Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

SKICË ANTROPOLOGJIKE KËTEJ DHE ANDEJ KUFIRIT

Kultura e një grupi të caktuar njerëzish është një modelim konceptual i përpunuar dhe i nxjerrë nga realiteti konkret që vetë njerëzit përjetojnë. Antropologu synon të nxjerrë në pah një model të tillë abstrakt duke u përpjekur të evidentojë tiparet karakterizuese, jo vetëm duke vëzhguar e përshkruar konkretisht elementet përbërëse të kulturës nëpërmjet punës etnografike në terren, që nuk është veçse një metodë e qasjes antropologjike mes të tjerave, por sidomos me anë të krahasimit hipotetik-deduktiv dhe ballafaqimit me modele të tjera kulturore që janë përpunuar në mënyrë abstrakte duke u nisur nga realiteti konkret që përjetojnë grupe të tjera njerëzish. Me këtë qasje, antropologu synon të nxjerrë në pah, jo domosdoshmërisht prejardhjen, origjinalitetin, autenticitetin, autoktoninë, përparësinë apo thjesht veçantinë e njërit model në raport me tjetrin, por homologji tipologjike ndërmjet tyre, që vërtetojnë se ato mund të jenë transformime të ndryshme modelesh të ngjashme.

Sigurisht, vëzhgimet dhe përshkrimet krahasuese nga puna etnografike në terren mbeten të rëndësishme në radhë të parë, pasi vetëm realiteti i një vëzhgimi të hollë dhe një përvoje të zgjatur në terrene të krahasueshme bën të mundur zbulimin e homologjive tipologjike ndërmjet modeleve të ndryshme. Kjo qasje bën të mundur të dalin në pah ngjashmëritë dhe dallimet midis grupeve, kulturave, shoqërive apo vendeve të ndryshme, por merita e ballafaqimit antropologjik nuk qëndron aq në përgjigjet që jepen me pohime kategorike se sa në pyetjet që shtrohen për të shqyrtuar çështje të tjera të mundshme, përfshi edhe dallimet dhe ngjashmëritë midis kufirit real territorial dhe kufirit si burim simbolik dhe koncept politik e ideologjik.

Përtej aspektit real territorial, kufiri është edhe një mjet simbolik i strukturuar sipas logjikës universale që antropologët e gjejnë kudo në të gjitha kulturat njerëzore dhe që i bindet një gramatike të pavetëdijshme kundërshtish dhe analogjish të transformueshme. Në të njëjtën kohë, kufiri është ndoshta operatori konceptual më i mirë që tregon se si modelet kulturore përftohen para së gjithash në shërbim të politikës identitare që prodhon e riprodhon, si dhe përgjithëson, esencializon e ngurtëson dallimet dhe ngjashmëritë kulturore ndërmjet grupeve të ndryshme. Në këtë mënyrë, kufiri nxjerr në pah një ngjashmëri të qenësishme që shprehet përmes analogjive kontrastive në raport të drejtpërdrejtë ose të përmbysur ndaj njëra-tjetrës, të cilat tregojnë se modelet kulturore të përftuara nga realiteti i sjelljeve shoqërore nuk janë veçse transformime të njëri-tjetrit pavarësisht veçorive të dukshme dhe të vëzhgueshme.

Këto ditë qershori, kur vapa e verës sapo ka filluar, u nisëm për në qytetin e vogël jugor afër kufirit shtetëror.[1] Rrugës na shoqëronte në radio muzika e Simfonisë së Botës së Re nga kompozitori çek Antonin Dvorak që nuk e di pse folësja e lajmëroi në radio pa shqiptuar tingullin “zh” në mes. Shumë shpejt radio i humbi valët e Simfonisë së Botës së Re dhe deri sa arritëm në qytetin jugor këtej kufirit m’u desh të ndërroj kanalet e radios shumë shpesh. Ose valët radiofonike humbasin papritmas ose muzika që transmetohet është disi e shqetësuar, sikur përpiqet të provojë me doemos diçka, gjithsesi me një farë gare agresiviteti që nuk e kuptoj pse. Shumë shpejt, sa më shumë u largohemi kantiereve me ndërtim pallatesh apo resorteve të betonizuara buzë asfaltit të pluhurosur, të duket sikur këngët që vijnë nga radio nuk përputhen më me peizazhin që sa vjen e gjelbërohet dhe sikur natyralizohet sa më thellë futemi në luginën e Vjosës me fshatra të vendosur aty-këtu. Çuditërisht andej kufirit, thuajse të gjitha kanalet radiofonike kanë muzikë të ngjashme. Ne nuk e kuptojmë gjuhën e këngëve, por ato të ngjallin një lloj qetësie në përputhje të plotë me peizazhin përgjatë luginës së Vjosës, me fshatra të vendosur aty-këtu ngjashëm me ato këtej kufirit.

Kohët e fundit, qyteti i vogël jugor këtej kufirit ka filluar të bëjë emër në këtë botë të re që zhvillohet falë turizmit që sa vjen e shtohet. Të gjithë na drejtohen në anglisht edhe pse flasim gjuhën e vendit. Qyteti është zbukuruar e gjallëruar, plot ndërtime të reja, mirëqenia duket sheshit, njerëzit janë të lumtur, krenarë për çdo gjë. Sidomos vajzat e reja mbushin rrugët, shpesh me buzë të fryra e fytyrë të zografisur, minifund të ngjeshur dhe dekolte të rastësishme, njëlloj si në kryeqytet apo në ekranet televizive, sikur bëjnë garë me njëra tjetrën ashtu si muzika e kënduar në valët radiofonike. Ndërsa te qyteti i vogël andej kufirit, asgjë e re nuk bie në sy, duket sikur aty bota e vjetër ka mbetur e pandryshuar. Po ato shtëpia të lodhura si dikur, me rrecka të shpëlara, varur në ballkon e në dritare. Varfëria mezi arrin të fshihet prapa luleve të rënduara, por ende të pavyshkura nga vapa e qershorit. Askush nuk na drejtohet në anglisht edhe pse nuk flasim gjuhën e vendit. Aty-këtu ka pleq të ulur ndanë rrugës që luajnë lodra pleqsh ose kuvendojnë së bashku apo janë të vetmuar me sytë e humbur drejtuar nga kalimtarët pa i vështruar.

Qyteti i vogël këtej kufirit është plot lokale ku njerëzit pijnë kafe ose pije me kanaçe, ashtu si dhe në qytetet e mëdha apo në kryeqytet. Jo sepse këto janë më të lirat apo më të mirat, por sepse këto janë më fitimprurëse. Në qytetin andej kufirit lokalet e pakta mund të shërbejnë çdo gjë, sidomos ëmbëlsira tradicionale të shumëllojshme për të shoqëruar kafenë frappé apo pijet e tjera. Jo sepse këto janë më fitimprurëse, por sepse shërbimi nuk mund të mendohet pa to.

Në qytetin këtej kufirit restorantet shërbejnë ushqime bajate, shpesh të ngrira por të mikrovaluara mirë, edhe më shpesh të importuara nga përtej oqeaneve të largët, mish nga Amerika dhe Australia apo produkte të ambalazhuara për konservim afatgjatë. Në çdo rast, ato gjenden me shumicë kudo, por janë me çmime relativisht më të larta sepse shiten duke mashtruar sikur të jenë gatime vendi apo artizanale. Edhe ato pak produkte të ëmbla që përmenden në këtë qytet janë masivizuar, standardizuar e kavanozuar, apo mataruar me reagentë të çfarëdollojshëm, për t’u shitur me shumicë në çdo kohë e në çdo vend. Shërbimi bazohet në mashtrim dhe justifikohet me babëzinë e fitimit të menjëhershëm dhe pa mundim. Prandaj edhe të shohin vëngër nëse nuk kënaqesh dhe nuk u jep bakshishin e duhur, ashtu si dhe në hotele ku shërbimi më i mirë është falenderimi i mirëseardhjes dhe asgjë më tepër. Në qytetin andej kufirit, pronari i restorantit të shërben gatime të freskëta, drejt e nga mishi që piqet në hell përpara syve, gatime me vaj të virgjër nga ullinjtë e kodrave mbi qytet dhe me zarzavate nga lugina e Vjosës në këmbë të qytetit. Fitimi bazohet në bujarinë e shërbimit tradicional dhe justifikohet me synimin e kënaqjes afatgjatë dhe pa mëdyshje. Prandaj edhe bëjnë çdo mundim, aq sa herë-herë edhe çmimin e rrumbullakosin nga poshtë, sikur duan të japin bakshish për begenisjen.

Në qytetin këtej kufirit është mbajtur një kongres i rëndësishëm në maj të vitit 1944 që “sipas vullnetit të popullit” ka mundësuar dhe justifikuar marrjen e pushtetit nga komunistët pa mbaruar lufta e dytë botërore. Salla ku u mbajt ky kongres nuk është veçse një hangar, por ruhet e mbrohet si një nga monumentet historike të klasës së parë, që ka mbetur monumenti më i rëndësishëm edhe sot pas 35 vite përpjekjesh të vullnetit të popullit këtej kufirit për t’u shkëputur nga e kaluara komuniste. Në qytetin andej kufirit ndodhet saraji i nënës së Ali Pashë Tepelenës, kësaj gruaje të jashtëzakonshme që poezia gojore e ka pavdekësuar si “Hanko mos shko nëpër varre, se të vdekurit i ngjalle, të gjallët i vdiqe fare”! Në këto saraje Ali Pasha ka kaluar fëmininë dhe rininë e vet të hershme pas vrasjes së të atit, nën kujdesin dhe me vullnetin e hekurt të kësaj gruaje, para se të bëhej sundimtari zulmëmadh këtej dhe andej kufirit të sotëm. Sarajet mbresëlënëse që sundojnë mbarë luginën e Vjosës thellë në horizont janë shprehja më e mirë e lavdisë së dikurshme të aristokracisë vendase përgjatë shekujve, por janë lënë në harresë të rrënohen pa kujdesje, me sa duket ngaqë kjo nuk është më lavdia e banorëve të sotëm andej kufirit. “Harro mushkë Valarenë se Ali Pashën e prenë”! Apo ngaqë banorët e sotëm këtej kufirit nuk kanë nge të merren me gërmadha pa ndonjë përfitim të menjëhershëm.

Shumë njerëz këtej kufirit janë pushtuar nga ankthi për të kaluar andej kufirit. Me shpresën e një jetese më të mirë, këta harrojnë dhe nënvlerësojnë mirëqenien dhe mundësitë që ofron vendi i tyre këtej kufirit. Pranojnë të ndërrojnë emër, të ndërrojnë gjuhë e të ndërrojnë fé, thjesht për të mirëmbajtur dhe pastruar shtëpitë e rrënuara apo për t’u shërbyer dhe mbajtur oturakun pleqve të varfëruar. Shumë njerëz andej kufirit i presin me përçmim, me diskriminim dhe me shfrytëzim, pavarësisht aftësive, cilësive dhe energjive të tyre rinore.

Mendjet e ndritura këtej kufirit përgjigjen me pohime balsamike të veçantisë antikuarizuese dhe të përparësisë autoktonike, qofshin pohime albanologjike të ashtuquajtura shkencore apo akrobaci turbo-pellazgologjike pseudo-shkencore. Mendjet këtej kufirit habiten pse andej kufirit nuk kuptohen ngjashmëritë dhe pse nuk i trajtojnë e nuk i nderojnë ashtu si duhet. Me sa duket andej kufirit, mendjet besojnë se ndryshimet janë rrënjësore dhe të papajtueshme, pavarësisht se ngjashmëritë janë më të thella dhe më të qenësishme nga sa duken. Prandaj me këmbëngulje ata ruajnë gjendjen e luftës dhe kundërpërgjigjen me pretendime territoriale shoviniste sikur duan të mos përzihen kurrë.

Tek e fundit, ashtu si veçoritë e sjelljes shoqërore, këto lloj mendjesh provojnë edhe një herë se modelet kulturore të përftuara nga abstraktimi i realiteteve konkrete që përjetohen si këtej edhe andej kufirit janë transformime të njëri-tjetrit. Antropologu mund të vazhdojë të nxjerrë në pah pa mbarim manifestime të shumta veçorish analogjike që shfaqen në raport të drejtpërdrejtë ose të përmbysur ndaj njëra-tjetrës, ndërsa i njëjti modelim kontrastiv mund të përsëritet pa mbarim për aq kohë sa nuk ndryshon perceptimi i realitetit që përjetojnë njerëzit këtej dhe andej kufirit. Mënyra e perceptimit të realitetit shpreh pikërisht atë ngjashmëri thelbësore që i bën njerëzit këtej dhe andej kufirit të zgjedhin sjelljen e tyre të përditshme shoqërore në përputhje të domosdoshme me modelimet kulturore që ata përftojnë nga përjetimet reale të botës ku jetojnë.

Qershor 2025,

Këtej dhe andej kufirit greko-shqiptar.

 

[1] Çdo ngjashmëri me ndonjë qytet real është fiktive.

 

(c) 2025 Albert Doja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin