Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi

NJË PERSPEKTIVË CHESTERTONIANE PËR SHOQËRINË [POST]MODERNE

Problemi i progresizmit: aspekti teologjk

Historiografia na mëson se çdo epokë ka karakteristikat dhe idealet e saj të veçanta, e nëse do përpiqeshim të përkufizonim kohën tonë me një fjalë, kryefjalë për shumëkënd do të ishte pa dyshim “progresi”. Dhe kjo nuk do ishte aspak gabim. Progresi është shndërruar në obsesion, në ideal dhe slogan i frymës së kohës sonë që nga epoka e Iluminizmit dhe revolucioni kulturor. Madje, ky koncept perceptohet si imperativ, si doktrinë pa alternativë. Sot për sot, të quhesh “përparimtar” është komplimenti më i madh, sepse nënkupton intelekt, mendje të hapur, vizionare, të sofistikuar dhe bashkëkohore. Chesterton pohonte se pikërisht kjo është dilema themelore e njeriut modern: “A jam mjaftueshëm modern?” Gjë që është krejt e ndryshme nga të gjithë epokat paraprijëse. Për shembull, siç thotë Chesterton me humorin e tij tipik britanik, njeriu mesjetar nuk pyeste veten: “A jam mjaftueshëm mesjetar?”

Gjithsesi, nuk mendoj se vetë ideja e progresit është problematike, sidomos kur ka të bëjë me reforma dhe përmirësime të domosdoshme, madje është e mirëpritur. Problemi qëndron te drejtimi dhe filozofia e saj.

G. K. Chesterton, i lindur 150 vite më parë, na ka lënë reflektime dhe kritika thellësisht profetike. Ai thoshte se progresizmi i ngjan policit rrugor që bërtet me të madhe: “Hajde, ec përpara!” – pa treguar se ku duhet apo se ku po shkojmë, duke supozuar se drejtimi përpara është gjithmonë i saktë. Por, sipas tij, gjëja më progresiste që mund të bësh kur humb rrugën është të kthehesh pas. Kjo pasi progresi i vërtetë do të nënkuptonte ndryshimin e botës sipas një vizioni të qëndrueshëm, jo ndryshimin e vazhdueshëm të vetë vizionit. Kjo është arsyeja pse progresizmi si ideologji shpesh është ikje nga e kaluara në një drejtim të panjohur, madje shpesh të gabuar. Ironikisht, ky ndryshim i vazhdueshëm i vizionit perceptohet si përparësi dhe superioritet, kjo gjë reflektohet edhe historikisht.

Ideologjitë moderne kanë lindur si pasojë e kësaj shpërputhjeje.

Në shekullin XVIII, revolucionarët francezë kërkuan të zëvendësonin krishterimin me kultin e arsyes dhe shkencës, në emër të përparimit. Por cili ishte rezultati? Regjimi i terrorit dhe irracionaliteti. Prej atëherë, koncepti i Logos-it është zëvendësuar nga një mori ideologjish – nga kulti i arsyes, tek ai i ndjenjave, individit, kolektivitetit, racës dhe shtetit. Historia, veçanërisht ajo e shekullit XX, na dëshmon se këto kulte kanë qenë ndër më të tmerrshmet. Njeriu, dikur i krijuar sipas imazhit të Zotit (lat. Imago Dei), sot shihet si qenie rastësore, pa qëllim dhe pa kuptim, ku çdo gjë është relative.

Pikërisht, sipas Chesterton-it, rrënja e krizës moderne qëndron në “keqkuptimin” e natyrës njerëzore, në mohimin e mëkatit origjinal dhe brishtësisë së njeriut. Kjo në thelb është një herezi e vjetër kristiane e sekularizuar, që dikur quhej pelagianizëm. Herezi që mohon nevojën për hirin Hyjnor dhe shpëtimin nga Zoti. Prandaj, duke u nisur nga këto premisa, progresistët dhe materialistët ndërtojnë një vizion optimist për njeriun si qenie natyrshëm e mirë dhe lehtësisht e përmirësueshme. Në njëfarë mënyre kjo ide radikale, në interpretim materialist, është frymëzimi që çoi drejt utopizmit dhe konceptit të “njeriut të ri” – eksperiment që dështoi historikisht. Ne shqiptarët e dime këtë më së miri.

Ngjashëm, ekonomia e tregut të lirë, kapitalizmi dhe neoliberalizmi janë shndërruar në dogma të padiskutueshme të botës së sotme, një lloj ortodoksie postmoderne. Prandaj shpesh edhe flitet për “fundin e ideologjive”, sepse këto koncepte janë pranuar si nga e majta ashtu edhe nga e djathta e qendrës. P.sh. në shumë shtete perëndimore diferencat mes partive kryesore janë shpesh vetëm retorike apo simbolike. Kapitalizmi në modelin neoliberal nuk vihet pothuajse kurrë në dyshim. Duke qenë se tema është shumë e gjerë, po ndalem vetëm në disa pika kryesore.

Problemi i tregut të lirë: vizioni neoliberal

Në pamje të parë, “tregu i lirë” nuk duket aspak problematik. Kush do të ishte kundër shkëmbimit të lirë të mallrave? Por problemi me tregun modern, veçanërisht atë postmodern qëndron në faktin se nuk është realisht i lirë, ose më saktë liria që predikon është relative dhe selektive. Pse? Sepse koncepti liberal i lirisë është shkëputur nga e vërteta, virtyti dhe vlerat tradicionale të një bashkësie. Imperativi i vetëm është fitimi; në një fjali do mund të përshkruhej cinikisht “asgjë personale, thjesht biznes.”

Ky zhvillim mund të shihet si pasojë e ndarjes së virtytit nga politika, gjë që çon në atomizimin e shoqërisë dhe erozionin e vlerave. Dhe kjo nuk është thjesht një teori konspirative, por një parim themelor i neoliberalizmit. Sipas ekonomistëve si Milton Friedman, ky model është çlirim i individit nga komuniteti dhe kolektivizmi, pasi sipas tij “shoqëria nuk ka vlera – individët kanë vlera.”

Chesterton e shihte këtë si problemin thelbësor të kapitalistit modern: ai nuk mbron asgjë tjetër përveç kapitalizmit. Në librin The Outline of Sanity, ai shkruan se kjo liri nuk ka udhëzim moral, sepse mbështetet vetëm në ndërgjegjen individuale dhe jo në parime morale universale.

Pasojat janë të dukshme dhe radikale. Filozofi i shquar i politikës Michael Sandel e quan këtë “shoqëri tregu.” Ekonomia e tregut është mjet, por shoqëria treg, mënyrë jetese. Është realizimi ekstrem i mendësisë së tregut për gjithçka. Mund të themi: reductio ad mercatum – ku gjithçka është për shitje që nga pëlqimet në rrjetet sociale, pornografia, deri te “qiradhënia e mitrës”… Në këtë model, padyshim njeriu dehumanizohet duke u reduktuar në konsumator.

Ky reduktim i skajshëm, siç vëren Charles Taylor, është në njëfarë mënyre përkufizimi i postmodernizmit dhe relativizmit që ironikisht, është përqafuar nga shumë konservatorë që nga vitet ’80 e tutje. Duhet pranuar se qëllimi i tyre ishte i mirë, sepse kërcënimi i komunizmit dhe totalitarizmit asokohe ishte real. Asokohe dukej se aleanca me liberalët ishte e domosdoshme, bile e natyrshme. Në njëfarë mënyre, patën sukses sepse totalitarizmi kolektivist u shmang së paku ekonomikisht por  u zëvendësua nga një formë e re totalitarizmi. Rrjedhimisht, monopoli shtetëror u zëvendësua nga biznesi i madh i cili imiton fuqinë e shtetit dhe praktikisht shtyp konkurrencën kurdoherë që kërcënohet. Sot, një shekull më vonë, paralajmërimi i Chesterton duket profetik pasi ashtu siç pohonte ai shumë kapitalizëm nuk do të thotë shumë kapitalistë por shumë pak…

Rruga përpara

Situata aktuale është larg ideales, por për aq kohë sa kemi besim dhe e pranojmë të vërtetën, nuk ka arsye për dëshpërim. Chesterton, ndonëse nuk propozon zgjidhje “konvencionale” ekonomike apo politike, na fton të rikthemi tek të “vërtetat e vjetra”: besimin në Zot, në filozofinë klasike dhe sidomos te virtyti që është themel i jetës personale dhe shoqërore. “Apel” që ngjason me atë të filozofit bashkëkohor, Alasdair MacIntyre, sipas të cilit postmodernizmi, me mohimin e të vërtetave objektive dhe shkatërrimin e normave morale klasike dhe të krishtera, nuk është kriza, por përmbushja e projektit iluminist, duke e bërë të pamundur dialogun dhe kuptimin e koncepteve, të cilave u është shprazur dhe sentimentalizuar vetë përkufizimi.

Kështu që nevojitet t’u kthehemi rrënjëve të fjalëve kyçe.

Duhet të rikujtojmë etimologjinë e fjalës “politikë”, që vjen nga greqishtja e lashtë (polis – qytet) dhe nënkupton çështjet që u përkasin qytetarëve. I ngjashëm është koncepti romak i “republikës” (res publica) – që do të thotë çështje publike ose e mira e përbashkët. Kështu, Aristoteli e përkufizonte politikën si mjet për arritjen e së mirës së përbashkët dhe e lidhte ngushtë atë me virtytin. Prandaj, zhvillimi dhe përparimi i vërtetë nuk mund të arrihen pa u mbështetur në përvojën historike – traditën – të cilën filozofi Roger Scruton e përkufizonte si urtësi të trashëguar nga të parët tanë. Por, njëherazi, tradita duhet të kuptohet siç e përkufizonte Papa Benedikti XVI, si një lumë i gjallë që na shpie drejt së vërtetës, drejt Logos-it. Sepse, tekefundit liria e vërtetë ekziston vetëm në të vërtetën (Gjoni 8:32).

(c) 2025 Albert Bikaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Një pjesë e imazhit në kopertinë është realizuar me AI (Leonardo.ai).

Ky artikull u prezantua fillimisht si fjalim në Festivalin Kroat të Chesterton-it me rastin e 150 vjetorit të lindjes së tij. (2024).

 


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin