Në një shënim të mëparshëm, rasti e solli të flasim për opinionin e F. Niçes mbi autorë të njohur francezë. Disa prej tyre ai i ka dashur, të tjerë më pak. Midis këtyre të fundit ka qenë edhe G. Floberi. Në Muzgu i idhujve F. Niçe vë përballë dy tipe mendimtarësh: ata që përsiasin duke ecur dhe ata që qëndrojnë ulur. Si emblemë e këtyre të fundit ai citon Floberin. Për Niçen nuk mund të mendosh e të qëndrosh ulur. Këtë ai e sheh si “mëkat të mendjes”.
Por shkon më tej dhe e quan Floberin «bythë plumb», në kuptimin e dikujt që rri ulur për një kohë të gjatë, që nuk lëviz nga vendi. Shpesh kjo është interpretuar si dembeli, ngathtësi, mungesë energjie. Por nuk është kaq e pafajshme nga ana e Niçes. Nuk është se atë nuk e zë gjumi për shëndetin e Floberit. Për të, vetëm mendimet që lindin duke ecur kanë vlerë. Rrjedhimisht, pasi i ka mbajtur kronometrin e ushtrimeve fizike shkrimtarit të madh frëng, F. Niçe lë të kuptohet se ai është simbol i një intelektuali të ngrirë e të mbyllur brenda dhomës së tij, i paaftë të përplaset me realitetin, i ngujuar në një kullë fildishi stilistik.
Jam i bindur (në fakt nuk kam mundësi ta provoj) se në origjinë të kësaj ideje të F. Niçes janë peripatetikët e Athinës. Nxënësit e liceut të tij, Aristoteli i mësonte duke shëtitur. Në fakt, jo në natyrë, por në galeritë e mbuluara të Athinës, që duhet të kenë qenë element arkitekturor mjaft i përhapur në peizazhin urban të kohës. Kalimthi përmend se rreth gjysmë shekulli më parë, miku im restaurator A.B. këmbëngulte se edhe në Apoloni ka pasur një gjë të tillë. (Në fakt nuk ka asnjë dëshmi, por nisur nga trashësia e themeleve, ai këmbëngulte se galeria e qytetit jo vetëm që duhej të kishte qenë e mbuluar, por edhe me një kat të dytë.)
Shkurt, desha të them se në Myzeqe me gjasa “kemi pasur” shëtitore, edhe pse jo filozofë. Duhet të ketë ndonjë shpjegim. Ka mundësi që shterpësia jonë shpirtërore dhe mungesa e mendimit filozofik të ketë ndodhur jo për fajin tonë, por sepse vendasve, autoktonëve, thënë ndryshe myzeqarëve, në Apoloni, në atë koloni të hershme greke, u lejohej të hynin vetëm për të shitur ndonjë kaçile me fiq, me detyrimin që të dilnin para se të mbylleshin portat e qytetit.
Gjithsesi, Niçe ka arsye të ekzaltojë pasionin e tij për të lëvizur. Kujtoj se ai ishte duke shëtitur në rrethinat e një spitali në Zvicër, ku ishte shtruar për mjekim, kur u gjend para një guri të madh (që është ende aty) dhe befas ra në një gjendje transi. Kur erdhi në vete, tha se aty i kishte lindur ideja e “Kthimit të përjetshëm”. Por këmbënguljes së tij se mund të jesh produktiv vetëm duke shëtitur i kundërvihet jeta e E. Kantit. Pra, e atij që formuloi mendimin më të thellë filozofik perëndimor. Siç e konfirmova edhe një herë te një biografi e tij, Kantit i pëlqenin shëtitjet, por me karrocë. Ai kurrë nuk doli nga qyteti i tij i lindjes, Kaliningradi i sotëm. Pjesën tjetër të kohës e kalonte i mbyllur në dhomën e punës, ku e vizitonin mjaft personalitete. Kur puna ia kërkonte të shkonte në Universitet për leksione, përsëri përdorte karrocën e tij.
Mosaktiviteti i tij fizik nuk e pengoi Kantin të krijonte një vepër madhore dhe madje të vdiste në moshën 79 vjeçare, ndërsa Niçes kjo i ndodhi diku te mosha 55 vjeçare.
Duke u kthyer te tema e shpallur në krye, problemi i “lëvizshmërisë” te Niçe, nuk është aq i pafajshëm e anodin, siç thamë. Ai e sheh atë me pasoja katastrofike te vepra e Floberit e konkretisht te paanshmëria, te “impersonaliteti” i tij si autor, thënë ndryshe, te mosshfaqja e tij në veprat që shkruan. Niçes i duket e papranueshme qëndrimi i Floberit si autor, qendrimi në atë që do ta quaja pika zero në veprën e tij.
Për të mos e fshehur, personalisht nuk e kam gjetur shumë veten te vepra e F. Niçes, përveç faktit se më është dukur i papranueshëm sulmi i tij frontal ndaj themeleve të modernizmit, racionalizmit, ideve të kundërta, demokracisë, progresit e barazisë. Por këtu nuk është fjala për këtë. Ai, problemin e “impersonalitetit të autorit” që është thjesht çështje estetike e konceptuale e secilit autor, e shndërron thuajse në dogmë duke këmbëngulur se autori duhet të jetë kryefjala e veprës së tij.
Këtë në rastin e vet ai vetë e “materializon” në veprën e tij, ku thuajse gjithnjë shprehet në vetë të parë (me përjashtim, më duket, kur zhvillon profecinë e çuditshme të mbinjeriut në personin e Zarathustrës, të cilin e përshkroi si deshi vetë por në asnjë rast nuk tha se si mund të bëhesh i tillë). Por kjo mbetet zgjedhja e tij.
Problemi ngrihet kur gjykon të tjerët, konkretisht veprën perfekte të Floberit, të cilën e sheh si art për art, sterile, pa frymë jetësore, pa vizion afirmues. Më keq akoma, “fshehjen” e Floberit në veprën e tij ai e interpreton si formë të nihilizmit, si simptomë të dekadencës së epokës.
Floberi, në të vërtetë, gjithnjë është shprehur për nevojën e zhdukjes së autorit pas personazheve të tij, madje këtë e sheh si ligj të shenjtë të artit. Sipas tij, shkrimtari duhet të zhduket në veprën e vet, ashtu si Zoti në natyrë, i shkruan ai George Sand-it:
“J’éclate de colère et d’indignations rentrées. Mais dans l’idéal que j’ai de l’Art, je crois qu’on ne doit rien montrer des siennes, et que l’Artiste ne doit pas plus apparaître dans son œuvre que Dieu dans la nature.”
Ky parim përjashton çdo gjurmë të lirikës personale, çdo rrëfim, çdo emocion të dukshëm. Artisti për Floberin duhet të heshtë, që vepra të flasë.
Pra, “impersonaliteti” i tij nuk është mungesë, por një prani e maskuar. Floberi fshihet pas frazave, ritmeve, heshtjeve. Ai e krahason veten me një mjeshtër marionetash, një aktor rruge. Ai luan të gjitha rolet, por nuk ngjitet kurrë në skenë. Ai ulërin frazat e tij në heshtjen e kabinetit, i mishëron para se t’i shkruajë, por refuzon të njësohet me to.
Floberi nuk ikën vetëm nga “uni” letrar: ai dyshon në vetveten se mos shndërrohet në uzurpator. “Gjithmonë jam mbrojtur nga prania e vetes në veprat e mia, dhe megjithatë jam shumë i pranishëm”, thotë në letrën e sipërcituar drejtuar G. Sandit.
Pra, Floberi, i parë në këtë kënd, mishëron personazhet e tij, por refuzon të njihet në to. Ai nuk mungon: ai zhduket, bëhet i padukshëm Dhe në këtë padukshmëri shpik një formë të re të pranisë — artin e pastër, impersonal, ironik, sublim. “Impersonaliteti” i tij, bëhet një formë bufonerie transcendentale, sipas fjalës së Schlegel-it, ku artisti tallet me veten për të arritur absolutin.”
Më duhet të shtoj se midis të dyve nuk ka patur ndonjë debat të drejperdrejtë. Mendimet e mësipërme për artin e tij, G. Flobert-i i ka shprehur në leterkëmbimin e tij me Louise Colet dhe George Sand nga viti 1852 e deri më 1870. Letrat e tij u botuan në një vëllim më vete më 1884 me një parathënie të Guy de Maupasant. Pikërisht një kopje e këtij vëllimi “Lettres de Gustave Flaubert à George Sand,” është gjetur më vonë në bibliotekën e F. Niçes, i cili e njihte mirë frëngjishten.
Gjithsesi adhurimi për letërsinë frënge atij nuk i ka munguar kurrë, madje e ka shprehur duke folur për autorë si Stendali. Por këtë le ta shohim në një herë tjetër.
(c) 2025 Dashnor Kokonozi. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.