Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Mjekësi

SPLEEN

Spleen, e dimë të gjithë, i thonë shpretkës anglisht. Por fjala nënkupton edhe tjetër, shtrihet më thellë në psikë.

Shpretka është organi limfoid më i madh i njeriut dhe i vetmi i lidhur drejtpërdrejt me qarkullimin e gjakut. Është organ i rëndësishëm, disi misterioz, por, gjithsesi, mungesa e tij nuk bëhet e papajtueshme me jetën. Ka një rezistencë të jashtëzakonshme ndaj infeksioneve të gjakut (Haemophilus, Streptococcus…), madje është organi që u kundërvihet më mirë atyre. Në jetën intrauterine kryen një funksion të fuqishëm hemopoetik (do të thotë: “prodhues i qelizave të gjakut” – shiheni lojën e hollë e të nëndheshme gjuhësore) që pastaj e bjerr. Shpretka nuk vuan kurrë nga sëmundjet infektive dhe neoplazitë. Quhet edhe “varri i eritrociteve” (kryen, pra, atë që quhet funksion hemokateretik) se ngaqë mbart monocitë (gjysmën e monocitëve të krejt organizmit), makrofagë, limfocitë B (çerekun e limfocitëve B të krejt organizmit) dhe limfocitë T (10-15% të numrit të përgjithshëm) është në gjendje të shkatërrojë eritrocitet dhe trombocitet e vjetër e të pafuqishëm.

Ka trajtë gjuhëze, rreth 12-13 centimetra e gjatë, e gjerë 7-8. Vjen e butë, do të thosha sfungjerore, por me një kapsulë më të fortë; ngjyrë purpur të erët. Ndodhet lart dhe majtas zgavrës së barkut, midis murit të pasëm të stomakut dhe faqes së përparme të veshkës së majtë, pak nën diafragmë. Një shpretkë normale mjeku s’e palpon dot, ashtu e strukur dhe me brinjët që pengojnë, por një shpretkë të sëmurë po, sepse është e zmadhuar (dukuria quhet “splenomegali”). Kjo ndodh në patologji të ndryshme si infeksionet (malarie, leishmaniozë…), sëmundjet e mëlçisë, të vetë traktit limfatik, apo në një gjendje më komplekse: hipersplenizmin. Në këtë rast mund të ketë indikacion për heqjen (kirurgjike) të shpretkës. Përndryshe shpretka çahet kollaj gjatë traumave dhe aksidenteve e, kësisoj, duhet hequr se çon në shok hemorragjik (është organ tejet i vaskularizuar).

*

Në shqip fjala “shpretkë” [“shpënetkë”] rrjedh, me gjasë, nga latinishtja “splēnēticum”, kjo ndoshta nga një greqishte e vjetër “σπλήν” [“σπληνός”]sikurse bën edhe anglishtja. Ama, në italisht shpretkës i thonë “milza”, fjalë longobarde, pra me rrënjë gjermane, nga, me ç’duket, vjen fjala shqipe “mëlçi”. Megjithatë, por vetëm në mjediset mjekësore italiane, përdoret gjerësisht “splene”. Përndryshe, në mjediset mjekësore shqiptare përdoret gjerësisht fjala tjetër latine “lien” [lĭēn”].

“Po ma ha shpretkën ky”, thosh nganjëherë ime ëmë për mua, me kuptimin që “po ma nxin jetën” (i vogël, isha hiperaktiv).

Ishte zakon i barinjve të jugut – që ndoshta ekziston akoma – ta hanin të gjallë (të pagatuar) shpretkën e qengjit të sapotherur. Thoshin se kjo jep forcë; dhe në fakt në shpretkë depozitohet gjithmonë një sasi hekuri që, zakonisht, degradon gjatë gatimit. Lidhur me këtë, ja një anekdotë pak e njohur me Enver Hoxhën.

Menjëherë pas çlirimit. Pritje nga Presidenti i Republikës në Pallatin e Brigadave. Paradite: kishte filluar therja e bagëtive që do të piqeshin. Presidenti Omer Nishani, mjek, e kish merak higjenën dhe cilësinë e mishit ndaj i kontrollonte vetë bagëtitë e therura. I afrohet një qengji të sapotherur dhe fillon të shqyrtojë të përbrendshmet. Me radhë: si paraqiteshin mushkëritë, mëlçia, zorrët… mungonte shpretka.

“Ku është shpretka?” e pyet bariun që merrej me therjen. Këtij i vinte zor t’i thosh që gjëja parë që kish bërë kur i kish hapur barkun bagëtisë ishte t’i hante shpretkën, ndaj i përgjigjet:

“Shoku President, qengji nuk ka shpretkë!”[1]

Nishani habitet.

“Si ka mundësi?” thotë, por bariu këmbëngul.

Nishanit i mbetet mendja aty dhe nuk mjaftohet me kaq; pasdite në shtëpi rrëmon në bibliotekë për ndonjë informacion: asnjë rresht që ta vërtetojë apo ta hedhë poshtë pasjen apo mospasjen e shpretkës te bagëtitë e imta.

Në darkë, në një moment gjatë pritjes, i rrëfehet kryeministrit të vendit, Enver Hoxhës:

“U habita sot në mëngjes kur mora vesh se qengji nuk paska shpretkë!” dhe i tregon historinë.

“Hë, mo, se e ka ngrënë bariu dhe i ka ardhur zor ta thotë,” ia kthen Hoxha, për të cilin të paktën një gjë, me këtë rast, mund të thuhet: i njihte shkëlqyeshëm shqiptarët.

*

Në lashtësi shpretka ishte shumë më e lavdishme se sot. Kjo, falë doktrinës së katër ujtheve (lëngjeve) të konceptuar nga Hipokrati në shekullin V-IV p. e. s. dhe të përkufizuar më pas nga shkolla hipokratike. E gjitha e lidhur me kozmogoninë e botës (katër elementet, katër stinët, katër moshat…) Në shekullin II e. s. Galeni e përpunoi edhe më tej krejt teorinë. Organizmi i njeriut, pra, përbëheshka nga katër ujthe (lëngje) bazë: gjaku, flegma (pra, limfa), bila e verdhë (pra, thjesht bila, tëmbli) dhe bila e zezë (ose atrabila): i vetmi fluid abstrakt ndër të katërt. Pikërisht ky i fundit mendohej se e kish zanafillën nga shpretka. Ekuilibri i këtyre lëngjeve e mbante organizmin të shëndetshëm; tepria e njërit apo e tjetrit çonte në këtë apo atë sëmundje; raporti përcaktonte temperamentin e gjithësecilit. Bila e zezë (μελαγχολία) ishte ajo që shkaktonte, pra – e thotë emri – melankoli: plogështi, drobitje, mërzi…

Plini i Vjetri, te “Naturalis historia” na kumton faktin e çuditshëm që mungesa/heqja e shpretkës rrit aftësinë në vrapim te kuajt… dhe te njeriu. Ndaj edhe rekomandon djegien me hekur të nxehtë të shpretkës te vrapuesit. Dy shkencëtarë, Macht dhe Finesilver, më 1922, e testuan këtë mit në një eksperiment me minj laboratori në Johns Hopkins University dhe arritën në përfundimin që vërtet minjtë asplenikë vrapojnë më shpejt se ata me shpretkën intakte. Ngaqë nuk po u besoja syve m’u desh ta gjerb vetë, nga fillimi në fund, të gjithë artikullin, që e citoj edhe te bibliografia (dhe mund t’ia vë në dispozicion gjithkujt që ma kërkon). Nuk mbetet gjë tjetër veç që ekipeve amerikane të stafetës 4×100 t’u kalohen shpretkat në zjarr e hekur për t’i fituar garat me xhamaikanët.

Edhe në Talmud përmendet shpretka, por si organi i të qeshurit. Gjë jo pa lidhje me ç’thamë më sipër: jo më kot, mbase, shumë autorë dhe aktorë komikë janë edhe melankolikë e depresë. Tani fjala latine për “lagështinë” është humor [humoris], nga (h)umere “të jesh i lagur/i njomë”, me gjasë kjo nga greqishtja e vjetër ὑγρός, (“i lagur/i njomë”). Që këtej rrjedh fjala “humor”, besoj me një kalim nga anglo-normanishtja dhe anglishtja “humour”: që shpreh zotësinë për të rrokur anën komike të jetës. Prapëseprapë, fjala “humor” në shqip, ndonëse pa lidhje të drejtpërdrejtë me humor-in latin, pra, me ujthin (lëngun) e Galenit, do të thotë edhe: “gjendje shpirtërore e njeriut”: me humor të mirë/të keq; ia prishi humorin; i iku humori…

*

Mijëra vite kaluan dhe, ndonëse teoria e katër ujtheve doli e pavërtetë, konceptet që ajo përftoi hapën vend me kryeneçësi në mendësinë njerëzore. Si trade union i dijeve të vjetra me të renë (“që lulëzon gërmadhash”) desha të përmend një nga librat më të çuditshëm që janë shkruar ndonjëherë: “The anatomy of melancholy”, nga Robert Burton, një pastor anglez i shekullit XVII (botimi i parë 1621, botimi i gjashtë i zgjeruar në gjallje të autorit, 1651: mbi 500.000 fjalë, aty te 1.800 faqet). Një nga librat që do të desha të lexoj përpara se të vdes. [Ka dalë, më në fund, në Itali përkthimi integral, madje në dy versione të pavarura – ja një nga avantazhet e konkurrencës kapitaliste – Bompiani 2020 dhe Einaudi 2023): që të mos thartoj trutë me anglishten e gjashtëqindës]. Burton-i e shkroi librin për të analizuar me themel shkaqet e melankolisë, ku të parën përfshinte dobësinë e shpretkës (“Their spleen is weak”). Por shkaku i vërtetë pse shkoi “that omniumgatherum of anecdotes of insanity whose burden was that mankind — including the author himself — was quite out of its mind”, siç e përkufizon historiani i mjekësisë Roy Porter, ishte që të luftonte depresionin e vet.

Dhe këtu ndodhi një metonimi, që siç e dimë, është figurë retorike klasike (trop): dy terma ngushtësisht të lidhur përdoren njëri për tjetrin. Në këtë rast, lidhja është shkak-efekt (shpretkë-melankoli). Kështu, fjala angleze spleen, e përdorur tale quale në frëngjisht, i hapi derën një bote të tërë. E lidhur ngushtë me Lashtësinë Greko-Romake, duke kaluar edhe nga romantizmi anglez, termi ankorohet fort te poezia frënge e shekullit XIX. Kemi të bëjmë me një gjendje shpirtërore të karakterizuar nga një melankoli e thellë, trishtim meditativ, pakënaqësi ekzistenciale, mërzi… ky mood u riprodhua dhe u bë popullor falë Charles Baudelaire-it, që e rikrijon në mjaft poezi. Spleen-i i Baudelaire-t është një formë e veçantë vuajtjeje ekzistenciale, një pamundësi përshtatjeje me botën reale, e cila e mohon atë dhe ndaj së cilës poeti/artisti ndihet i huaj. Kështu, i ndërgjegjshëm për pafuqinë e vet për të ushtruar një transformim, poeti këqyr fikjen e çdo shprese dhe fitoren kryeneçe të ankthit – emblemë tragjike e qenies. Megjithatë, e para që e ka përmendur spleen-in në kuptimin e një melankolie ekzistenciale mbetet poetja britanike Anne Finch, Konteshë e Winchelsea (1661-1720), në odën me titull “The Spleen: A Pindarique Ode” (1709). Natyrisht, Anne Finch u shpluhuros nga harrimi ku kish rënë vetëm kur, 150 vite më vonë, termi hyri në frëngjisht – simbol i një ekzistence letraro-artistike tejet specifike. Ndodhi dukuria që e analizon mirë Borgesi: një poet (shkrimtar), në këtë rast Baudelaire-i, që “shpik” paraardhësin e vet.

Në seksionin e parë te “Lulet e së keqes” (seksioni titullohet: “Spleen et Ideal) Baudelaire-i ka katër poezi me titullin: “Spleen”. Më vonë ai shkroi edhe një libër tjetër: “Poema të vogla në prozë (Spleen-i i Parisit)”, që iu botua për herë të parë si ble i vetëm pas vdekjes. “Spleen-i i Parisit” (në shqip i përkthyer edhe: “Brenga e Parisit”) përdoret si nëntitull, ndonëse poeti e kish dashur për titull (ishte botuesi që vendosi ndryshe).

Ja më e famshmja e poezive me titullin “Spleen”, e fundit syresh [#78]:

Quand le ciel bas et lourd pèse comme un couvercle
sur l’esprit gémissant en proie aux longs ennuis,
et que de l’horizon embrassant tout le cercle
il nous verse un jour noir plus triste que les nuits;

quand la terre est changée en un cachot humide,
où l’Espérance, comme une chauve-souris,
s’en va battant les murs de son aile timide
et se cognant la tête à des plafonds pourris;

quand la pluie étalant ses immenses traînées
d’une vaste prison imite les barreaux,
et qu’un peuple muet d’infâmes araignées
vient tendre ses filets au fond de nos cerveaux,

des cloches tout à coup sautent avec furie
et lancent vers le ciel un affreux hurlement,
ainsi que des esprits errants et sans patrie
qui se mettent à geindre opiniâtrément.

Et de longs corbillards, sans tambours ni musique,
défilent lentement dans mon âme; l’Espoir,
vaincu, pleure, et l’Angoisse atroce, despotique,
sur mon crâne incliné plante son drapeau noir.

Shqipërimi:

Kur qielli bat, i zymtë mëshoka porsi rrasë
mbi shpirtin që gulçon pre e mërzisë pa fund
dhe që të horizontit ngërthen tërë unazën
një ditë të zezë më zi se netët na e shkund;

kur toka është shndërruar në një të lagësht strofull,
ku Shpresa, si të jetë një lakuriqës nate,
për muresh i shkapet krahët e vet të ndrojtur,
te qiellzanat e krimbura e godet rradaken;

kur shiu duke u shtrirë ashtu konopë-konopë
hekurat imiton të një burgu vigan
dhe që një popull merimangash vuve e krupë
mu brenda truve tanë pezhishkat po i nden,

përnjëherësh duhishëm oshëtijnë kambana
dhe për qielli lëshojnë një vikamë-tmerr,
sikur shpirtra rravgues e të patëbanë
që me bujë e kujë një vajtimi ia merr.

— Dhe funeralë të gjatë, pa lodra e muzikë,
parakalojnë ngadalë zemrës sime; mban zi
Shpresa, e mundur, dh’Ankthi ngjethës despotik,
kafkës sime përmbys i ngul flámurin e zi.

 

(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është realizuar kryesisht me Midjourney.


Bibliografi minimale:

Charles Baudelaire. Les Fleurs du mal. Paris: Michel Lévy frères, 1868.

Renzo Dionigi, Luigi Boni, Stefano Rausei, Francesca Rovera, Gianlorenzo Dionigi. History of splenectomy. Int J Surg. 2013;11 Suppl 1:S42-3.

David I. Macht, E. M. Finesilver. The effect of splenectomy on integration of muscular movements in rats. Am J Physiol. 1922;62:525–30.

George K. Paraskevas, Kostantinos K. Koutsouflianiotis, Zoi Nitsa, Theano Demesticha, Panagiotis Skandalakis. Knowledge of the anatomy and physiology of the spleen throughout Antiquity and the Early Middle Ages. Anat Sci Int. 2016 Jan;91(1):43-55.

Michele Augusto Riva, Federica Ferraina, Andrea Paleari, Marco Vincenzo Lenti, Antonio Di Sabatino. From sadness to stiffness: the spleen’s progress. Intern Emerg Med. 2019 Aug;14(5):739-43.

Giovanni Stanghellini, George Ikkos. Images of depression in Charles Baudelaire: clinical understanding in the context of poetry and social history. BJPsych Bull. 2024 Feb;48(1):33-7.


[1] Më kujton pak një nga novelat e “Dekameronit” të Boccaccio-s (e katërta e ditës së gjashtë). Është Neifila që e rrëfen. Novelë e mrekullueshme.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin