Një kujtim është si një fije e hollë që të lidh me një ngjarje të kaluar. Kjo fije ka dy drejtime. Më e zakonshmja është kur kujtimi të sjell në të sotmen një mbresë të vjetër. Por ndryshon puna kur të pushtojnë nga të gjitha anët kujtimet apo e kaluara.
Para disa ditësh shoqërova dikë në kishën Cathedral Basilica of Saints Peter and Paul të ritit mijëravjeçar katolik, u ula dhe sodisja ambientin e vjetër, i rrethuar nga një melodi e lashtë kishtare. Mu duk vetja kthyer mbrapa në një kohë dhe një botë tjetër. Nuk e di përse më erdhi ndër mend që kujtimet e fuqishme dhe në momentin e përshtatshëm duket sikur ta ngjallin dhe të zhysin në të kaluarën! Kujtimet mbartin të kaluarën në të tashmen, por disa herë duket sikur kanë forcën të na pushtojnë duke na ngjallur dhe çuar mbrapa në të kaluarën nga vijnë!
Tirana ka një lëvizje të jashtëzakonshme njerëzish nëpër rrugë, që zor se e ndesh edhe në qytetet e mëdha, ku puna i mban larg vërdallosjes nëpër rrugë! Në muzg, i zhytur në këtë vorbull njerëzish të zhurmshëm që ndiqnin hallet apo ritmin e jetës së përditshme, i rrethuar nga lokale plot gjallëri, prisja para Kishës Katolike në rrugën e Kavajës te stacioni i autobusit nga ana tjetër e rrugës. Nuk e di përse ktheva kokën dhe pashë një si portë të vogël e të vjetër, të braktisur e pa kanate, mbi pragun në tavan një llambë që ndriçonte dobët këtë hyrje. Çuditërisht në të majtë, sipër, nën një kondicioner të pluhurosur, varej një tabelë e vjetër ku shkruhej “Rruga Edit Durham”; një rrugicë kjo ku drejtpërdrejt as me biçikletë nuk futesh dot!
Kalova pragun dhe hyra brenda kësaj rrugice që kthehej në të djathtë. Befas zhurma dhe drita u fashitën si me magji dhe nuk di përse mu duk sikur zbrita një shekull mbrapa në vitet që Edith Durhami ndiqte rrugët e Shqipërisë dhe më tutje! Të qenët brenda kësaj rrugice që pretendonte t’i bënte nder Edith Durhamit më solli ndër mend si kundërpërgjigje nderimin e Konicës për atë grua të vogël por me një zemër të madhe. Faik Konica përgatiti veprën e tij madhore “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”. Në faqet e para të dorëshkrimit la me shkrim dore se këtë libër ia kushtonte: “Meri Edith Durhamit, mikes për jetë të popullit shqiptar, studiueses së hollë të zakoneve dhe historisë së tij, asaj që ka ndihmuar për rilindjen e tij kombëtare. Ky libër i kushtohet asaj, si dëshmi modeste admirimi dhe mirënjohjeje”.
Diçka stononte me këtë tabelë me emrin e Durhamit në këtë farë rrugice të shkurtër e të ngushtë të lënë pas dore, që fillonte si një portë pa kanate e me tutje nuk ishte më shumë se një hapësirë ku parkoheshin disa makina. Pasi Edith Durham i ra kryq e tërthor më këmbë ose mbi kalë qindra kilometrave rrugësh e monopatesh shqiptare në kohët më të turbullta për Ballkanin, populli i Tiranës ka këputur një copë të vogël rrugice nja 100m të gjatë për t’ia kushtuar asaj!
Kujtesa më çon në kohë në fillimet e shekullit të kaluar në hapësirën midis Greqisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë që sapo ishte shpallur Shqipëri. Edith Durham e përshkruan atë kohë të përjetuar nga ajo vetë, në këtë mënyrë tragjike:
“Sulm serb mbi Shqipërinë, … italianët zbarkuan në Vlorë dhe ndaluan përparimin grek…, francezët pushtuan Korçën, duke shpallur Republikë. Gjatë luftës, megjithëse Shqipëria ishte shpallur neutrale dhe e pavarur nga Fuqitë, në të hynë trupat serbe, malazeze, franceze, italiane, austriake dhe britanike…”!
O Zot, të gjithë duke nxituar për ta shqyer Shqipërinë! Po shqiptarët?! Këtë përshkrim të historisë së Shqipërisë Edith Durham e mbyll me këtë përgjithësim të jashtëzakonshëm:
“Very briefly this is the sad tale of a small and fine people who want only to live their own lives on their own land”! (“Në pak fjalë kjo është historia e trishtë e këtij kombi të vogël dhe fisnik, të njerëzve që nuk duan gjë tjetër veçse të jetojnë jetën e tyre në tokën e tyre”!).
Por ajo beson se “asnjë nga këto përpjekje të armiqve të Shqipërisë nuk mund të zhdukte instinktin e fortë të shqiptarit për rruajtjen e racës së vet, që i pat dhënë atij forcën e duhur për t’i qëndruar Perandorisë Romake, të mbijetonte pas rënies së Bizantit, të përballonte perandoritë mesjetare kalimtare bullgare e serbe dhe, më në fund, të dilte nga gërmadhat e Perandorisë së fuqishme Osmane, duke ruajtur gjuhën e tij, zakonet dhe energjitë e tij të lashta, si një shkëmb ku valët e pushtuesve janë përplasur e janë thyer”
Një historian apo studiues shqiptar është sadopak subjektiv sepse është si të vlerësosh vetveten. Një sy i huaj e i ndershëm që analizon objektivisht jetën e një kombi tjetër ka epërsi në faktin se është më i pavarur dhe gjithëpërfshirës. Edith Durham vëren te kombi ynë një karakteristikë të vënë pak në dukje nga të tjerë e shpesh edhe nga ne vetë: për të mirë apo për të keq ne jemi një komb jo agresiv, që nën këtë diell nuk kërkon gjë tjetër veç ta lenë të qetë për të gëzuar jetën në tokën që i takon! Mendoj se ky është një këndvështrim i madh, përgjithësisht pak i trajtuar.
Disa ditë pasi kisha ndeshur rrugicën “Edit Durham”, isha brenda autobusit të unazës pranë Ministrisë së Jashtme. Po kërkoja një drejtim në GPS e celularit, dhe befas mu kujtua se isha në bulevardin e gjerë, plot dritë e pemë zbukuruese përgjatë rrjedhjes së lumit të vetëm brenda Kryeqytetit, në bulevardit dy kilometrash të quajtur “Bulevardi Zhan d’Ark”! Nuk kam asgjë me heroinën franceze Zhan d’Ark, por diçka nuk shkon kur i jep asaj dy kilometra bulevard kaq domethënës për jetën e tiranasve, dhe “Meri Edith Durhamit,”mikes për jetë të popullit shqiptar” (F. Konica) t’i kushtosh një rrugicë që as rrugë nuk është! Një popullsi e një “metropoli” e ndesh bulevardin në fjalë mijëra herë në ditë, por e ka “izoluar” E. Durhamin mbas një qosheje që fillon me një portë dhe as rrugë kalimi nuk është
E vërtetë është që qyteti i Tiranës i ka venë emrin “Edith Durham” një shkolle, por, në këtë shpërthim urbanistik dhe turistik që po përjeton Tirana, vendaliu apo udhëtari huaj ndesh vetëm rrugë dhe kryqëzime, dhe e njeh historinë dhe nderimin e historisë sonë nëpërmjet emrave të rrugëve dhe përmendoreve, ku një heroine franceze, që nuk e lidh asgjë drejtpërdrejt me shqiptarët, i bëhet një nderim që do ta meritonte shumëfish vetëm një Edith Durham!
Për fat të keq kjo situatë përsëritet edhe në Durrës.
Por jo në Shkodër!
Durhami ishte një antropologe londineze që fati e solli të analizojë dhe të përshkruajë, përveç të tjerash, edhe qytetin antik të Shkodrës. Ajo hedh në letër analizën disi të ftohtë për këtë qytet, me të mirat dhe të këqijat që një dijetare londineze shihte në këtë realitet, e “fotografon me fjalë”, madje edhe me fotografi reale. Pozicioni i saj si shkencëtare antropologe i kërkonte të mbante mënjanë ndjenjat e saja për qytetin kaq larg dhe të ndryshëm nga Londra e saj. Në përmbledhjen “Përmes Viseve Serbe” ajo mbyll kreun e dytë mbi Shkodrën dhe nis kapitullin vijues “Nga Shkodra në Ulqin”. Vetëm pasi e ka fiksuar në letër analizën e plotë te ftohtë për Shkodrën, ajo i lejon tashmë vetes të shprehë ndjenjat: “kur nuk jam atje, po jua rikujtoj që vetëm atëherë”. Dhe ajo e fillon kapitullin e tretë me këto fjalë prekëse:
“Sidoqoftë, për një pikë unë kam të njëjtën ndjenjë të përbashkët me shqiptarin [mund të jetë shoqëruesi, S.D.]. Shkodra më mrekullon. Kur nuk jam atje, po jua rikujtoj që vetëm atëherë, jam pothuaj gati të betohem bashkë me shqiptarin se ajo është qyteti më i mirë në botë…” dhe, kur po i afrohej, “Shkodra më përshëndeti ngrohësisht si një mik të vjetër”!
Më 1912, kur malazezët rrethuan Shkodrën, Edith Durham kujton se “një i ri me uniformë oficeri, u ul afër mejë në tryezë dhe u lavdërua se brenda dy vjetëve asnjeri nuk do të guxonte të fliste shqip në Shkodër. Unë i vura në dukje se shqiptarët kanë qenë nën sundimin e romakëve, të Perandorisë Bizantine, të bullgarëve, të serbëve, dhe të turqve dhe ende flasin gjuhën e tyre… ”Mendoni ju… se në dy vjet Mali i Zi mund të bëjë atë çka nuk mundën ta bëjnë të gjithë pushtuesit e tjerë për më shumë se njëmijë vjet?”
Shkodra nuk e harroi këtë londineze që u lidh me zemrën e banorëve të këtij qyteti kaq të vjetër dhe luftoi me aq sa mundi për ta mbrojtur. Shkodra e kulturës dhe mirënjohjes i ka venë emrin “Edith Durham” një nga bulevardeve më të bukur e më domethënës të saj!
(c) 2024 Spiro Duka. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënim: Të gjithë citatet janë nga “EDITH DURHAM, BRENGA E BALLKANIT, Botim i 1998-s”. Vlen te pëmendet që Z. Kudret Isai e mbyll parathënien e tij në libër me mendimin se “Shqipëria do të ishte e nderuar të mbante në gji eshtrat e saj. Ato do të ishin një përmendore krenare për çdo shqiptar”! Për çdo shqiptar!