Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Histori

MIDIS SKAJEVE

tradhtari yt heroi im

Për dukën Droctulft, që i përkiste tribusë së svevëve (suebi) por që iu bashkua më pas lombardëve, historianët japin fare pak të dhëna. Ai u bë pjesë e hordhive gjermanike – të tillë ishin edhe svevët edhe lombardët – që zbritën në Itali në vitin 568, kur gadishulli i përkiste Perandorisë së Konstandinopojës; atje u shqua fort për aftësitë luftarake, por në një nga fushatat e tij ra rob në duart e forcave perandorake. E negocioi vetë lirimin nga robëria dhe pas pak kohësh, i angazhuar në përpjekjet për të shtënë në dorë qytetin e Ravenna-s aso kohe të kontrolluar nga Bizanti, mori me vete ndjekësit besnikë dhe ndërroi faqe, u arratis në kampin tjetër dhe i vuri zotësitë e veta në dispozicion të Perandorisë. Shumë shpejt, u bë një nga komandantët e ushtrisë bizantine në Ravenna dhe atje udhëhoqi ushtrinë në marrjen e portit Classis aty pranë nga lombardët. Mori pjesë në fushata të tjera, dhe luftoi për perandorin në Ballkan dhe në Trakë, kundër sllavëve dhe avarëve, duke u bërë dukë (dux) edhe i Bizantit; por bazën e pati në Ravenna, ku thuhet se vendësit e vlerësonin dhe e respektonin; dhe ku u varros në 606. Në epitafin e varrit, të shkruar në latinisht – një gjuhë që Droctulft-i nuk e kuptonte – thuhet se “Fytyra e tij kish pamje të përçudnuar, por zemrën e kish të mirë… gjithnjë kish dashuri për simbolet e popullit të Romës dhe luftoi për të shfarosur racën e vet. Për hirin tonë, ai përbuzi prindërit e vet të shtrenjtë dhe e bëri këtë vend, Ravenna-n, atdheun e tij.”[1]

Studiuesit që janë marrë me Droctulft-in më pas, të nisur nga një dëshmi e historianit Paulus Diaconus se ai i pat lombardët “me t’iu dhënë rasti për të marrë hak për robërinë e vet” (cum occasionem ulciscendae suae captivitatis repperit), kanë komentuar se Droctulft-i ishte zhgënjyer me lombardët, të cilët jo vetëm ishin fajtorë për kapjen e tij rob nga forcat imperiale, por edhe pastaj nuk e prishën shumë terezinë, për ta liruar. Dihet pastaj se ai ishte svev nga prejardhja, i kapur rob që fëmijë prej lombardëve, dhe që kish luftuar për këta aq mirë, sa të gdhihej një ditë komandant dhe dukë. Ndoshta ishte kjo robëri e hershme, për të cilën mori hak Droctulft-i; dhe jo ajo e vona, kur përfundoi i burgosur i bizantinëve.

Këtë histori të mbijetuar nga Mesjeta e hershme e qëmtoi pastaj Borges-për ta përjetësuar në prozën me titull Rrëfenja e luftëtarit dhe e robinjës, përfshirë në vëllimin me tregime “El Aleph”. Droctulft-i, thotë Borges-i, fisi i të cilit kish shkelur e plaçkitur Italinë e Mesjetës së Hershme, ishte i bardhë, zemërak, i pafajshëm, besnik i prijësit dhe i fisit të vet. Por lufta e solli në portat e Ravenna-s, dhe atje pa diçka që s’kish parë kurrë… Pa ditën, qiparisat dhe mermerin. Pa një tërësi të shumëfishtë, por jo të çrregullt; pa qytetin, një organizëm prej statujash, tempujsh, kopshtesh, banesash, shkallaresh, urnash, kapitelesh, hapësirash të rregullta e të gjera. Pas kësaj, Droctulft-i i braktisi të vetët dhe iu bashkua ravenasve, duke luftuar krah tyre në mbrojtje të mureve që deri dje i kish mësyrë. Ravenasit, që gjithnjë çmeriteshin me pamjen e tij të frikshme e mjekrën që i derdhej mbi gjoks valë-valë, e varrosën në një tempull dhe i vunë te varri një shënim mirënjohës: “Na deshi ne e gjakun e vet përbuzi, duke e bërë Ravenna-n atdheun e vet.” Nuk ishte tradhtar, thotë Borges-i, se tradhtarëve nuk u mbishkruhen epitafe përdëllyese; ishte një i ndriçuar, një konverso.

Historia nuk është treguar zemërgjerë me Droctulft-ët, aq më pak historia e sherbetosur me të cilën na kanë mëkuar; edhe pse në mungesë të tyre e sotmja do të ishte ndoshta e tëra e gardhuar sipas topografisë së miteve ngadhnjyese. Lombardët, që gatiteshin ta shtronin Ravenna-n me zjarr e me hekur e t’ua shitnin gratë e fëmijët zënë skllevër tregtarëve saraçenë të Adriatikut, do ta kenë doemos damkosur si të pabesë ish-luftëtarin e vet. Ravenasit, nga ana e tyre, përnjimend e admiruan, por jo deri atje sa të përfytyronin ndonjë të tyrin të kapërcente ledhet e t’u bashkohej hordhive të lombardëve përtej. Në atë përplasje qytetërimesh, lë të kuptohet Borges-i, historia e kish vendosur se anën e kujt do të mbante; dhe pikërisht ky vullnet pothuaj mistik, ose ky shtjellim i ngjarjeve sado kaotike si progres nga më e keqja drejt më pak së keqes shprehet pikërisht në gjestin enigmatik të një Droctulft-i, variabël krejt i pavarur, i vetëm dhe i vetmuar midis dy kampesh, dy fisesh, dy grupesh dhe dy botësh, simbol i përkryer i individit që afirmohet përtej logjikës së grupit të cilit i përket.

Por Droctulft-i i Borges-it dhe ai i rrëfyer prej historianëve, veçanërisht Paulus Diaconus-it, nuk janë as duan të jenë i njëjti njeri; në penën e argjentinasit, komandanti lombard del nga konteksti i kontingjencës dhe i motivimit mikro-historik, për t’u shndërruar në një personazh legjendar; një hero i kundruar në perspektivë universale (sub specie aeternitatis); thelbi i gjestit të tij nuk ishte zgjedhja e këtij kampi, por kalimi (transitio) nga një horizont në tjetrin. Sipas studiuesit Felix Stocker (vep.cit.), prej të cilit e kam marrë këtë interpretim, Borges-i nuk do të kish begenisur të shkruante për një luftëtar të tradhtuar, të zemëruar ose edhe egoist – pathosi i konvertimit të tij ka të bëjë me ndjesinë, sado të gabuar, se duke kaluar nga lombardët te mbrojtësit bizantinë të Ravenna-s, ai po i bashkohej palës humbëse, i tërhequr nga magnetizmi i kulturës romake.

Shumëkujt do t’i vijë këtu në mend se edhe osmanët e Sulltan Muratit e quajtën tradhtar Gjergj Kastriotin, kur ky u ktheu krahët në Nish, braktisi betejën kundër ushtrive të Huniadit dhe rendi të kthehet në Krujë “si pëllumb i shkruar”, për t’i shpallur sfidë vdekjeprurëse perandorisë – pikërisht atë Kastriot që për ne shqiptarët është shenjtori i parë i kalendarit kombëtar. Në tektonikën e përplasjes kontinentale midis osmanëve dhe Evropës së krishterë gjesti i vetmuar dhe logjikisht i pashpjegueshëm i një gjenerali arbëror deri atëherë në shërbim të Portës së Lartë do të mund të përligjej më shumë me nevojën për ekzistencë të Shqipërisë pesë shekuj më pas, sesa me mburojën që iu bë Arbëria Evropës atëherë, sa kohë që kish Skënderbeun në krye. Në një kuptim të gjithë ne që flasim e shkruajmë shqipen dhe i rrëfejmë shoku-shokut histori të tilla, u konceptuam kulturorisht nëpërmjet atij gjesti, edhe pse kuptimin sot vetëm mund t’ia marrim me mend.

Shumëkujt do t’i jetë kujtuar këtu hipoteza e befasishme e historianit zviceran O.J. Schmitt, se rebelimi i Gjergj-Kastriotit Skënderbeut në 1443 dhe kryengritja anti-osmane që ai frymëzoi, paskësh ardhur nga motive personale – dhe pikërisht nga vullneti i këtij për të marrë hak ndaj Muratit II, për vrasjen e të atit, Gjonit, në 1437. Schmitt-i besoi se e pat provuar këtë me një letër dërguar dukës Francesco Sforza të dukatit të Milanos prej përfaqësuesve të vet në Romë, diplomatëve apo ambasadorëve Sceva de Curte dhe Jacobo Trivulzio më 10 janar 1454, ku thuhet:

“Mbërriti këtu një kalorës i dërguar i një zoti që dikush thotë është nga Greqia e dikush nga Arbëria, zot i quajtur Xandrebech, është i pafe dhe i kërkon papës që t’i dërgojë 10.000 luftëtarë e ai do vërë të vetët të shumtë në numër për të sulmuar turqit e këtë jo për çështje feje pasi ai është i pafe por për arsye të urrejtjes personale që ka kundër turkut, se ky turk ka vënë t’i vrasin babanë e atij zotit e ky zot ka vënë të vrasin një vëlla të turkut.”

Ky interpretim, të cilit Schmitt-i i pat dhënë vend prominent në historinë e vet të Skënderbeut, nuk duket bindës, dhe është kritikuar nga shumë anë.[2] Këtu do të vërejmë vetëm një paralele – tepër të dukshme, për të qenë koincidencë – mes dy versioneve, për motivimin e kalimit dramatik të Droctulft-it nga njëri kamp në tjetrin: i pari, relativisht banal, që është ai i shpagimit a hakmarrjes, ndaj një robërimi të vjetër a më pak të vjetër; i dyti, më filozofik dhe më “epik”, i sjellë dhe i kultivuar prej Borges-it, që e arsyeton vendimin e prijësit gjermanik me terma gati metafizike, si të një individi që e zgjedh vetë universin ku dëshiron të jetojë. Motivimi me nevojën për shpagim a hakmarrje, në të dy herët, është banal; dhe ne, instinktivisht, parapëlqejmë tjetrin, atë më sublimin. Tek e fundit, edhe Skënderbeu ynë, që ne si shqiptarë e kemi vendosur në themelet e mitit tonë historik, vjen kryesisht nga një vepër si “Historia” e Barletit, që është më shumë letrare, se rigorozisht historiografike; ku heroi portretizohet me ngjyra, gjeste dhe fjalë të denja për protagonistët më fisnikë të botës antike.

Shembujt më elokuentë të këtij vullneti të historisë për t’u shprehur nëpërmjet gjestesh individuale ndeshen ndër rilindësit, burra që shpesh zhbënë vetveten, duke bërë Shqipërinë. Si do t’i shpjegonim sot vallë bejlerë myslimanë si vëllezërit Frashëri që pranuan të bëhen apostuj të shqiptarizmit e të pavarësimit nga Turqia; Jani Vreton që shkoi e përshtati në shqipe të kulluar “Ervehenë” e një bejtexhiu modest e të harruar; Kristoforidhin geg që shkroi toskërishten; shqiptarët ortodoksë që iu kundërvunë fesë, kulturës dhe shkronjës greke; katolikët që trazuan pikërisht atë drejtpeshim kulturash e forcash në Ballkan që u kish mundësuar deri atëherë mbijetesën? Si do ta arsyetonim, me logjikën e primatit të interesave të grupit, rolin e Ismail Qemalit, këtij burri shteti të perandorisë osmane, në pagëzimin e shtetit të parë shqiptar në histori? Nuk do ta arsyetonim dot. Krejt përftimi i Shqipërisë si entitet në hartën politike të Evropës mund të përshkruhej si një varg “tradhtish” të njëpasnjëshme, po t’u vihej vesh kundërshtarëve të vullnetit shqiptar për vetëvendosje. Tradhti në fe, tradhti në sërë, tradhti në klasë, tradhti në detyrë, tradhti në ideologji. Në të vërtetë, e me Borges-in, e kuptojmë se këta individë të shquar, duke interpretuar një vokacion që ndoshta edhe nuk e kanë ditur se e kishin, duke u “konvertuar” në besën e re që u sugjeronte progresi, i kanë dhënë trajtë historisë sonë moderne më shumë se të tjerët, besnikët e së djeshmes.

Ndoshta Droctulft-i real, jo ai i rrëfenjës, i braktisi të vetët për një arsye mirëfilli personale; nuk do të ishte as i pari as i fundit rast kur del në shesh se sublimja i ka rrënjët në banalen, çka do t’u sillte edhe hare të pashoqe të gjithë atyre që historinë e lexojnë (e ndonjëherë e shkruajnë) me syzet e kalemxhinjve të skandalistikës. Shumëkush priret që varfërinë etike të protagonistëve të sotëm të historisë, ose të paktën “historisë”, ta projektojë së prapthi në shekuj, për t’u ngushëlluar që jeton në kohë të tilla kur ligjin duket se e bën maskarallëku dhe mungesa e skrupujve është kthyer në kusht për të pasur sukses. Në të vërtetë, që e sotmja nuk arrin të prodhojë veçse banalitet nuk e ka fajin historia, por kapja e saj peng prej grupeve që duan të hedhin në dorë pushtetin, ose kur e kanë të mos e lëshojnë më. Këtyre grupeve interesash u duhet faturuar edhe leximi krejt manikeist i së shkuarës, që deri edhe ilirët e trakët i disiplinon në të mirë e në të pamirë; pa përmendur fortifikimin ose groposjen e sotme, në pozicione të papajtueshme e në karshillëk total, të atyre që përndryshe duhej ta kishin mbajtur të hapur dialogun, kontaktin, komunikimin dhe shkëmbimin e vlerave shpirtërore.

Elitave politike dhe kulturore sot në Shqipëri u mungojnë Droctulft-ët, ose personalitetet e fuqishme e të vetëmjaftueshme që ta tejkalojnë logjikën e grupeve dhe të segmentimit patologjik, për t’u bërë interpretues të progresit në jetën shqiptare. Një proces i tillë polarizimi, ku skraparllinjtë u dalin zot skraparllinjve, tropojanët tropojanëve, poetët poetëve, vllehët vllehëve, lazaratasit lazaratasve, kosovarët kosovarëve, toskët toskëve, grekofonët grekofonëve, vahabitët vahabitëve, vreshtarët vreshtarëve, policët policëve, ortodoksët ortodoksëve, shahistët shahistëve, lezhianët lezhianëve, malësorët malësorëve e kështu pa fund, garanton pellgëzimin e pashpresë së jetës sociale në vend, duke i degraduar politikat e grupeve në format e veta më të skajshme. Nëse çdokush që ndihet sado pak i sfiduar apo i penguar në gjakimin e vet banal menjëherë nxiton të gjejë strehë në sqetullën e grupit krahinor, etnik, fetar e politik të cilit i përket, atëherë komunikimi vjen e zëvendësohet nga parullat e gdhendura paluajtshëm në gurë të bedenave. Tek e fundit, Shqipëria ekziston pikërisht në hapësirat a intersticet midis segmenteve të ndryshme që e përbëjnë.

Duam apo s’duam ne, dritën në histori e sjellin gjestet kufitare, të guximshme, sfiduese të status quo-së imponuar prej të gjithë atyre që stanjacionin sa e krijojnë, aq edhe krijohen prej tij e këndellen në kutërbimin e ujit të ndenjur. Përkundrazi, perversioni etik i konfrontimit ose i tmerrit ndaj Tjetrit e ndaj kontaktit me të panjohurën ka çuar rregullisht në rrënim. Çuditërisht, edhe pse historia nuk lodhet së sjelli shembuj kësisoj tragjikë e njëherësh frymëzues në pozicionin e tyre përtej skemave manikeiste të skajimit, shpesh kemi mbetur skllevër të idhujtarisë së grupit, ose të asaj vrime të zezë që na e thith identitetin vetjak.

Totalitarizmi i grupit, ose bindja autoritare se ne – cilëtdo ne – jemi të mirët e të drejtët, ndërsa ata – cilëtdo ata – të ligjtë e të mbrapshtët, larg së qeni pjellë e vonuar e entuziazmit fëminor në kinematë e filmave të qëkurshëm me partizanë e gjermanë, do parë më shumë si trashëgimi djallëzore e totalitarizmit të djeshëm, që synonte identifikimin urgjent të individit me shtetin. Rrëfenja për gjestin antiheroik të Droctulft-it, ose zbulesën e vullnetit individual në një kohë polariteti dhe besëlidhjesh grupi sa solemne, aq edhe frikësuese, mund të ndihmojë për t’ua shpuar sado pak bulçitë e fryra protagonistëve të jetës publike në Shqipëri. Vetë lombardët e rrethimit të Ravenna-s përfunduan, pas shumë brezash, në italianë; e siç kujton Borges-i, ndonjë Aldiger zbritur prej pyllit me ujk e derra do t’ia blatonte kulturës evropiane genet e Dante Alighieri-t. Krejt rrëfenja përcjellë prej Borges-it mund të lexohet tashmë si alegori e magjisë së komunikimit, ose të sakralitetit që ka fjala e shkëmbyer, orvatja për ta lexuar kundërshtarin, madje edhe dëshira e fshehtë e aq qytetëruese për të ndërruar vendet me të. Nuk është e rastit, tek e fundit, që historia përmend nderimin e ravenasve për gjermanikun barbar, jo përbuzjen e sivëllezërve të tij mbetur në errësirën përtej mureve; dhe e bën këtë me penën e një dijetari të kohës, historianit Paulus Diaconus, që ishte ai vetë lombard dhe që shkruante në latinishte.


(c) 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është përfytyruar me Midjourney. Një version i ndryshëm i kësaj eseje është botuar në “Shekulli” më 2 korrik 2006 dhe pastaj është përfshirë si kapitull në librin tim Sende që nxirrte deti, Dudaj 2013. Versioni i tanishëm, i ripunuar thellë, ka dalë në substack-un MENDITIME.

[1] Këto të dhëna historike për Droctulft-in i kam nxjerrë nga:
Droctulft, nga Felix Stocker; The story of Droctulft, nga Penguin Kun; The Tale of Renegade Duke Droctulft, nga C. Keith Hansley; Italy and Her Invaders, nga Thomas Hodgkin; një version frëngjisht i Historisë së Lombardëve të Paulus Diaconus mund të shfletohet këtu.

[2] Një kritikë e shtjelluar mirë, nga një autor i identifikuar si Fatma, me titullin Hakmarrja shmitiane e Skënderbeut gjendet në revistën Peizazhe të fjalës.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin