Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Botime / Diaspora / Emigracion

ATDHEU NË SHUMËS

Pasi e lexon romanin me titullin e pazakontë ë të Jehona Kicajt[1], e ndien se asnjë titull tjetër nuk do ta kishte shprehur kaq qartë thelbin e tij. Jo me një fjalë apo dy, por me një shkronjë të vetme,[2] duke qëlluar mjeshtërisht në shenjë. Në gjuhën shqipe zanorja ë në pozicion fundor nuk shqiptohet, por ky mosshqiptim zgjat zanoren e mëparshme, pra sjell një ndryshim në “trupin” e fjalës, në tingëllimin e saj. Kësisoj ajo çka nuk artikulohet, nuk shprehet, pyetjet e pabëra dhe përgjigjet e padhëna, nuk kanë si të kalojnë pa lënë gjurmë në trupin e individit dhe të shoqërisë. Një paraqitje të romanit në kuadër të letërsisë transnacionale nga Ballkani, por edhe të formave të tjera të artit që merren me luftërat e viteve 90 në ish-Jugosllavi, e ofron Kristian Vos (Christian Voss)[3] në një artikull të botuar po në faqet e kësaj reviste. Përveç romanit debutues ë, Jehona Kicaj ka publikuar dhe tekste të tjera eseistike dhe letrare.[4] Interesant në lidhje me romanin është një syth, një fillesë e tij e botuar fillimisht në anglisht, pastaj në gjermanisht.[5] Autorja është bashkëthemeluese e Shtëpisë Botuese Re:sonar[6] dhe punon aktualisht si lektore në një shtëpi botuese për libra shkencorë (De Gruyter Brill).

Ashtu si protagonistja e romanit, edhe autorja ka emigruar në vogëli bashkë me familjen e saj, pak vite përpara luftës së Kosovës në Gjermani. Nga kjo perspektivë, nga perspektiva e diasporës, ajo rrëfen për luftën dhe pasojat e saj, ndonëse nuk e ka përjetuar drejtpërsëdrejti atë. Jehona Kicaj largohet nga vendlindja për të vijuar jetën në një vend tjetër dhe në një gjuhë tjetër. Në vendlindje ka kaluar fare pak vite të jetës së saj, në vendin tjetër të quajtur Gjermani ka kaluar 30 vjet dhe boton letërsi në gjermanisht. Nëse Kosova është atdheu, atëherë lind shumë natyrshëm pyetja: çfarë është Gjermania? Kjo pyetje i shkon nëpër mend secilit prej nesh në ecejaket nga vendlindja ku kemi jetuar në atë vendin tjetër ku jetojmë, duke u ndjerë të dyfishtë dhe të reduktuar njëkohësisht.

Romani është shkruar dhe botuar në gjermanisht dhe kjo gjuhë ofron jo vetëm leksemën Vaterland (atdhe), por dhe Heimat me një ngjyrim të veçantë[7]. Një krahasim i shkurtër me gjuhë të tilla si frëngjishtja, italishtja apo anglishtja nxjerr në pah pikërisht veçantinë e leksemës Heimat, e cila në gjermanisht ka një ngarkesë emocionale që nuk mund të përçohet në mënyrë autentike në gjuhët e mësipërme (pays natal, terre natale, patrie; terra d’origine, luogo d’origine, paese natale, patria; homeland, native country, native land, fatherland). E njëjta mund të thuhet dhe për shqipen. Pra vendlindje,[8] vend i origjinës, trevë amtare, atdhe. (botë si tek Buzuku: “ensëh dashunit sëh botësë sanëh”[9] ose vise si shumësi i vjetër i vend sipas Çabejt[10]). Nëse Vaterland është një koncept politik, ka kufij që sipas rastit edhe duhen mbrojtur, ka një flamur, një kryeqytet, Heimat[11] nuk ka as uniforma, as flamur, mund të jetë vendi ku ke lindur dhe je rritur, por edhe një vend ku ndjehesh si në shtëpi (ubi bene ibi patria), sepse “kujtimet dhe malli i shndërrojnë vendet në atdhe.”[12] Sipas një proverbi kinez çdo dhé është një atdhe. Në këtë kuptim, duke qenë se ndryshimi i mësipërm në gjuhën shqipe përkthehet kryesisht me atdhe, a mund të përdorim numrin shumës për autoren, për protagonisten e romanit, për diasporën, pra për të gjithë ne “të shpërndarët” kudo nëpër botë?

Së paku sipas fjalorit jo, vëren gazetari Enver Robelli[13] në një artikull të shkruar në vitin 2020 pas përvojës së hidhur të pandemisë, e cila i detyroi shumë prej nesh të mos kenë mundësi t’i kalojnë pushimet e verës në atdhe. Por, vijon ai, “në vitin 2020 gjithsesi mund të flasim për atdhetë, për të gjithë ne që jemi rritur mes Kosovës dhe Evropës Perëndimore, mes atdheut ku jemi lindur dhe… atdheut të ri.” Dhe ndërmjet atdheut ku kemi lindur dhe atdheut të ri perspektiva e diasporës dhe përvoja e saj janë shumë të vyera. Kjo e fundit përvijohet konkretisht nga “njohja e një heterogjeniteti dhe ndryshueshmërie të domosdoshme”, nga një koncept i identitetit i cili “jeton bashkë me diferencën, nga diferenca, por jo pavarësisht diferencës.”[14] Në romanin ë lufta e Kosovës trajtohet pikërisht nga perspektiva e diasporës[15], pra pa e përjashtuar shumësin. Në gjermanisht qysh prej vitit 2020 Duden e markon leksemën Heimat edhe në shumës. Në gjuhën shqipe atdheu ka mbetur në njëjës.

Protagonistja pa emër e romanit ka studiuar histori, gjermanisht dhe filozofi, punon përkohësisht në një muzeum dhe është në pritje të përgjigjes për të bërë stazhin në një shkollë, që të mund të punojë si mësuese. Rrëfimi bëhet në vetën e parë. Romani shpërfaq një përthyerje në kohë dhe hapësirë. Në këtë përthyerje protagonistja ravijëzohet herë si vogëlushja në kopshtin e fëmijëve apo në shkollën fillore, fill pas emigrimit në Gjermani me prindërit disa vite para luftës, herë si studentja në universitet apo duke punuar në muzeum. Kujtimet dhe përjetimet e saj në të shkuarën dhe të tashmen e afërt, por më së shumti ato të të afërmve që e kanë përjetuar drejtpërsëdrejti luftën e Kosovës vërshojnë pa rend, pa plan, të ndërkallura në fragmentarizmin e tyre. Në një episod na shfaqet ajo në shkollën fillore mes fëmijëve të tjerë në atdheun e ri, teksa mësuesja i kërkon të këndojë përshëndetjen rutinë në “gjuhën jugosllave”, ndërkohë që vogëlushja nuk i gjen dot fjalët në gjuhën e re për të shpjeguar se “gjuha jugosllave” nuk është gjuha e saj. Në një tjetër e shohim si studente duke vizituar në Kosovë varrin e gjyshes dhe varrin bosh të gjyshit të zhdukur në luftë, diku shfaqet emta e saj gjatë luftës duke groposur në oborr para se të largohen nga shtëpia bashkë me fotografitë e familjes dhe kajnakat (zaret prej qelqi) me të cilat luante i biri, pastaj një autobus në kufi të Serbisë dhe përvoja poshtëruese e kalimit të kufirit, më tej autobusi Diana që lidh fshatrat me Suharekën dhe mban emrin e një bebeje tetëmuajshe të cilën ia hoqën me dhunë nga krahët së ëmës, diku një djalë që rend të hapë i pari portën fill pas mbarimit të luftës kur familja kthehet dhe mina që shpërthen e bën fërtele.

Spica kujtimesh për pyetje të pabëra dhe përgjigje të padhëna, por që në heshtjen e tyre kanë lënë gjurmë. Romani zë fill pikërisht me këtë gjurmë, me një spicë dhëmbi që protagonistja ndien në gojë pasi është zgjuar. Gjatë vizitës tek dentisti për këtë arsye, ky i fundit diagnostikon bruksizëm[16] dhe i shpjegon asaj, që nëse situata nuk përmirësohet, ajo rrezikon të flasë vetëm duke pasur dhimbje për shkak të tensionimit të nofullave, lëvizja e të cilave kur ajo hap gojën për të folur dëgjohet sikur “thyhen kocka”. Dentisti, një mjek me dell filozofik (babai i tij ka qenë profesor filozofie), i thotë pacientes së tij, se ajo duhet të ndërgjegjësohet mendërisht, që nuk është normale t’i mbash dhëmbët të shtrënguar dhe t’i lirosh vetëm kur ke për të kafshuar, përtypur apo folur, “siç nuk është normale që të ecim me duar kokëposhtë.”[17] Një tëhuajtje e trupit, që studentes së sapo diplomuar të ulur në kolltukun e dentistit i sjell ndërmend një frazë nga Georg Byhner (Büchner.[18] Për vite me radhë protagonistja i ka kapërdirë fjalët të papërtypura, duke mos i artikuluar, dhe kjo tëhuajtje, ky vetëshkatërrim, kjo traumë e trashëguar dhe e bartur nga vendlindja gjen shprehje në një simptomë trupore: dhëmbët bluajnë heshtjen, pra vetveten. Sepse ajo vjen nga një vend që është rrënuar, ka lindur në një shtëpi që është djegur (në një shtëpi që e kanë vrarë), ka dëgjuar ninulla në një gjuhë që është shtypur (ndaluar)[19], ajo vjen nga pafjalësia.[20]

Pikërisht pafjalësia, kanosja e humbjes së gjuhës bëhet shkas për të kërkuar arsyet e këtij vetëshkatërrimi, për të rrëfyer, për t’iu qasur në mënyrë të ndërgjegjshme kujtimeve të saj indirekte për luftën, por dhe kujtimeve të të afërmve që e kanë përjetuar luftën si dhe për të hulumtuar. Përmes kërkimeve në internet, materialeve filmike, fotografive, muzikës, vizitave në ekspozita dhe mbi të gjitha përmes ciklit të ligjëratave për rolin e antropologjisë forenzike në skenarët e dhunës në shekullin e 20-të, konkretisht në Kosovë, protagonistja mëton ta plotësojë në mënyrë të ndërgjegjshme kuadrin e këtyre kujtimeve. Cikli i ligjëratave mbahet në një sallë të universitetit, e cila është parashikuar për 200 persona. Prania e vetëm 30 personave në sallë është një tregues për mosinteresimin e shoqërisë gjermane lidhur me luftën e Kosovës, e cila në fakt ka shënuar një kthesë epokale [paçka se këtë koncept ish-kancelari gjerman Olaf Sholc (Scholz)[21] e përdori lidhur me luftën në Ukrainë] për këtë shoqëri, sepse ka qenë konflikti i parë i armatosur në të cilin Gjermania mori pjesë pas Luftës së Dytë Botërore. Pasojë e luftës së Kosovës qe një valë e madhe refugjatësh që erdhën në Gjermani, të cilët iu shtuan atyre që kishin ardhur më parë për arsye ekonomike dhe politike. Shumë prej këtyre njerëzve u kthyen, por shumë qëndruan në atdheun e ri, duke u bërë pjesë e shoqërisë gjermane.

Në ciklin e ligjëratave antropologia shpjegon se në punën e saj ajo e quan veten përkthyese të gjuhës së skeleteve. Ajo përpiqet t’u japë zë kockave të të vdekurve, t’i bëjë ato të flasin. Heshtja e tyre, njëlloj si rënia e ë-së në pozicion fundor, ka lënë gjurmë në trupin e shoqërisë. Në një nga ligjëratat ajo flet për odontogramin, paraqitjen skematike të aparatit përtypës dhe rolin e dhëmbëve në identifikimin e skeleteve, duke i quajtur dhëmbët “dëshmitarë të heshtur.”[22] Dhëmbi dhe gjuha janë dy organe fare pranë njëri-tjetrit fizikisht duke qenë në gojë, në një pjesë të trupit ku “vdekja, forca krijuese dhe dashuria janë të lidhura kaq ngushtë me njëra-tjetrën”[23] dhe ky gërshetim simbolik është qerthulli i rrëfimit. Në krye të romanit autorja ka vendosur një citat të Kanetit (Elias Canetti)[24] dhe reminishenca e gjuhës së kërcënuar në simbolikën e saj është e pranishme gjatë gjithë rrëfimit: “Veç ni germë hasmi me prekë, n’kambë e çoj Kosovën krejt.”[25] Jo vetëm vrundujt e kujtimeve, që e përshkojnë fund e krye romanin duke kapërcyer kufij realë dhe metaforikë, por dhe hulumtimi i ndërgjegjshëm lidhur me to, në thelb janë një përpjekje për të shpëtuar gjuhën, për të kuptuar traumën e trashëguar që nuk ka të bëjë vetëm me historinë e luftës, por shumë më tepër me parahistorinë e saj. Konflikti i armatosur nuk erdhi nga hiçi, ai kishte një parahistori. Njëjtë sikur dy konceptet bazë që shtjellon antropologia në një nga ligjëratat e saj: antemortem, e kaluara e largët e kufomës ose e fragmenteve të mbetura prej saj (steriliteti gjuhësor i fjalës fragment në këtë përdorim të ngec në grykë) dhe perimortem, e kaluara e afërt, shkurt përpara vdekjes. Por duke vijuar në këtë logjikë, shkrepja e plumbave, të cilët antropologia dhe kolegët e saj identifikojnë në trupat pa jetë (apo në fragmentet) dëgjohet próre në heshtjen që lë postmortem. Sikur ndryshimi që lë pas rënia e ë-së në pozicion fundor.

Lufta e Kosovës shpërtheu disa vite pas vendosjes së familjes së protagonistes në Gjermani dhe ishte e katërta në radhën e luftërave në ish-Jugosllavi.[26] Emigrantët ekonomikë dhe politikë si dhe refugjatët që erdhën për shkak të luftës në Gjermani, përpos etiketimit si të tillë apo të atillë janë njerëz, që edhe pse vijnë pa bagazh, largohen nga vendlindja e tyre duke bartur mbi vete një jetë në një gjuhë të caktuar, në një mjedis social dhe kulturor, si të thuash çrrënjosen për të zënë rrënjë diku tjetër. Për më tepër refugjatët e luftës bartin me vete dhe plagët e traumat e saj, duke humbur bashkë me shtëpinë edhe familjaritetin e së përditshmes, bashkë me profesionin, besimin për të qenë të dobishëm, bashkë me gjuhën dhe natyrshmërinë e reaksioneve, siç shkruan Hana Arend (Hannah Arendt) në një ese për fat të keq jo shumë të njohur me titull We Refugees[27] në vitin 1943.

Protagonistes i kujtohet se si gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, kur ishte ende nxënëse në një shkollë fillore në Gjermani, mësuesja i kërkon që t’u tregojë nxënësve të klasës për gjërat e tmerrshme që po përjetonin momentalisht fëmijët në Kosovë.[28] Lexuesi e ndjen gati fizikisht mundimin ndrydhës të vogëlushes tetëvjeçare. Ajo kafshon buzën që i dridhet dhe përpiqet të gjejë fjalët për të shpjeguar atë diçkanë që ajo e ndiente se kishte të bënte me të, me prindërit, me të afërmit që jetonin dhe vdisnin në Kosovë, por që nuk e kuptonte se çfarë ishte. “Shkruaj që të kuptoj”, shprehet Hana Arend në intervistën e saj legjendare të vitit 1964, “dhe kur të tjerët kuptojnë të njëjtën gjë si unë, kjo më sjell paqe në shpirt dhe më bën të ndjehem si në atdhe”[29], vijon ajo. Përsëri atdheu. (“Sa shumë atdhe i duhet njeriut?”)[30]

Duke qenë se është larguar shumë e vogël nga Kosova, protagonistja shpesh i huazon kujtimet nga kushërira e saj. Si në rastin e karameleve, të cilat gjyshi ua sillte nipërve dhe mbesave në Kosovë, sa herë që shkonte tek ata për vizitë. Vogëlushja bën sikur kujtohet për shijen e tyre, kur nëna ua blen asaj dhe kushërirës këto karamele në një supermarket në Kosovë, por në fakt atdheu i ri ka zënë vend në kujtesën e saj me shije të tjera. Shijen e karameleve ajo e lidh me atë të kallamave të sheqerit që shiten nëpër tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani. Një zhvendosje e dhimbshme si me gjuhën. Gjuha e dytë përmirësohet mundimshëm dhe në të njëjtën masë rrëgjohet gjuha e parë. Socializimi në atdheun e ri ndodh pikërisht në kufijtë e kësaj zhvendosjeje. Në gjuhën e dytë asaj i mungojnë fjalët për të shprehur atë që ndjen dhe mendon. Keqkuptimeve dhe përvojës me mosdijen dhe racizmin në atdheun e ri vogëlushja u vë përpara si mburojë heshtjen, duke uruar që përmes saj të bëhet e padukshme.

Në gjuhën e parë ajo përfton copëza të asaj çka ndodh gjatë luftës në Kosovë, por gjatë kësaj kohe dhe më pas askush nuk i jep një shpjegim për këtë. I vetmi shpjegim është në gjuhë, i thotë e kushërira vite më vonë. Rrugët mbajnë emra heronjsh të rënë në luftë, fëmijët para luftës quhen Çlirim, Duresa, Qëndrim, kurse ata pas luftës mbajnë emrat e politikanëve që u angazhuan për çlirimin e Kosovës (Tonibler, Klinton, Madlen).[31] Askush nuk i shpjegon vogëlushes për shembull çfarë ka ndodhur me “gjyshin e zhdukur” gjatë luftës. E ëma i varros fjalët dhe kujtimet e saj shumë thellë brenda vetes. Ndaj kur ajo tregon diçka, siç është rasti i këpucëve të përdorura që ajo blen për të atin, sholla e të cilave shqyhet kur ai i vesh për herë të parë ato në një ditë me shi, kujtimi është si një spicë që shkëputet mundimshëm dhe të ther në shpirt. Gjatë vizitës në shtëpinë e gjyshërve në Kosovë pas luftës ajo nuk pyet për mungesën e tij, por me naivitetin e saj prej fëmije mendon se ndoshta ai është duke fjetur në një dhomë tjetër. Vogëlushen e vret ndërgjegjja që u largua pa i thënë natën e mirë. Varri i tij që ajo e viziton pas luftës gjatë kohës që është studente është bosh dhe boshllëkun që ka lënë zhdukja e tij nuk e mbushin dot kujtimet e huazuara nga kushërirat. Zia nuk resht, nëse nuk ka një varr. Statistika llogarit rreth 1600 persona të zhdukur në luftën e Kosovës. Gjuha mund të jetë mizore në sterilitetin e saj.

Në dy faqet e para të Gjuhës së shpëtuar[32] Kaneti rrëfen kujtimin e tij më të hershëm të fëmijërisë, kur i dashuri i dados së tij, një vajze të re bullgare, përsërit me të disa herë në ditë një lojë. Ai i thotë vogëlushit të nxjerrë gjuhën jashtë dhe bën sikur do t’ia presë atë me brisk, por në momentin e fundit ndërron mendje duke i thënë: “sot jo, nesër.” Kërcënimi bëri që për dhjetë vjet vogëlushi të mos tregojë për lidhjen e tyre. Por faqet e mrekullueshme në vijim dhe simbolika aq domethënëse e titullit të librit na bindin për “gjuhën e shpëtuar”. Në këtë kuptim, duke iu qasur në mënyrë të ndërgjegjshme kujtimeve të saj dhe atyre të të afërmve, duke hulumtuar për të mbushur boshllëqet që kanë lënë këto kujtime dhe në orvatjen për të shpështjellë fillin e bruksizmit të saj, protagonistja arrin të gjejë fjalët për të shprehur pafjalësinë, për të shpëtuar gjuhën. Është shumë domethënës momenti kur gjatë vizitës së një grupi studentësh nga Gjermania në Kosovë, ndër të tjera në manastirin e Graçanicës, protagonistja e artikulon shumë qartë mendimin e saj lidhur me dhuratën që do t’i bëhet profesorit që e ka organizuar këtë udhëtim. “Në emrin tim kjo dhuratë nuk ka për t’u dorëzuar,”[33] thotë ajo fare shkoqur, kur shikon që dhurata është një filxhan prej qeramike mbi të cilin është pikturuar një kryq serb dhe një shishe rakie, në etiketën e së cilës është kryqi dhe Kosova e shkruar me germa cirilike. Një dhuratë nga vendi ku Millosheviçi mbajti fjalimin e tij famëkeq të Gazimestanit me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Fushë-Kosovës, duke legjitimuar nacionalizmin serb dhe katër luftërat shkatërrimtare që pasuan. Protagonistja gjen fjalët e duhura: “jo në emrin tim.”

Ashtu si autorja i gjen kaq bukur fjalët e duhura për t’i dhënë zë pafjalësisë dhe për t’i bërë jehonë dhimbjes, si dikur jehona që i kthenin malet emrit të saj në lojërat e fëmijërisë[34] (një përkim i bukur, paçka se protagonistja në roman është pa emër). Në 170 faqet e romanit rrëfimi është i thukët, gati minimalist, por pesha e fjalës të merr frymën. Asnjë germë më shumë apo më pak. Të kuptuarit përmes letërsisë ka natyrisht veçantinë e vet. Përmes përvojës së saj protagonistja i ofron lexuesit gjermanishtfolës perspektivën e saj, duke i mundësuar atij hap pas hapi përjetimin e një realiteti të panjohur për të. Përjetimi i kësaj perspektive përmes letërsisë zgjeron mënyrën e të menduarit (Denkungsart sipas Hannah Arendt),[35] e bën real shumësin, pluralitetin. Fjalitë në shqip hera-herës (në një përzierje të gjuhës letrare dhe dialektit) me përkthimin gjermanisht përbri dhe disa më të pakta në anglisht i japin një përmasë konkrete diversitetit.

Romani është pritur jashtëzakonisht mirë në mjedisin gjermanishtfolës dhe autorja është nderuar me disa çmime. Në fjalën e saj falënderuese për marrjen e çmimit HANNA të qytetit të Hanoverit (Hannover), Jehona Kicaj citon një fjali nga romani psikologjik Anton Reizer (Reiser) i shkrimtarit Karl Filip Moric (Karl Philipp Moritz: 1756-1793)[36] Në një nga lojërat që luan me veten e tij, Anton Reizeri, i ndan në dy ushtri bërthamat e qershive dhe të kumbullave, duke i vënë ato në lëvizje drejt njëra tjetrës. Pastaj me sy mbyllur ai godet mbi bërthamat e përziera me një çekiç hekuri. Fjalia që i ka mbetur në mendje Jehona Kicajt nga kjo skenë dhe të cilën e ka kujtuar shpesh edhe gjatë kohës që ka qenë duke shkruar romanin e saj është: “wen es traf, den traf’s.” Përkthimi në shqip do të ishte: “kujt i ra, i ra”, në kuptimin: “kë kapi lapsi (në këtë rast çekiçi), ai mori fund me gjithsej.” Dhe sa herë që autorja e përsërit këtë fjali duke përmendur Krushën e Madhe, Sebrenicën, Zaporishjen, Gazën, të duket sikur ndjen goditjen e verbër të çekiçit, kotësinë e luftës, absurditetin e saj. Një absurditet që lë pas kaq shumë dhimbje dhe të cilin autorja e shpreh edhe në fjalinë e fundit të romanit të saj: “flamurët … vringëllijnë në erë”[37] me një referencë kaq kuptimplotë nga Hëlderlini (Hölderlin). [38] Vringëllima absurde e çekiçit na kanoset të gjithëve dhe ajo dorë duhet ndalur kudo qoftë në verbërinë e saj.

© 2025 Jonida Xhyra-Entorf. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1] Kicaj, Jehona (2025) ë. Roman. Wallstein, Göttingen.

[2] I vetmi shembull në letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe me një titull shumë të shkurtër (gjithsesi dy shkronja) është romani Oh i Anton Pashkut [Pashku, Anton (1971) Oh. Roman. Rilindja, Prishtinë], kurse në letërsinë e shkruar në gjermanisht vlen të përmendet romani F i Daniel Kehlmann [Kehlmann, Daniel (2013) F. Rowohlt, Reinbek bei Hamburg].

[3] https://peizazhe.com/2025/11/13/format-letrare-te-kujteses/ (14.12.2025, 11:13)

[4] https://www.jehonakicaj.com/texte-1 (14.12.2025, 11:15)

[5] Kicaj, Jehona (2018) Diaspora shadows. Growing up in the speechlessness. Artikull i datës 16.6.2018. Në: Kosovo 2.0; Kicaj, Jehona (2020) Schatten der Diaspora. Aufwachsen in der Sprachlosigkeit. Në: Andreas Erb, Christof Hamann (botues): Die Horen. Zeitschrift für Literatur, Kunst und Kritik. Vëll. 280 (4/2020), Wallstein, Göttingen,  f. 253–258.

[6] https://www.resonarverlag.de/verlag/ueber-uns/ (14.12.2025, 11:18)

[7] https://www.duden.de/woerterbuch (14.12.2025, 11:21)

[8] Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë (1980) Fjalori i gjuhës së sotme shqipe (me rreth 41.000 fjalë). Tiranë f. 2127: vendlindja: vendi (fshati, qyteti, krahina, shteti) ku ka lindur dikush, vendi i lindjes së dikujt, atdheu.

[9] Çabej, Eqrem (1976) Studime etimologjike në fushë të shqipes. II, A-B. Tiranë, f. 104.

[10] Çabej, Eqrem (2006). Studime etimologjike në fushë të shqipes. VII, S-ZH. Tiranë, f. 240.

[11] Camaj ka një poezi të titulluar Vendit tem: Camaj, Martin (2000) Lirika. Dukagjini, Pejë, f. 181. Përkthimi i titullit të kësaj poezie në gjermanisht do të ishte shumë i përshtatshëm me Heimat. Ndoshta kjo përqasje e ndihmon lexuesin të rrokë më konkretisht dallimin për të cilin flitet: Kur të vdes le të bâhem bâr / Në malet e mia në pranverë, / në vjeshtë do te bâhem farë. / Kur të vdes le të bâhem ujë / e fryma e eme avull, / në fusha do të bie si shí. / Kur të vdes le të bâhem gur / në skâjin e vendit tem / të qindroj kufí.

[12] Schlink, Bernhard (2000) Heimat als Utopie. Suhrkamp, Frankfurt am Main, f. 32.

[13] https://www.syri.net/op-ed/367473/atdhe-ne-shumes/ (14.12.2025, 11:28)

[14] Hall, Stuart (1994) Rassismus und kulturelle Identitäten. Argument, Hamburg, f. 40.

[15] Në sythin e romanit të saj, botuar fillimisht në anglisht pastaj në gjermanisht me titullin Schatten der Diaspora (Hijet e diasporës), autorja i qaset qysh në krye pikërisht kësaj mëdyshjeje. Shih citimin më lart.

[16] Bruksizmi është kërcëllitja e dhëmbëve natën në mënyrë të pandërgjegjshme.

[17] Kicaj, f. 47.

[18] Büchner, Georg (1984) Lenz. Studienausgabe. Reclam, Stuttgart. Në fjalinë e cituar tematizohet tëhuajtja e trupit, një çrregullim psikik në perceptimin e realitetit.

[19] Clark, Howard (2000) Civil Resistance in Kosovo. Pluto Press, London, f. 96-99. Nisma për njësimin e kurrikulave shkollore nga ana e autoriteteve serbe në gusht të vitit 1990, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, i hapi rrugën shkatërrimit të ndërgjegjshëm dhe të synuar të sistemit shkollor në gjuhën shqipe në Kosovë.

[20] Kicaj, f. 11-12.

[21] https://www.bundestag.de/dokumente/textarchiv/2022/kw08-sondersitzung-882198 (14.12.2025, 11:42)

[22] Kicaj, f. 131.

[23] Kicaj, f. 24.

[24] Në këto mëdyshje ndjehem i plotë. Pa to do të isha i gjymtë (In diesen Zerrissenheiten bin ich ganz. Ohne sie wäre ich verstümmelt)

[25] Kicaj, f. 157.

[26] Lufta dhjetëditëshe në Slloveni pas shpalljes së pavarësisë së saj më 25 qershor 1991 shënoi fillimin e konflikteve në ish-Jugosllavi. Lufta e dytë, ajo e Kroacisë, filloi gjithashtu në vitin 1991 dhe përfundoi në vitin 1995 me riintegrimin e Krajinës. Lufta e tretë dhe më e ashpra, ajo e Bosnjës, kishte filluar ndërkohë në vitin 1992 dhe përfundoi po në vitin 1995 (marrëveshja e Dayton-it) me krijimin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës Serbe të Bosnjës.

[27] Arendt, Hannah (2016) Wir Flüchtlinge. Reclam, Stuttgart, f. 10. Kjo ese botohet për herë të parë në vitin 1943 në anglisht me titullin We Refugees (The Memorah Journal, 36/1), kurse përkthimi në gjermanisht botohet në vitin 1986 në përmbledhjen: Zur Zeit. Politische Essays. Rotbuch, Berlin.

[28] Kicaj, f. 29.

[29] https://www.rbb-online.de/zurperson/interview_archiv/arendt_hannah.html (14.12.2025, 11:56)

[30] Améry, Jean (1977) Wieviel Heimat braucht der Mensch? Në: Jenseits von Schuld und Sühne: Bewältigungsversuche eines Überwältigten. Klett-Cotta, Stuttgart.

[31] Kicaj, f. 50.

[32] Canetti, Elias (2016) Die gerettete Zunge. Geschichte einer Jugend. Hanser, München.

[33] Kicaj, f. 134.

[34] Kicaj, f. 165.

[35] Arendt, Hannah (2012) Von der Menschlichkeit in finsteren Zeiten. Në: Menschen in finsteren Zeiten. Piper, München-Zürich, f. 11-45.

[36] Moritz, Karl Philipp (1996) Anton Reiser. Ein psychologischer Roman. Goldmann, München.

[37] Kicaj, f.170.

[38] Një referencë nga poezia Hälfte des Lebens e Friedrich Hölderlin (1770-1843). Shih më gjerë: https://www.uni-saarland.de/fileadmin/upload/fakultaet-p/gutenberg/Gedicht_des_Monats/Hoelderlin_Haelfte_des_Lebens.pdf (14.12.2025, 12.04)


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin