Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori

MINOTAUR

Në Shqipëri, të paktën që nga themelimi i shtetit, ka pasur dy forca që janë përplasur: ato pro-qytetërim dhe ato anti-qytetërim. Këto dy forca kanë marrë trajta të ndryshme në vite dhe dekada.

Në gjuhën popullore, këto forca mund të quhen pro-perëndimorët dhe anti-perëndimorët.

Forca qytetëruese, pro-perëndimore, ka qenë ajo që ka punuar jo vetëm për pavarësinë, por edhe për shkollimin dhe arsimimin e popullit, në mënyrë që shqiptarët të jenë një popull me dinjitet.

Forcat anti-qytetëruese, anti-perëndimore, kanë mbështetur gjithmonë dështimin e shtetit shqiptar, dështimin e institucioneve, të arsimit dhe, sidomos, të kulturës shqiptare, duke çuar në poshtërimin dhe kolapsin e shoqërisë dhe të popullit shqiptar.

Përgjithësisht, pjesa më e madhe e këtij krahu dikur përbëhej nga analfabetë, ndërsa sot përbëhet nga analfabetë funksionalë, sidomos sa i përket asaj që përfaqëson Perëndimi, pavarësisht se disa prej tyre mund të jenë shkolluar në universitete perëndimore. Për këtë ka ndihmuar jo pak edhe çorientimi i vetë Perëndimit, gjë që po del në pah sidomos kohët e fundit.

Si shqiptarë, na intereson se çfarë ndodh te ne. Por, tani që Shqipëria është shtet anëtar i NATO-s, kolapse të mëparshme nuk mund të ketë më. Në raste luftërash botërore, kur të gjithë luftojnë kundër të gjithëve, këto konfuzione duken si pasoja normale të kohës.

Herë pas here në Shqipëri, sidomos në momente kapërcimesh historike, në faza ndarjesh periudhash, krijohen konfuzione. Tranzicioni që ende jemi duke kaluar krijoi çaste hutimi që u përpoqën dhe ndoshta ende përpiqen, si gjithnjë, të ngatërrojnë akte të ndryshme me njëri-tjetrin dhe aleanca të ndryshme me njëra-tjetrën.

Por, në tërësi, nëse shohim historinë e Shqipërisë, ka rrezik që konfuzione momentale të mbeten të përhershme sidomos për fragmente kohore, në mos të kthehen në “patterns”.

Këtu, imazhi i shqiptarëve për veten, për njëri-tjetrin, për tjetrin, për këtë apo atë tjetër, apo i të tjerëve për shqiptarët, mund të bëhet gjithnjë e më lëmsh dhe, si përfundim, të nxjerrë nga labirinti i konfuzionit historik jo më Tezeun, por Minotaurin vetë.

Ndaj mendoj se secili prej nesh ka përgjegjësinë e vet në kohë ndryshimesh, pasi nuk mund të presim përjetësisht që gjithçka të rregullohet nga të tjerët, duke peshuar djemtë më të mirë me flori.

Na duhet për këtë të paktën që, herë pas here, të rikujtohemi për atë që quhet AGENCY e jona dhe e popullit tonë vetë. Vullneti ynë i lirë si europianë, me historinë tonë, të botës.

Në këtë drejtim roli i artit, kulturës dhe sidomos kinematografisë, në bindjen time, arti vizual, pra, piktura, skulptura, letërsia dhe, përgjithësisht, kultura shqiptare gjatë kohës së komunizmit, veçanërisht kinematografia shqiptare si prodhuese kryesore e imazhit, sidomos për veten mes shqiptarëve, ka luajtur një rol të dyfishtë.

Në sytë e vetes, ajo krijoi një imazh të ri, të universalizuar të shqiptarit, pavarësisht përmbajtjes politike të filmave. Përmes talentit individual të krijuesve dhe aktorëve shqiptarë, kinematografia arriti të krijonte një imazh europian dhe universal tek shqiptarët për veten.

Arti, muzika, filmi etj. kryen, nën syrin vëzhgues të terroristëve shtetërorë në Shqipëri, një “rezistencë”.

Fati e deshi që ‘rezistenca’ qytetare shqiptare të kishte një vend ku të strehohej shpirtërisht, dhe kjo ishte Italia.

Rol të natyrshëm ka pasur për këtë afërsia fizike, gjeografike, por edhe shpirtërore dhe njerëzore me Italinë, ashtu si edhe me ata pak emigrantë të vjetër të mbetur përtej oqeanit, në Amerikë.

Por çdo shqiptar edhe ai që e ka harruar e ka detyrë ta dijë në çdo kohë se gjithçka e kryer në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, që nga shtrimi i hekurudhave, zhvillimi i industrisë, i arsimit dhe i institucioneve, përfshirë zhvillimin e sektorit të naftës, minierave, elektricitetit, energjisë, shëndetësisë dhe bonifikimit, ka nisur nga projekte italiane, të filluara që në vitet ’20.

Këto projekte vazhduan deri pas pushtimit të vitit 1939, por, për shkak të luftës, patën ndërprerje si investime. Ndoshta edhe italianët e dinin se kërkesa popullore ishte për zhvillim dhe iu përgjigjën asaj për interesat e tyre. Por fakt është se të gjitha planet dhe studimet ishin italiane, ato të cilat më pas u përvetësuan nga komunistët dhe, mbase, me mbështetjen e bllokut lindor, si ndihma, borxhe apo kredi, u kryen.

Pavarësisht se sa para arriti të merrte hua apo të vidhte Shqipëria staliniste në vitet ’50 nga Bashkimi Sovjetik apo nga Kina në vitet ’70, projektet dhe idetë e realizuara për modernizimin e Shqipërisë kanë qenë vetëm italiane.

Shqiptarët patjetër shtuan më tej gjëra të reja, por të parat ishin vetëm italiane. Për këtë, komunistët kanë gënjyer, duke e përvetësuar projektin e zhvillimit të vendit si ide të tyren.

Fatkeqësisht, agresioni i shtetit fashist të Mussolinit ndaj Shqipërisë u përdor më pas nga nomenklatura e diktaturës për të nxirë imazhin e Italisë dhe italianit, duke e lidhur me traumat që shkaktohen pashmangshmërisht në çdo luftë.

Komunistët përvetësuan blueprintet e asaj që gjetën gati prej italianëve, njësoj siç përvetësuan florinjtë e borgjezëve, pronën dhe vilat italiane, ku u futën të jetonin vetë brenda Bllokut.

Disa patriotë shqiptarë, përfshirë Zogun, nuk mund të pranonin aneksimin dhe humbjen e pavarësisë së Shqipërisë, as rendin fashist të vendosur me dhunë. Disa të tjerë e panë ardhjen e Italisë si shpëtim për të zhdukur shtresën e bejlerëve anadollakë.

Por kjo fazë e historisë përfundoi për vetëm katër vjet, nga 1939 deri në 1943, kur fashizmi kapitulloi dhe italianët vetë i dhanë fund shtetit të tyre totalitar, ashtu si shqiptarët i dhanë fund bejlerëve injorantë dhe analfabetë në 1924, me Nolin në krye.

Italia pati po aq partizanë dhe antifashistë sa ndoshta e gjithë Europa Perëndimore bashkë me Shqipërinë. Disa nga ata djem u bënë më pas autorët kryesorë të filmit italian, si Rossellini dhe De Sica, duke ndikuar në shkëputjen konceptuale të kinematografisë nga filmat “me telefona të bardhë” në art jetësor, të vërtetë dhe realist.

Këta regjisorë ndikuan kinematografinë amerikane dhe atë të gjithë botës, dhe filmat e tyre shfaqeshin edhe për kineastët në Shqipëri.

Kinematografia shqiptare nga ana tjetër, në rolin e saj të dyfishtë, si me porosi të veçantë, nxiu djallëzisht imazhin e “italianit”, duke e barazuar fashistin me italianin dhe, rrjedhimisht, me politikën kolonizatore perëndimore.

Kjo ndërthurje malinje i shkonte për shtat kontekstit post-kolonial të zhvendosur dhe mbivendosur në Shqipëri.

Komunistët transferuan luftën çlirimtare, patriotizmin, antifashizmin botëror dhe shqiptar, me revolucionin proletar, anti-kapitalist dhe anti-perëndimor.

Teknika e përdorur për këtë manipulim quhet teknika e fajit për shkak të asocimit, ku një person, grup ose ide lidhet me një tjetër që shihet negativisht, për të dëmtuar reputacionin e tij.

Për shembull: nga Italia doli fashizmi; fashizmi pushtoi Shqipërinë; Shqipërinë e pushtoi Italia; italianët janë fashistë; italianët janë pushtues; italianët janë europianë; italianët janë perëndimorë; pra, europianët dhe perëndimorët janë pushtuesit e Shqipërisë.

Komunistët e përdorën në mënyrë të përsosur këtë teknikë, duke e shoqëruar me terror.

Por në kohën kur Shqipëria komuniste luftonte “imperializmin”, dhe në fakt, injektonte një ndarje jo natyrale me Italinë, gjithçka e krijuar në kohën e komunizmit paradoksalisht e mori çdo frymëzim po nga Perëndimi.

Filmi shqiptar e shpreh më mirë se kushdo këtë paradoks të fatit historik.

Në përmbajtje, ka diferenca dhe detaje që i shpëtuan censurës së terrorit shtetëror, pikërisht sepse ndonjëherë ato ishin shumë të guximshme për t’u deklaruar si armiqësore.

Ka natyrisht eksese të mëdha në kinematografinë komuniste që reflektojnë zhvillimin intelektual, emocional, shpirtëror dhe politik të shqiptarëve, por kjo vlen për të gjitha kinematografitë e vjetra.

Në vijim “tradita” anti-imperialiste, e vendosur në komunizëm, çuditërisht vazhdoi në Shqipëri, indirekt pas ndryshimit politik, duke u përzierë me ç’mund të kishte mbetur nga reminishenca dumbabiste, me një lloj mbeturine organike pro-fashisto-naziste të palëve të tmerruara nga terrori komunist me apo pa lidhje, me ish-fashistët apo nazistët lokalë shqiptarë.

Ndërkohë, politika zyrtare natyrisht ndoqi formalisht vullnetin e shumicës ultra pro-perëndimore dhe pro-amerikane të popullit, gjë që e dëshmojnë shifrat e shqiptarëve që kanë emigruar në Perëndim, si referendum popullor për modelin e jetës që duam për vete dhe fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë.

Por, paralel me zhvillimet normale personale dhe familjare të integrimit natyral tonit me Europën dhe SHBA, çuditërisht, pas vitit 1990, kur shqiptarët menduan se dyert e Perëndimit do të ishin të hapura, doli gradualisht në skenë kultura ‘woke’ dhe ‘cancel culture’ anti-perëndimore nga vetë Perëndimi.

Në emër të diversitetit dhe përfshirjes, Perëndimi u shpall kriminel, kolonialist, fajtor dhe përgjegjës i përjetshëm për gjithë hallet e planetit. Bota e tretë tashmë do të kishte përparësi, madje me diskriminim pozitiv, dhe të ishe perëndimor tashmë konsiderohej faj.

Nga ana tjetër, si në anën tjetër të medaljes “së nderit” të Shqipërisë, që prej frymës dhe frymëzimit perëndimor sakrifikoi gjithçka për të rrëzuar komunizmin më radikal në Europë, brenda Shqipërisë, pas ndryshimit politik të 90-tës, çuditërisht, bashkë me anti-komunizmin, u shfaq në mënyrë eluzive gjithnjë e më shumë një frymë anti-perëndimore që nuk ishte, nuk vinte e as buronte, nga shqiptarët.

Kjo frymë u shfaq e kamufluar fillimisht si kritikë ndaj komunizmit dhe, brenda kësaj kritike, u godit tinëzisht imazhi urban i ngritur gjatë komunizmit, si rezistencë urbane ndaj shtetit të terrorit, pikërisht nga pjesa qytetare dhe më e emancipuar e shoqërisë.

U godit kështu çdo lloj rezistence qytetare urbane dhe underground gjatë sistemit, duke u njësuar djallëzisht me “shërbimet ndaj sistemit”.

Kjo jo vetëm nuk është e vërtetë, por ështe falsifikimi ndoshta më i madh, malinj dhe shfytyrues i historisë sonë të jetuar, sajuar sy për sy nga kushedi çfarë iluzionistësh të padukshëm, pasi revolta për hapjen e Shqipërisë u krye pikërisht nga studentët, inteligjenca dhe qytetarët urbanë të qyteteve kryesore.

Anti-komunizmi, ku bashkë me liberalët përfshiheshin edhe ideologji ekstremiste të shtypura në komunizëm, pretendoi nihilizëm të skajshëm, duke ngritur akuza anti-kombëtare, dhe duke mohuar qasjen perëndimore të rezistencës urbane qytetare, bashkë me prishjen e pyjeve, shkatërrimin e kanaleve ujitëse, dobësimin e seriozitetit të shtetit dhe, mbi të gjitha, përvetësimin dhe vjedhjen e hapur të pronës private dhe publike.

Agresioni i linjës terroriste komuniste, i implementuar nga PKSH/PPSH në Shqipëri ndaj popullit, u përdor më pas, habitshëm, nga “anti-komunistët” për të nxirë imazhin e gjithçkaje shqiptare.

Përsëri, kinematografia dhe filmi shqiptar u bë arena ku ky fenomen do të shfaqej në mënyrë fenomenologjike.

Jo vetëm kinematografia shqiptare e pas 90-tës u kthye në zëdhënëse të zvetënimit të qytetarisë në Shqipëri, por mbi të gjitha këtë punë e bëri bën më së miri, me dhjetë të djallosur me brirë, filmi i huaj që u xhirua dhe xhirohet me Shqipërinë e bukur apo të nxjerrë shëmtuar si lokacion, me ose pa shqiptarin personazh.

Në të kundërt nga çfarë reklamohet dhe që mund të ishte teorikisht intuitivisht e drejtë si sipërmarrje dhe aktivitet kulturor në shërbim të vendit dhe ekonomisë, vitet e fundit, imazhi i shqiptarit në kinematografi është pikërisht ai që mund t’i ketë interesuar vetëm armiqve më të regjur të shqiptarëve.

Shqiptari klasifikohet si qenie pa ndërgjegje, pa moral, pa etikë, pa qytetërim, pa vlera shoqërore, vrasës gjakftohtë, tradhtar, idiot, kafshë dhe i lig.

Për më tepër, dyert janë hapur për produksione shumë të dyshimta, të cilat orientohen të përdhosin gjithçka shqiptare, dhe më tej edhe europiane, dhe perëndimore, duke goditur gjithçka, dhe diçka gjithmonë thelbësisht shqiptare.

Por goditja ndaj Shqipërisë tani nuk është më një goditje lokale. Si vend i NATO-s, Shqipëria dhe çdo goditje ndaj ndërgjegjes së saj, në cilindo plan të nënvetëdijes ku operon filmi dhe kinematografia, është njëkohësisht edhe sulm ndaj një trashëgimie të vjetër europiane.

Kohët e fundit, vetë filmi shqiptar shfaqet si shëmtirë. Kjo, të paktën deri në fillimin e viteve ’90, nuk kishte ndodhur.

Dalja pa pushim e filmit shqiptar që përdhos shqiptarin, dhe atij të huaj që ka personazh shqiptarin akoma më shtazor, pra të gjithë ne bashkërisht, duke na shfaqur si surratnxirë, pa asnjë etikë humane, hajdutë dhe vrasës, është një vetëvrasje e vazhdueshme në imazh, e cila as është analizuar saktë dhe as i është dukur ndokujt se ndoshta duhet t’i kërkohet autorësia.

Personaliteti i njeriut lidhet ngushtë me imazhin e njeriut për veten dhe, rrjedhimisht, me marrëdhënien që krijojmë me veten dhe tjetrin.

Memoria historike e shqiptarëve, në luftën të paktën 100-vjeçare për ndarjen nga feudalizmi drejt modernitetit, përkon me datën e pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë rrugëtim, të paktën që para dhe pas themelimit të shtetit, nga Rilindja Kombëtare është folur dhe punuar për ndërgjegjësimin e shqiptarit.

Dy forcat që janë përplasur, ato pro-qytetërim dhe ato anti-qytetërim, ato pro-perëndimore dhe anti-perëndimore, për vite me radhë kanë qenë çështje të vetëdijes dhe ndërgjegjes individuale, borgjeze dhe qytetare, herë religjioze, në planin shpirtëror sa personal aq dhe universal; në anën tjetër, në formë laike, herë shekullare apo ateiste, një ndërgjegje kombëtare.

Shqipëria nuk ishte vend që vuante nga plagët e kolonializmit perëndimor dhe nuk ka qenë kurrë një vend i tillë, por është një vend europian që vuan ende plagët e një lloj kolonializmi tjetër, të cilin perëndimorët nuk e njohin dhe nuk e kanë provuar në kurriz.

Nëse kështjella e fundit e rezistencës anti-imperialiste dhe fanari ndriçues komunist në botë ishte Shqipëria për “çjerrjen e maskës” kapitaliste, tani po kjo Shqipëri mund të jetë e para në të kuptuarit se ç’është shtrirja e kolonializmit lindor drejt Europës, pasi i ka jetuar të gjitha.

Lojërat nacionaliste, pseudo-sovraniste, të fshehura pas anti-amerikanizmave europiane, nuk janë pjesë e qytetërimit tonë, por janë të shtyra nga axhenda kolonizuese lindore.

Qëndrimi real ndaj artit, kulturës, trashëgimisë kulturore dhe kinematografisë shqiptare, i institucioneve publike të artit, edukimit dhe informimit kulturor dhe shoqëror të shqiptarëve, të drejtuar nga politika, do të jetë testi final për sa vlen ekzistenca e kësaj të fundit.

Historia e Shqipërisë nuk do të falë askënd që tenton të hutojë në labirinte identitare përkatësinë identitare, shoqërore, kulturore, estetike, kozmologjike, metafizike dhe fetare me çfarë shqiptarët shohin, njohin, duan, çfarë nuk shihet dot, por dihet, ndjehet në zemër, është e lirë, është sinkretike, e hapur dhe lëmsh mund të jetë, por lëmsh drite.

Qytetërimi antik, mbi rrënojat e të cilit kemi qytetet, fshatrat, kokën dhe këmbët, ai qytetërim që Europa Perëndimore përfaqësoi shekujt e shkuar dhe që Amerika përfaqëson, mbron dhe jeton me shembullin e vet si shtet federal, nuk imponon asgjë tek partnerët e tij.

Por, nëse partnerët kërkojnë ndihmën dhe mbrojtjen e tij, bashkëpunim dhe miqësi me të, ai qytetërim të vendos përpara të njëjtave sfida që vendos edhe veten, shpirtërisht.

Sfida e tij është: a ke ti forcë dhe takat të respektosh vlerat e një qytetërimi që shkon përtej territorialitetit fizik dhe përkufizimit kohor të një shteti apo një bashkësie shtetesh?

A do të jesh ti kontribues, në këtë proces të përbashkët aleatësh, apo sabotator?

Këtu Shqipëria nuk mund të jetë vetëm një shtet tampon. Siguroj se shenjat e para, për se cilin drejtim ka marrë apo dëshiron të ndjekë politika shqiptare, nuk do ta përcaktojnë numrat në kapela të vjedhura amerikane, por do të përcaktohet jetëgjatësisht nga çfarë do të ndodhë me krijimtarinë, novacionin dhe frymën e lirë krijuese të autorit shqiptar, zhvillimit apo rrënimit të personalitetit të tij, e të saj, dhe pozicionit të tij e të saj, në shoqëri.

Arti dhe kultura, deri më sot, në Shqipërinë e tranzicionit si mjete për të kultivuar elita shqiptare pro-perëndimore, pjesërisht kanë dështuar.

Fatkeqësisht, arsimi, si brenda dhe jashtë vendit, ka kontribuar në formimin e elitave woke, të prekura nga fryma kolonizatore anti-perëndimore.

Vitet e fundit, pas viteve ’90, kjo ka qenë një thikë pas shpine ndaj trashëgimisë së Rilindjes dhe patriotizmit shqiptar.

Por askujt në Shqipëri nuk i intereson se cilat fuqi kërkojnë dominim mbi territorin shqiptar. Ajo që i intereson çdo shqiptari është zhvillimi dhe përparimi i vendit drejt vlerave të vendosura nga qytetërimi ynë i përbashkët, perëndimor.

Vlera e parë është kundër-terrorizmi. Antiterrori! A ka njeri dyshim se cilën anë do të mbajnë shqiptarët, pro apo kundër terrorizmit botëror? Nuk besoj se ka ndokënd që vë në dyshim ku qëndron populli shqiptar.

A janë të vetëdijshëm politikanët shqiptarë dhe elitat e shkolluara me frymë anti-perëndimore se, duke sabotuar imazhin e vetes dhe të Shqipërisë, mbështesin terrorizmin anti-perëndimor dhe rolin kyç që mund të luajë Shqipëria dhe shqiptarët në betejat e mundshme të ardhshme globale?

A e kuptojnë se duhet të tregojnë me forcë simbolikisht pareshtur se cilën anë mbajnë? Këtë unë nuk e di, por di se shumë shpejt do ta mësojmë.

 

(c) 2025 Joni Shanaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin