Unë fjalën sillë nuk e përdor kurrë. Në të folur jo e jo; në të shkruar ndoshta, ndonjëherë, në ndonjë përkthim tekstesh që rrëfejnë histori ndodhur kohëve të dikurshme, të largëta. FGJSSH, i vitit 1980, kështu e jep:
SILLË f. sh.
- vjet. Ushqimi i mëngjesit që i shpihej bujkut në arë para dreke. Ha sillën. I shpuri (i çoi) sillën. Në kohën e sillës.
- Buka e mëngjesit, mëngjesi.
Kur quhej e vjetëruar dyzet e pesë vjet më parë, imagjinoni sot! Fjalën sillë Çabej e ka studiuar thellë. Ja si e përshkruan, te studimet e tij etimologjike:
sillë f. “buka e mëngjesit që i shpihet bujkut në arë paradreke më nja ora dhjetë; buka e mëngjesit; koha kur hahet silla”; sillój “ha sillë”; te Pederseni sëllí f. “sillë” sëllíj “silloj”, poashtu dhe në Breg të Detit (M. Totoni). G. Meyeri 384 e jep si mashk. sill-i dhe e lë pa spiegim. Pederseni (BB XIX 299, Kelt. Gram. I 45) lidh me të me të drejtë dhe fjalën esëll, që del kështu me kuptimin “pa sillë”, mendim që pranohet dhe nga Jokli LKU 315. Për sillë vetë Pederseni më vonë (Philologica II 114) shtron si bazë një indoeur. *kuilo *kuilā, po pa u shprehur më tej për këtë. Më parë Barići (I 59) sillë-n e nxirte prej një *a(u)sihlā- duke e çuar fjalën te një indoeur. *āusōs e duke e krahasuar kështu me ind. e vj. usāh gr. ἔωϛ “agim” αὐ ριον “nesër”, sllav. utro “agim, muzg i mëngjesit” etj. Manni (Language 28, 35) përsjat mundësinë e një afrimi të sillë-s me çek. čila “kohë”, morav. v-čil “tani”, ags. hvīl “çast, kohë).
Fjalë e mbarë gjuhës. Del së pari te Bardhi: Ientaculum E silme (E sillme) e te Bogdani (I 167): Ulkonja zemëratë jau hā me sillë. Në pjesën më të madhe të truallit gjuhësor të shqipes mbizotëron kjo trajtë me s-. Ajo sundon në Toskëri e në Shqipëri të mesme, khs. te Hasluck f. 32 Goca e kishte marrë sillën, do me thânë, bukën e mnjesit; edhe në Kosovë (te një këngë) ta due sillën në xhami (Visaret e Kombit IV 9). Në geg. veriperëndimore i thonë cillë, cilë, cile; khs. Jungg, Bashkimi, Gazulli 409, M. Sirdani Skanderbegu mbas gojëdhanash 200; te Kurti (HD XIV 11 Prralla kombtare I2 17 shën. 2) cillë “buka qi hahet paradite, mbasi puntori të ketë bâ nja dy orë punë”. M Sirdani (HD VI 550, 559) jep për Krajë edhe verbin me cilë: Po vjen koha për me cilë; kur ka ardhë koha me cilë. Sh. dhe Folklorë II 171. Gazulli sjell dhe cilore f. “shtrojë treveze, sofrabez”. Nga shtrirja gjeografike (area maggiore) dhe nga dëshmia e autorëve të vjetër të Veriut shihet se forma me s- është primarja dhe se e sotmja me c- e geg. veriperëndimore është relativisht e re, duke dalë nga një fortim i sibilantit në afrikatë, si te asi: aci, asosh: acosh, sipër: cipër. Etimologjikisht sillë paraqitet si një postverbal i sjell, zgjeruar me sufiks -ë, zgjerim i shpeshtë në gjuhën shqipe: çojë: çoj, ngecë: ngec, prishë: prish, pritë: pres, pritun etj., sh. Xhuvani-Çabej, Prapashtesat 39v., gjellë: gjell “rroj” (Buzuku XXVIb), trembë (Bogdani I 35, 13), lidhë (Jokl, Studien 90). Për reduktimin e diftongut je në i në emra postverbale khs. rjep: rrip rryp, shtjell: shtill “bosht”, tjer; tirk, vjel; vile, sh. BSS 3 (1954) 96; khs. edhe derr: dirk, djersë: dirsë, vjet: viç, nip etj. Për kuptimin do vënë re se fjalët që duan të thonë “sjell, bie” japin shpeshherë emra pjatash e së ngrënash; khs. lat. ferculum “pjatë”: fero “bart, sjell, bie”; frgj. mets pl. “gjellë” nga lat. missus “vënë përpara”; serbokr. pőnude “gjellë e pije që i shpien të sëmurit” (Ristiç-Kangrga I 708): ponuditi “me mblatue”; prus. e vj. pērdin “hej, tagji”, fjalë për fjalë “që është vënë përpara” (Fraenkel 643). Prej shqipes vetë hyn këtu te vūta fpl. Drejtpërdrejt vërtetohet burimi i sillë-s nga sjell, si një particip i vjetër, me anën e formës e sillme që e ka Bardhi e që jep dhe G. Meyeri për gegërishten, e cila paraqitet edhe sot si një particip me -m i këtij verbi. — Sh. edhe sulem.
E dhashë të plotë, në gjithë detajet e veta këtë faqe të Çabejit e cila, përveç gjërave të shumta që më mëson, më pëlqen në radhë të parë nga ana letrare. Po bëj një shmangie (të vogël) këtu. Shmangia i ka hije frymës së eseve të zanafillës, asaj çka na ka përcjellë ustai i madh Montaigne, që i shkon edhe përkufizimit të Samuel Johnson-it për esenë: “A loose sally of the mind…” etj., etj., të cilën e kam përmendur diku, por që do ta vija, me dëshirë, me germa të mëdha, te dera e studios sime (po të kisha studio). Pyes: kjo faqe e Çabejit, a është (edhe) letërsi? Them se po. Madje, letërsi e lartë. Një minitregim, vetëm se protagonisti këtu nuk është një njeri, a një kafshë në daçi, por një fjalë: me këtë rast fjala sillë. Se studimet etimologjike të Çabejit i ngjajnë fare pak, diç si agor, si paraqitje, fjalorit etimologjik; janë renditur alfabetikisht, po… dhe aq (dhe, në fakt, as Çabej vetë nuk e quan “fjalor”); përndryshe ato janë një rrëfim, herë i gjatë e herë më i shkurtër, i jetës së një fjale, në kohë, në shekuj, i marrëdhënieve të saj me fjalë të tjera shqip a me fjalë gjuhësh të tjera, më shumë apo më pak të largëta; marrëdhënie herë kontradiktore, por më shumë miqësore, siç bëjnë personazhet e cilido rrëfimi të denjë për këtë emër. Letërsia e Çabejit fillon qysh te zgjedhja e fjalëve që analizon, nganjëherë të rralla, ose të çuditshme, shpesh të papritura – siç edhe fjala sillë – ai kalim i butë nëpër tekstet e vjetër, ai depërtim, edhe psikologjik, te gjuhët e tjera; sintaksa e frazave; pikësimi more, pikësimi: pikëpresjet, për shembull, a e keni vënë re si i përdor Çabej pikëpresjet? Kjo puna e të qenit letërsi e një teksti në pamje të jashtme jo i tillë nuk ka pse të na habisë. Ka romane të tërë, qindra faqesh, që nuk kapin as pragun minimal të letërsisë, dhe ka pastaj tekste lëmish të tjera që zotërojnë atë që i kërkohet letërsisë: bukurinë. E kuptoj që çka po them mund t’i urgusë buzëhollët, por, në fakt, diskutimi del yst vetëm për veprat bashkëkohore. Veprat e largëta në kohë, dhe që i kanë rezistuar shekujve, e kanë marrë tashmë statusin e veprave letrare, pavarësisht çka mëtonin të ishin në zanafillë. Për shembull, askush nuk e vë më në dyshim që “Historitë” e Herodotit janë letërsi, ne sot e lexojmë për bukurinë e formës, jo për faktet e kohës së baba Qemos që na rrëfen. Apo “Il Saggiatore” i Galileo Galileit: merret me origjinën e kometave, por ka aq bukuri, konkretësi dhe mungesë manierizmi sa Italo Calvino pat deklaruar që, sipas tij, Galilei mbetet nga prozatorët më të mëdhenj të Italisë. Po ashtu edhe për shqipen, “Meshari”, a nuk është letërsi nga më të bukurat, me atë shqipe aq të pasur, të beftë, tek del nga errësira e Mesjetës si ai dreri që del nga pylli?
Po le të kthehemi tek etimologjia, sporti ynë më popullor, krahas futbollit.
Në anglisht sillës, pra (le ta quajmë gjithsesi përnjëmend sillë) i thonë breakfast, që, natyrisht, s’ka të bëjë aspak me shpejtësinë e të ngrënit, se dihet (i kemi parë hoteleve) si dhe çfarë hanë anglosaksonët për mëngjes, teksa ne, shqiptarët, as që e hamë fare, saqë kemi eliminuar edhe fjalën vetë, por do të thotë, pra, thjesht: “këputje e të ndejturit esëll, e agjërimit, në daçi (të natës)”. Njëjtë frëngjishtja: “petit déjeuner”, ku déjeuner, është “vakti që thyen agjërimin, të mbeturit pa ngrënë”, dhe dé- prefiksi që tregon një veprim të kundërt me jeûner “agjëroj, rri pa ngrënë”. Përsa i përket fjalës petit, vihet për ta dalluar nga déjeuner, që në frëngjisht është ende “dreka” (shihni më poshtë ç’thuhet për italishten). I njëjti rrugëtim etimologjik vihet re edhe te gjuhët iberike: spanjisht desayuno, i përbërë, si frëngjishtja, nga des- dhe ayunar; ose portugalishtja: desjejum. Kurse në gjermanisht, fjala është Frühstück, e përbërë nga früh (herët) e Stück (copë), pra “copa e parë (e ditës)”. Pak ndryshon holandishtja: ontbijt, literalisht “kafshitë e parë”. Suedishtja nuk është larg: frukost; ku etimologjia të çon te “fruti i parë”, pra ushqimi i parë i ditës, ndonëse kuptimi i ost (“djathë”) ka marrë një shtrirje më të gjerë.
Kurse italishtja përbën një rast të veçantë, pothuaj një anomali. Colazione vjen nga latinishtja collatione që, nga ana e vet, rrjedh nga collatus = “dorëzoj, jap, sjell për të tjerë”, tregon, pra, jo prishje të gjendjes së esëllt, por një moment bashkëjetese, ku gjithsecili sjell diçka për ta ndarë së bashku: gjëra për të ngrënë, biseda, kohë, shoqëri të mirë. Nga këtu buron edhe përdorimi mesjetar, dhe i periudhës së Rilindjes, i fjalës colazione për “drekë, vakti i mesditës” (që sot në italisht është “pranzo”). Në të gjitha tekstet e saj kohe, pra, colazione do të thotë “drekë” dhe, për ta dalluar, mëngjesi ishte: prima colazione (këtu lidhja me frëngjishten). Ama, edhe shqipja e ka mbajtur lidhjen midis ushqimit të mëngjesit dhe thyerjes së të ndejturit pa ngrënë. Vetëm se ka bërë arsyetimin e kundërt për të prejardhur fjalët: nuk rrjedh fjalë sillë nga esëll, por e kundërta (the other way around), fjala esëll nga sillë (me e- privative përpara). Ne, shqiptarët, e kemi pak kokën së prapthi, apo jo? Gjë për të cilën, të paktën në këtë rast, nuk më vjen aspak keq. [Çabej e analizon në mënyrë po aq tërheqëse edhe fjalën esëll, esull, por, për arsye vendi nuk po e jap këtu]. Gjithashtu, siç duket nga analiza e Çabejit, edhe një lidhje e hollë kuptimore mes collatus-it latin (siç thamë: “dorëzoj, jap, sjell”) dhe sillës shqipe të lidhur ngushtë me fjalën “sjell” është mëse i pranishëm.
Semantika ndryshe e fjalës italisht në krahasim me simotrat rrëfen shumë për kulturën italiane, ku ushqimi nuk është thjesht ngimje, por sidomos takim, njohje, shoqëri. Të tregojë diçka edhe për kulturën shqiptare që, fillimisht u tregua tejet e mprehtë në lentimin e fjalës, por pastaj e humbi interesin, se ndër tre vaktet kryesore të ditës e ka zhdukur fare fjalën sillë nga përdorimi, duke e zëvendësuar thjesht me “mëngjes”, që është term kohor: “fillim i ditës” (ndërsa “dreka” dhe “darka” mbeten)? Për këto vras mendjen këtu, në barin e zhurmshëm të spitalit të Padovës, teksa ha brioshin tim dhe pi një kapuçino. Jam vetëm vërtet, por, ama, nga ç’dëgjoj rrotull, gjendem në vendin më të mirë në botë për të futur hundët në punët e tjetrit.
(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar me Whisk.
Bibliografi minimale
Edoardo Ciotola. Linguista spiega l’origine della parola “colazione”. Forum Agricoltura Sociale. 2025.09.23.
Eqrem Çabej. Studime gjuhësore. Studime etimologjike në fushë të shqipes. Vol 1 & 2. Prishtinë: Rilindja, 167 & 109-10, 1976.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.