autori dhe lexuesi në epokën digjitale
1.A ka sot një “krizë të leximit”?
Në kohën tonë, teknologjia digjitale ka transformuar rrënjësisht mënyrën si komunikojmë, si punojmë, si konsumojmë kulturë dhe, mbi të gjitha, mënyrën se si lexojmë dhe sa lexojmë.
Flukset e fuqishme të informacionit, ritmet e shpejta të komunikimit dhe ndërveprimit me “ekranin e vogël” të telefonit mobil dhe rrjetet sociale, kanë krijuar një kulturë të re dhe ndryshime të thella në zakonet tona të leximit, të mënyrës si i qasemi librit, sa lexojmë, çfarë lexojmë dhe si lexojmë sot në erën digjitale.
Sipas sociologëve të komunikimit, teknologjia digjitale po ndryshon komunikimin dhe lidhjet sociale. Lexuesit dhe përdoruesit e informacionit po bëhen subjekte interaktive dhe me vëmendje të fragmentuar, duke u përshtatur ndaj mediave të shpejta dhe platformave digjitale.
Në debatin publik prej vitesh qarkullon një opinion i përgjithshëm, shpesh i mbështetur më së shumti në perceptime se në studime të strukturuara empirike, që sot shoqëria shqiptare, e cila përherë e me ritme më të shpejta po konfigurohet si “shoqëri digjitale”, po përjeton një “krizë leximi” të librit në përgjithësi dhe letërsisë në veçanti.
Ky perceptim zakonisht ngrihet mbi bazën e krahasimeve të realiteteve aktuale të shoqërisë së hapur, me kujtimet nostalgjike të kulturës së leximit në shoqërinë e mbyllur totalitare, ku leximi i letërsisë ishte e vetmja mënyrë e “arratisjes” nga realiteti gri, në një shoqëri me shërbime të varfra për argëtim dhe të konsumimit të kohës së lirë.
Gjatë periudhës komuniste, leximi ishte një praktikë e rregulluar nga institucionet ideologjike. Shteti kontrollonte botimet, temat, përkthimet, qarkullimin e librit dhe mediumet e kritikës letrare orientuese. Nuk ekzistonte tregu i lirë i librit; përkthimet ishin të kontrolluara dhe letërsia prodhohej vetëm mbi normat ideologjike të realizmit socialist. Homogjenizimi vertikal i hapësirës kulturore nga partia-shtet, diktonte edhe një formë unifikimi horizontal të shijeve estetike dhe imagjinatës kolektive.
Në shoqërinë aktuale, transformimet shoqërore, kulturore dhe teknologjike kanë prodhuar një realitet krejtësisht të ri të leximit dhe qarkullimit të ideve. Kultura e re e leximit është riformatuar përmes tre ndryshimeve radikale:
Së pari ka ndodhur pluralizimi i botimeve – në kuptimin e enteve të shumta private të publikimit të librit dhe zgjerimit marramendës të zhanreve të librit- artistik, sociologjik, historik, fetar, filozofik, konspirativ, letërsi klasike dhe bashkëkohore. Bumi i botimeve të përvitshme dhe larmia e madhe e zhanreve të publikuara, të kujton thënien se “Ballkani më shumë prodhon histori se sa konsumon”, thënie e cila, në kontekstin që po shqyrtojmë, merr formën “duket se më shumë po prodhojmë libra, letërsi, romane, poezi etj. se sa efektivisht lexojmë”.
Së dyti ka ndodhur diversifikimi i burimeve të leximit. Me demokratizimin e informacionit dhe revolucionin teknologjik, leximi nuk është më një praktikë e lidhur domosdoshmërisht me librin fizik. Sot lexuesi i qaset “librit” në disa mediume, duke alternuar forma të ndryshme leximi sipas kontekstit, kohës së lirë dhe ritmit të jetës.
Burimet bashkëkohore të leximit përfshijnë librin e shtypur/print-pra librin që prekim dhe shfletojmë, me aromën dhe kërcitjen e fletëve- si nostalgji dhe simbolikë kulturore dhe format e reja digjitale si e-book në Kindle; audiobook, që i përshtatet kohës së mbingarkuar; platformat sociale (postime, fragmente, mikro ese); newsletter-at (një rikthim i formës epistolare në versionin digjital), leximet në Youtube, në blogje dhe platforma leximi dhe komunikimi të komuniteteve të vogla leximtare, etj.
Studiuesit argumentojnë se teknologjia digjitale dhe rrjetet sociale u mundësojnë individëve të organizohen dhe të komunikojnë pa ndihmën e strukturave tradicionale organizative. Kjo nënkupton krijimin e rrjeteve të lexuesve dhe audiencave, pa ndërmjetësim institucional, duke fuqizuar autorët-vetëpromovues.
Së treti, shoqëria e sotme e konsumit dhe e shërbimeve të shumta të argëtimit, ka riformatuar mënyrën e konsumimit të kohës së lirë. Nën ritmet e shpejta të jetës, trysnisë së reklamave, të modës dhe celebrity style, gjenerata Z joshet nga gjithfarë “sirenash” drejt argëtimit dhe kulturës së hedonizmit. Koha e fragmentuar dhe dëshira për t’i shijuar të gjitha mundësitë e ofruara të argëtimit, ka prodhuar “ekonominë e vëmendjes”[1] dhe rrudhjen e kohës për lexime të gjata dhe të përqendruara. Diversifikimi i botimeve, ofertat me shumëllojshmërinë e zhanreve letrare dhe jofictionale, e ka çliruar lexuesin nga diktatet pedagogjike por edhe e kanë vendosur atë përballë një tregu, ku duhet të bëjë zgjedhje dhe të filtrojë ofertat e shumta letrare.
Përsa parashtruam më lart, deduksioni që mund të bëhet është se “kriza e leximit”, me shumë gjasa është fiktive. Kultura e leximit është ripërmasuar dhe “portofoli” i kohës së lirë është shpërndarë mes argëtimit dhe leximeve të fragmentuara në disa burime.
- Autori dhe lexuesi në erën digjitale
Në epokën digjitale ka ndodhur një ndryshim thelbësor në mënyrën se si libri dhe autori perceptohen nga publiku. Roland Barthes, në esenë e tij të famshme “The Death of the Author” (1968) propozoi “vdekjen e autorit” – idenë se kuptimi i tekstit nuk i përket më autorit, por lexuesit. Teksti ekziston si një hapësirë ku lexuesi ndërton kuptimin e tij, duke e çliruar nga hierarkia e autoritetit dhe nga identiteti personal i autorit.
Megjithatë, praktika bashkëkohore po e sfidon këtë postulat: autori nuk është më thjesht një krijues që shkruan në kullën e tij të fildishtë dhe qarkullimin e librit ja beson tregut dhe intuitës së lexuesit. Në kohën tonë ka ndodhur një shift paradigmatik: nga autori si agjenci diskursive (Foucault -1969)[2] dhe prodhues simbolik i legjitimitetit estetik (Bourdieu -1992)[3] në autorin e erës digjitale, si brand kulturor dhe agjenci e marketingut vetëpromovues, me kapitalin e tij simbolik dhe imazhin mediatik në rrjetet sociale.[4]
Në një treg të tejngopur me tekste dhe burime alternative leximi (blogje, rrjete sociale, audiobooks, reels kulturore), vëmendja është kthyer në “mallin” më të kërkuar. Autori modern duhet të mendojë si një menaxher i vëmendjes: të strukturojë mesazhin estetik si “produkt i kapshëm”, të krijojë tension emocional të menjëhershëm; të përdorë ritmin dhe imazhin në një shoqëri likuide, ku gjithçka rrjedh me shpejtësi. Në këtë mënyrë, teksti letrar vendoset para sfidës për të konkurruar me gjithçka që e shpërqendron lexuesin: rrjetet, reklamat, ofertat e pafund të kulturës digjitale, kulturën e konsumerizmit dhe hedonizmit pa cak.
Sistemi i leximit, dikur i organizuar rreth librit të shtypur, sot ekziston paralel me ekosistemet digjitale, ku videot e shkurtra, rrjetet sociale, platforma të ndryshme komunikimi dhe format hibride të leximit, konkurrojnë për të thithur vëmendjen e lexuesit. Autori i letërsisë gjendet tashmë në një hapësirë ku ai nuk është më vetëm krijues i tekstit, por edhe strateg i vetë-prezantimit, menaxher i kapitalit të tij simbolik, figurë publike e detyruar të dialogojë me algoritmet dhe ritmet e platformave.
Ashtu si në ekonominë globale të markave, edhe në “ekonominë kulturore” të librit, konkurrenca për vëmendje është bërë po aq e ashpër sa konkurrenca për cilësi. Marketingu modern nuk shet më produkte, por histori dhe emocione. Siç vëren Jean Baudrillard, në shoqëritë e konsumit, malli nuk ka thjesht funksion përdorimi, por edhe funksion shenje.
Në këtë logjikë, çdo markë krijon një univers simbolik që konsumatori e blen për të afirmuar identitetin e vet. Nike shet “frymën e sfidës”, Apple “krijimtarinë”, Coca-Cola “gëzimin e jetës”. Ky është thelbi i storytelling-ut korporativ: rrëfimi bëhet formë e joshjes, emocion i paketuar në gjuhë estetike.
Në mënyrë të ngjashme, autori i sotëm krijon një markë autoriale. Ai nuk shet vetëm një libër me poezi, me ese apo një roman, por një imazh dhe narrativë rreth vetes: si shkrimtari antikonformist me vetëdije kritike ndaj statusquo-së, si poeti rebel apo poetja përfaqësuese e feminizmit radikal, si shkrimtari-zëri i dhimbjes dhe kronist i kujtesës kolektive etj.
Marketingu bashkëkohor bazohet në konceptin e vëmendjes si kapital: kush zotëron vëmendjen e publikut, zotëron tregun. E njëjta logjikë vlen për letërsinë. Lexuesi jeton në një ekonomi të “scroll”-it, ku teksti duhet të godasë në sekondat e para, ashtu si reklama që tërheq syrin përpara se të zhduket në rrjedhën e pafund të imazheve.
Psikologjia e leximit në shekullin XXI përbën një ndër nyjat kryesore të debatit mbi krizën e leximit, konkurrencën e shoqërisë së argëtimit dhe rolin e autorit për tërheqjen e vëmendjes së lexuesit. Në një mjedis ku informacioni qarkullon shpejt, ku ndërveprimi është i menjëhershëm dhe ku çdo platformë lufton agresivisht për disa sekonda vëmendje, leximi – sidomos leximi i thellë, reflektiv dhe hermeneutik, përballet me sfida kognitive dhe emocionale të reja.
- Strategjitë autoriale-nga kapitali simbolik te “skandali” kulturor
Në realitetin shqiptar, në kushtet e reja të platformave digjitale, të kulturës konsumeriste dhe fragmentimit të vëmendjes, autorët janë vendosur para sfidës të joshjes së lexuesit drejt botimeve të reja, në një treg kaotik, ku rrjetet e shpërndarjes, marketingut dhe kritika letrare orientuese janë pothuaj inekzistente ose tepër të kufizuara.
Transformimi teknologjik dhe kulturor i ka vendosur autorët para detyrimit imperativ për të përdorur strategji të reja për ndjelljen e vëmendjes së lexuesit, të krijojë ura midis formave të shpejta të komunikimit, të kombinojë thellësinë estetike me komunikimin e shpejtë digjital.
Autori nuk është më vetëm prodhues teksti por edhe udhërrëfyes i leximit, kurator i përmbajtjes së vet dhe interpretues i veprës, në një univers mediatik të zhurmshëm. Pikërisht këtu fillon lufta për vëmendjen.
Këto dy-tre javët e fundit para hapjes së panairit të librit, disa nga autorët më të zëshëm, nisën promovimin e romaneve të tyre të rinj në rrjetet sociale, në median televizive, në intervista dhe podkaste etj.
Në kushtet e reja të imponuara nga teknologjia e informacionit, duket se më të favorizuar janë autorët e konfirmuar me autoritet dhe imazh publik, që zotërojnë kapital simbolik-si akademikë, studiues me reputacion intelektual, publicistë të konfirmuar dhe të pranishëm në median vizive, opinionbërës aktivë në sferën e angazhimit publik etj. Pra autorët me kapital simbolik dhe autoritet kulturor, kanë më tepër mundësi për përthithjen e lexuesit, përmes rolit të tyre promovues dhe pranisë në mediat vizive dhe rrjetet sociale.
Autorët e tjerë, qofshin këta rishtarë por edhe ata me disa botime, pa këtë kapital simbolik, pa akses mediatik dhe pa rrjetin real social te mbështetësve, mbeten autorë margjinalë, ne periferi të vëmendjes së publikut.
Nga vëzhgimet e realitetit mediatik mund të thuhet se suksesi i një autori për përthithjen e vëmendjes së lexuesit dhe krijimin e një komuniteti lexuesish të qëndrueshëm, nuk varet vetëm nga reputacioni autorit dhe kapitali simbolik që ai zotëron por edhe nga strategjitë e marketingut dhe promovimit të produktit të ri letrar.
Në kontekstet e reja kulturore, një nga strategjitë më efikase është provokimi artistik, deri në kufijtë e një “skandali” kulturor. Provokimi artistik dhe tërheqja e vëmendjes së publikut përmes skandaleve të stilit të jetës, në historinë e kulturës botërore njihen si mjete efikase të avangardës në fillimet e shekullit të 20-të.
Të provokosh artistikisht publikun do të thotë të trajtosh letrarisht dhe jo vetëm, disa tema të nxehta deri në kufijtë e tabusë-sikurse janë temat rreth seksualitetit, identitetit kombëtar, besimeve fetare, figurave historike, identiteteve gjinore etj. Në një shoqëri kaotike si kjo e jona, të relativizmit moral dhe të krizës së vlerave, trajtimi disa temave–tabu zgjon instinkte dhe pështjellim, reagime kontroversiale e deri në mallkime ndaj autorit. Provokimi është një mjet i fortë për të kapur vëmendjen por kjo strategji duhet përdorur me kujdes, që të mos kthehet në manipulim të lexuesit.
Para disa vitesh, autorë si Mustafa Nano me librin Jam gegë dhe Rita Petro me librin poetik Vrima, shkaktuan furtuna mediatike dhe reagime të përdoruesve të rrjeteve sociale.
Një nga shembujt më përfaqësues të “kulturës së provokimit” është rasti i shkrimtarit dhe publicistit të njohur Ben Blushi. Publikimi vite më parë nga ky autor i romanit Të jetosh në ishull, shkaktoi një fluks reagimesh dhe shkrimesh nga kritikë dhe studiues të letërsisë, nga sociologë, filozofë, historianë dhe qytetarë, ndjekës të zhvillimeve kulturore në vend.
Duket se edhe këtë vit, me njoftimin paraprak dhe mbajtjen sekret të titullit dhe, tani së fundmi, me publikimin e romanit me titullin provokues Jam mysliman –Blushi ia mbërriti të përthithë vëmendjen e publikut të rreshtuar në një ofensive plot mllef, denigrime dhe dyshime në rrjetet sociale.
Një figurë tjetër e spikatur, me kapital simbolik dhe akademik, i mirënjohur për praninë në rrjetet sociale dhe hapësirën mediale për angazhimin intelektual publik, prof. Artan Fuga, përmes një strategjie inteligjente, me postime në FB, me intervista dhe komente grishëse, prej disa javësh ka njoftuar publikimin e romanit të tij të ri Ndëshkimi i dytë i Evës. Nga aq informacion sa ka shpërndarë rreth subjektit të romanit të ri, tema e vendosur në fokus dhe pritshmëritë e larta të trajtimit të saj përmes lenteve filozofike autoriale, duket se kanë ngjallur interesin e audiencave dhe ndjekësve të tij në rrjetet sociale.
Para disa ditësh mora pjesë në një mbrëmje të organizuar në një nga libraritë në Rrugën e Kavajës-Tiranë, për promovimin e librit të ri Në atë vend, të studiuesit, shkrimtarit dhe kulturologut të njohur Ardian Vehbiu. Në një mjedis me miq, të njohur, lexues dhe ndjekës të tij, si autor kontributor dhe drejtues i revistës Peizazhe të Fjalës, me Elsa Demon moderatore dhe Arbër Zaimin, si analizues i librit përmes një qasjeje interesante filozofike-u krijua një mjedis i këndshëm bashkëbisedimi ndërmjet autorit dhe pjesëmarrësve.
Temat e diskutimit cekën jo vetëm tematikën e librit të ri të Vehbiut por edhe disa çështje kritike të kulturës së leximit në epokën digjitale, si e ardhmja e romanit të gjatë në kushtet e vëmendjes së fragmentuar të lexuesit modern, komunikimi autorit me audiencat, burimet alternative të leximit dhe efikasiteti letërsisë minimaliste, si përshtatje me psikologjinë e lexuesit në kohën tonë.
Studiuesi A. Vehbiu, rreth kësaj teme theksoi se, edhe pse zhanret e shkurtra po dominojnë tregun digjital, romani voluminoz ka ende vlerë estetike dhe mund të eksplorojë tematika të thella, situate psikologjike komplekse, universe sociale të ndërtuara dhe problematika të mprehta sociale dhe kulturore të kohëve moderne. Nëse autorët gjejnë mënyra për ta bërë romanin voluminoz të aksesueshëm në platformat digjitale, ai mund të mbijetojë si zhanër elitist ose kulturor, ndonëse jo si produkt masiv i përditshëm.
Po të përdorim një metaforë, autorët të cilët lëvrojnë romanin e gjatë dhe kompleks, në kontekstet e reja kulturore, mund të veprojnë si një Sheherazade me “sulltanin” lexues, duke e mbajtur vëmendjen dhe kërshërinë e tij të ndezur, përmes postimeve seriale në platformat online.
Autori i epokës digjitale duhet të llogarisë se libri nuk lexohet më në një “boshllëk të shenjtë qetësie”. A ekziston sot specia e lexuesit të dikurshëm, që ngulej mbi libër–mbi një roman të Balzakut, Dikensit, Tolstoit etj. dhe nuk e hiqte nga dora pa e përfunduar? Tani leximi realizohet përmes ndërprerjesh, gjatë lëvizjes, në kafene, në intervale të shkurtra kohore dhe alternohet me ndjekjen e lajmeve, njoftimeve, reklamave, Tik-Tokut, videove me humor, etj. Lexuesi modern është qytetari i paqetë të cilit “i këndojnë në kokë njëmijë kumrie”, i stresuar dhe me vëmendje të fragmentuar.
Njeriu shekullit të 21-të nuk është thjesht një qenie e programuar që lexon, por mbi të gjitha një qenie që jeton në rrjedhën intensive të jetës moderne, në një botë ku nuk mungon leximi por ku kërkohet kuptimi kompleks i kohës, i jetës, i Tjetrit dhe vetes.
(c) 2025 Sadedin Mezuraj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.
[1] Franck, Georg (1999) The Economy of Attention
[2] Michel Foucault (1969) What Is an Author?
[3] Pierre Bourdieu (1992) Les règles de l’art
[4] Naomi Klein (1999) No Logo- Taking Aim at the Brand Bullies; Claire Squires (2007): Marketing Literature; Alison Hearn (2008) Meat, Mask, Burden;
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.