Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Gjuhësi

TË MËSOSH GJUHËN E TJETRIT

Sa e vështirë është shqipja – për t’u mësuar?

Pyetja nuk ka të bëjë me shqipen gjuhë amtare, sepse këtë e mësojmë kur jemi ende fëmijë dhe pa e kuptuar si. S’kemi nevojë as të shkojmë në shkollë, as të përvetësojmë rregulla, as të japim provime. Gjuhën e nënës e mësojnë të gjithë, me përjashtim të atyre që kanë probleme të zhvillimit mendor.

Për amtarët – nëse mund t’i quaj kështu – vështirësitë e shqipes janë dy-llojesh: për të zotëruar shqipen e njësuar, ose standardin, që është formë artificiale e gjuhës, e zhvilluar për të mundësuar komunikimin publik përtej katundit e krahinës, veçanërisht atë me institucionet; dhe për të zotëruar shqipen e shkruar standard, edhe ajo formë artificiale, që duhet mësuar në shkollë; sepse shkrimi nuk është as mund të jetë “i nënës”.

Shumë nga ata që nuk e kanë vrarë ndonjëherë mendjen nëse e dinë dhe sa e dinë gjuhën amtare (dhe me të drejtë), e kanë të pamundur që ta shkruajnë këtë në mënyrë korrekte – sepse shkolla nuk ua ka mësuar mirë dhe sepse ata vetë nuk e ndiejnë imperativin e zotërimit të shqipes së shkruar.

Idealisht, shqipen e shkruar duhej ta përdornin mirë ata që e shkruajnë; kur këta dështojnë, atëherë padija bëhet problem.

Forma e njësuar, me shkrim, e një gjuhe vjen me rregullat e saj, të cilat janë edhe ato dy-llojesh: rregulla drejtshkrimore, që përcaktojnë si duhen shkruar fjalët, veçanërisht rastet e diskutueshme; dhe rregullat e tjera të standardit, p.sh. që rrjedhorja e fjalës lule do të shkruhet luleje; dhe se gjinorja ka nevojë për nyjën e përparme, si te dyqani i mishit dhe jo dyqani mishit; dhe se qyteti ynë është formë e rregullt, ndërsa qyteti jonë formë jo e rregullt.

Normalisht, dija duhej t’i kish identifikuar këto zona problematike dhe trajtuar në tekstet shkollore të gjuhës shqipe; por nuk jetojmë në kohë normale.

Edhe të huajt që mësojnë shqip të thonë se shqipja është e vështirë. Por në këtë rast, vështirësia që ndien i huaji nuk është e njëjtë me atë që ndien “amtari”, për të zotëruar standardin. I huaji vjen në shqipe nga një sistem gjuhësor tjetërlloj, dhe i duhet të mësohet me një fonetikë, një gramatikë dhe një leksik të ri; pa folur për pragmatikën e shqipes, që ende është fare pak e kodifikuar.

U kam dhënë për një kohë të gjatë gjuhën shqipe të huajve, më parë në Shqipëri, më pas në Itali. Kam vënë re se, në masë të madhe, shqipja për të huajt është e vështirë sepse ne ende nuk kemi përpunuar një aparat didaktik të efektshëm, për t’ua mësuar të tjerëve; dhe kjo ngaqë ne ende nuk e njohim gjuhën tonë në mënyrë të tillë, që t’ia shpjegojmë dikujt që nuk e njeh.

Të huajt që mësojnë shqip zakonisht mësojnë shqipen standard. Nëse për ta fusha të tilla si drejt-shqiptimi dhe leksiku janë zakonisht më pak impenjative, morfologjia dhe sintaksa përfaqësojnë shpesh pengesa të pakapërcyeshme.

Kur vihemi të mësojmë një gjuhë të huaj, përdorim mekanizma mendorë të ndryshëm nga ata që kishim përdorur për të mësuar gjuhën amtare. Krejt të ndryshëm. Pa u futur në hollësi teknike, le të themi se në të mësuarit e një gjuhe të dytë luan rol të madh krahasimi me gjuhën amtare.

Gjuhët kanë distanca të ndryshme mes tyre – italishtja është më e afërt me spanjishten se me rusishten; gjermanishtja më e afërt me norvegjishten, se me greqishten. Edhe pse shqipja, si gjuhë indoeuropiane, është e izoluar në grupin e vet, forma e saj standard dhe veçanërisht ajo librore (e shkruar) e afron më shumë me italishten dhe me rumanishten – çfarë do të thotë se italianët dhe rumunët në parim e mësojnë shqipen më lehtë se, të themi, kinezët ose islandezët.

Nga ana tjetër, kur vihesh të mësosh një gjuhë që është shumë e afërt me gjuhën tënde amtare, siç ndodh me arbëreshët e Italisë që duan të mësojnë standardin, mund të pengojnë interferencat; ose vështirësia për të dalluar ndryshimet.[1]

Këtë e kam vënë re me studentët e mi arbëreshë, gjatë gjashtë vjetëve që e kam dhënë gjuhën shqipe në Institutin Oriental të Napolit. Mund të them se asnjë prej tyre nuk e përfundoi kursin duke e zotëruar kënaqshëm shqipen standard – dhe kjo, para së gjithash, nga rezistenca, gjysmë e pavetëdijshme, e formave të arbërishtes amtare.[2]

Më duhet të them, nga përvoja në Napoli, se faktor kryesor për suksesin në mësimin e një gjuhe të huaj ose “tjetër” është motivimi – gjë që mund ta vësh re lehtë edhe mes shqiptarëve, të cilët flasin dhe shkruajnë anglisht, italisht, gjermanisht e gjuhë të tjera rrjedhshëm, por ngecin me shqipen, sado që e kanë “të tyren”.

Një vështirësi tjetër e shqipes janë rregullat e saj të shumta arbitrare, të cilat i japin një pamje “të pahekurosur”. Për shembull, ndryshe nga anglishtja dhe nga spanjishtja, që e formojnë shumësin e emrave me një -s në fund të fjalës, shumësi i çdo emri shqip duhet mësuar bashkë me emrin dhe numri i përjashtimeve ia rëndon shumë kujtesën të huajit. Shqipja ka një nyjë të parme, të cilën e lakon – libri i ri, librin e ri – bashkë me emrin. E kështu me radhë. Të gjitha këto tipare e afrojnë shqipen me gjuhë si greqishtja e re ose rusishtja, që kanë morfologji komplekse; duke e distancuar nga gjuhë më të tejdukshme, si anglishtja ose italishtja.

Megjithatë, ka të huaj që e mësojnë shqipen mirë – me gojë dhe me shkrim; sepse u duhet, ose ngaqë e kanë pasion, ose edhe thjesht për sport. Kam takuar dikur një poliglot belg, Johan Vandewalle, i cili e kish mësuar shqipen shkëlqyer – bashkë me dhjetëra gjuhë të tjera, që i fliste dhe i shkruante rrjedhshëm. Le të themi se disa prej nesh, edhe pa shkuar në nivelin e një poligloti, kanë aftësi më të mëdha për ta mësuar një gjuhë të huaj, se disa të tjerë.

Kur e kam pyetur Johanin, më ka thënë se gjuha më e bukur, për të, ishte turqishtja, ndërsa më e vështira frëngjishtja (!). Preferencën e dytë nuk e prisja, por pastaj gjeta një shpjegim tek etnia e tij flamande.

Të mësosh një gjuhë të huaj dhe ta përdorësh atë në komunikim, sidomos me gojë, kërkon një lloj mundimi mendor shpesh rraskapitës. Më ka qëlluar të lodhem fort, kur më është dashur të flas njëherazi italisht dhe anglisht, në Greqi; mbase edhe thjesht kalimi nga një gjuhë në tjetrën shpenzon energji.

Edhe më komplekse është një gjuhë e huaj, e cila i përket një kulture të largët për ty – për shembull japonishtja; dhe këtë e them pa e marrë parasysh sistemin shkrimor. Në fakt, të përvetësosh japonishten do të thotë edhe të përvetësosh rregullat, shprehitë dhe automatizmat e komunikimit në një kulturë shumë të largët – të cilat edhe pasqyrohen në tekstet mësimore shumë më varfër se, të themi, gramatika.

Sa për të sjellë një shembull – ti mund të dish japonisht aq sa për t’i thënë një vajze se ajo të pëlqen ose ke rënë në dashuri me të, por në qoftë se nuk di se çfarë foljeje të zgjedhësh, çfarë regjistri të përdorësh, në çfarë mënyre dhe trajte, dhe si t’ia përshtatësh fjalën tënde kontekstit, gjasat janë që t’ia futësh kot dhe të bësh figurë të keqe me të. Madje edhe gjestet nuk do të të nxjerrin nga balta, sepse edhe gjestet duhen mësuar.

Këtë e kam përjetuar vetë kur kam shkuar të jetoj edhe në Itali edhe në SHBA, pasi kam kujtuar se e dija gjuhën. Edhe pse i rritur me italishten dhe në gjendje ta flas lirshëm, vetëm në Itali u familjarizova me disa praktika të komunikimit, të cilat nuk i mëson dot njeriu as nga librat, as nga radioja, as nga filmat. Njëlloj më ndodhi edhe me anglishten – sa kohë që kuptimi i shumë fjalëve shkon gjithnjë përtej përkufizimit që kanë në fjalor dhe, për ta thënë me Wittgenstein-in (te Philosophical Investigations), është më shumë “tërësia e udhëzimeve të saj të përdorimit.”

Nga ana tjetër, gjasat janë që, për pak dekada, shumë nga nevojat, stimujt dhe motivet që i bëjnë njerëzit sot të mësojnë një gjuhë tjetër do të jenë mënjanuar nga teknologjia – dhe mes nesh dhe Tjetrit gjuhësor do të vendoset përfundimisht një softuer përkthimi, i fuqizuar me AI. Dhe ashtu, të mbyllur në kafaze silikoni, mbase do ta kuptojmë më mirë rolin jetik që luan gjuha tjetër, në identitetin tonë; mbase edhe për të na bërë njerëz.

 

(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Gemini.


[1] Këtu nuk po ndalem në problematikën e shqipes që mësohet në diasporë ose nga fëmijë imigrantësh në dhé të huaj.

[2] Për arsye praktike, po i trajtoj shqipen standard dhe arbërishten shpesh të rrëgjuar të studentëve të mi si dy gjuhë të ndryshme, edhe pse mjaft të afërta mes tyre.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin