Në zgjedhjet e 1991, PD si partia e dalë e prej lëvizjes demokratike si forca historike për Lirinë dhe hapjen e Shqipërisë ndaj Europës dhe Perëndimit u votua, edhe pse në kushtet e presionit të ish regjimit 46 vjeçar në pushtet, nga 1/3 e njerëzve.
Fitoi mbi të gjitha qytetet, humbi fshatin. Shkalla e indoktrinimit, represionit dhe frikës nga pushteti ne fshat dihej se ishte shumë më e madhe se në qytetet e mëdha.
Kriminelët e nomenklaturës komuniste dihej gjithashtu se jetonin me ankthin e kthimit të ‘shtresave të përmbysura’, të cilat “diktatura e proletarit” i kishte burgosur, internuar, pushkatuar, herë herë, dhe rrëmbyer prona e pasuri që pas 1945.
Por pavarësisht frikërave të borgjezisë së kuqe, PD, forca e re liberale e atij çasti, fitoi qytetet duke u mbështetur nga çdokush me shpirtin e lirë, dhe duke injoruar ankthet e atyre që kishin “duart me gjak”, pasi populli shihte drejt së ardhmes, në paqe dhe gëzim, për lirinë e shumëpritur dhe të ëndërruar përjetë të së gjallëve.
Kur sheh sot tabelën zyrtare të numrit të zgjedhësve që ka Shqipëria dhe del përpara shifra 3.7 milionë, nuk ke si të mos mbetesh disi i habitur, pasi po atje njëkohësisht zbulon se pothuaj gjysma e këtyre gjenden jashtë vendit.
Sondazhi i thjeshtë se cilat vende kane preferuar shqiptarët, duket qartë dhe haptas kur sheh, pak a shumë, përqindjet votave të ardhura nga vendet ku jetojnë.
Kuptohet, pas Marsit 1991, zgjedhjeve të para post-komuniste, demografia ndryshoi. Bashkë me demografinë ndryshoi edhe mbështetja politike e fshatit dhe qytetit.
Në kohët e PD-së në pushtet, ndodhi e kundërta. Fshati dhe provinca nisi të votojë PD-në ndërsa qytetet, me Tiranën në krye, u morën nga ish-PPSH-ja, e cila në 1991 kishte humbur kryeqytetin.
Është dukur sikur të gjithë partitë politike në Shqipëri kanë qenë pjesë apo zgjatime të PPSH-së. Për këtë edhe është bërë çmos që të mendohet se ashtu ka qenë, por sot nëse hedh një sy në fletën e votimit mes 11 koalicioneve të duket sikur të gjithë partitë në Shqipëri rrjedhin nga PD.
Ndaj që gjithçka të shkojë në vendin që i takon mendoj:
Nuk di a mund të gjendet një formulë magjike që pas zgjedhjeve, kreu i qeverisë aktuale të jetë vetë kryetar i PD-së?
A mund të hyjnë të gjithë në PD, nga dritarja, nga penxheret nga ballkonet, të rinj, të vjetër në rresht për një, bashkë me Ramën?
Të gjithë ‘të rinjtë’ e partive ‘të reja’, gjithashtu, bëhen apo nuk bëhen pjesë e PD-së, të paktën duken pa përjashtim, sikur sapo kanë dalë prej saj.
A mund t’ia kalojnë Ramës të rinjtë e partive të reja për suport ndërkombëtar? Cili ka më shumë përkrahje ndërkombëtare Edi Rama apo ata? Duket sikur është dilema e tyre.
Brenda në PD bashkërisht ata mund të mbeten përjetësisht konkurrentë, për përkrahjen ndërkombëtare ndaj Ramës, meqë si duket kjo u intereson më shumë se gjithçka.
Të gjithë ndërkohë, me Ramën në krye, në një skenar magjik mund të luajnë mirë rolin e rivalëve politikë të zjarrtë, brenda po Partisë Demokratike.
Të vjetër dhe të rinj, për mirë apo keq, të duket sikur nuk kanë jetuar kurrë në kushte të tjera por njëjtë si kur këtu sundonte Sigurimi, Partia e Punës; përpara se jeta të përshtatej në bashkëjetesë me bandat, krimin e organizuar, mediat e ndërtuesve dhe sidomos: shërbimet informative, agjenturat e huaja të vendeve armike ndaj SHBA-së dhe Perëndimit në tërësi të cilat gjetën terren lulëzues në Shqipëri për gjithfarë eksperimenti.
Një vend ky, ku agjenci nga më të larmishmet e kthyen shtetin në fushë betejë, kundër interesave të popullit shqiptar dhe të perëndimit këtu e 35 vjet, duke infiltruar të gjithë sistemin, deri në përpjekjen e vazhdueshme të transformimit, të ndërgjegjes së njerëzve.
Në këtë rrëmujë u deshën 35 vjet që “komunistët” shqiptarë të kuptonin thirrjet e atyre që rrëzuan komunizmin në Shqipëri.
Arritja kryesore e Edi Ramës është se pas 12 vjet pushtet absolut si kryeministër dhe 20 vjet në krye të ish-PPSH si kryetar absolut i saj në fushatën e këtyre zgjedhjeve, më në fund, diktoi të mbushë mendjet dhe orientojë vizionet e ithtarëve të partisë së tij, kundrejt domosdoshmërisë historike të Shqipërisë, si pjesë e vëllazërisë Europiane Perëndimore, bashkë në trajtë integrale të qytetërimit perëndimor.
Do të mbetet kjo, vepra më e rëndësishme politike e Edi Ramës, për çfarë arriti të bënte brenda Shqipërisë për shqiptarët.
Po, socialistët dhe kundërshtarët e tyre, cilëtdo ishin dhe janë, kishin nevojë për sloganin elektoral më të lodhur në botë edhe pse pothuajse komplet jashtë kohe dhe çdo ritmi.
Socialistët dhe “armiqtë” e tyre kishin nevojë për përballjen dhe të mësuarit me idenë se Shqipëria është dhe do të jetë pjesë e Perëndimit, dhe që kjo është histori pa kthim.
Tashmë jo sa për të larë gojën, por seriozisht.
Me fjalë të tjera, arritja më e madhe e Partisë Socialiste, PPSH-së së dikurshme, ishte se kryetari i saj një ditë mundi t’i mësojë parullën e riformuluar të idesë: E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA!
Përsëris, rëndësi dhe vlerë sot, ka që Partia Socialiste, si ish-PPSH e dikurshme, në këto zgjedhje, kishte sloganin që duhet të kishte përbrendësuar me kohë, riformulimin e idesë së Lëvizjes Demokratike të 1990-të: E DUAM SHQIPËRINË SI GJITHË EUROPA.
35 vjet më vonë u pranua, dhe tashmë më në fund, mendoj se shoqëria shqiptare mund të ndihet e bashkuar.
Por duhet të kujtoj, se pa rrëzimin e Partisë së Punës nga pushteti në vitet 90-të, kurrë nuk do të mund të hapej, as Shqipëria e as e ardhmja e popullit.
Kurrë nuk do të mund të hapej rruga drejt orientimit të kërkuar prej shekujsh, nga njerëzit qytetarë të këtij vendi, si dhe mbrojtësit tanë ndërkombëtarë USA dhe ‘Perëndim’ në krye, kavalierët e dritës që i dhuruan shqiptarëve botën e tyre, dhe botën e lirë shqiptarëve.
Si një mik më shumë në bashkësi, shteti i ri shqiptar ishte instrumenti i vetëm i ngritjes së dinjitetit njerëzor, të rënë dhe pothuaj të shuar, të një prej popujve më të vjetër në kontinent; shteti i mëvetëm, i pavarur, i cili u krijua dhe u njoh me shtysën dhe investimin e Fuqive të Mëdha në vitin 1920 në Ligën e Kombeve.
Nuk është për t’u habitur që më pas, ai popull i shtypur dhe i poshtëruar, për shekuj, të keqpërdorte dhuratën më të shenjtë dhe më të brishtë, siç është, LIRIA.
Në këtë rrugëtim jemi asistuar dhe asistohemi, dhe çmimet që do të paguhen, nga ata që pengojnë, udhën, do të jenë shumë të shtrenjta.
Një rekord komunistësh dhe bijsh e nipërish komunistësh që nuk di se nga i erdhën të mirat dhe kujt mund t’i takojnë më shumë si meritë, përveç se vetë fatit jetim që nisi rrugëtimin politik nga komunistët vetë, tek bijtë e tyre, politikanë sportivë apo fanatikë, gangsterë të moderuar apo kriminelë, flamurtarë antikomunizmi legjendar me apo pa dashje fshatarësie ish komuniste të kthyer antikomuniste, me Berishën në krye, ndihmoi partinë mëmë PPSH si PS, jo vetëm të ridimensionohej, por të shfaqej edhe si prijësja e integrimit perëndimor të Shqipërisë duke rrëmbyer rolin historik dhe funksionin elitar të lëvizjes së vetme politike që nisi nga poshtë në historinë e Shqipërisë, për të rrëzuar sundimin anti-perëndimor dhe anti-europian të vetë asaj fuqie të palosur në 1990-të.
Ndaj të gjithë do të donin të ishin dhe do të duan të jenë brenda asaj godine të re, SHQUP-it, përfshi Ramën e ri dhe të rilindur, që së shpejti me siguri do t’i shkojë Doktorit në zyrë për vizitë.
Vrojtimin ulëritës të Edi Ramës, dora vetë në vitin 90-të, asokohe thjesht si piktor pedagog, kur ngriti në alarm hallin se PD-në po e kryesonte një komunist, askush nuk e dëgjoi.
Por më pas, vetë ai me vizionin e tij të rrallë dhe personalitetin e tij unik, u gjend të drejtojë një parti kriminale, si asnjë parti tjetër në Europë, për peshën e sundimit të degraduar dhe të paprincip të Shqipërisë, të paktën post 1970-të.
Forca politike më gjakatare në Europë si mund të drejtonte një vend në liri? Drejtoi si dinte, me korrupsion dhe terror këtë herë jo politik, por ekonomik.
Çfarë ka ndodhur deri tani? Çfarë ka ndodhur sot? PS më në fund, është bërë zyrtarisht parti pro-Europiane, pro-Perëndimore.
Rama e shëroi PS-në ideologjikisht dhe u bë vetë për doktor. Kjo ndoshta do të jetë dhe do të mbetet arritja më e madhe e kësaj dysheje politike Rama-Berisha, në histori.
Ndaj, në paqe dhe qetësi mendoj se skena politike duhet ndihmuar prej nesh të bëhet pjesë e një pajtimi të munguar.
Politikanët ndoshta do e kenë vështirë të bien rehat dhe të gjejnë vendin që u takon, sidomos dy prestidigjitatorëve të vetëm, tashmë të lëvizshëm, të rikthimeve dhe rilindjeve madhështore.
Rama dhe Berisha, është e sigurt se do të mbijetojnë, BE ndërkohë, ndoshta edhe për pak nuk do të jetë më.
Koniunkturat politike nuk janë ato që ishin në 1990-të, dhe pritet të ndryshojnë akoma më tej në vijim, por politikisht më në fund PPSH e fërshëllimave ndaj Dritëro Agollit në sallën e Operës së sotme dhe të dikurshme, ka ardhur në vete dhe në vathë.
Ndoshta është koha që Shqipëria të kuptojë, të shihet dhe të shohë, të ndihet dhe të jetë pjesë dhe pjesëmarrëse si ‘Landmark’ në Europën Juglindore, i përpjekjeve komunikuese të bashkësinë reale kulturore dhe ekonomike të Botës së Lirë.
Kjo shkon përtej BE-së, PS-së, PD-së dhe cilësdo inercie BRICS, që fle në mendjet dhe zemrat e komunistëve, fundamentalistëve dhe nazistëve bashkë.
Por në realitetin që sot, pas rezultateve do të dalë, koha ka ardhur, dhe do të vijë, që “armiqësia” e dy palëve “politike”, të mbarojë.
Ndoshta, është koha për idenë e brendshme, të një tjetri intelektual të vlerësuar si mbështetës socialist, Rexhep Qosja, ai malësor nga Vuthaj i sipërm i Shqipërisë së epërme që printe dikur pa e kuptuar askush, ahere si në një nismë donkishoteske, ç’ishte, ç’kishte, ç’quhej e ç’mund të kishte qenë një: Pajtim Kombëtar.
PS dhe PD, traditën e tyre politike mbi kurrizin e këtij populli të varfër dhe të mjerë, si sundimtarë uzurpatorë, dhe vetëm si të tillë, do të duhet ta tejkalojnë pa ndihmesë të jashtme në vijim.
Meritë e Edi Ramës është dhe do të mbetet se më në fund nën drejtimin e tij, enveristëve dhe komunistëve të radhëve të partisë që drejton, iu desh të recitojnë vërtet sloganin orientimin e të cilit mendja dhe zemra e popullit shqiptar kërkoi në histori.
Por tjetër gjë – besoj se dhe vetë tashmë e dinë – nuk kanë arritur. Nuk kanë arritur asgjë dhe nuk janë askund.
Por në demokraci gjithçka rinis si rifillim.
Ky rifillim nuk ka më kuptim të jetë vijim i hakmarrjeve të Ramës ndaj Berishës; këtij të fundit, ndaj “socialistëve”, apo çdo bullshiti politik PD-ist post-92, që ka mbajtur nën tension artificial shoqërinë e kontrolluar nga dy organizata që deri dje, kontrollonin çdo gjë.
Shqipërisë së ardhme do t’i duhet të forcojë rendin e sigurisë për jetët, pronat dhe lirinë e qytetarëve të saj dhe të botës së hapur, tashmë, duke hapur lojën për mendimin e lirë, iniciativën e lirë, sipërmarrjen e pavarur, sidomos si në tregti, kulturë dhe biznes.
Mbështetja e institucioneve publike për shoqërinë nuk mund të jetë më barrë e ngjyrosur politikisht dhe e lidhur me krimin zgjedhor si kamxhik mbi ne.
Është koha që politikisht Shqipëria të kontribuojë për sigurinë e vetes, dhe të partnerëve për ruajtjen e orientimit të saj me vlerat dhe kërkesat që vëllazëria e kulturave ka dhe ruan me partnerët reciprokisht.
Dhe mbi të gjitha mbrojtja!
Mbrojtja e sigurisë dhe interesave kombëtare dhe aleate, që janë NJË dhe të njëjtat mes shqiptarëve dhe miqve tanë, themeluesve dhe njohësve të ekzistencës sonë si komb dhe shtet.
Besoj se këto nuk mund të ngatërrohen më nga politikanët shqiptarë.
Për këtë besoj se Rama dhe Berisha sot të paktën duhet të kenë një mirëkuptim. Dhe fjala këtu nuk është për ndonjë partneritet me “prestanome” në biznes.
Ky sqarim i ndërgjegjes dhe ndërgjegjësimit të plotë duhet të vijë tashmë nga këta dy aktorë politikë të kanë mbetur ende në lojë, si instrumente historikë.
Edhe pse përtej politikës, shumë politikanë shqiptarë, bixhozçinj fatesh dhe lotarish jete, do të mund të ishin shfaqur si sipërmarrës dhe do të mund të kishin qenë suksese të vërteta reale në afarizëm në Shqipëri, sot është koha që politikanët shqiptarë të mësojnë çdo të thotë politikë.
Dhe politike, është ajo gjë që mbetet më e sigurta, se Shqipërisë i lipset mbi të gjitha një ringritje shpirtërore e vërtetë dhe e thellë, të cilën politikanët shqiptarë, dhe aspirantët për pushtet, të cilitdo lloji sot, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë dhe nuk mund ta ofrojnë.
E sotmja kërkon ndërgjegjësim. Ndërgjegjësim është kur njerëzit marrin përsipër përgjegjësi si të mbështesin në mënyrë aktive bizneset e ndershme, sipërmarrësit seriozë, njerëzit e shpirtit, dijes, mendjes, kulturës, mediat e lira, personazhet dhe përpjekjet e vërteta, jo FAKE.
Ky do të jetë testi i fundit i këtyre dy politikanëve të plakur në pushtet.
Në historinë e njerëzimit, të çdo historie sipërmarrjeje dhe suksesi jetëgjatë, për të gjithë njerëzit, në gjithë anët e globit, figurat më të shquara të botës e kudo me radhë, për çfarë është parë, kaluar, tejkaluar dhe jetuar, ndodhur dhe njohur, i vetmi zhvillim real është mishëruar në zgjimin shpirtëror të brendshëm, ndërgjegjësimin, dhe pastaj më pas, gjithçka bekohet edhe me pasuri lumë.
Historia e vërtetë e njerëzimit është fryti i dhënë nga iluminimi i brendshëm në shërbim të jetës, jo plaçka e rrëmbyer me dhunë nga hajdutëria, intriga, dallaverja dhe mashtrimi.
Ndoshta, në këtë epokë të re do të dalin në dritë ata që do të mund të nxjerrin në sipërfaqe të manifestuar shpirtin dhe vetëdijen e zgjuar.
Ndoshta, të tjerë të rinj do të mund të jenë e vetmja shpresë se do të mund të ketë ndokënd mes nesh të aftë të orientojë shoqërinë drejt respektit për veten dhe tjetrin, jetën, natyrën, dhe gjithçka që jep materia, mendja, shpirti, drejt prodhimtarisë dhe krijimit.
Dhe shpresoj, që të njëjtin vullnet dhe qytetari e shfaqur nga njerëzit për demokracinë, të drejtën e shprehjes me votë, Shqipëria dhe politikanët e saj të dinë gjithnjë e më shumë ta shfaqin në çdo angazhim, vërtet si në një fillim të ri, i cili nis kur vetëdija, serioziteti dhe angazhimi qytetar kthehen në vëmendje.
Jo hakmarrja dhe revanshi, jo vetëm ambiciet e më të uriturve për pushtet, por gjithçka tjetër thelbësore që i thonë vetë jetë.
Rëndësi sot nuk ka kush do të fitojë, rëndësi ka si do të vihet në përdorim, pushteti i radhës. Tani, sot, PD dhe PS tashmë janë bërë realisht 1 bashkë me kryetarët e tyre, në kartë.
© 2025 Joni Shanaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi kopertinë është përfytyruar me Midjourney.
Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës
Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.