Hëna e Hekurt që lind nga poezisë e punëtorëve migrantë
Këto ditë u përkujtua dita e poetëve migrantë në Kinë, pikërisht në këto ditë të rëndësishme për Kinën, kur festohen Ditët Kombëtare pas shpalljes së Republikës Popullore. Kujtimi i poetëve migrantë, që janë vetë punëtorë migrantë, u jep dinjitet këtyre punëtorëve të zakonshëm. Edhe pse nuk janë intelektualë në kuptimin klasik, ata mbajnë ndezur shpresën dhe dashurinë për humanitetin dhe letërsinë.
Në Kinë, termi punëtorë migrantë i referohet atyre njerëzve që, pas politikës së hapjes së Deng Xiaoping në fund të viteve ’70 dhe sidomos gjatë viteve ’80 e ’90, u shpërngulën nga fshatrat drejt qyteteve për të punuar në industri dhe sektorë të tjerë urbanë. Ata nuk janë migrantë ndërkombëtarë, por migrantë të brendshëm, të cilët lanë pas jetën bujqësore për të ndjekur mundësitë e punësimit në qendrat urbane.Ky fenomen u bë lëvizja më e madhe e migracionit të brendshëm në historinë moderne kineze dhe ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërkohë që për shumë nga këta punëtorë ka nënkuptuar kushte të vështira pune dhe një status social shpesh të pasigurt.

Imazh i një punëtori që godet një gong (që “bën të dëgjohet zëri i tij”), paraqitur këtu në formën e artit tradicional kinez i letërprerjes. Marrë nga logoja e Migrants Home, një vend në Pekin që dikur ishte i dedikuar punëtorëve migrantë.
Poezia e punëtorëve migrantë lindi në vitet 1990, kur një numër i vogël prej tyre, të apasionuar pas letërsisë, nisën të shkruanin mbi përvojat e tyre në fabrika, larg shtëpisë. Kështu u krijua një poezi e re, e shkruar nga ata që jetonin në shtresat më të ulëta të shoqërisë, por që gjetën fjalët për të shprehur dinjitetin e tyre.
Po e ndaj këtë poezi të Xu Lizhi, sepse tregon një tjetër aspekt të Kinës – jo vetëm atë të partisë komuniste dhe teknologjisë së avancuar, por edhe atë të punëtorëve të thjeshtë që punojnë dhe luftojnë çdo ditë.
Hëna e hekurt është një simbol i fuqishëm i vështirësive me të cilat përballen të ashtuquajturit “punëtorë migrantë” në Kinë. Ky koncept u shfaq për herë të parë në vitin 1984, kur studiuesi Zhang Yulin nisi të analizonte zhvillimin e qyteteve kineze. Me rritjen e industrisë, miliona banorë u shpërngulën nga fshatrat drejt qyteteve dhe u bënë pjesë e një kategorie të re shoqërore – “punëtorët migrantë” – të pranishëm, por të padukshëm, në jetën e përditshme urbane.
Termi “hëna e hekurt” vjen nga një poezi e Xu Lizhi, 许立志, i lindur në vitin 1990. Ai punoi në linjën e montimit në fabrikat e Foxconn, duke prodhuar produkte të Apple-it, deri në vetëvrasjen e tij në vitin 2014. Xu Lizhi, megjithëse punëtor fabrike, la pas më shumë se dyqind poezi. Ato përshkruajnë jetën e rëndë, të tjetërsuar, por edhe dëshirën për t’u shprehur. Më e njohura është pikërisht kjo:
| 我咽下一枚铁做的月亮
(wǒ yàn xià yī méi tiě zuò de yuè liàng) 我咽下一枚铁做的月亮 他们把它叫做螺丝 我咽下这工业的废水,失业的订单 那些低于机台的青春早早夭亡 我咽下奔波,咽下流离失所 咽下人行天桥,咽下长满水锈的生活 我再咽不下了 所有我曾经咽下的现在都从喉咙汹涌而出 在祖国的领土上铺成一首 耻辱的诗 |
Kam gëlltitur një hënë të hekurt
Kam gëlltitur një hënë të hekurt, e kanë quajtur vidë Kam gëlltitur ujërat e zeza e kësaj industrie, urdhrat e papunësisë Ata që janë poshtë makinës vdesin të rinj Kam gëlltitur vrapimin, gëlltita edhe të pastrehin Gëlltita urën e këmbësorëve, gëlltita jetën e ndryshkur Unë nuk mund të gëlltis më gjithçka që kam gëlltitur më rrotullohet në fyt Përhapja në vendin tim një poezi turpi |
Xu Lizhi (1990-2014) – përktheu nga gjuha kineze: Ardita Osmani
Duke e lexuar këtë poezi, kujtojmë se pas çdo fabrike që prodhon miliona objekte të konsumit masiv – telefona, kompjuterë, veshje, pajisje shtëpiake – fshihen historitë e njerëzve të zakonshëm. Ata kanë ëndrra dhe shpresa si të gjithë të tjerët, pavarësisht kombësisë apo kushteve të jetesës.
Në poezinë e Xu Lizhit gjejmë shfrytëzimin e punës, statusin e paqëndrueshëm të emigrantëve dhe vështirësitë e jetës së tjetërsuar. Por, njëkohësisht, ajo bart edhe një forcë tjetër: dëshirën e pashuar për të krijuar, për të folur, për të dëshmuar. Poezia e tij ekziston dhe vazhdon të shpërndahet, duke u bërë zë për ata që rrallë dëgjohen.
Shija e hidhur e sakrificës qëndron ende dhe prek punëtorët migrantë jo vetëm në Kinë, por kudo. Të rinjtë që jetojnë mes kompromisesh, mes ëndrrave dhe realitetit të zymtë, shpesh duhet “të gëlltisin” alternativa të pakënaqshme për të mbijetuar. Por pikërisht siç na mëson kjo poezi, edhe në mes të asaj hëne të hekurt mbijeton dinjiteti njerëzor dhe dashuria për jetën e për artin.
(c) Ardita Osmani. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përpunuar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.