Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Lexim / Libri Shqip

SA TË DËMSHËM JANË PRINDËRIT NË LIBRARI

(vëzhgime nga një qoshk librarie)

Të gjendesh në një qoshk librarie është shumë e zakonshme. Ç’ka nuk më ka qenë e zakonshme është një lloj kureshtjeje për të kuptuar ata që si unë, gjendjen në librari dhe gërmojnë nëpër rafte e skedarë (kur ka të tillë). Dua shpesh të kuptoj zgjedhjet e tyre. Mbajnë në duar dy apo tri libra dhe zgjedhin njërin. Zgjedhjet janë relative, për aq kohë sa janë të lira. Në atë qëmtimin tim të heshtur, më sëmboi në kraharor pikërisht kjo, marrëdhënia e zgjedhje-liri-së në raport me ata që nisin të formohen si lexues, fëmijët.

Kur vendosa ta shtrija mendimin tim, kuptova se ai qoshk librarie kishte funksionuar si etyd i reflektimit ndaj “zanatit” aq delikat të prindërimit, por tanimë në perspektivën “e ngushtë” (besoj) të lirisë së zgjedhjes së një libri në librari.

E kam shkruar shpejt, ftohtë, duke guxuar të “bëj zap” lirinë time pindarike kur bëhet fjalë për fëmijët dhe letërsinë që ata zgjedhin të lexojnë.

Në një botë ku leximi është një nga urat më të rëndësishme drejt zhvillimit intelektual dhe emocional të fëmijës, vizita në librari duhet të jetë një përvojë e lirë, krijuese dhe eksploruese për të vegjlit. Veçse shpesh, prania e prindërve gjatë këtij procesi shoqërohet me ndërhyrje të padukshme por të dëmshme. Ata, edhe pse me synime të mira, shpesh e frikësojnë fëmijën, ia zbehin vetëdijen për të zgjedhur librin e dëshiruar dhe e drejtojnë lexuesin e vogël drejt një shijeje të huaj për të. Ky fenomen nuk është vetëm prani fizike e prindit në librari, por një ndikim i drejtpërdrejtë mbi lirinë e leximit.

Nuk janë të pakta rastet kur prindërit e shohin me mosbesim përmbajtjen e librave për fëmijë, e sidomos përmbajtje që nxisin fantazinë apo referojnë dukuri shkencore, aq aktuale dhe intriguese për kohën. Ata u tremben temave të tilla si magjikja, bota imagjinare, robotët apo përbindëshat, duke i konsideruar përmbajtje që çorientojnë fëmijën. Në vend që të kuptojnë se ato janë forma të rëndësishme përpunimi simbolik të realitetit dhe delimitim i imagjinatës përkundrazi, përpiqen të kufizojnë zgjedhjet duke e mbyllur fëmijën në korniza realiste që në fakt, më tepër sesa ndihmojnë e limitojnë.

E në të vërtetë shumë prindër, duke mos kuptuar rolin e tyre determinues, por pengues, nuk vlerësojnë një tjetër komponent të rëndësishëm të librit për fëmijë, ilustrimin. Prindërit e konsiderojnë ilustrimin thjesht si aksesor, një ornament pa vlerë informative apo estetike. Në realitet, ilustrimi është një formë intertekstuale: ai ndërton kuptime të reja, zgjat ose sfidon tekstin, dhe ndihmon fëmijën të kuptojë në mënyrë vizuale atë që nuk përkthehet lehtësisht në fjalë. Duke e nënvlerësuar këtë element, fëmijës i heqim mundësinë për të ndërtuar kuptime të tjera përtej fjalës, kuptime të ngritura  përmes mënyrave të ndryshme, të atilla që mendja e tij jo vetëm i recepton nga skicimi e ngjyra, por edhe i përthith e i rindërton.

Duke qenë se argumentet e sipërpërmendura kërkojnë një vëzhgues të qëllimshëm, besojmë se argumenti i radhës është mjaft i dukshëm: prindërit shpesh u imponojnë fëmijëve shijet e tyre. Në vend që të pyesin Çfarë të tërheq? ata e drejtojnë fëmijën drejt asaj që atyre vetë u duket e përshtatshme. Kjo nënkupton jo vetëm kufizim të zgjedhjes, por një ndërprerje të marrëdhënies natyrale që fëmija ndërton me librin. E në të vërtetë, çfarë është e përshtatshme për një fëmijë? Ende nuk mendoj se kemi gjetur përgjigjen e duhur, përderisa edhe duke lexuar e stërlexuar Daniel Pennac, nuk arrijmë të marrim një pohim definitiv. Por ama, duke ia imponuar zgjedhjen fëmijës, atëherë e kemi zhveshur librin nga misioni i tij, libri nuk është më një hapësirë e brendshme për eksplorim, por një mjet për të kënaqur pritshmëritë e të rriturit.

Nëse ti je një vëzhgues paksa mistrec aty, te këndi ku nuk dukesh në librarinë më të frekuentuar të qytetit apo kryeqytetit, nuk mund ta shmangësh atë prindin, mund të jetë mami apo babi, ndonjëherë edhe gjyshi, që insiston gati me nervozizëm që fëmija të lexojë këtë librin me shumë tekst dhe me më pak budallallëqe të tjera, duke e gjykuar këtë një mënyrë për të treguar pjekuri ose aftësi të mira gjuhësore dhe letrare. Por fëmijët kanë nevojë të lexojnë edhe pak, edhe ngadalë, edhe me ritmin e tyre; ndaj shpesh librat me më pak tekst dhe më shumë ilustrim ofrojnë thellësi emocionale dhe kuptimore, mbase më tepër sesa romanet voluminoze që u imponohen nga prindi si tregues suksesi.

Por, nëse duam të qeshim pak, le të ndjekim prindërit që udhëhiqen nga nostalgjia dhe insistojnë t’u blejnë fëmijëve librat, të cilat i kanë lexuar vetë në fëmijërinë e tyre. Asnjëherë s’e kam kuptuar se përse kjo duhet të interpretohet si gjest dashurie, kur në thelb është mohim i përvojës unike që fëmija duhet të ketë me kohën dhe kulturën e vet. Librat e së kaluarës nuk janë gjithmonë të përkthyeshëm në realitetin e fëmijës së sotëm, dhe ky imponim pengon ndërtimin e një identiteti letrar bashkëkohor.

Të dashur prindër që shoqëroni fëmijët në librari, nëse nuk u lini hapësirë zgjedhjes së lirë, shpesh bëheni pengesë e padukshme për formimin e një lexuesi të pavarur, krijues dhe të sigurt. Ndoshta, ndonjëherë, më e mira që mund të bëni në librari është të qëndroni pak më pas, në heshtje, dhe të ndiqni fëmijën nga larg — duke e lënë të udhëhiqet nga vetë kureshtja e tij.

Me dashuri, nga qoshku i librarisë.

(c) 2025 Natasha Poroçani. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi shoqërues është punuar me


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Qofsha gabim, por unë e shoh eksplorimin e fëmijëve në një librari gati gati në të njëjtën rrafsh me eksplorimin ne web. Duke parë cilësinë, kurimin dhe redaktimin e lënë pas dore të librave për fëmijë dhe disa herë gjendjes me të vërtetë mjerane dhe ndonjëherë përmbajtjes aspak të përtshtatshme për moshën, një lloj “komtrolli” prindëror do të ishte i nevojshëm aq më tepër në habitatin tonë.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin