Nuk është objekti ai që përcakton artin, por mënyra si e sheh është ajo që të bën ose Pikaso të ‘Guernikas’, ose Dali të ‘Orëve të ndalura’…
Para ca ditësh pashë të postuar në Facebook, me shumë gjasa i iniciuar nga artisti Heny Prnmasari, një perlë të vërtetë të artit digjital: një kompozim, që me humor të hollë dhe zgjuarsi na fton të imagjinojmë se si dy gjigandë të artit modern, Pablo Picasso dhe Salvador Dali, do të paraqisnin në telajo të njëjtin objekt: vezën. Secili prej tyre do ta paraqiste atë sipas vizionit të vet artistik, në mënyra krejtësisht të kundërta dhe, kjo, më duket shumë domethënëse për të kuptuar (pa fjalë) filozofinë e pikturës dhe mënyrën se si funksionon arti i të pikturuarit. Pra, është një rast (për mua i pari që vërej) ku, për shpjegimin e vizionit artistik të piktorëve, përdoret vetë “gjuha” figurative si sinjal i parë dhe jo gjuha e fjalës, si sinjal i një sinjali të parë, me të cilën po mundohem të shpjegoj më poshtë këtë krijim të artit digjital.
Midis tyre ndodhet një vezë në një pjatë, e cila shërben si pikënisje për interpretimin artistik. Ky kompozim, sa i thjeshtë, aq edhe i mençur na ndërmend edhe njëherë natyrën subjektive të artit: ajo që shfaqet varet nga mënyra si e perceptojnë botën, stili autentik dhe filozofia unike e secilit artist, duke na rikujtuar se arti nuk është çfarë ata shohin, por si e shohin…
Ky vizion digjital paraqet një vezë reale në një pjatë, të vendosur në qendër të imazhit, si një pikë referimi për këndvështrimet e ndryshme që arti mund të marrë. Nga njëra anë, Pikaso, përfaqësuesi i kubizmit, e transformon vezën në një formë kubi. Për të, objekti nuk është ajo që duket, por mënyra sesi ndërtohet dhe perceptohet në shumë dimensione njëherësh. Për Pikaso-n, vezët nuk kanë pse të jenë të rrumbullakëta; realiteti, sipas tij, është gjithmonë në ndarje dhe kufij të mprehtë këndorë, në lëvizje dhe në shumë shtresa, po ashtu kubike.
Në krahun tjetër qëndron Dali, mjeshtri i surrealizmit, që e sheh vezën si një “vezë e skuqur mbi një degë”, një pamje absurde që sfidon logjikën dhe racionalen. Veç orëve që zëvendësohen nga vezët e skuqura, gjithçka është kalk me pikturën e tij, ndoshta më të famshmen, “Orë të ndalura” që mund të përkthehet edhe “Kohë të ndalura”. Me interpretimin e nocionit ‘kohë’ Salvador Dali, me këtë kryevepër të artit botëror na ka ofruar një ftesë për të hyrë në nënvetëdije, në botën e simbolikës dhe të ndjeshmërisë së pavetëdijshme, ku koha fle e nderur mbi degë pemësh dhe nuk lëviz sipas rregullit që ne të gjithë, përveç atij, kujtojmë se ecën…
Veza, ky objekt në dukje i zakonshëm, që mbart një simbolikë të pasur filozofike, mitologjike dhe që përshkon epokat dhe kulturat, në veprat e Salvador Dali-së, shfaqet si simbol i gjenezës, i lindjes së një bote të re, i transformimit dhe i potencialit të fshehur. Salvador Dalí e ka përdorur vezën si simbol në disa prej veprave të tij sa të thella, aq edhe enigmatike, duke i dhënë këtij objekti të thjeshtë një dimension filozofik, shpirtëror dhe politik. Vezët në artin e Salvador Dalí-së janë simbole të fuqishme që përfaqësojnë rilindjen, krijimin dhe potencialin e fshehur.
Janë të njohura disa kompozime ku veza është në qendër të tablove të tij. Kështu p.sh., në pikturën “Metamorfoza e narcisit” (1937), veza që del nga dora fosile është një pikë kthese: nga vetë-shkatërrimi i Narcisit lind një lule, simbol i bukurisë dhe jetës. Nëpërmjet këtij kompozimi, duket se Dalí sugjeron se, brenda nesh, ashtu si brenda vezës, mund të fshihet një bukuri që del vetëm pas një përballje narciste me vetveten…
Tek tabloja “Eggs on a Plate Without the Plate” (1932), një peizazh surreal me vezë të skuqura, që sipas Dali-së përfaqëson kujtimet e tij intrauterine, d.m.th., brenda uterusit (mitrës), ai i referohet përvojave imagjinare ose ndjesive që lidhen me periudhën para lindjes, kur njeriu ndodhet ende në mitër. Kjo është një mënyrë poetike dhe surrealiste për të shprehur ndjeshmëri të thella, instinktive, që nuk janë të ndërgjegjshme por që mund të ndikojnë në krijimtarinë artistike. Dali e përshkruan këtë pamje si grandioze, fosforeshente dhe shumë të detajuar në të gjitha palosjet e blusë së zbehtë…
Ndërsa në pikturën e tij po aq të famshme “Geopoliticus Child Watching the Birth of the New Man” (1943), paraqitet një figurë njerëzore që del nga një vezë e madhe…, ai përshkruan procesin e lindjes. Po të kemi parasysh se kjo vepër është një reflektim mbi ndryshimet gjeopolitike pas Luftës së Dytë Botërore, kuptojmë se Dali, e përdor vezën si metaforë jo thjesht për lindjen, por për jetën në një kuptim më të gjerë. Në misterin që fsheh brenda lëvozhgës së saj, pasi e thyen atë dhe, me gjuhën autentike të simbolizmit, lexon lindjen e një epoke të re…
Edhe te “Fertility” (1977) ku paraqitet një vezë e madhe në qendër të telajos, brenda së cilës shfaqet një formë femërore, Dali eksploron temën e krijimit, natyrës dhe procesit të lindjes, duke e lidhur vezën me pjellorinë dhe jetën.
Gjithashtu, Dalí e ka integruar vezën edhe në arkitekturën e muzeut të tij në Figueres, duke e bërë atë një motiv të përhershëm në universin e tij artistik.
Pra, kuptohet se, zgjedhja pikërisht e vezës si objekt, te kompozimi në fjalë, është një zgjidhje e goditur, pikërisht sepse ky simbol, i ngarkuar me kuptime, ka qenë veçanërisht i dashur për Dali-në, i cili i ka kushtuar disa kompozime të veçanta. Përmes kësaj qasje, simpatia e autorit të kompozimit, duket se anon drejt Dali-së…, duke e paraqitur si një mendje më e ndërlikuar, më filozofike dhe më e afërt me misterin që veza përfaqëson. Me formën e saj unike ‘vezake’ (që është edhe e kundërta e ‘kubizmit’ të Pikaso-s) ajo përfaqëson një univers të mundshëm që pret të lindë, një botë ku brendësia takon jashtësinë, ku e njohura përzihet me të fshehtën, dhe ku një trup i qetë ruan jetën e lëvizshme. Pikërisht kjo duhet të jetë arsyeja pse veza ka frymëzuar Dali-në për të eksploruar dimensione të ndryshme të realitetit dhe të imagjinatës së tij. Në universin surreal të Dali-së, veza nuk është thjesht një formë, por një portal drejt krijimit, imagjinatës dhe transformimit shpirtëror, një tematikë që, ndryshe nga vizioni kubist i Pikaso-s, duket se frymëzon më shumë emocion, reflektim dhe sidomos meditim… Por thamë që duket, vetëm duket, se edhe “Guernika” e Pikasos nuk është se të përzë nga meditimi. Madje, me kontrastet grafike dhe tragjizmin e temës që trajton, meditimi është ndoshta edhe më i thellë dhe më tronditës. Pikaso, megjithëse nuk e ka pikturuar vezën si objekt të drejtpërdrejtë, ka folur me forcë për motivin e lindjes, dhimbjes dhe shkatërrimit përmes veprës monumentale “Guernika”, ku çdo figurë është si një thirrje për jetë përballë vdekjes. Në këtë kontekst, “Guernika” mund të shihet si “veza e zezë” e Pikasos, një përfaqësim i tmerrit që pjell lufta. Tashmë është proverbiale ajo që tregojnë se, kur një nga oficerët nazistë gjermanë të Luftës II Botërore që i bastisën studion në Paris e pyeti: “Ti e ke bërë këtë?”, Pikaso, me qartësinë dhe kurajën e një artisti të madh që nuk fsheh kurrë të vërtetën, duke nënkuptuar aktin mizor të tyre ndaj bombardimit të qytetit bask Guernika më 26 prill 1937, nga ku mbetën të vrarë qindra civilë…, iu përgjigj: “Jo, këtë e keni bërë ju.”… Me këtë frazë të thjeshtë por të fuqishme, ai shndërroi telajon në dëshmi dhe vetën në zë të gjallë të protestës duke na kujtuar se edhe forma më abstrakte e artit mund të mbajë brenda vetes shpërthimin apokaliptik të një të vërtete…
Edhe veza e vendosur si model në pjatën për dy piktorët tanë, vjen në një kontrast të përmbajtur ngjyrash që reflektojnë dualitetin mes qartësisë dhe misterit, ku simetria vertikale e saj sjell një ndjenjë ekuilibri organik, që për Pikaso- n, si një ndarje e mprehtë përgjatë aksit të perpendikular imagjinar, është domosdoshmërish edhe strukturë gjeometrike… Ndërsa forma ovale, pa kënde shtrihet si një përqafim i hapësirës dhe frymëzimit transhendental, perceptohet vetëm nga Salvador Dali. Për të, veza bëhet më kuptimplotë kur çahet dhe ndryshon nga objekt i mbyllur në hapësirë të ekspozuar, një moment ku misteri bëhet i dukshëm si zbulim filozofik, ku veza nga volum i qetë, shndërrohet në kompozim ngjyrash dhe teksturash që nxit interpretim vizual. Veza e çarë e vendosur mbi sipërfaqe të bardhë apo të zezë krijon kontrast dramatik dhe objektin e zakonshëm e ngre në të jashtëzakonshëm, duke qenë jo vetëm shenjë e perceptimit, por pikënisje e filozofisë së perceptimit, ku artistë si Dali e vendosin në kontekste surrealiste për ta ngjitur në qiellin e absurdit dhe të ëndrrës, duke e kthyer në një simbol të interpretimit të pakufishëm dhe të vështrimit të ndryshëm që kemi mbi botën, e më shumë se ushqim, ajo bëhet pyetje, premtim dhe thirrje për të parë më thellë në atë që duket i zakonshëm, por që fsheh të jashtëzakonshmen.
Pikaso, patriarku i kubizmit, sigurisht, edhe në kompozimin imagjinar, nuk mund ta shikojë vezën, veç si një kub. Edhe vezën, si çdo format të botës e sheh si të përthyer në kënde, për t’i rindërtuar pastaj përmes penelit të tij përmes këndvështrimeve të shumëfishta, duke mos iu përmbajtur deri në shpërfillje paraqitjes reale, por strukturës së brendshme që vetëm ai si Pikaso e pikas.
Ndërsa Dali, si mjeshtër i surrealizmit, e shikon vezën si vezë e skuqur në një degë, një imazh i çuditshëm e fantastik që del nga logjika e zakonshme dhe i fton shikuesit në botën e ëndrrave, të nënvetëdijes dhe të së pamundurës.
Ky kompozim i thjeshtë në pamje, por brilant në përmbajtje, përmban një thellësi që shkon përtej vizatimit humoristik. Gjithashtu, me këtë kompozim, nuk kemi të bëjmë vetëm me një satirë vizuale, apo një homazh për stilin dhe filozofinë unike të secilit prej dy gjigandëve të artit pamor. Ky kompozim është një dekodifikim mjeshtëror mbi subjektivitetin e artit. Ky kompozim jep shkoqur e qartë mësimin se, nuk është objekti ai që përcakton artin, por këndvështrimi artistit ndaj tij.
Në thelb, kjo vepër na kujton se arti është akt interpretimi, dhe çdo sy sheh ndryshe, në varësi të formimit, ndjeshmërisë dhe vizionit. Pikaso e zhbën objektin për ta rindërtuar si strukturë, Dali e shndërron në metaforë të çuditshme të nënvetëdijes, ndërsa publiku mbetet i magjepsur në mes, midis reales dhe imagjinatës, midis kubit dhe ëndrrës.
Në një kohë kur shumë nga debatet mbi artin janë bërë të zhurmshme, ky kompozim i heshtur, me një vezë të zakonshme, flet më shumë se fjalët: çdo artist ka vezën e tij.
Së fundmi, mund të shtojmë se ky interpretim vizual i dy gjigandëve modernë është një shembull i mrekullueshëm se si arti digjital nuk kopjon, por komunikon, rikrijon dhe reflekton mbi trashëgiminë. Ai nuk është vetëm një vepër humori apo një karikaturë: është një dialog ndërmjet epokave, një mjet për të risjellë gjuhën e së shkuarës në fjalorin e sotëm. Me pak fjalë, është një mënyrë e re për të ngritur të njëjtat pyetje të vjetra: Çfarë është arti? Si e shohim botën? Dhe sa shumë ndryshon ajo varësisht nga syri që e sodit?
Kjo vepër e vogël, por me mendim të madh, i jep një shuplakë të lehtë atyre që mendojnë se, me ardhjen e epokës së digjitalizimit, artit i vërtetë ka mbaruar… Sidomos për ata që, qoftë edhe për një çast, harrojnë se kërkuesi apo propozuesi i kësaj tabloje, ashtu si edhe krijuesi i IA-së që i është drejtuar, është NJERIU dhe, pa atë, nuk do ta kishim këtë kompozim të rrallë digjital.
Në këtë dialog vizual mes Pikaso-s dhe Dali-së, përmes një veze që shërben si pasqyrë e shpirtit krijues, ndjehet edhe jehona e legjendave që kanë qarkulluar rreth tyre jo vetëm si artistë, por edhe si figura mitike të artit spanjoll modern.
Një nga këto legjenda, e përcjellë mes studiosh, kritikësh dhe fansash, thotë se përkrahësit e Dali-së (ndoshta edhe vetë ai me gjuhën e tij të mprehtë e ironike) kishin formuluar një postulat thumbues:
“Që të jesh piktor, duhet të jesh spanjoll… por…, edhe Salvador Dali!”
Kjo frazë, në kufi mes një shakaje, krenarie apo dhe sfide, synonte të vinte në pah jo thjesht origjinën e tyre të përbashkët iberike, por dallimin e thellë në personalitet dhe qasje artistike. Në të vërtetë, edhe pse të dy ishin spanjollë, me rrënjë të thella në kulturën mesdhetare, ata i përkisnin dy poleve krejtësisht të kundërta të perceptimit artistik: Pikaso – konstruktiv, racional, shpeshherë teorik, që ndërtonte me kënde dhe strukturë, ndërsa Dali – shpërthyes, emocional, i lidhur me simbolin dhe të pavetëdijshmen.
Kjo legjendë, si shumë të tjera që rrethojnë figurat e mëdha, nuk i shërben thjesht konkurrencës apo krahasimit, por thekson faktin se arti nuk është vetëm origjinë, por edhe mënyrë e të qenit. Dali nuk donte vetëm të ishte një piktor spanjoll: ai donte të ishte një piktor i pazëvendësueshëm, një mit më vete. Dhe këtë e shpallte me çdo ‘orë të ndalur’ mbi degë, me çdo fije të mustaqes të ngritur si çengel kryeneç, simbol i rebelimit të tij estetik.
E pra, kompozimi që përmendim është më shumë se një batutë artistike. Është pasqyrë e një legjende që vazhdon të jetojë, sepse në fund të fundit, veza është e njëjtë, por arti, mënyra si e sheh, është ajo që të bën ose Pikaso të ‘Guernikas’, ose Dali të ‘Orëve të ndalura’…
(c) 2025 Ilir Mborja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Kopertina është realizuar me GPT 5.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.