A mighty maze! But not without a plan.
Alexander Pope, An Essay on Man
Duke vazhduar të hidhem degë më degë si ai majmuni mistrec, kësaj here po shkruaj diçka rreth romanit policor. Mjerisht, nuk i kam mjetet dhe njohuritë për të analizuar romanin policor shqiptar. Ja një tezë doktorate për studiuesit e letërsisë! Interesante do të ish, në këtë kuadër, edhe analiza e gropës dyzet e pesë vjeçare të realizmit socialist, ku romani policor, i dëbuar, shkëlqente me mungesë. Jo vetëm nuk shkruhej, por titujt e përkthyer të kësaj letërsie botoheshin me pikatore. Qëndrimin e ideologjisë së kohës ndaj zhanrit e rrëfen haptazi përkufizimi në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (1980):
POLICOR mb. keq.
- Që trajton tema nga veprimtaria e policisë në vendet borgjeze e revizioniste, që përshkruan ngjarje e aventura vrasësish e grabitësish, të shoqëruara me ndjekje e dhunë policësh e detektivësh. Libër (roman, film) policor.
Ekzistonte, i zhvilluar njëfarëlloj, zhanri paralel i spy story, me romane të ndotë, ku arma e Sigurimit triumfonte rëndshëm. Por për to nuk do të flas. As për nënzhanre, si letërsia “noir” (ky vetë nënzhanër i policorit amerikan, i ashtuquajtur hard boiled, me personazhin më të spikatur dedektivin Philip Marlowe të romaneve të Raymond Chandler-it) ku krimet, ambientuar në skenarë të zymtë e të korruptuar, janë gjithnjë tejet mizorë.
Do t’i qasem policorit klasik. Këtu, hulumtimi i një krimi dhe, në fund, zbulimi i fajtorit çon në vënien e rregullit dhe të drejtësisë në këtë botë. (Mund të thuhet, pra, që romani policor është ai zhanër që, tekefundit, vë rregull në gjërat. Ia dorëzon të keqin drejtësisë: ja një mënyrë për të vënë rregull. Ndaj edhe komunizmi shqiptar e paskësh pasur halë në sy: si të fitokësh drejtësia kapitaliste – një shoqëri e sunduar nga dhuna, kaosi, shfrytëzimi, shtypja e më të dobtëve… etj., etj.).
Në romanin policor zbulimi i krimit ndodh gradualisht përgjatë tekstit, duke kombinuar gjurmimin rigoroz me logjikën. Do të përpiqem të rrëfej si ndërtohet një roman i këtillë dhe, me këtë rast, pyes a kemi të bëjmë vërtet me zhanër të dorës së dytë.
Po si quhet, e para e punës, ky lloj romani? Shqip e përmenda: i themi “roman policor”, por edhe “i verdhë”, nga italishtja romanzo giallo, ngjyra e kopertinës së kolanës me vepra të këtij zhanri që filloi të botohet në Itali nga Arnoldo Mondadori qysh prej vitit 1929. Por, në përgjithësi çdo vend e quan sipas mënyrës së vet; emërtim i ngulitur në traditë. Kështu, në Francë quhet roman policier (ose thjesht policier, nga e patën marrë fillimisht edhe italianët, përpara se të nxirrnin në shesh ngjyrën e kopertinës); kurse në Gjermani Kriminalroman (e shkurtuar në Krimi). Anglosaksonët – ku lindi gjithçka – kanë mundësi më të larmishme përzgjedhjeje: detective fiction, mystery (ose mystery story), detective story ose detective novel (term që ka hyrë edhe në gjermanisht, si: Detektivroman) ose edhe crime (më gjatë: crime story). Në spanjisht përdoren kryesisht togfjalëshat “novela negra” ose “novela policíaca”. Në gjuhët sllave: детективный роман (në rusisht), por edhe me emërime të tjera; detektivski roman (në sllovenisht, shkurtuar pastaj në detektivka), detektivní román (në çekisht, shkurtuar njësoj në detektivka); në polonisht kriminal (gjuhë e folur) ose powiesc sensacyjna (roman thriller), etj. etj.
Përmbledhtazi, mekanizmi rrëfimtar i një romani policor s’është tjetër pos përgjigja e pyetjes: “Kush e vrau?” Se kështu ia nis, me një vrasje; del pastaj në skenë një dedektiv që, me një hetim të imtësishëm ku asgjë s’i lihet rastësisë rindërton krimin, krejt ngjarjen, kërkon arsyet e fshehta, zbulon shenjat, provat, i shqyrton, i rendit në sekuencë logjike, gërmon në të kaluarën e viktimës, merr në pyetje të dyshuarit, shmang pistat qorre dhe, në fund fare, mbërrin në një përfundim të caktuar logjik që e çon të zbulojë krejt të vërtetën dhe t’ia dorëzojë fajtorin drejtësisë.
Studiuesit kanë cilësuar si veprën e parë të llojit tregimin (e gjatë) të Edgar Allan Poe-s “Vrasjet në rrugën Morg” (botuar në dhjetor të vitit 1841) ku shfaqet prototipi i dedektivit: C. Auguste Dupin. Auguste Dupin është personazh edhe i dy tregime të tjera të Poe-s, “Misteri i Maria Rozhesë” dhe “Letra e vjedhur”. Po përpiqesha të krijoj një krahasim të romanit policor me një lojë shahu, por u sprapsa sepse, pikërisht në faqet e para të tekstit të parë policor të historisë së letërsisë, te “Vrasjet në rrugën Morg” Poe, pra (me atë prozën e tij pompoze, abstrakte, që ma bën autor aspak të dashur; “autor që fiton shumë nga përkthimi”, e quante Borges-i) e hedh poshtë haptazi krahasimin. Hulumtimet dhe analizën logjike të dedektivit ai i përafron më shumë me damën dhe whist-in. Gjithsesi, flasim për lojëra me rregulla dhe lëvizje që përsëriten shpesh, gjithmonë, dhe janë në numër të fundëm. Ndaj supozoj që, ndërkaq, me mijëra (qindra mijëra) sosh janë transkriptuar e studiuar. Kësisoj, ndodh vërtet rrallë që gjatë një loje të shpiket diçka: një lëvizje risore a kombinim i pakuptueshëm për kundërshtarin. E megjithatë shpesh, gati gjithmonë, njëri nga lojtarët fiton. Tani që ne e dimë si i luajnë këto lojëra të ashtuquajturit lojtarë automatikë (kompiuteri, roboti, inteligjenca artificiale…) e kemi kollaj të themi që fitoka, pra, akëcili arrin të parashikojë ç’do të ndodhë, tërë lëvizjet e tjetrit: të ketë imagjinatë e cila, ndryshe nga fantazia, është veti e arsyes, dhe të dijë të zgjedhë syresh ç’ka më tepër gjasa të ndodhë, për të reaguar pastaj për rrjedhojë.
Kështu që, mbase, ideja zotëruese është se, e përkthyer fusha e damës ose tryeza e whist-it në roman policor, loja që luhet është ajo midis dedektivit dhe vrasësit? Në fakt jo. Në fakt, loja që luhet është ajo midis historisë që tregohet dhe… lexuesit. Lexuesit i vihen në dispozicion fakte, detaje, elemente që do t’i shërbejnë për të zbuluar fajtorin; e gjithë kjo që ai të arrijë ta zbulojë atë përpara dedektivit. Por ama, teksa, siç thamë, te dama (tek whist-i) fusha, gurët, letrat, rregullat e lojës e të lëvizjeve janë po ato, përsëritur vazhdimisht, në romanin policor fusha e veprimit është pamatësisht më e gjerë, është vetë jeta. Autori fillon të rrëfejë një histori cit me informacione, detaje, mundësi, sugjerime… Shkruan Paul Auster (thënë ndryshe Daniel Quinn, thënë ndryshe William Wilson) në faqet e para të romanit “Qyteti i qelqtë” – i pari i “Trilogjisë së Nju Jorkut” – tre romane policorë atipikë:
“The detective is the one who looks, who listens, who moves through this morass of objects and events in search of the thought, the idea that will pull all these things together and make sense of them. In effect, the writer and the detective are interchangeable.”[1]
Pra provat, shenjat, faktet nuk janë të pakta, të vagullta, pa bisht e krye, përkundrazi: janë shumë, të përmbysin. Në këtë lumë, lexuesit i duhet të rrokë thelbësoren, të rëndësishmen, ta ndajë grurin nga byku.
Kaluan do vite nga botimi i tregimeve policorë të Poe-s dhe, më në fund, u botua edhe romani i parë policor i letërsisë, që mbahet të jetë “A Study in Scarlet” (1887) [“Studimi i kuq” dhe “Hetim në të kuq”: dy versionet që gjeta në Bibliotekën Kombëtare për titullin në shqip] nga Arthur Conan Doyle, me protagonist Sherlock Holmes-in, që del për herë të parë në skenë dhe bëhet gjedhe e dedektivëve në vijim. Me kohë, për të shmangur skemën goxha lineare të këtij lloj romani dhe për të sjellë risi (tekefundit, për të mos shkruar gjithmonë të njëjtin roman) shkrimtarët filluan të kërkojnë zgjidhje origjinale e të paprovuara më parë, që do t’u jepnin jetë nënzhanreve të shumta a personazheve paksa të çuditshëm e të veçantë (si, për shembull, Rex Stout, me personazhin e tij Nero Wolfe – libri i parë është i vitit 1934).
Romani policor, pra, është një lojë rrëfimtare ku të gjitha letrat qëndrojnë hapur mbi tryezë. Megjithatë, ne nuk e gjejmë dot kollaj kë duhet të zgjedhim. Ka aty letra gënjeshtare, të udhërrejshme, kallpe, zhgjëndërrore… Si prestidigjitatori që e huton publikun me një numër të pabesueshëm teksa fsheh trukun, ashtu edhe rrëfimtari i romanit policor e shpërqendron lexuesin, që ky të mos e kuptojë se letrën që zgjidh enigmën e ka mu përpara sysh qysh në krye të herës.
Te romani “Shenja e të Katërve” (1890), i dyti me personazh Sherlock Holmes-in, ky përcakton tri cilësitë e detektivit ideal: “vëzhgim, deduksion dhe dije.” Pa mëdyshje këtë mund ta quajmë si paradigma (ose manifesti ideologjik) i krejt letërsisë policore. Me kalimin e viteve, këtyre erdh e iu shtuan edhe dy tipare të tjera, që veç sa e pasuruan edhe më zhanrin: “zotësia për të zhbiruar psikologjikisht viktimën” (Maigret-ja i Simenon-it, Atë Brown-i i Chesterton-it…) dhe “aftësia për të shquar mospërputhjet në skenat e krimit” (Toger Kolombi i Levinson dhe Link…).
Sot, romani policor shihet gjithnjë e më tepër si një mënyrë për të rrëfyer krejt shoqërinë. Ka shumë shkrimtarë që me anë të tij analizojnë kontekstin politik e shoqëror të një vendi, të një kohe. Leonardo Sciascia, për shembull, merrej seriozisht me kuadrin shoqëror, se e tërhiqte e gjitha kjo: qëllimi i tij ishte politik. Por thellë-thellë mua romani policor më duket një zhanër psikologjik, antropologjik, filozofik, në daçi. Hulumton mekanizma mendorë që gjejnë vend vetëm brenda qenies njerëzore.
Po sa i këndellur na qenkësh romani policor brenda gjinisë “roman” në letërsinë e përbotshme? E quaj si tejet të këndellur dhe aspak si të dorës së dytë, sepse, siç e pamë, është shfaqur vonë në shkallën e evolucionit të romanit që, përpara se të gdhihej roman policor, kish qenë pikaresk, aventuror, realist, historik, gotik, horror, fantastiko-shkencor… Në njëfarë mënyre zhanri ynë ripërtypi të gjithë këta zhanre përpara se të zhvillohej vetë. Edhe romani fantasy lindi pak a shumë në të njëjtat vite me policorin: studiuesit janë të mendimit se romani i parë fantasy mund të quhet: “Phantastes: A Fairie Romance for Men and Women” (1858) nga George MacDonald, shkrimtar skocez, poet dhe ministër kulti kristian, tejet i njohur për kohën (tani shumë më pak). Por ky tip romani kishte një parardhës solid, ndonëse të traditës gojore: përrallën.
Kurse, nga ana e tij, romani policor nuk kishte paraardhës, por u ndërtua si mekanizëm rrëfimtar i përsosur nga mendja e shkrimtarëve. Po e mbyll përsëri me Paul Auster-in (po aty):
“In the good mistery there is nothing wasted, no sentece, no word that is not significant. And even if it is not significant, it has the potential to be so—which amounts to the same thing. The world of the book comes to life, seething with possibilities, with secrets and contradictions. Since everything seen or said, even the slightest, most trival thing, can bear a connection to the outcome of the story, nothing must be overlooked. Everything becomes essence; the center of the book shifts with each event that propels it forward. The center, then, is everywhere, and no circumference can be drawn until the book has come to its end.”[2]
(c) 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me Whisk.
Bibliografi minimale:
Auster; Paul. City of Glass (The New York Trilogy). London: Faber and Faber, 1987.
Kempster PA, Lees AJ. Neurology and detective writing. Pract Neurol. 2013 Dec;13(6):372-6.
Rapezzi C, Ferrari R, Branzi A. White coats and fingerprints: diagnostic reasoning in medicine and investigative methods of fictional detectives. BMJ. 2005 Dec 24;331(7531):1491-4.
Vitagliano P. Un genere anglosassone (Letteratura e diritto #2). Nazione Indiana. 2025.02.27.
[1] “Dedektivi është dikush që vështron, përgjon dhe lëviz mes përmes këtij bataku objektesh e ndodhish, në kërkim të mendimit, idesë që do t’i bëjë bashkë të gjitha e t’u japë kuptim. Drejt ta themi, shkrimtari dhe dedektivi janë të ndërkëmbyeshëm.”
[2] “Në një roman të mirë policor asgjë nuk çohet dëm, s’ka një fjali, një fjalë që të mos jetë kuptimplotë. Edhe në mos qofshin, kanë potencialin për të qenë—që është e njëjta gjë. Bota e librit merr jetë në tharmin e mundësive, të fshehtave, kontradiktave. Ngaqë të gjitha gjërat e para a të thëna, edhe më të papërfillshmet e banalet, mund të çojnë në zgjidhjen e ndeshtrashës, asgjë nuk duhet shpërfillur. Gjithçka bëhet thelbësore; qendra e librit zhvendoset pas çdo ndodhie, që e shtyn atë përpara. Kësisoj, qendra gjendet gjithandej dhe asnjë perimetër s’mund të heqësh pa përfunduar leximin.”
Citatet e Auster-it i përktheva vetë, në pamundësi për të pasur në duar versionin shqip të “Trilogjisë…”, përkthyer nga Ines Ekonomi (IDK, 2012).
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.