Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Libri Shqip

EDHE LETËRSIA ËSHTË ART

Javët e fundit, edhe në kuadrin e Panairit të Librit në Tiranë, është folur shumë për libra dhe në mënyrë të veçantë për tre libra: Të poshtëruar, nga Lea Ypi, Jam mysliman nga Ben Blushi dhe Dielli në mërgim, nga Ani Wilms. Vetëm gazeta Tema ka botuar dy shkrime për këtë të fundit. Duke mbajtur parasysh numrin e botimeve të reja letrare, vëmendja te këta tre tituj lë të kuptohet sikur këta shquhen mes të tjerëve dhe përbëjnë arritje letrare. Mund të jetë vërtet kështu, por mënyra si janë prezantuar tre librat lë për të dyshuar, meqë duket sikur zgjedhja e tyre është bërë me kritere thjesht tematike.

Për Dielli në mërgim, Mero Baze shkruan: “është letërsia më e mirë historike që një lexues shqiptar ka në duar pas Ismail Kadaresë” duke vazhduar se autorja “ka shpëtuar historinë tonë përmes letërsisë.” Mund të jetë vërtet kështu, por roli i letërsisë nuk është të shpëtojë letërsinë, prandaj ky lloj suksesi nuk thotë asgjë për cilësinë artistike të veprës. Mbase “ një lexues shqiptar mund të mësojë në mënyrën më të drejtë historinë tonë përmes historisë së hebrenjve tanë”, por historia – edhe jona edhe e hebrenjve tanë – duhet rrëfyer me prioritet nga historianët dhe publicistët. “Është një letërsi që duket se është formuar nën hijen e Kadaresë dhe pushtetit diktatorial që ai ka mbi brezin e ri të talentuar të shkrimtarëve. Ani Wilms nuk do na e zëvendësojë dot Kadarenë, por të jeni të sigurt që do të na e kujtojë atë sa herë ta shfletojmë”, mendon Baze. Duket se autorit të analizës i ka pëlqyer shumë romani, madje e ka mahnitur.

Namir Lapardhaja bën ca më shumë përpjekje për të shqyrtuar aspektin mirëfilli letrar të këtij romani, si “kujtesë e sublimuar në art”, por as ai nuk i shmanget dot fokusit në hebrenjtë e Shqipërisë dhe peripecitë e tyre të rrëfyera në libër. Ngurron të përdorë instrumentet e duhura për një analizë mirëfilli kritike, ndoshta duke gjykuar se këtë lloj analize nuk mund ta bëjë tek Tema. Por nga një kritikë, qoftë edhe thjesht recension, për një vepër letrare, lexuesi do të priste diçka më shumë, ndonjë fjalë e vlerësim për formën dhe kompozicionin. Duket sikur ky autor mjaftohet me një “Thjeshtësia me të cilën rrëfehen ngjarjet është forca më e madhe artistike e veprës”. Vërtet?

Tema e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë luftës vështirë se mund të quhet e freskët dhe befasuese. Ka vite që flitet dhe rrihet gjoksi për këto gjëra, janë botuar libra dhe janë mbajtur përkujtimore të ndryshme. Vështirë të thuash se këtë temë po e sjell tani në vëmendje letërsia artistike. Përkundrazi, ajo letërsisë mund t’i shërbejë, për të bërë atë që bën letërsia: art. Vetë kronika e ngjarjeve që kanë ndodhur nuk mjafton, për ta bërë rrëfimin art. Duhet talent, duhet njohje e kontekstit letrar, duhet guxim për inovim. Mbase libri i Wilms i ka të gjitha, por këto me temën nuk kanë të bëjnë.

Ngjashëm u trajtua edhe romani i Ben Blushit, Jam mysliman, i cili u prezantua menjëherë dhe haptazi si provokim, me autorin vëlla të vogël të Salman Ruzhdiut. Vetë autori e ka shpjeguar se “libri është kundër një kontigjent fanatikësh që po sulmojnë liritë tona” duke shpjeguar më tej se “Është një pakicë këtu në Shqipëri, islamikësh i quaj unë, të zëvendësojnë Kushtetutën këtu me ligj islamik, duan që gjithë gratë këtu të vishen me detyrim, vajzat e vogla që lyhen që shkojnë në party të ndëshkohen. Është një shoqëri që nuk e pranoj dhe prandaj e shkruajta. Nuk kam bërë thirrje për revolucion, as për të shkuar për të pushtuar Maqedoninë. Është një roman”. Vepra në fakt ka ngjallur polemika, por jo si vepër letrare. E kanë trajtuar si të ishte një lloj pamfleti.

Çështja nuk është që të prononcohemi në debatin përkatës, i cili ka kaluar tanimë në studiot televizive dhe në mediat sociale. Çështja është nëse ky argument, që përbën temën e romanit, ka apo jo të bëjë me letërsinë, si formë arti. Sa art ka te Jam mysliman? Çfarë kontributi sjell kjo vepër në letërsinë shqipe bashkëkohore? Këto pyetje kanë mbetur deri tani pa përgjigje, sepse nuk u ka dhënë kush rëndësi. Të jetë vallë vepra e Blushit një traktat publicistik i letrarizuar? Kjo nuk do t’ia ulte vlerat ideologjike (nëse i ka), por do ta ripërmasonte si letërsi, duke e zhvendosur në terrenin e asaj që do ta quaja letërsi të aplikuar.

Vepra e tretë që dua të përmend është Të poshtëruar nga Lea Ypi, e cila ka marrë vëmendje edhe nga kritika letrare në Europë dhe në Amerikë. Ndryshe nga ç’ndodhi me librin e mëparshëm, ky i tanishmi u paraqit si një tekst ku ndërthuret fakti me imagjinatën, për të rindërtuar një histori të mbushur me kontradikta, dilema morale dhe zgjedhje të vështira (Vitjon Nina). Autorja e ka përshkruar librin e vet kështu: “Të poshtëruar është një reflektim filozofik, historik dhe letrar mbi integritetin dhe dinjitetin në botën e sotme ne përballje me te shkuarën. Nuk është një vazhdim i drejtpërdrejtë i Free, por dialogon me të në kuptimin e zhvillimit të mëtejshëm të idesë së lirisë morale në qendër të Free. Shtron gjithashtu pyetje të reja, si për shembull qasja ndaj të kaluarës kur tragjeditë e saj rrezikojnë të përsëriten.” Ky nuk tingëllon aq si prezantim i një vepre letrare, sa ai i një vepre eseistike, që i kushtohet integritetit dhe dinjitetit në botën e sotme në përballje me të shkuarën. Sërish mund të pyesim: sa art ka në këtë libër? Karakteristikë kryesore e letërsisë artistike është qasja estetike.

Edhe këtu, nuk ka dyshim se vepra e Ypit merret me çështje themelore të përjetimit njerëzor, por kaq nuk mjafton, për ta quajtur arritje letrare. E njëjta gjë mund të thuhet, sa për të sjellë një shembull, për disa statuja që janë ngritur në Shqipëri dhe në Kosovë, kushtuar figurave me rëndësi të madhe historike ose kulturore. Por figurat e paraqitura nuk kanë forcë që t’ia përcjellin monumentit vlerën që kanë dhe, në fakt, ca nga këto statuja kanë qenë tejet të shëmtuara. Dikush mund të bëjë edhe një statujë të Jesu Krishtit, por kjo zgjedhje tematike nuk e bën statujën hyjnore.

Tre veprat që po vështrojmë merren, të treja, me çështje të rëndësishme të historisë dhe të së tashmes: (1) fati i shqiptarëve gjatë dhe pas Luftës II, i filtruar nëpërmjet peripecive të hebrenjve në Shqipëri, (2) rreziku i radikalizimit të pakicave fetare në një vend problematik si yni, (3) çfarë ndodh kur qasja ndaj së kaluarës rrezikon t’ia zërë vendin së kaluarës vetë dhe të shërbejë si deformim i vetëdijes historike. Por asnjë nga këto tema nuk mund të garantojë art letrar të denjë për vëmendje. Nga sa është folur dhe shkruar për këto vepra, rezulton se rreziku i kthimit ose më keq, i degradimit të kritikës letrare në format sociologjike soc-realiste të periudhës së para viteve 1990 (kur diskursi kritiko-letrar dominohej nga qasjet ideologjike) është real dhe shqetësues. Aq më tepër që ofron një model të shtrembër, për të ardhmen e letërsisë, duke u treguar autorëve se çelësi i suksesit dhe i vëmendjes publike është tematika, zgjedhjet e temave që garantojnë zhurmë dhe polemika ose e temave që u përgjigjen bukur interesave kulturore dhe politike të elitës sot në pushtet.

Obsesioni me tematikën e duhur tregon se jemi ende në një stad foshnjor të jetës letrare. Në të kaluarën, kemi parë e lexuar vepra që kishin zgjedhur të merreshin me tema të tilla si Lufta e Kosovës, persekutimi politik në kohën e diktaturës, jeta në burgjet, jeta e shqiptarit në emigracion dhe të ngjashme. Asgjë të keqe nuk ka këtu, sepse një shkrimtar do ta zgjedhë natyrshëm temën që i intereson duke marrë shkas nga përvoja e tij njerëzore më e spikatur. Çfarë harrohet, megjithatë, është se letërsia, që të jetë formë arti, fillon atje ku mbaron tema dhe mishërohet e gjitha në formë. Është forma e veprës që na ndihmon ta dallojmë veprën e mirë nga vepra e keqe, artin nga jo arti, talentin nga oportunizmi. Edhe kritika letrare, nëse e ka vërtet një mision ndaj publikut, është të vërë në dukje vlerat artistike dhe talentin, jo të gjykojë veprat për nga roli i tyre jashtëletrar.

(c) 2025 Hajro Emiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin