Pa e marrë kurrë pikëpyetjen seriozisht, kisha kujtuar se dy sinonimet shqipe, gënjej dhe rrej dallonin mes tyre edhe në atë mënyrë, se gënjej ishte e toskërishtes, ndërsa rrej e gegërishtes. E paskam pasur gabim. Në shtëpinë time ka qenë përdorur, veç gënjeshtarit, edhe rremash; dhe atë që gënjente e qortonin kështu: mos thuaj të rrema. Nga ana tjetër, më është dukur gjithnjë se gënjeshtar ishte më “imja” se rrenc dhe rrenacak; me kohë, këto dy të fundit i kam klasifikuar si bisedore. Edhe Topalli e prezanton rrej si “fjalë të mbarë gjuhës, duke përfshirë edhe arb. e Italisë dhe të Greqisë; më e gjallë në gegërishte, më pak në toskërishte ku mbizotëron gënjej.” Te Çabej lexoj se “abstrakti rrenë është pjesorja [e rrej] e substantivuar dhe… fjalë e mbarë gjuhës” dhe se paska edhe rrerë, rrërë në toskërishten jugore, si barasvlera të rotacizuara të rrenë; dhe një rerë del që te Matranga. Morali: një fjalë që e kisha kujtuar si dëshmi të dallimit dialektor mes toskërishtes dhe gegërishtes jo vetëm që ma përgënjeshtroi intuitën, por edhe më tregoi sa pak di nga dialektologjia historike. Dhe njëherazi më bëri të mendoj se diferencime në dendurinë dhe gjeografinë e përdorimit, që ndodhin rëndom me sinonimet, mund të “rekrutohen” për të shënjuar jo vetëm regjistrat dhe stilet (“gënjej” e regjistrit neutral, “rrej” e regjistrit bisedor) por edhe dialektet (“gënjej” e jugut, “rrej” e veriut); çfarë mund t’i bëjë disa dallime leksikore mes dialekteve përftime (dukuri emergjente), jo të dhëna parësore a thelbësore.
Dialektet e shqipes – dhe këtu e kam fjalën për gegërishten dhe toskërishten – janë përshkruar mirë, por kryesisht sa i përket fonetikës dhe gramatikës; të cilat ofrojnë edhe kriteret dalluese. Ekziston dhe qarkullon një numër studimesh monografike për të folmet më të rëndësishme, në Veri, në Shqipërinë qendrore dhe në Jug; këto ndjekin një skemë pak a shumë standard, që niset nga karakteristikat fonetike, për të vazhduar me morfologjinë dhe sintaksën, dhe pastaj me ndajshtesat fjalëformuese e, më në fund, disa përshkrime të leksikut dhe të frazeologjisë. Sipas rastit, në të gjitha këto “stacione”, bëhen edhe krahasime me të folme fqinje, por jo vetëm.
Është më e lehtë të japësh një përshkrim dhe parashtrim të plotë të karakteristikave fonetike (fonologjike) dhe gramatikore të një të folmeje – sepse numri i njësive të sistemeve përkatëse është gjithnjë i kufizuar. Për leksikun ndryshon puna, sepse leksiku është sistem i hapur; dhe studiuesi e shumta mund të (orvatet të) konfirmojë nëse një fjalë e caktuar përdoret apo jo në atë të folme.
Vetëdija gjuhësore e folësve (jo-profesionistë) mbetet e ndjeshme edhe ndaj diferencave leksikore; dhe ndodh rëndom që këta të krahasojnë fjalët, në bazë të prejardhjes krahinore: “ne këtij peshku i themi gjuhcë, po ju si i thoni?” Pyetje të tilla parakuptojnë që folësit i njohin diferencat leksikore për shkak të gjeografisë, ose sinonimet “dialektore”. Për këta, e folmja konsiston në një bashkësi formash fonetike, gramatikore dhe leksikore (fjalësh) të dallueshme (të diferencueshme). Për shembull, “ju verës i thoni venë” vë në dukje një diferencë fonetike mes formave të së njëjtës fjalë; ndërsa “ju patateve u thoni kërtolla” vë në dukje një diferencë leksikore; por për folësit këto dallime i përkasin shpesh të njëjtës tipologji.
Kur rreken të japin një pasqyrë të përgjithshme të dialekteve të shqipes, dialektologët gjithnjë ndalen edhe në karakteristikat leksikore duke shtruar pyetje si kjo: a ka fjalë shqipe të tilla që të përdoren vetëm në një krye-dialekt (p.sh. në gegërishte ose në toskërishte) dhe të mungojnë te tjetri? Dhe nëse fjalë të tilla ka, çfarë mund të tregojë studimi i tyre?
Pyetja ka implikime të thella. Por para se të kaloj në diskutim, dua t’i sqaroj lexuesit se këtu nuk vijnë në vështrim fjalë që bartin diferenca fonetike ose gramatikore: për shembull venë dhe verë janë e njëjta fjalë (e njëjta njësi leksikore), por që në toskërishte del e rotacizuar; vetëm se rotacizmi është karakteristikë e trajtës fonetike të fjalës, dhe nuk e prek identitetin e saj leksikor; ose, një tjetër shembull i njohur, ajo masë e huazimeve të shqipes nga turqishtja osmane, që del me theks fundor në toskërishte (xhezvé, babá, pará) dhe theks parafundor në gegërishte (xhézve, bábë, páre). Edhe këtu, xhezvé dhe xhézve janë leksikisht të njëjta. Njëlloj dua të sqaroj edhe se nuk vijnë në vështrim fjalë që janë specifike për këtë apo atë të folme, si të tillë, por jo për dialektin të cilit i përket ajo e folme; për shembull, ka një numër greqizmash të kontaktit, në të folmen e qytetit të Gjirokastrës, që nuk karakterizojnë as nëndialektin e labërishtes a të çamërishtes, as toskërishten në përgjithësi.
Nëpër fjalorë – përfshi edhe fjalorët etimologjikë të shqipes – lexon rëndom për fjalë të caktuara të cilësohen si “fjalë të gegërishtes”, ose “fjalë të toskërishtes”. Për shembull, Kolec Topalli, në Fjalorin etimologjik të shqipes, përcakton si “të gegërishtes” fjalë si mjollë, (i) mkejmë, mlisht, mlyç, mlysh, mllef, mnyth, moc, (i) moçëm, moçoj, mohoj, mokël, mole, molikë, molinë, moll, molldragë, mollok, moraçë, moritem, e kështu me radhë. Për t’u shënuar se disa prej këtyre fjalëve identifikohen nga ai autor jo vetëm si “të gegërishtes” por edhe si “krahinore” (me përhapje të kufizuar brenda të folmeve të gegërishtes); dhe sipas rastit, shënohet se ato janë adoptuar pastaj edhe nga shqipja standard. Metodën që ka ndjekur për këto lloj cilësimesh, autori e shpjegon në parathënie kështu: “Për shumicën e fjalëve kemi shënuar përhapjen e saj, shtrirjen në të folme të gjuhës shqipe, çka ndihmon edhe për hetimin e burimit, sidomos në rastin e huazimeve. Për këtë jemi mbështetur në të dhënat e leksikografisë shqiptare, të botuara nëpër fjalorët e shqipes dhe kemi shfrytëzuar kartotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe të letërsisë. Por ky aspekt dialektologjik duhet marrë gjithnjë me një farë rezerve, meqenëse lëvizjet e popullsisë janë të pashmangshme e bashkë me njerëzit shtegtojnë edhe fjalët.”
(vijon)
© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.