Ndesha sot në një citat nga Carl Sagan-i, që më bëri të mendoj:
“Por fakti që me disa gjeni kanë qeshur, nuk do të thotë se të gjithë ata, me të cilët kanë qeshur, janë gjeni. Kanë qeshur me Kolombin, kanë qeshur me Fultonin, kanë qeshur me vëllezërit Wright. Por kanë qeshur edhe me Klounin Bozo.”
E dëgjoj të sillet, herë pas here, argumentin se “… edhe me Einstein-in…”; me fjalë të tjera, që idetë e mëdha në shkencë dhe në teknologji ndeshin gjithnjë rezistencë të madhe, madje priten shpesh me të qeshura dhe hilaritet.
Kjo është e vërtetë, sa kohë që sistemet e dijes (ose “paradigmat”) priren që të mbrohen ndaj subversionit epistemologjik – ose ideve të tilla që mund jo vetëm t’i kundërshtojnë por edhe t’i rrëzojnë krejt, po të jetë se kanë ndonjë bazë ose kuptim.
Por nga kjo e vërtetë nuk rrjedh gjë, siç e shpjegon edhe Sagan-i më lart, se të gjithë ata, të cilëve idetë e reja u priten me hilaritet, janë gjeni. Në më të shumtën e herëve, idetë përmbysëse, tejet ambicioze ose të tilla që ta revolucionarizojnë shkencën ose dijen janë thjesht pa bazë, marrëzira, sajime dhe budallallëqe (të tilla janë konsideruar hipotezat e Gavin Menzies-it, që ky i ka parashtruar në një numër best-seller-ësh, në fillim të viteve 2000).
Përballë çdo Einstein-i, dalin me qindra të krisur, çdo vit, që duan ta hedhin poshtë teorinë e relativitetit (qoftë specialen, qoftë të përgjithshmen).
Argumenti se “ju qeshni me mua, ergo teoria ime do t’ju japë dërrmën” është megaloman, përveçse nuk është argument fare.
Pa dyshim, mes atyre qindra dhe mijëra njerëzve, ca të ditur ca të paditur, ca profesionistë ca amatorë, ca të fushës e ca të malit, do të dalë dikur njëri që të ketë të drejtë. Edhe me këtë do të qeshin në fillim, por me kohë do të fillojnë t’ia kuptojnë gjenialitetin.
Ndesh, në historinë e shkencës, të dijes dhe të teknologjisë në dëshmi rastesh kur dijetarë kanë sugjeruar gjëra të reja, shumë përpara kohës së tyre, dhe propozimet e tyre nuk kanë ngjitur, sepse establishmenti i kohës nuk i ka pranuar. Dija e organizuar, akademia (me kuptimin academia, jo The Academy), institucionet universitare seleksionojnë vetvetiu për personalitete të tilla që të ruajnë arritjet dhe të kujdesen që t’i riprodhojnë, gjithë duke u kujdesur, njëkohësisht, që të mbrojnë e të riprodhojnë institucionet vetë; duke dekurajuar vënien në dyshim dhe marrjen në pyetje të paradigmave vetë.
Këtë e provon edhe historia e shumë zbulimeve të mëdha, teorike dhe praktike; por edhe e shpikjeve të tilla që ia kanë ndërruar botës faqen.
Ka pra një kontradiktë mes nevojës për ta mbrojtur dijen nga padija dhe anti-dija nga njëra anë, dhe nevojës për t’ia mbajtur derën të hapur progresit; të cilën e shfrytëzojnë naivët, të paditurit, sharlatanët dhe paranojakët, për t’u bërë vend megalomanive dhe paranojave të tyre.
Një gjeni i mundshëm duhet ta dijë edhe se do të ndeshë rezistencë të madhe nga establishmenti dhe institucionet; aq sa do t’i duhet të tregojë të paktën talent të pazakonshëm edhe për t’u përballur me këtë sfidë tjetërlloj.
Por zor se mund të nxjerrësh seriozisht, nga kjo rregullsi si me thënë “historike” në progresin e shkencës, të dijes dhe të teknologjisë, përfundimin moral se çdokush që troket në dyert e një institucioni, me një teori rrënjësisht të re, meriton të pritet si gjeni potencial.
Gjasat janë shumë të larta që personi që pretendon të thyejë paradigmën të mos jetë tjetër, veçse një crackpot – kështu i quajnë në anglisht, me një epitet që mund të përkthehet vërtet si “i krisur”, por që nuk e ka konotacionin e fjalës në shqip.
Unë crackpot-ët do t’i përkufizoja në bazë të ambicies së teorisë ose modelit ose shpikjes që propozojnë – për shembull, një model të ri të universit (p.sh. universi hologram), një teori krejt të re të origjinës së gjuhës, ose një makinë të llojit perpetuum mobile, ose një motor që punon me ujë.
Karakteristikë e këtyre është edhe rezistenca e ekzagjeruar ndaj argumentit kundër.
Kam parë, të paktën në SHBA, që bëjnë zakonisht dallim mes një crackpot-i, p.sh. dikujt që mbron idenë se bota reale nuk është veçse simulim në një kompjuter; dhe një të marri (ose sharlatani) që thotë se toka është e sheshtë: të parit nuk i mungon ekspertiza në fushën përkatëse (përkundrazi), ndërsa i dyti shpesh është i pazoti edhe që të kuptojë se çfarë thotë nuk ka kuptim. Në biologji konsiderojnë si crackpot Rupert Sheldrake-un; në gjuhësi Nikolai Marr-in dhe tani vonë Martin Bernal-in e Athinës së Zezë; në historiografi Anatoli Fomenko-n e “kronologjisë së re”.
Gjatë viteve të pandemisë së Covid-it, këmbëngulja e disa mjekëve ndonjëherë edhe me emër, për ta kuruar infeksionin me barna si hidroksiklorokina dhe ivermektina është parë, nga establishmenti mjekësor, si shembull elokuent i crackpottery-së.
Duke iu afruar anëve tona, në Shqipëri nuk kanë munguar, dhe as mungojnë crackpots në fushën e mjekësisë popullore dhe alternative; të cilët gjithsesi nuk duhen ngatërruar me fallxhorët, astrologët dhe lexuesit e filxhanit të kafesë.
Në përgjithësi, një crackpot përpiqet të ndjekë metodën shkencore, por e bën këtë në mënyrë paranojake, duke kapërcyer ose shpërfillur fazat e verifikimit të një hipoteze ose teknike terapeutike; jo rrallë, kjo shkarje u ndodh edhe ekspertëve me përvojë të madhe dhe arritje të pazakonshme. Kështu etiketa e crackpot-it u është vënë deri edhe nobelistëve si Brian Josephson, Linus Pauling, Luc Montagnier e ndonjë tjetri, dhe jo pa arsye.
Ndryshe nga “gjenitë” e përqeshur, crackpot-ët kanë shpesh prestigj të madh dhe, falë këtij prestigji, bëjnë dëme me pasoja ndonjëherë dramatike – p.sh. Luc Montaignier-i, një nga zbuluesit e virusit HIV, më pas filloi të promovojë homeopatinë (kujtesën e ujit) dhe idenë se virusi HIV mund të eliminohet nga trupi me rrugë natyrore; më pas u angazhua në hulumtimin e shkaqeve të autizmit, duke argumentuar nevojën për t’i trajtuar fëmijët autistikë me antibiotikë…
Natyrisht, gjykimet më lart nuk janë të miat, por të establishmentit shkencor; një crackpot do t’i kundërshtonte, me argumentin se refuzimi i ideve të reja revolucionare është në themel të establishmentit shkencor, që sot është integruar tërësisht në makinerinë e shkencës, teknologjisë dhe ekonomisë globale.
Këtu duhet shtuar edhe se crackpot-ëve u ka dalë një aleat i fuqishëm te mass mediat, të cilat e kanë të qartë se idetë e reja – p.sh. kujtesa e ujit, fuzioni i ftohtë, hipoteza e vizitorëve nga kozmosi (“ancient astronauts”) e të tjera si këto janë tejet më tërheqëse për publikun, se rezultatet e shkencës dhe të dijes konvencionale. Interesi i gjerë i publikut, nga ana e vet, mund t’i shtyjë crackpot-ët drejt paranojës dhe t’i bëjë të mendojnë se ka një lloj komploti kundër tyre, nga ana e establishmentit.
Gjithsesi, në infosferën shqiptare nuk para ndesh në crackpots; mediat, me modelet e tyre, u kanë treguar profanëve se, që të hiqesh si dijetar i persekutuar, viktimë e establishmentit edhe pse patriot, mjafton të thuash gjëra të çuditshme në një talk show; ashtu mund të përshpejtosh ditën kur dija do të vendoset me votën e shumicës dhe “akademikët” e rinj do të parakalojnë në bulevard të hipur në mushka. Publiku do t’i duartrokasë këto karnavale, sepse publiku duartroket gjithçka që i del përpara!
Konspiracistët, alternativët dhe viktimat e dhunës akademike kanë mësuar tashmë një gjë: për të vënë kandidaturën, si Einstein-i potencial i radhës, nuk ka nevojë të sjellësh ndonjë gjë të madhe në tavolinë; sepse sot mjafton akti i kundërshtimit të statu quo-së, i cili mund të jetë sa lidhje e litarit në qafë të statujës, aq edhe glasë e lëshuar në supet e së njëjtës statujë. Është sfida që vlerësohet, jo argumenti i sfidës – që është, në analizë të fundit, i paarritshëm nga publiku.
I quajtur “klouni më i famshëm në botë”, Bozoja u ka sjellë pronarëve të markës të ardhura të pakrahasueshme me përfitimet rutinë të akademive dhe institucioneve që e kanë studiuar dhe që kanë mësuar prej tij.
(c) 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Google Gemini.