Një hap i madh përpara, me njohjen edhe të leksikut dialektor të shqipes edhe të diferencimit leksikor të dialekteve u bë me botimin në 2008 të “Atlasit dialektologjik të gjuhës shqipe”, një vepër në dy vëllime, e hartuar nga Jorgji Gjinari (drejtues), Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj, Xheladin Gosturani; vëllimi i dytë i kësaj vepre i kushtohet leksikut dhe paraqet përhapjen e fjalëve që u përgjigjen rreth 260 koncepteve semantike bazë. Edhe para se të botohej Atlasi, ishte vënë në dukje nga Jorgji Gjinari se “[D]allimet në këtë fushë vërehen ndërmjet të folmeve e grupeve të të folmeve të gjuhës shqipe e për më tepër një pjesë e mirë e këtyre dallimeve u takojnë fjalëve që lidhen me profilin ekonomik, me terrenin e klimën dhe me zakonet e banorëve të krahinave, janë pra dallime të atilla që nga pikëpamja dialektologjike janë të dorës së dytë […] [N]umri më i madh i foljeve që janë konsideruar si toske ose gege në të vërtetë janë karakteristike për një pjesë të të folmeve të njërit a të tjetrit dialekt të shqipes […]” dhe se “është vështirë të formosh një listë të madhe fjalësh që janë karakteristike për të gjithë të folmet e një dialekti ose për pjesën më të madhe të tyre dhe që ato t’i kundërvihen plotësisht fjalëve të dialektit tjetër. Kështu për gegërishten janë karakteristike çel, çelës, dryn, fërgoj, fik, f(ë)tyrë, gjel, herët, katun(d), krejt, m(b)rrij, midis, rrej, rên (rend), skile, shpi:n, shpullë, tâmël, tinëz, tly:n, (i,e) vet […] të cilave në toskërishte u përgjigjen […] hap, kyç ose katinar, skuq, shuaj, surrat ose faqe, kaposh, kokosh ose këndes, shpejt (në kuptimin kohor), fshat, fare, arrij, në mes, gënjej, breth ose vrapoj, dhelpër, kurriz, pëllëmbë, qumësht, fshehurazi, gjalpë, i/e tij/saj.”[1] Edhe më pas, Gjinari dhe Shkurtaj janë shprehur se “në sferën e leksikut janë shumë të pakta në numër fjalët që dallojnë plotësisht njërin dialekt nga tjetri.”[2] Edhe pas botimit të ADGJSH, në 2012, Shkurtaj ka shkruar se diferencat leksikore gjeografike që janë vënë re nga hulumtuesit “nuk ka[në] të bëjnë me dyzimin sipas dy dialekteve, por me përndarjen (përkatësisht: me praninë apo mungesën) e leksikut tipik krahinor që emërton sende, dukuri e veprime karakteristike të lidhura ngushtë me mjedise konkrete të Veriut a të Jugut […]”[3].
Beci mban këtu një qëndrim relativisht të kundërt, duke argumentuar se dallimet mes dialekteve, në fonetikë dhe në morfologji, nuk mund të ndahen – nga ana tipologjike – prej dallimeve leksikore mes këtyre dialekteve; dhe kjo i jep atij mundësinë të përfshijë në listën e tipareve dalluese të njësive dialektore të shqipes edhe tiparet leksikore, krahas atyre fonetike e morfologjike.[4] Duke u bazuar në hartat e leksikut dialektor të ADGJSH-së, ai autor përmend fjalë si misër (T) dhe kallam(b)oq (G), gjemb (T) dhe fe:rr (G), maçok (T) dhe dac (G), dem (T) dhe mëzat (G), derr (T dhe G) dhe thi (G), hut-i (G) dhe buf (T), çerdhe (G) dhe strofull (G) përballë fole (T), pupël (G) dhe pendë (T), e kështu me radhë. Megjithatë, nuk më duket se ka ndonjë arsye “tipologjike” për këto dallime, dhe as më duket përbëjnë fjalët e identifikuara nga Beci ndonjë nënbashkësi leksikore të identifikueshme me kritere leksiko-semantike.
Prandaj gjykimi i Gjinarit dhe i Shkurtajt më tingëllon më bindës; në kuptimin që edhe unë mendoj se diferencat leksikore mes kryedialekteve të shqipes – toskërishtes dhe gegërishtes – janë, në thelb, me natyrë krahinore dhe kanë të bëjnë me fjalë që u përkasin, në analizë të fundit, të folmeve individuale ose grupeve krahinore të së folmeve; ndryshe nga diferencat fonetike dhe morfologjike (gramatikore) mes dialekteve.
Nga mënyra siç paraqitet sot, leksiku i shqipes i përfshirë në fjalorët normativë – nga ai i 1954-ës, deri (besoj) te ky që po bëhet gati të dalë rishtas – përbëhet nga (1) fjalë të përbashkëta të së gjitha të folmeve të shqipes (2) fjalë me përhapje relativisht të kufizuar por që përdoren në shumë të folme njëherësh; (3) fjalë krahinore, që përdoren në të folme individuale ose grupe të folmesh me lidhje të ngushtë mes tyre, përfshi këtu edhe huazimet e kontaktit ose fjalë të futura në ligjërim nga diasporasit; (4) neologjizma të shqipes librore dhe shqipërime terminologjike; (5) fjalë të ndërtuara nëpërmjet modeleve të fjalëformimit, si shumë emra dhe mbiemra ndajshtesorë dhe kompozita gjithfarësh; (6) fjalë ndërkombëtare dhe huazime librore; (7) terminologji teknike me prejardhje të huaj.
Sa kohë që prejardhja e një fjale nga grupimet 2 dhe 3 ende nuk mund të përcaktohet me saktësi – meqë përdorimi i një fjale në një zonë gjeografike të caktuar nuk e përjashton përdorimin e saj në zona të tjera, edhe kur ky nuk është dëshmuar (ende) – atëherë identifikimi i një fjale si “fjalë e toskërishtes” ose “fjalë e gegnishtes” duhet bërë me shumë rezervë. Edhe Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe, që mbetet vepra referencë për konsiderata të tilla, shqyrton përhapjen hapësinore të një numri shumë të kufizuar fjalësh; dhe shfletimi i hartave të fton të përdorësh shprehjen “kryesisht e gegërishtes”, ose “kryesisht e toskërishtes”, meqë kufijtë leksikorë mes dy kryedialekteve të shqipes, siç mund të merret me mend, nuk mund ta krahasohen me kufijtë e dukurive të tilla si hundorësia, rotacizmi ose paskajorja e tipit “me punue”.
Një gabim që bëjnë shpesh amatorët, por që e kam ndeshur edhe një studiues që amatorë nuk janë, është ngatërresa midis fjalës si njësi leksikore, dhe fjalës si bartëse tiparesh fonetike dhe gramatikore. Për shembull, fjala verë, me kuptimin e pijes alkoolike që nxirret nga rrushi, i “përket” toskërishtes sa kohë që mishëron, në strukturën e vet fonetike, një tipar dialektor dallues të natyrës fonetike, siç është rotacizmi (përballë gegërishtes venë). Përndryshe, nga pikëpamja leksikore, çifti venë/verë përfaqëson një fjalë të vetme, të përbashkët për shqipen. Po ashtu, fjala bar, me kuptimin “medikament”, bën në shumës barna, duke e formuar shumësin me prapashtesën -na, e cila është e gegërishtes, përballë -ra të toskërishtes (edhe këtu rotacizmi); por edhe këtu, dialektore është mënyra si formohet shumësi (më saktë, trajta fonetike e prapashtesës, përballë prapashtesës simotër -ra të toskërishtes; khs. barëra), jo fjala vetë. Arsyetimi mund të shtrihet edhe në fjalë që tashmë normative për shqipen e njësuar; për shembull, zëri është e toskërishtes, dhe zani është e gegërishtes; por një fjalë si zanore është e shqipes së përbashkët, pavarësisht se përdor temën fonetikisht gegërishte za-ni; meqë, në rrafshin leksikor, zani dhe zëri janë e njëjta fjalë. Më tej, standardi ka përgjithësuar forma të tilla si mësues, kërkues, veprues, të cilat ndjekin modelin gegërisht të fjalëformimit (përballë mësonjës, kërkonjës, vepronjës, të cilat sot mbeten dialektore); por këto fjalë, mësues, kërkues, veprues, janë thjesht të ndërtuara sipas një modeli morfonologjik të gegërishtes dhe nuk janë fjalë të gegërishtes në vetvete. Madje në këtë rast edhe modeli morfonologjik i përket tashmë gjuhës së njësuar dhe përdoret me folje që nuk kanë të bëjnë me gegërishten.
Sa i përket marrëdhënieve mes leksikut të shqipes dhe gjeografisë, shumë nga autorët e cituar më lart e kanë bërë të qartë se – në një numër të madh rastesh – përhapja e një fjale të caktuar varet drejtpërdrejt nga përhapja gjeografike e një sendi, një gjallese, një malli, një teknike, një produkti, një veshjeje, një praktike që shënjon ajo fjalë; dhe mungesa e fjalës, në një zonë të caktuar, shpjegohet me mungesën e sendit, gjallesës, produktit, mallit, teknikës, veshjes, praktikës, etj. që shënjon fjala. Kjo lidhje e ngushtë me realitetin jashtëgjuhësor është karakteristikë e leksikut, dhe nuk gjendet në fonetikë, fonologji, morfonologji, morfologji, sintaksë, fjalëformim e kështu me radhë. Kam parë të sillet këtu shembulli i xhubletës: meqë kjo veshje nuk përdoret në zonat ku flitet toskërishtja, edhe emri i saj nuk bën pjesë në leksikun e atij dialekti, por kjo nuk do të thotë se “toskërishtja nuk e ka fjalën xhubletë.” Etj.
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
[1] Cituar sipas Bahri Beci, Struktura dialektore e shqipes, nje qasje e re, 2016 UET Press, f. 48.
[2] Bahri Beci, po aty.
[3] Gjovalin Shkurtaj, Dialektet e shqipes, Morava 2012, ff. 105-158
[4] Beci, vep. cit. f. 57.