Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Art / Kritikë

DISKURSI PUBLIK DHE SKENA E ARTIT SHQIPTAR

Në vend të hymjes

Zilja e mbrendshme më çon nga gjumi pothuajse gjithmonë rreth orës 7. Ashtu përgjumshëm dora zgjatet drejt celularit i cili konfirmon 07:04. Tashma celulari asht në dorë e filloj me prekë lehtë sipërfaqen e lëmueme ku shfaqen ikonat e app-eve. Simbas një automatizmi tashma të konfirmuem, gishti shkon drejt ikonës së Instagram-it i cili të njofton se gjatë natës ke marrë dymbëdhjetë like, të jane shtue tre followers e të kanë përmendë në pesë story. Faqja po ecën mirë. Postimet e fiksueme sipër shënjojnë 10.8 mijë, 10.7 mijë vizualizime ndërsa një postim i fundit i bashkëndamë me një figurë të njoftun publike ka mbërritë 82,1 mijë vizualizime. Po ashtu edhe numri i like-ve, 778, 1227, 435… bukuri!

Përtej Instagramit

Sapo jam kthye në Itali mbasi kisha kalue dy muej në Shkodër. Kishim dhjetë-vjetorin e Art House dhe vendosëm me e kremtue me një ekspozitë ku merrnin pjesë artistët që kishin frekuentue Art House School në katër edicionet e saj. Tridhjetë e tre artistë nga Shqipnia, Kosova, diaspora e rajoni. Emna të njohun e të rinj. Pesë hapsina të qytetit mirëpritën punimet e tyne, katër kuratorë përzgjodhën me kujdes veprat të cilat u instaluen me përkujdesje për çdo detaj nga skuadra e produksionit. Pothuajse një vit punë për ta përgatitë ekspozitën, shumë diskutime nga kuratorët, dialog intensiv me artistët, përpjekje të stërmundimshme për të mbledhë fondet e nevojshme, entuziazëm e bujari nga pjesmarrësit e falënderime nga publiku. Po diskursi publik rreth ekspozitës? Diçka që e analizon në thellësi, që e kontekstualizon, ia nxjerr në pah pikat e forta apo kritikon ndonjë dobësi? Përveç një shkrimi të gjatë në revistën italiane Exibart asgja deri më sot në mediat shqiptare. A mos asht ende herët me folë? Ndoshta.

Në pranverën që shkoi Ekrani i Artit përveç programit të filmave kishte si pjesë të vetën një ekspozitë antologjike mbi video artin shqiptar qysh nga fillimet e deri në ditët tona. E kurueme nga Edi Muka dhe me pjesëmarrjen e pothuajse të gjithë artistëve që në mënyrë parësore kanë punue me video-artin, kjo ekspozitë ishte një rast unik për me hapë një diskutim mbi rrugëtimin e kësaj gjuhe shprehëse të artit nga fundi i viteve 90 e deri sot. Edhe për këtë u punue fort. Hulumtime nga kuratori, përpjekje nga organizatorët dhe produksioni për me i shpërnda videot si në grupime narrative ashtu edhe në një formë instalative sugjestive e rigoroze që nga ekrani i madh i kinemasë e deri tek 13 monitorët Hantarex të sjellë enkas nga Italia së bashku me një teknik të specializuem. Rezultati shumë i mirë, reagimi nga publiku shumë pozitiv, diskursi publik në media krejt i vakët. Pesë ditë festival, pesë ditë ekspozitë dhe përtej reportazheve televizive e ndonjë intervistë me organizatorët në mediat lokale i vetmi moment diskutimi publik në media ishte emisioni Artes i Elsa Demos ku të ftuem ishin Edi Muka e Gentian Shkurti.

Elsa, Dialogjet e kulturës dhe Artes

Me Elsën jam njohë, në mos gaboj, nga fillimet e viteve 2000 kur ajo shkruente në gazetë. Mbaj mend një dialog me të në 2009 të gazeta Shekulli ku ti e ndieje se po flisje me dikë që, jo vetëm ta ka studiue punën, por të stimulon me pyetje, të hap probleme, të ofron mundësi leximi e interpretimi që shkojnë përtej përshkrimeve sipërfaqësore apo frazave të parafabrikueme. Qysh nga ajo kohë kemi pasë rast të komunikojmë e të ballafaqohemi herë mbas here. Ma vonë ajo kaloi në televizion. “Televizioni ta merr ftyrën” mbaj mend se më tha herën e parë që u takuem për një intervistë. Kur inauguruem Art House, kishim mysafir Willie Doherty, një ndër pionierët e video-artit dhe fotografisë konceptuale irlandeze. Mbaj mend si Elsa në pak ditë e studioi punën e tij dhe erdhi nga Tirana në Shkodër për ta intervistue te shtëpia e vjetër e zhvilloi me të një bisedë të gjatë. “Si shkoi intervista?”, e pyeta Willie-n kur mbaroi. “Mu duk sikur po flisja me dikë që njihemi prej kohësh” tha ai. Të njëjtën gja ma kanë thanë edhe Michelangelo Pistoletto, Galit Eilat, Liborio Palmieri e mysafirë të tjerë që pasi vinin në Art House për të prezantue punën apo kërkimet e tyre, ndaleshin në studiot e ABC News për Dialogjet e kulturës me dhe përfshiheshin në një bisedë stimuluese ku bashkëbiseduesi nuk ishte thjesht gazetar, por njohës i hollë i mekanizmave të krijimit dhe mendimit artistik.

Dialogjet e kulturës ma parë dhe ma pas Artes, u kthyen në gjithë këto vite në hapsinën publike kryesore dialoguese për skenën e artit shqiptar. Me dhjetra artistë, shkrimtarë, arkitektë, aktorë, regjisorë, njerëz të artit e kulturës janë ulë përballë Elsës këto vite. Jo gjithmonë mund të ishe dakord me të, por ndjesia se përballë kishe një bashkëbiseduese që e kishte ndjekë skenën me skrupolozitet dhe dedikim ishte pothuajse e padiskutueshme. Sigurisht që kohët televizive kanë limitet e tyne por emisioni Artes ishte një hapsinë ku skena e artit gjente vend me artikulue mendime e qëndrime.

Këto ditë qarkullon një letër e hapun që Elsa Demo ia dërgon drejtuesve të RTSH-së dhe nga ajo kuptohet se vazhdimi i emisionit Artes asht vu seriozisht në diskutim. Nuk asht as në kompetencën e as në dëshirën time me u futë në teknikalitetet e marrëdhanies kontraktuale mes Elsës dhe RTSH-së, por këtu asht në lojë diçka ma e madhe. Sa të randësishëm e konsiderojmë diskutimin publik në skenën kulturore shqiptare? Si e ndërtojmë hierarkinë e vlerave, si e përballojmë debatin e kritikën e si këto i shërbejnë emancipimit të ambjentit kulturor duke e stimulue, mprehë e rafinue atë.

Jemi një shoqni që rrezikon me i marrë në konsideratë artistët vetëm kur futen në Big Brother apo në zyrat e SPAK-ut. Vepra e artit, kërkimet estetike, pozicionimet e artistëve edhe kur ato i referohen jetës shoqnore, e aq ma pak sfumaturat e holla të lojës me formën nuk konsiderohen si argument me interes publik. Narrativa dominuese ose shkëlqen në xixëllime spektaklesh instagramuese të filmueme nga naltësitë e droneve të gjithëpushtetshëm ose qelbet në llomotitje ku fjalët “kriminel”, “korrupsion”, “narkoshtet”, “regjim” ofrohen si të ishin karamele mbi tavolinën e recepsionit te B&B-ve që kanë mbushë qytetet tona turistike.

Mendoj se na duhet urgjentisht një dalje nga ky batak e nevojitet me krijue zona të bonifikueme diskursi publik që e refuzojnë retorikën dominuese e hapin mundësi për narrativa të reja.

Krijimi i këtyne mundësive nuk mund të jetë vetëm çështje oborresh private. Shumë mirë që ka inisiativa të vogla që tentojnë me ofrue hapsina alternative e urojmë që ata të shtohen, por kena nevojë me e konsiderue artin dhe kulturën një të mirë publike dhe me investue seriozisht në fuqizimin dhe transformimin e institucioneve publike. Kjo nuk asht thjesht çështje mediatike, por duhet trajtue me seriozitet duke fillue nga bankat e shkollave tek auditorët universitarë e deri tek galeritë, teatrot, muzetë. Nuk mund t’ia lamë kulturën ekskluzivisht logjikës së tregut e as ta konsiderojmë aksesor për zhvillimin e turizmit.

Ne nuk na duhet me e mbyllë emisionin Artes. Na duhen ma shumë Artes për me sigurue një pluralitet zanesh e kandvështrimesh e këto nuk kanë me na ra ndonjëherë prej qielli. Ato duhet t’i formojmë në shkolla, t’i stimulojmë, t’ua mbrojmë lirinë e dinjitetin, t’ua pranojmë kritikën e të mprehim kundërpërgjigjen me argumenta nëse nuk jemi dakort. Po si mund të ketë entuziazëm sot një student që dëshiron me u marrë me gazetari apo kritikë arti kur sheh se si i mbyllet hapsina një profesionisteje që ka kaq vite që kontribuon në këtë fushë? Prandaj nuk asht Elsa Demo që ka nevojë për ne, por asht shoqnia jonë që ka nevojë për Elsën e për të tjera si ajo që me dije e përkushtim i shërbejnë debatit publik mbi artin.

Nëse nuk dona me e lanë kulturën në mëshirën e like-ve e të follower-save na duhet me u ulë seriozisht e me ndertue politika kulturore që stimulojnë dijen, kërkimin dhe mendimin kritik e mandej që ofrojnë platforma publike artikulimi e debati. Por para se me mbërritë te ndërtimi i këtyne politikave e platformave të së ardhmes le të fillojmë duke e rihapë emisionin Artes në televizionin publik shqiptar.

(c) 2025 Adrian Paci. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin