Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

OXHAKFSHIRËS

Dymbëdhjetë qershori është “Dita Botërore kundër shfrytëzimit të punës së të miturve”. Ja një histori e dikurshme, që të prek akoma.

Pasi kishin përdorur për shekuj si burim të vetëm energjie drurin, duke e kthyer ujdhesën e tyre në vendin më të çpyllëzuar të rruzullit, në kulmin e Revolucionit Industrial befas anglezët zbuluan qymyrin. Ndotja nga djegia i qymyrit ishte e atillë sa një mjegull mbytëse mbuloi qytetet e mëdha industriale: Londrën, Liverpulin, Mançesterin… Dielli shpesh nuk arrinte të depërtonte as deri tek ato pak pemë mbetur më këmbë, duke bërë që të thaheshin edhe ato. Tashmë gjithandej nëpër Angli përvijimi i peizazhit urban dominohej nga një siluetë e vetme dhe hijerëndë: oxhaku. Puna ishte se këta oxhakë nuk qenë lartuar aspak lege artis, por ishin shpesh shtrembakë, këndngushtë e dredha-dredha. Së pari, sepse fill pas zjarrit të Londrës të vitit 1666, kur kishin mbetur pa u djegur vetëm katet e para (prej guri/tulle) të shtëpive, katet e sipërme dhe çatitë u rindërtuan e mballosën shkel e shko e shpejt e shpejt, pa dashur të luhet me pronësinë e tokës dhe, së dyti, sepse Qeveria, diku aty nga fundi i shekullit XVII, vuri një taksë për numrin e vatrave për shtëpi, duke bërë që familjet, për të shmangur taksën, t’i bashkonin me ç’mund daljet e tymtarëve, gjithë gjarpërime nga më të çuditshmet. Tani, natyrisht, oxhaqe të këtillë zinin blozë vendçe dhe kishin nevojë për pastrim e mirëmbajtje. Në vite u shpikën pajisje nga më të ndryshmet, që në mënyrë mekanike pastronin blozën e oxhaqeve, por shpejt për kompanitë që merreshin me këtë sipërmarrje të lulëzuar u bë e qartë që mënyra më e mirë për t’i pastruar oxhaqet, ashtu të ngushta, të shtrembëra, të hatashme ishte një dhe e vetme: fëmijët (kryesisht çuna, por kishte edhe goca). Atëbotë, të punësoje fëmijë nuk ishte as ilegale, as imorale. Filloi kësisoj një periudhë e gjatë dhe e palavdishme e historisë angleze që, e përqendruar vetëm në këtë aspekt dhe e analizuar me sytë e ne, të sotmëve, i bën nazistët e uzinave luftarake të Rajhut të Tretë që shfrytëzonin doçkat e fëmijëve hebrenj për prodhimin e predhave të artilerisë dhe shtretërve të rrumbullt e të lëmuar të tytave ku këto predha do të mbështeteshin të na ngjajnë si mësues të kulturuar filloristësh.

Ishte një dramë kapitaliste që depërtoi thellë në fijet familjare e shoqërore të kohës dhe preku shumëkënd. Aty ku mjeti mekanik dështonte rëndshëm, çuni i vogëlith kalonte, përvidhej, shtiej jo si deveja në vrimë të gjilpërës, skeleti i tij elastik përthyhej, kapërcente çipet, u shmangej qosheve, krahët e kërthinjta zgjateshin, gishtat imcakë ngërtheheshin, gjunjtë zinin kallo, flokët thinjeshin…

Prerje tërthore e një oxhaku me shtatë gryka të një shtëpie katërkatëshe me bodrum. Vizatimi, me autor Joseph Glass, është botuar në revistën “Mechanics’ Magazine” më 1834 dhe ilustron dallimin midis një pastrimi mekanik (djathtas) dhe atij të kryer nga fëmijët. Mbi germat B, C dhe E janë vizatuar silueta fëmijësh në pozicione të ndryshme (me shpjegime teknike të rastit).

E fillonin si çirakë; ishin kryesisht bij familjesh proletare, jetimë nga njëri ose nga të dy prindërit, por edhe fëmijë të jashtëligjshëm borgjezësh a lordësh… Mosha e rekrutimit shkonte nga 5-11 vjeç, se këta cilësoheshin si në lule të moshës për të hyrë e dalë oxhaqeve, por përmenden edhe raste të punësuarish katërvjeçarë. Po sa fëmijë të tillë punonin në një qytet si Londra, për shembull? Të dhënat nga sipërmarrësit e kohës flasin për rreth 400-500 “climbing children” (kështu i quanin) në Londër e Westminster, por një komision parlamentar më 1817 e fiksonte shifrën në 2000. Henry Mayhew, autori i librit “London Labour and the London Poor”, thosh për Londrën e vitit 1841: “619 men and 44 women over the age of 20, and 370 apprentices under the age of 20”, por Anthony Ashley-Cooper (Lord Shaftesbury), më 1854: “the four thousand wretched children who were at that time engaged in this disgusting and unnecessary employment.” Një ditë pune normale për këta fëmijë fillonte në katër të mëngjesit dhe kryhej pasi të kishin mbaruar së pastruari 20-25 oxhaqe. Problemi kryesor i punëdhënësve, i ustallarëve, i çdo të rrituri që kish të bënte me ta – si me çdo fëmijë – ishte se… nuk bindeshin. Ec e vëre të punojë një fëmijë kaq të vogël! Kështu, në marrëdhëniet usta-çirak nuk kish vend për idil, përkundrazi: kërciste druri. Për shembull, fëmijëve u tekej e veç e kur ndaleshin në mes të oxhakut. Në të tilla raste, metoda e zgjedhur nga ustai për t’i bërë derman situatës ishte kjo: ndizte zjarrin (nga rrjedh shprehja: “to light a fire under someone”). Jo rrallë fëmija binte mbi flakë… dhe nga djegiet e shumta vdiste spitaleve pas një agonie të gjatë[1].

Gjatë stazhit ustai (ose e shoqja e ustait) “kujdesej” që të ntrashte lëkurën e disa pjesëve të trupit të oxhakfshirësve, sidomos bërrylat dhe gjunjët. Ia fërronte fort e vazhdimisht, duke ua mbajtur pastaj zhytur në shëllirë. Të qarat qetësoheshin me shpulla. Qëllimi ishte që këto zona të trupit të mbuloheshin me kallo. Krijimi i kallove desh vite. Pasi lëkura argasej e gjakosej, një ushtrim i vlefshëm për kallot ishte hip-e-zbritja me dhjetra herë në një oxhak të caktuar, pa ndonjë qëllim tjetër pos fërkimit të bërrylave e gjunjëve në të. Përdorej “me sukses” edhe kamxhiku. Një rast kronike të zezë bëri bujë në vitin 1816. Më 12 maj gazeta “Bell’s Weekly Messenger” botoi artikullin “Cruelty to a sweep boy”, që rrëfente fatin tragjik të John Hewley-it, një oxhakfshirës gjashtëvjeçar i shtruar urgjent në London Hospital si rezultat i plagëve të marra nga dhuna e ustait. Në gjyq ky dhe e shoqja deklaruan që si çirak që e kishin, fëmija u takonte atyre dhe mund të bënin me të ç’tu donte “e bardha” zemër.

Por këta punonjës tragjikë nuk vdisnin vetëm nga dhuna apo, siç e pamë, nga zjarri. Vdisnin edhe thjesht nga ngrica e netëve dimërore, sepse të veshur keq. Por mënyra më e zakonshme e vdekjes për ta ishte ngecja në oxhak. Përpiqeshin t’i nxirrnin duke i tërhequr fort nga lart apo nga poshtë (e kush pyeste për frakturat e gjymtyrëve) nëse i mbërrinin, ose duke thyer murin e oxhakut. Në këtë rast të fundit, nxirrej zakonisht në dritë kufoma e fëmijës. Ajo çka ndodhte brenda në oxhak ishte zakonisht një presion i madh mbi shtyllën kurrizore, që këputej, ose fëmija mbytej nga spërdredhja e rrobave rreth qafës.

Shumë personalitete të kohës ngritën zërin e protestës kundër kësaj barbarie që zgjati gati dy shekuj, por sot e gjithë ditën dy emra vezullojnë në kujtesë: Percivall Pott dhe William Blake.

Artikulli i Percivall Pott

Percivall Pott (Londër, 1714-1788) ishte një kirurg anglez, një nga themeluesit e ortopedisë moderne dhe pionier i mjekësisë së mjedisit e të punës.

Dimri i vitit 1756 ishte i ashpër. Mr. Pott (se kirurgët atëbotë përbuzeshin, nuk kishin tagër të mbanin titullin “Dr.”) po shkonte në punë (punoi për 43 vjet rresht në St. Bartholomew Hospital të Londrës) kur kali rrëshqiti në një zonë me akull të udhës dhe ra, me gjithë kalorës. Pott pësoi një frakturë të hapur të pjesës distale të së dyja kockave të kërcirit: tibias dhe fibulës, atë tip frakture që edhe sot e gjithë ditën ka mbetur në literaturën mjekësore me termin: “fraktura e Pott”, për një rast të paktën, jo se mjeku ose kirurgu e ka përshkruar, por e ka pësuar. Në këtë situatë të ndërlikuar Pott ruajti gjithë aplomb-in anglez. E para njëherë nuk pranoi kurrsesi ta ngrinin ashtu hopthi e tukeq: nxorri nga xhepi qesen me para dhe bleu kripur portën e një dyqani aty pranë, që dy shegertë e hoqën burgjish dhe ai vetë hipi mbi portë duke mbështetur me kujdes këmbën e thyer. Kështu e transportuan për në St. Bartholomew Hospital, ku e prisnin asistentët dhe kolegët e tij. Pott i pyeti një e nga një se ç’mendonin për trajtimin e frakturës. Dëgjoi me gjakftohtësi përgjigjen e gjithësecilit, që ishte një dhe e vetme: këmba duhej amputuar.

“Jo,” tha Pott. Drejtvijëzoi kockat dhe imobilizoi këmbën. Dhe priti. Dhe këmba u shërua.

E tregova këtë anekdotë me Pott-in se, duke filluar nga ky vit, ai erdh e u bë gjithnjë e më meditativ dhe filloi të shkruajë artikuj shkencorë e të përsiatë rreth vëzhgimeve të veta klinike gjëra aq të mprehta, sa mjaft syresh kanë mbetur vjetarëve të mjekësisë për shekuj, duke ia bërë emrin të pavdekshëm.

Teorikisht ustallarët e oxhakfshirësve duhet të bënin të mundur larjen e këtyre fëmijëve të paktën një herë në javë. Richard Stansfield nga Manchesteri, një i mbijetuar, në një intervistë dhënë në pleqëri pat deklaruar: “I have been fifteen months without being washed except by the rain.” Në një situatë të këtillë higjienike, një tjetër armik djallëzor filloi të përvijohej ngadalë në jetët e çunave oxhakfshirës: karcinoma skrotale/testikulare.

Ne sot e dimë që katrani (një nga përbërësit kryesorë të blozës së qymyrit, por edhe të tymit të cigareve) është lëndë tejet kancerogjene. Kanceri i skrotumit ka qenë karakteristikë ekskluzive e Anglisë; nuk janë përcjellë raste të kësaj patologjie në Europë e Amerikë, bile as në Skoci. Faktorët epidemiologjikë që e shkaktojnë janë dy: ekspozimi i gjatë ndaj blozës, filluar qysh në fëmijërinë e hershme, dhe mungesa e higjienës dhe e veshjeve të përshtatshme mbrojtëse.

Më 1775 Pott botoi një sërë hulumtimesh klinike që i titulloi: “Chirurgical observations”. Një paragraf aty (janë a s’janë gjithsej 500 fjalë) ia dedikoi pikërisht karcinomës skrotale. Ishte i pari që vuri re prevalencën e lartë të kësaj sëmundjeje malinje tek oxhakfshirësit: “But there is a disease as peculiar to a certain sort of people (and) which has not at least to my knowledge, been publickly (sic) noticed. I mean the ‘chimney-sweepers’ cancer.” Dhe e përshkruan në detaj nga ana klinike (origjinën e saktë, vendndodhjen, si paraqitet, etj.). Ngaqë fëmijët ekspozoheshin ndaj blozës qysh katër-pesë vjeç, kanceri i tyre zakonisht shfaqej në pubertet, ose menjëherë pas pubertetit: “I never saw it under the age of puberty, which is, I suppose, one reason, why it is generally taken, both by patient and surgeon, for venereal, and being treated with mercurials, is thereby soon, and much exasperated.

Por Pott nuk u mjaftua vetëm me përshkrime dhe analiza prej mjeku. Ai u prek pa masë nga situata e vështirë e pacientëve të tij të vegjël dhe shkroi rreshta që letërsia e çdo kombi do të ish krenare t’i përmendtte: “The fate of these people seems singularly hard; in their early infancy they are most frequently treated with great brutality, and almost starved with cold and hunger; they are thrust up narrow, and sometimes hot chimneys, where they are buried, burned and almost suffocated; and when they get to puberty, become liable to a most noisome, painful, and fatal disease.

Ky shënim i shkurtër shkencor shërbeu si shuplakë për politikën. Për herë të parë përfshirja e fëmijëve në pastrimin e oxhaqeve filloi, të paktën, të rregullohej me ligj: ndodhi në vitin 1788. Law Act-i i atij viti përcaktoi kësulën, veshjen që duhet të kishin fëmijët (me emrin e ustait të qëndisur në uniformë), “ngriti” moshën kur mund të merreshin me këtë punë (8 vjeç) dhe kufizoi numrin e çirakëve për usta në 6. Më vonë, në vitet 1817, 1818 dhe 1819, tri herë rresht u bënë përpjekje që ligji të përmirësohej. Gjithmonë ligji kalonte në House of Commons dhe hidhej poshtë në House of Lords. Shkak u bë lobimi i fuqishëm i kompanive të sigurimit, që këmbëngulnin se mënyra e vetme për të pasur garanci ndaj zjarreve të papritura të oxhakëve ishte pastrimi i tyre me duar (me duart e fëmijëve të së tjerëve, natyrisht). Në korrik 1834, më në fund, në Angli u miratua “The Act for the Better Regulation of Chimney Sweepers and their Apprentices and for the Safer Construction of Chimneys and Flues” që, pavarësisht titullit të detajuar e bombastik, veç sa i bëri ca retushime të lehta Ligjit të vitit 1788, pra të 46 viteve më parë. Për shembull, mosha minimale për t’u marrë në punë “u ngrit” përsëri (nga 8 u bë 10 vjeç). Pragu u ngrit më tej në 16 vjeç me Ligjin e vitit 1840, i cili rekomandonte gjithashtu që nën moshën 21 vjeç mirë ishte të mos punoje si oxhakfshirës. Natyrisht, rekomandimi ra në vesh të shurdhër, bile luajti rol të kundërt, përderisa një komision parlamentar i vitit 1863, Children’s Employment Commission, vërtetoi që numri i fëmijëve të punësuar si oxhakfshirës mbas vitit 1840 ishte rritur, në vend që të ulej. Kjo çoi në miratimin e një ligji akoma më kufizues vitin që pasoi, ku parashikoheshin dënime për kundërvajtësit. Mirëpo raporti i Children’s Employment Commission i vitit 1866 u hapi sytë të gjithëve mbi faktin që “fatta la legge, trovato l’inganno” ka vlerë mbarëbotërore dhe nuk vlen vetëm për Italinë që, bile, ka meritën ta ketë vënë shprehjen e e zezë mbi të bardhë. Vetëm më 1875, “The Chimney Sweepers Act”, një ligj i plotë dhe definitiv kundër shfrytëzimit të punës së fëmijëve si oxhakfshirës anembanë Anglisë industriale u miratua më në fund nga Parlamenti dhe dhoma e Lordëve. Shkas për përshpejtimin e ligjit u bë vdekja tragjike e George Brewster-it, oxhakfshirës, 12 vjeç: një histori vuajtjesh dhe privimesh. Jetim nga i ati, kur e ëma iu sëmur George-in e birësoi në fillim një vëlla i madh i martuar, që ia kaloi pastaj birësimin vëllait të dytë (i martuar, edhe ai). Ky ia dorëzoi George-in si çirak një ustai oxhakfshirës me emrin William Wyer. Kalimi qe ilegal, se djali ishte nën moshën e lejuar për punësim si oxhakfshirës, por Wyer zotëronte një biznes të çelitur e nuk i bënte syri tërr. Kështu, në shkurt të vitit 1875 George ngeci në një gyp tejet të ngushtë oxhaku pa mundur të merrte dot frymë. U detyruan të rrëzojnë krejt murin anësor të ndërtesës për ta nxjerrë. Ishte ende gjallë, por dha shpirt pas pak. Një histori jo ndryshe nga mijëra të tjera, por kësaj radhe opinioni publik dhe shtypi nuk mundi ta kapërdijë tragjedinë. Wyer-i u dënua me 6 muaj punë të rëndë në burg. Ligji i ri e ndalonte punën si oxhakfshirës nën moshën 21 vjeç. Gjithashu policisë iu desh të krijojë një regjistër të hollësishëm të licensave dhe të ushtronte kontrolle periodike. Nga artikulli i Percivall Pott kishte kaluar plot një shekull.

Rastet me karcinomë skrotale ranë vertikalisht. Në vitet 1910-1912 u shënuan vetëm 16 të tilla; 4 më 1923. Kurse në vitet 1948-1952 në St. Bartholomew’s Hospital u diagnostikua vetëm një rast me karcinomë skrotale ndër 5000 raste kanceri në total.

Poezitë e William Blake

William Blake (Londër, 1757-1827) ishte poet, gdhendës (engraver), piktor, profet… Si profet shkroi nja një duzinë libra, të ashtuquajturit Librat profetikë, sot e gjithë ditën të errët, enigmatikë, terren pjellor interpretimesh të ethshme e të kundërta nga kritika (me ç’dimë, mbetet i vetmi profet që ka nxjerrë Anglia – vend njerëzish pragmatikë). Si piktor, punët e tij, të përmasave të vogla, por me një forcë të madhe vizionare, mund t’i admirojmë ende muzeve më prestigjozë të botës. Të shpjegosh Blake-un gdhendës bëhet një çikë më e vështirë, si vetë ky lloj arti minor. Për të shkruar dhe ilustruar libat e tij (i shoqëronte gjithnjë tekstet me vizatime) Blake zhvilloi një teknikë të re gdhendjeje të quajtur “gërvishtje në reliev” (relief etching), tejet e ndërlikuar, por ekspresive. Siç e ka rrëfyer vetë, kjo metodë iu ndërmendësua saje fanepsjes së të vëllait të vdekur, që i kallzoi në gjumë si ta realizonte procesin. Ndaj edhe e quajti: illuminated printing. Në të, bëhet e kundërta e procedurës klasike: në vend që vizatimi të gdhendet te lastra e bakrit, hiqet sfondi i vizatimit, teksa vizatimi vetë rri në reliev. Këtë Blake e realizonte duke vizatuar (dhe shkruar) mbi lastra me një lëng acidorezistent (Blake përdorte brusha e penelë të posaçëm) që lihej pastaj të thahej. Më pas lastrat zhyteshin në acid, i cili gërryente pjesën e papunuar të bakrit duke lënë të paprekur ilustrimet dhe tekstin. Imagjinoni që gjithçka, sidomos teksti, duhej shkruar si në pasqyrë, që të lexohej siç duhet kur shtypej! Pastaj lastrat ngjyroseshin me dorë dhe faqja shtypej me një presë të posaçme. Edhe sfondi duhej ngjyrosur. Si mbaronte procesi i shtypshkrimit, Blake, i ndihmuar nga e shoqja, artistja Catherine Boucher, i “iluminonte” fletët një e nga një, duke i dekoruar me akuarel. Këto “iluminime” Blake i konsideronte si pjesë e pandarë e tekstit. Në rastin e poezive, shpesh vizatimet i shpjegonin poezitë apo u jepnin kuptime të reja. Blake këtë djallo punë e quante thjesht: “metodë të shtypuri që bashkon piktorin me poetin”.

Kurse si poet, William Blake na ka lënë disa nga lirikat më të bukura që janë shkruar ndonjëherë në gjuhën angleze (“Tigri”, “Qengji”, “Oxhakfshirësi”, “Nxënësi”, “Djalthi i zi”, “Plisi dhe guraleci”, “Trëndafili i sëmurë”, “Kopshti Dashurisë”, “Zuzari i vogël”, “Pema e helmuar”, etj. etj.). Kështu, trembëdhjetë vjet pas artikullit të Percivall Pott, më 1789 Blake botoi “Këngët e Pafajësisë”, një libërth me njëzet e tri lirika të ilustruara, ku gjejmë edhe poezinë e tij e parë me titull “Oxhakfshirësi”. Pesë vjet më vonë (1794) dalin “Këngët e Përvojës”; edhe ky libërth përmban njëzet e tre lirika: pasqyrë satirike dhe mizore, kundëraltar i “Këngëve të Pafajësisë”; ku gjejmë poezinë e dytë me titull “Oxhakfshirësi” (nuk është rasti i vetëm që titujt përsëriten). Po atë vit Blake i nxorri pastaj të dy pjesët bashkë në një vëllim (ai vetë gdhendi dhe “botoi” në fletë bakri të lidhur bukur plot katër kopje, por fjala “kopje” nuk qëndron mirë këtu se, në fakt, janë katër vepra të përveçme arti): “Songs of Innocence and of Experience: Shewing the Two Contrary States of the Human Soul”[Këngët e Pafajësisë dhe të Përvojës: që tregojnë dy gjendjet e kundërta të shpirtit njerëzor]. Prekim e ngjërojmë te këto poezi idetë më tipike të Blake-ut: simbolet, alegoritë, shkrepëtimat veguese, urrejtjen e tij për Revolucionin Industrial (në një kohë kur kish përqafuar krahëhapur dy revolucionet e tjera të epokës së vet: Revolucionin Amerikan dhe atë Frëng – bënte, pra, krejt të kundërtën e Londrës zyrtare), revoltën ndaj skllavërisë, besimin në barazinë gjinore dhe raciale, idetë e tij për Zotin, që nuk perceptohej aspak si entitet sipëran e i përtejnjerëzishëm. Blake e sulmonte ashpër fenë zyrtare, që mbyste dëshirat më natyrale të njeriut, ndërkohë që ai vetë nuk e shkëpuste trupin nga shpirti, por e shihte të parin si vazhdim të së dytit dhe konceptin e mëkatit që mbronte kisha e quante kurth për të ndrydhur dëshirat e njeriut, për të penguar frymën e jetës së vërtetë… Të gjitha sosh shkruar me një gjuhë të kulluar, për fëmijët (Blake vetë nuk pati fëmijë) që janë lexuesit e tij të vërtetë, dhe ku portretet e tyre janë të pashlyeshme, ngashëryese: këta fëmijë të sëmurë, të munduar, të shfrytëzuar deri në palcë dhe prapë të lartuar te Zoti.

Vendin e vërtetë në Olimpin e artistëve e poetëve anglezë Blake-ut ia dha vetëm shekulli i XX. U bë e mundur saje personaliteteve kulturorë shpesh të ndryshëm apo të kundërt, që luhateshin nga bota e studiuesve dhe poetëve të sofistikuar tek ajo e rock-ut [nga W. B. Yeats te Bob Dylan-i; nga Aldous Huxley te Jim Morrison-i (The Doors vjen nga The doors of perception, libër i Huxley-it me titullin e huajtur nga një frazë e njohur e Blake-ut); apo T.S. Eliot, Ralph Vaughan Williams, Benjamin Britten-i (që më 1965 kompozoi, bile, një cikël këngësh: “Songs and Proverbs of William Blake”), Allen Ginsberg, etj., etj.].

Ja dy poezitë.

Në të parën, zëri rrëfimtar është ai i një oxhakfshirësi fëmijë, që tregon me pak fjalë jetën e tij të zezë dhe vazhdon duke rrëfyer ëndrrën që ka parë një “kolegu” i tij, oxhakfshirës fëmijë edhe ai, sikur një engjëll i nxjerr këta çuna nga qefinët dhe i çon te një lëndinë e lulëzuar e me diell ku ata lozin të lumtur. Me rrëfimin e fundit të ëndrrës dhe me zhgjëndrrën e mëngjesit, përsëri të zhytur në realitetin e hidhur të shfrytëzimit të punës foshnjërore, poeti ironizon kishën që e pranon këtë situatë tek shpall se vuajtjet dhe privimet e kësaj jete shpërblehen në tjetrën (“kur të gjithë bëjnë detyrën, askush s’ndihet i humbur”, thotë vargu i fundit).

Kurse në poezinë e dytë zëri rrëfimtar është ai i një të rrituri që takon, të braktisur në mes të dëborës, një oxhakfshirës fëmijë dhe kur e pyet se ku i ka prindërit, merr përgjigjen. Dhe është oxhakfshirësi i vogël që flet tash e tutje, në ligjëratë të drejtë. I ka prindërit në kishë (ndoshta edhe të vdekur – se fjala “kishë” i referohet edhe të qenët me Zotin). Poezia pastaj eksploron perceptimin e shmangët të punës së të miturve të një shoqërie të korruptuar, ku askujt nuk i kursehet përgjegjësia për situatën, askujt prej atyre “që ngritën parajsë me dhembjen tonë”, e përfundon oxhakfshirësi i vogël fjalën.

Oxhakfshirësi (1789)

Kur mëma më vdiq unë qeshë njomzak,
më shiti im atë teksa buzët nga pak
po mësonin të qanin me «ojí!» me «ojí!»
dhe oxhaqet ju fshi & nën blozë rri.

Ja Tom Dakrri i vogël që qau, kokërrodhja
si kurriz i qengjit, kur e qethën, u hodha,
«Hesht, Tom! punë e madhe,» i thashë, «kështu dot
bloza ty ta dish mirë që thinjët s’t’i ndot.»

Dhe kështu u qetësua, & po atë natë,
teksa Tomi flinte një vegim ai pat!
Me mijëra oxhakfshirës, Xhek & Xho, Ned & Dik,
qenë kyçur të tërë qivurësh të ligë;

pa behu një Engjëll me çelës flori,
pa i çeli qivurët & i la në liri;
pastaj në lëndinë, qesh e loz, ata brodhën,
nën Diell u thekën në lumë u krodhën;

pastaj zhveshur & zbathur, flak trastat përdhe,
u dëfryen në erë, fluturuan mbi re.
Dhe i tha Engjëlli Tomit, po të ish çun i mirë,
do kish Zotin për àtë, ç’duhej tjetër dëshirë.

Dhe ja Tomi u zgjua; dhe në terr ne u ngritëm
dhe shtupat & trastat për punë zvarritëm.
Ndonëse acar qe mëngjesi, Tomi valë qe & i lumtur;
kur të gjithë bëjnë detyrën, askush s’ndihet i humbur. 

Oxhakfshirësi (1794)

Në mes të dëborës një gjëkafshë e zezë
duke qarë «ojí! ojí!» me dënesë!
«Pa më thuaj ku janë jot ëmë & yt atë?»
«Në kishë kanë shkuar të dy për kungatë.

Ngaqë ndër logje i lumtur qeshë
dhe buzagaz nën të dimrit dëborë,
me rrobe meiti më patën veshur
e më bënë të këndoj me zemër në dorë.

Dhe ngaqë valle hidhja & këndoja bukuri,
hiç të keqe s’paskan bërë, thonë;
pa shkuan të lëvdojnë Mbret & Zot & Prift të tij,
që ngritën parajsë me dhembjen tonë».

Epilog

Percivall Pott ishte i pari që e përshkroi imtësisht karcinomën skrotale (që është një karcinomë e qelizave skuamoze), zbuloi incidencën e saj të lartë tek oxhakfshirësit dhe, me intuitë, e lidhi atë me blozën e oxhaqeve, ama, pa arritur ta vërtetojë. Vërtetimi shkencor-eksperimental u bë i mundur vetëm më 1915 nga Dr. Katsusaburo Yamagiwa, një patolog i Imperial Tokyo University dhe nga asistenti i tij, Dr. Koichi Ichikawa, me një eksperiment sa gjenial aq edhe të thjeshtë. Për 150 ditë rresht ata lyen me një penel të ngjyer në katran qymyri pjesën e brendshme të llapës së veshit të 101 lepujve. Ditën e 35 të eksperimentit, te veshët e disa prej lepujve filluan të shfaqen shenjat e para të kancerit; ditën e 47, te disa prej lepujve kanceri u shfaq plotësisht; kurse ditën e 150, kanceri ish shfaqur tashmë te të gjithë lepujt pa përjashtim. Dhe kishim të bëjmë pikërisht me një karcinomë të qelizave skuamoze, si kanceri i lëkurës së tej-ekspozuar në diell, si kanceri i mushkërive të duhanpirësve, si… kanceri skrotal/testikular i oxhakfshirësve.

Poezitë “Oxhakfshirësi” të William Blake-ut, ndër më të bukurat e tij, janë antologjizuar, analizuar, mësuar përmendsh e përfshirë nëpër tekstet shkollore një pafundësi herësh. Oguri i tyre, qortimi i tyre, bukuria e tyre nuk e ka humbur shkëlqimin.

Ah, edhe diçka të fundit: teksti bazë për studiuesit e William Blake-ut sot është: “Blake: Complete Writings with Variant Readings (Oxford 1966), nga Geoffrey Keynes. Tani ky Sir Geoffrey Langdon Keynes (Cambridge, 1887-1982) ishte jo vetëm filolog i hollë, biograf, e bibliofil, por, në radhë të parë, një… kirurg i shquar (madje titullin Sir e mori për kontributin e tij në kirurgji).

© 2025 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.


Bibliografi

William Blake. Këngët e Pafajësisë dhe të Përvojës. Durrës: Botimet Jozef, 2013.

John R. Brown, John L. Thornton. Percivall Pott (1714-1788) and chimney sweepers’ cancer of the scrotum. British Journal of Industrial Medicine, 14:68-70, 1957.

Henry Earle. On Chimney-sweepers’ Cancer. Medico-Chirurgical Transactions, 12:296-307, 1823.

Angel Fernandez-Flores, Eduardo Fonseca. Scrotal cancer, chimney sweepers and Sir Percival Pott. Clinical Dermatology, 40:209-20, 2022.

Percivall Pott. Chirurgical observations. Vol 3. London: L Hawes, W Clark, and R Collins, 177-83, 1775.

H. A. Waldron. A brief history of scrotal cancer. British Journal of Industrial Medicine, 40:390-401, 1983.


[1] Nga përvoja ime si mjek: nuk besoj se ka të sëmurë që vuan më shumë se një i djegur.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin