhet fjalë, siç do të thuhej sot, për një lapsus freudian. Qartazi, në mendjen e perandorit ekzistonte ekuacioni Arbëri=Iliri (përkatësisht arbër=ilirë), që e kishte burimin në Ilirinë-Albaninë e Ballkanit dhe që ai, gabimisht apo për provokim, e zhvendos në një realitet tjetër gjeografik, në Kaukaz, ku vërtet ekzistonte një vend i quajtur Albani, por ky nuk kishte edhe një emër të dytë, më të hershëm, Iliri, si në rastin e parë. Pavarësisht kësaj, ky usus improprius ofron një provë të tërthortë, që emri Arbëri njihej e përdorej këtu paralelisht me emrin e vjetër Iliri në kohën e Porfyrogenetit, në shek. X[26]. Nga ana tjetër, një dorëshkrim sllav i asaj kohe e rendit popullin e arbërve (arbanasi) mes 12 popujve të klasifikuar si “gjysmë-besimtarë”, bashkë me alamanët, frankët, hungarezët (magjarët), hinsianët, jakobitët, armenët, saksonët, lachianët, kroatët, hizët e gjermanët[27]. I bërë i njohur vetëm kohët e fundit, ky rast tregon se në të ardhmen mund të zbulohen burime të tjera, edhe më të hershme se këto të shek. X-XI, ku shqiptarët e mesjetës të përmenden në mënyrë eksplicite me emrin arbër.
Në përfundim, mund të thuhet që “golla e shek. II-XI” në mesjetën shqiptare është një mit i ngritur nga historiografia sllave, për të akredituar përfundime të paracaktuara: se mes ilirëve të lashtësisë e Shqiptarëve të sotëm nuk ekzistojnë lidhje vazhdimësie etno-kulturore, dhe se Shqiptarët janë shfaqur në vendin e quajtur arbër aty nga shek. XIII, ku me kohë u kthyen në popullsi mbizotëruese duke dëbuar e asimiluar popullsinë “autoktone” serbe e vllahe. Ajo që është tronditëse për kodin e sjelljes së historianit, është se ndërsa hidhen ide të tilla “revolucionare”, nuk ofrohet asnjë provë, makar edhe indicie historike, arkeologjike, linguistike, antropologjike dhe e çdo natyre qoftë. Ndërkohë, injorohen e skartohen në heshtje dëshmi të botuara e të njohura, si ato që u përmendën më sipër, të cilat lehtësisht përgënjeshtrojnë hamendjet në fjalë. Njëherësh, kërkohet të konsolidohet ideja se për mesjetën e hershme shqiptare ekzistojnë vetëm dy data, shek. II dhe shek. XI, dhe është e kotë të shpresohet për ndonjë të dhënë të re përtej atyre që ofrojnë përkatësisht Ptolemeu e Mihal Ataliati.
Në fakt, në pritje të gjetjeve e të dhënave të reja, që gjithsesi do vijnë, mund të shqyrtohen e të vlerësohen edhe ato “të vjetra”, të botuara vite e shekuj më parë, por që janë injoruar nga historiografia e huaj, e në gjurmë të saj, edhe nga historiografia shqiptare. Ky është rasti i një pasazhi nga traktati De re rustica (Mbi bujqësinë) i autorit romak Lucius Junius Columella, që ka jetuar mes viteve 4 e 70 të erës së re. Thotë Columella: “Sikundër ata individë, që e braktisin shtëpinë e tyre për shkak të ligësisë së fqinjëve, po ashtu edhe popuj të tërë, si akejtë, hiberët, arbërit (Albani) e sikulët, për të mos folur për popuj edhe më të lashtë, pellazgët, aborigjenët dhe arkadët që ne i mbajmë për etërit tanë, u detyruan të braktisin tokën amtare e të kërkojnë një atdhe tjetër ngaqë nuk mundën të duronin fqinjët e tyre të liq”[28]. Columella shkruante një shekull përpara Ptolemeut të Aleksandrisë, e pra, për momentin, mund të konsiderohet i pari autor që flet për popullin e arbërve (Albani). Kuptohet qartë se këtu jemi në kontekstin e popujve mesdhetarë, e nuk bëhet fjalë për Albanët e Kaukazit, apo për ata të Skocisë. Të gjithë popujt e përmendur aty nga Columella, si ata realë, ashtu edhe ata mitologjikë (pellazgët, aborigjenët, arkadët) zinin krejt fashën veriore të Detit Mesdhe. Nga ana tjetër, ndryshe nga Ptolemeu, që i shënon si një nga fiset ilire, Columella i përmend arbrit (albanët) si popull, e jo si fis, ashtu siç përmend edhe popujt e tjerë të hershëm të Mesdheut. Çka shtyn të mendosh, që qysh në shek. I, arbërit (albanët) konsideroheshin në Romë si faktor i privilegjuar, që përfaqësonte mbarë konstelacionin ilir. Pra, procesi i identifikimi i fiseve ilire me emrin e njërit prej tyre, arbërve, ka filluar shumë kohë para se ndodhte kalimi në mesjetën e hershme. Me shumë gjasë, arbrit ia detyronin një primat të tillë vendndodhjes së tyre në traktin më të vështirë të rrugës strategjike Egnatia. Historianët bizantinë njoftojnë, se qoftë kur zgjatej nga Durrësi drejt Ohrit, e qoftë kur degëzonte në drejtim të Dibrës, kjo rrugë përshkonte “humnerat e Arbrit”[29]. Transporti nëpër të i ushtrive, i furnizimeve e i mallrave varej shumë nga disponimi i popullsive dhe i krerëve të atyre vendeve. Ky merrte, për mirë a për keq, në varësi të marrëveshjeve të veçanta të arritura me sovranët e huaj, të cilat garantonin ruajtjen e privilegjeve të vjetra, të zakoneve të mira të vendit (bonos usus) e sigurisht të një autonomie administrative, për çka tregonin fanatizëm të veçantë krerët e Arbrit[30]. Në këtë mënyrë, në këtë trevë qendrore lindën ato forma të para të organizimit politik e shtetëror, që i dhanë prestigj të veçantë pikërisht “krerëve e fisnikëve të Arbrit” (baronibus et nobilibus de l’Albano)[31]. Në fund të fundit, siç nënvizon një dokument i vitit 1308, kontrolli i pushteteve të huaja mbi Durrësin e mbi rrugën Egnatia varej “nga vullneti i lirë i zotërve të asaj treve” (ex voluntate libera illorum dominorum de terra)[32]. Raporti i preferuar me pushtetet e huaja, që gravitonin gjithmonë rreth Durrësit e rrugës Egnatia, i veshi krerët e Arbrit edhe me funksionin specifik të ndërmjetësimit e të përfaqësimit gjithashtu të krerëve të trevave të tjera shqiptare në raportet me ato pushtete. Kështu, në sytë e të huajve, fillimisht, edhe ato treva nisën të identifikoheshin gjithnjë e më shumë me Arbrin.
© 2025 Pëllumb Xhufi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
[1] “Entre la disparition des Illyriens et l’apparition des Albanais se sont écoulés environ huit siècles. II faudra attendre autant pour voir les Illyriens ressuscités, cette fois-ci travestis en Albanais, раг des philologues érudits sortis des meilleures universitès allemandes. De tout ce qui a eté dit jusqu’a present, on peut conclure que le problème albanais n’est ni ethnique, ni national, mais surtout politique, culturel et social”, V. Popoviç, “L’Albanie pendant la basse Antinquité”, në: Les Illyriens et les Albanais, Serie de conférénces tenues du 21 Mai au 4 Juin 1986, Red. Milutin Garašanin, Beograd: Academie Serbe des Sciences et des Arts, 1988, f. 283.
[2] Konrad Mannert, Geographie der Griechen und Römer, VII. Theil, Landshut: Philipp Krüll, 1812, f. 409.
[3] Pauly-Wissowa, Realencyclopädie der classischen Altertumswissenschaft, Bd. I (Aal-Apo). Stuttgart: J. B. Metzlerscher Verlag, 1894, fq. 1306-1307 (zëri “Albanoi”, autor: Wilhelm Tomaschek).
[4] G. Stadtmüller, “Die Geschichte der albanischen Frage”, në: Forschungen zur albanischen Frühgeschichte, Wiesbaden: Otto Harrassowitz, 1966, f. 39-46.
[5] Lubor Niederle, Manuel de l’antiquitè slave, tome I, Paris: Honoré Champion, 1923, f. 44, 45.
[6] Hilarion Ruvarac, në: Archiv für Slavische Philologie, 6 (1882), 135-136; L. Niederle, cit.; Jovan Kovačević, “Od doseljenja Slovena do kraja XII vijeka”, në: Istorija Crne Gore, knj. I, Titograd: Redakcija za Istoriju Crne Gore, 1967, f. 307, 310, 329; M. Garašanin, “Formation et origine des Illyriens”, në: Les Illyriens et les Albanais, Beograd, 1988, f. 140-144.
[7] Ivan Božić, “Albanija i Arbanasi u XIII, XIV i XV veku”, Glas SANU, CCCVIII (1983), f. 14-17; Predrag Komatina, “O albanskom etnonimu u srednjem veku”, ZRVI, LVIII (2021) 23-38.
[8] Për krikën ndaj këtyre tezave, shih: A. Ducellier, “Nouvel essai de mise au point sul l’apparition du peuple albanais dans les sources historiques byzantines”, Iliria, 5 (1976) 205-210.
[9] Ulf Brunnbauer, “llyrer, Veneter, Iraner, Urserben, Makedonen, Altbulgaren … Autochthonistische und nichtslawische Herkunftsmythen unter den Südslawen”, Zeitschrift für Balkanologie 42 (2006), 37-62.
[10] H. Ruvarac, në: Archiv für Slavische Philologie, 6 (1882), 135-136; J. Kovačević, “Od doseljenja Slovena do kraja XII vijeka”, në: Istorija Crne Gore, knj. I, Titograd: Redakcija za Istoriju Crne Gore, 1967, f. 307-311; J. Kovačević, “Od doseljenja Slovena do kraja XII vijeka”, në: Istorija Crne Gore, knj. I, Titograd: Redakcija za Istoriju Crne Gore, 1967, f. 307, 310, 329; M. Garašanin, “Formation et origine des Illyriens”, në: Les Illyriens et les Albanais, Beograd, 1988, f. 140-144; F. Papazoglou, “Les Royaumes d’Illyrie et de Dardanie”, po aty, f. 199; S. Cirković, “Les Albanais dans les sources historiques des Slaves du Sud”, po aty, f. 343 vj.
[11] «Ἰλλυριὸς μὲν τὸ γένος», Theophani Confessoris, Chronographia, PG, tom 108, col. 352, 392, 433; Procopii Caesariensis, Historia Arcana, në: Opera Omnia, bot. Jacob Haury, vëll. III,1, Lipsiae: B. G. Teubner, 1906, f. 38.
[12] Cosmas Indicopleustes, Topographia Christiana, J.-P. Migne, PG, tom. 88, col. 169; K. Dietrich, Byzantinische Quellen zur Länder-und Völkerkunde, V-XV Jhrd., Teil. 1, Leipzig, 1912, f. 18-19.
[13] Const. Porphyrogenitus, De administrando imperio, f. 212; An. Comnena, Alexias, col. 121, 169; Joan. Zonara, Epitomae Historiarum, f. 37, 102 (B”D’ [88LD4@ÃH DPT<; §B”DPT< Jä< [8LD4ä<). Shih gjithashtu autorët bizantinë: Teodor Skutarioti, Eustathi Selanikut, Efremi, Georg Pachymeres, Nikefor Gregora, Kritobuli, në: K. Bozhori-F. Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, 141, 168, 185, 197, 201, 215, 344, 351.
[14] V. Vasilievskij, “Epirotica saeculi XIII”, Vizantijskij Vremenik, III (1896) 256, 258.
[15] Me atë rast, Georg Bardhani, që dikur kishte shërbyer si klerik në Epir e aktualisht shërbente në Athinë, shprehej se e konsideronte veten fatlum, “që ishte larguar nga barbarofonët dhe ishte vendosur mes njerëzve që flisnin gjuhën e pastër e fisnike greke”, V. Vasilievskij, “Epirotica saeculi XIII”, f. 257.
[16] S. Lambros, “Georgiou Gemistou eis Epitaphion”, 41; J. Chrysostomides, Manuel II Palaiologus. Funeral Oration, 119; P. Fourikes, “Pothen to ethnikon Arvanites”, 531.
[17] K. Bozhori-F. Liço, Burime tregimtare bizantine, 185, 186, 210, 213, 216.
[18] K. Bozhori-F. Liço, Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, f. 344-452.
[19] Po aty, f. 354-357.
[20] P. Fourikes, “Pothen to ethnikon Arvanites”, f. 531.
[21] “Ίλλυριοì οί Άλβανîται”, A. Diller, “Byzantine Lists of geographical Names”, 33.
[22] “Ἀλβανοὶ γένος Ἰλλυρικόν”, S. Lambros, “Anonymou Panegyrikos eis Manouel kai Joannen VI Palaiologous”, Palaiologeia kai Peloponnesiaka III (1926) 194; J. Chrysostomides, Manuel II Palaiologus. Funeral Oration, 119.
[23] Strab. Geogr. 11, 5; Plin. Hist. Nat., lib. III, cap. 4, 9; Steph. Byz., Ethnika, ed. Meinecke, Berlin, 1849, f. 69; Chronicon Paschale, ed. L. Dindorf, 47, 48; Menandri Protectoris Historia, 393; Theophylacti Simocattae Historiae, 128; Theophani, Chronographia, PG, tom 108, f. 564, 644, 737; Joan. Zonaras, Epitomae Historiarum, f. 229 (Ἀλβανία), 251 (Ἀλβανοί).
[24] C. Porphyrogenitus, De administrando Imperio, shih në treguesin e emrave.
[25] C. Porphyrogenitus, De administrando imperio, f. 212.
[26] P. Xhufi, Dilemat e Arbrit, Tiranë: Pegi, 2006, f. 8-9.
[27] S. Ćirković, “Tradition interchanged: Albanians in the Serbian, Serbs in the Albanian Medieval Texts”, The mediaeval Albanians, Athens, 1998, f. 197, 198.
[28] “adeo quidem ut multi praetulerint carere penatibus et propter iniuriam vicinorum sedes suas profugerint. Nisi aliter existimamus diversum orbem gentes universas petisse relicto patrio solo, Achaeos dico et Hiberos, Albanos quoque nec minus Siculos et, ut primordia nostra contingam, Pelasgos, Aborigenes, Arcadas, quam quia malos vicinos ferre non potuerant”, Lucius Junius Columella, De re rustica, Cambridge Mass.: Harvard University Press, 1960, f. 44-46.
[29] «τοῦ Ἀλβανοῦ δυσχωρίαι», Acropolita, Annales, në: J.-P. Migne, Patrologia Graeca, tom 140, col. 1021.
[30] Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I, Vjenë, 1913, nr. 268, 269; A. Rambaud, L’empire grec au dixième siècle, Paris, 1870, f. 261, 262.
[31] Po aty, II, nr. 497.
[32] O. Gorka, Anonymi Descriptio Europae Orientalis, Cracoviae: Academia Litterarum, 1916, f. 26.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.
Besoj qe prof. Xhufi do ta kishte artikullin edhe me te cmuar, nese do te kishte argumentuar se autoret e cituar bizantine, nuk vuanin nga anakronizmi historik, kur ndershkembejne iliret e arberit, por bazoheshin ne autore me te hershem bizantine apo me se paku, se veprat e tyre nuk vuajne ne teresi nga anakronizmi, kur u referohen popujve te tjere. Do thuhej se Homeri ishte plotesisht anakronik, por e beson (apo ben sikur) nje bote e tere, e megjithate kjo eshte ceshtje me serioze per shqiptaret sesa Lufta e Trojes per boten mbare.
Ceshtja jone eshte padyshim indoeuropianistike, por edhe pse ne skemi nxjerre ende ndonje indoeuropianist, ne ate te voglen tone besoj se mund te jemi rigoroze, sipas parimit pak e sakte.
Serbet mund te pellasin shume gjera, por proto-sllavet nuk ishin shkeputur ende nga proto-baltet kur ne protoshqip reshti se kthyeri sk ne h, e as proto-baltosllavet nuk dihet nga kush grup u shkeputen kur ne protoshqip reshti se kthyeri ks ne sk.
Nuk eshte se jugosllavet jane te marre qe merren me hipoteza autoktonie, ka dhjetevjecare qe kohet indoeuropianistike jane shtyre thelle ne prehistori. Tani edhe neve nuk kemi ndonje arsye te forte , te themi se shqipja vjen nga ilirishtja e shqiptaret nga iliret, por me shume qe ilirishtja eshte variant i protoshqipes dhe iliret nje hallke qe lidh shqiptaret me protoshqiptaret.