Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Narratologji

SERIALET TV, EPOSI LEGJENDAR, POLITIKA

Serialet televizive – aq popullore vitet e fundit – dallojnë mes tyre edhe nga mënyra si rrëfejnë: ka seriale të mirëfillta, të cilat nyjtohen si të ishin romane ose filma vërtet të zgjatur, por koherentë, ku ndodhitë shtjellohen në lidhje organike mes tyre –për shembull, Game of Thrones; ka edhe seriale procedurale, ku çdo episod qëndron më vete. Në të dyja llojet, janë personazhet e njëjta që e mbajnë bashkë rrëfimin; por në serialet procedurale këtyre personazheve – për shembull një grupi detektivësh – u ndodh diçka e re, në çdo episod, pa lidhje me çfarë u ka ndodhur në serialin e mëparshëm; kjo gjë e re mund të jetë një krim, të cilit i duhet zbuluar autori. Te Game of Thrones ka rëndësi kritike, për serialin, që personazhi “ta mbajë mend” se çfarë i ka ndodhur në episodin e mëparshëm, sepse çdo episod i ri presupozon që shikuesi ta ketë parasysh çfarë tashmë ka ndodhur. Edhe në seriale me fabul tejet komplekse, si soap operas, vijueshmëria kërkon që një personazh që ka qenë, ta zëmë, i fejuar deri më tash, të mos shfaqet sërish si single, pa ia sqaruar shikuesit se si ndodhi pikërisht, që ky e humbi të fejuarën. Madje kjo nevojë për vijueshmëri të rrëfimit i bën soap-et të shemben nën peshën e tyre narrative, sa kohë që gjithnjë duhet përligjur shfaqja e një personazhi të ri, e një vëllai a një motre të humbur, e babait “të vërtetë”, a e një fëmije jashtë kurorës; personazhet e reja vijnë me historitë e tyre, të cilat duhen integruar njëfarësoj në historitë ekzistuese. Përkundrazi, në një serial procedural mjaftohemi të shijojmë personazhin tonë të preferuar në përballje me sfida gjithnjë të reja, pa e vrarë mendjen për “harkun” e historisë së tij personale – gjë që ndodh shpesh në seriale edhe të animuara për fëmijë, që rrëfejnë aventurat e këtij apo atij “heroi”. Ka pastaj edhe modele mikse, si The X-Files ose Fringe (ose edhe sit-com-e si Seinfeld), me shumë episode që ndjekin modelin procedural, të llojit “monster of the week”, ku Moulder dhe Skully rreken të sqarojnë një krim veçanërisht të pashpjegueshëm; por të ndërthurura me episode të llojit “mitologjik”, ku çohet përpara një narrativë e një lloji tjetër, e ndërtuar mbi çfarë ka ndodhur tashmë, ose në mënyrë kumulative. Episodet e llojit “monster of the week” shtjellohen në pavarësi nga renditja që kanë, ndërsa tek të dytat renditja është kyç.[1]

Më është dukur me interes ta zbatoj këtë model analize te cikli i Këngëve të Kreshnikëve, i cili mund edhe të shihet si një serial televiziv i çlirët, ku rrëfehen bëmat e një grushti heronjsh, mes të cilëve spikatin Muji dhe Halili[2]. Dhe pikërisht, kam pyetur nëse një personazh si Muji, i përfshirë në një varg dyluftimesh legjendare me kreshnikë të palës tjetër, “i mban mend” armiqtë që ka mposhtur – me fjalë të tjera, a luan ndonjë rol në përleshjen e tij me Behurin përleshja që ka pasur me, të them, Pajin Harambash; ose e kundërta. Ndryshe nga një serial televiziv, Cikli nuk ka ndonjë rend sipas të cilit duhen rrëfyer episodet e ndryshme, në kuptimin që nuk është e qartë nëse dueli me Behurin ka ndodhur më parë apo më pas duelit me Pajin, gjë që i jep rrëfimit natyrë rreptësisht procedurale. Nga ana tjetër, disa episode – si ai ku rrëfehet takimi i Mujit me Zanat dhe historia e “fuqizimit” të tij –duhen rrëfyer para të tjerëve, ose të paktën duhen mbajtur parasysh nga audienca, sepse ato shpjegojnë karakteristika themelore të Mujit. Përkundrazi, vëllai i Mujit, Halili, e ka më të varfër “biografinë” si personazh – në shumë këngë ai shfaqet si personazhi që rrëmben të bijën e kralit, ose me të cilin kjo bijë e kralit “dashurohet”; por po të llogaritësh numrin e “çikave” që ka rrëmbyer Halili dhe pastaj i ka marrë për gra, llogaria nuk del mirë; dhe nga ky këndvështrim do të themi se martesa e Halilit me Tanushën nuk është e lidhur organikisht me aventurat e Halilit në këngë të tjera. Ngjashëm, ka në cikël këngë kushtuar dekës së Mujit dhe dekës së Halilit, por këto nuk rrëfehen detyrimisht në fund dhe as mund të konsiderohen si mbyllje të rrëfimit. Gjithë duke mbajtur parasysh se Cikli i Kreshnikëve i përket kulturës orale, duket sikur organizimi narrativ i këngëve i përket llojit procedural, meqë njëra këngë lidhet me tjetrën kryesisht dhe si rregull ngaqë atje rrëfehet për të njëjtët personazhe, por pa qenë e nevojshme për audiencën të mbajë mend se çfarë i ka ndodhur Mujit, Halilit apo Zukut Bajraktar në një këngë tjetër.

Kjo e kujtesës së personazhit është karakteristikë themelore e rrëfimtarisë së shkruar; në një roman, personazhet i përfton jo vetëm emri që nuk u ndryshon nga një kapitull në tjetrin, apo veprimet që bëjnë a fjalët që thonë, por edhe presupozimi – prej lexuesit – se, brenda botës diegjetike, këto personazhe i mbajnë mend gjërat që kanë bërë e që kanë thënë. Po ashtu, në një serial televiziv klasik, personazhet i përfton jo vetëm fakti i një personazh të caktuar e luan i njëjti aktor, nga një episod në tjetrin dhe nga një sezon në tjetrin, por edhe kujtesa; nëse një personazh ka një të dashur në episodin 12 dhe nuk e ka më në episodin 13, atëherë shikuesit kjo i duhet shpjeguar. Koherenca e mban narrativën në këmbë, në nivelin elementar, sa kohë që kujtesa për çfarë ka ndodhur bëhet pjesë e personazhit dhe e shoqëron atë, në përballjet dhe sfidat e ardhshme.

Më se një herë, më është dashur t’i kthehem me interes një pasazhi te Stavro Skëndi, ku ky përmend një rast të rrëfyer nga Koliqi, i cili e pyeti njëherë rapsodin Vuksan, nga Boga, se kush ishte tamam Muji, dhe rapsodi iu përgjigj: “Nuk kishte vetëm një Muj; në kohët e vjetra emri Muj i vihej çdo burri të fortë.” Në narratologji, personazhe të tilla i quajnë ndonjëherë funksionale. Edhe për gruan e Mujit, Ajkuna (Ajka, Hajkuna, Kuna) e cila në motërzimet sllave të Ciklit prezantohet haptazi si boshnjake myslimane ose turke, ka studiues që mendojnë se është funksionale si personazh dhe ka lidhje me rregullsitë stilistike të paracaktuara të këngëve, jo me ndonjë personazh historik të dhënë.[3] Këto lloj personazhesh vijnë të gatshme në rrëfimin e rapsodit, si të ishin përemra për t’u mbushur me kuptim në momentin kur përftohen.

Nëse tani i mendojmë edhe zhvillimet politike si një lloj cikli narrativ epik, të organizuar rreth bëmave të pak politikanëve “heronj” funksionalë dhe të rrëfyer nga rapsodët e mediave, mund ta zbatojmë modelin e mësipërm të analizës edhe ndaj serialit që na shfaqet dita-ditës, duke pyetur se cilin model ndjekin gjestet, bëmat dhe heroizmat e protagonistëve të politikës – modelin serial të mirëfilltë, ku çdo ngjarje e re ndërtohet mbi çfarë ka ndodhur më parë, apo modelin procedural, ku ngjarjet e ndryshme, në kohë dhe në hapësirë, i lidh me njëra-tjetrën thjesht prania e të njëjtit personazh, me të njëjtin emër dhe të njëjtën fytyrë. Çelësi për t’i dhënë përgjigje gjëzës, është të shihet nëse personazhet politikanë, ashtu siç shfaqen në skenën publike, e “mbajnë mend” veten e tyre dhe ato që kanë bërë e kanë thënë në të kaluarën. Për shembull, duke pyetur nëse politikani i përfshirë në fushatë elektorale, që premton se po të vijë në fuqi do të ndërtojë këtë apo atë rrugë, këtë apo atë hekurudhë a linjë tramvaji, apo do të heqë këtë apo atë taksë, a e mban mend se është i njëjti personazh me atë që i pat bërë këto premtime, të themi, edhe para 10 vjetësh. Po të gjykosh nga fact-checkers që ndonjëherë ende i ndjekin këto gjëra, duket sikur politikanët, në situata të tilla, i përkasin atij zhanri narrativ ku kujtesa nuk luan rol – dhe ashtu presin që të mos luajë rol as për publikun e tyre. Kjo do ta bënte fushatën elektorale më të afërt me serialin procedural, i cili e tërheq publikun falë personazheve që ia sjell në ekran çdo javë, pa u shqetësuar dhe aq për ndërtimin dhe evoluimin e këtyre personazheve. Teksa kjo lloj amnezie i shndërron premtimet e fushatës në formula performative, të llojit “t’u bëftë dita një mijë”, të cilat askush nuk i merr literalisht, dukuria e afron edhe vetë aktivitetin politik publik me epikën popullore, ku ngjarjet nuk janë veçse zgjedhime foljesh, që kanë për kryefjalë protagonistët heronj që shqiptojnë formulë pas formule; tek e fundit, edhe politikanët vetë kanë më shumë interes të njihen e të identifikohen si “ai që do të ulë taksat”, se si “ai që pat premtuar uljen e taksave”. Koha e shkuar gjithnjë fton për verifikime.

Idealja në rrethana të tilla, si për kreshnikët e politikës ashtu edhe për rapsodët e tyre, do të ishte që publiku të mësohej – një herë e mirë – me idenë se rapsoditë elektorale nuk kanë ndonjë koherencë të spikatur mes tyre dhe se historitë e rrëfyera janë thjesht në shërbim të riprodhimit dhe të kultit të personazheve heronj. Në mendësinë orale, e cila i përvetëson ngjarjet dhe bëmat si të ndodhnin në momentin e tanishëm, premtimi dhe realizimi i premtimit qëllon që të përkojnë a të jenë e njëjta gjë, sa kohë që vijnë prej të njëjtit personazh të njohur; aq më tepër që në një kontekst të përbërë vetëm nga fjalë të përcjella me lahutë, fjalët janë edhe ato që e krijojnë botën.

 

© 2025 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është krijuar me Midjourney. Ky shkrim është botuar më parë në substack-un Menditime.


[1] Këtu nuk po përmend produksione si Black Mirror, që kanë strukturë antologjike.

[2] Në fakt, janë narrativat seriale, në letërsi a në TV, që e kanë origjinën nga rrëfimet popullore; por këtu nuk po flas për origjina.

[3] Amila Buturović, İrvin Cemil Schick, në Women in the Ottoman Balkans: gender, culture, and history, Bloomsbury Academic, Sep 26, 2007.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin