Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

DITIRAMBI I KATASTROFËS

(Publicistikë drejt vetëshkatërrimit)

Zyrtarisht pretendohet se janë më shumë se 2 miliard njerëz që përdorin Facebook-un në mënyrë aktive, dhe më shumë se 32 miliard profile ekzistojnë në një botë prej 8.02 miliard banorësh. Ndërkohë gjenerohen më shumë se 2.5 kuintilion bajt (byte)(18 zero) në internet çdo ditë. Numërohen 110 konflikte të armatosura në gjithë botën, kur janë gjithsej 191 shtete të njohura ndërkombëtarisht. Më shumë se 330 milion fëmijë vuajnë agresionin fizik çdo ditë, rregullisht. Sakaq, deri në gushtin e vitit 2024 në Gaza janë vrarë më shumë se 14 100 fëmijë, dhe me mijëra janë të zhdukur. Gjithashtu janë nga 500 000 deri në 1 000 000 gra e fëmijë të vdekur, të lënduar dhe të zhdukur në Ukrainë. Aktualisht, më shumë se 6 miliard dollarë shpenzojnë amerikanët në letër tualeti çdo vit, teksa 7 miliard euro është buxheti vjetor i Shqipërisë. Sakaq më shumë se 294, 155 mijë kërkesa vijnë nga diaspora për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

Kuptohet që shifrat janë fuqia më e madhe në botën e konsumit numerik ku jetojmë sot. Edhe pse dominohemi nga terrori i informacionit, si vlerë, paralelisht shifrat nuk kanë asnjë rëndësi në botën e ndjenjave njerëzore. Nuk është pasuria numerike, e as ajo materiale, që vendos vlerat shoqërore. Nëse kjo pasuri nuk është e trashëgueshme, e përdorshme, e shpërndashme, e investueshme dhe e gëzueshme, nuk i hyn në punë bashkëpunimit njerëzor, por vetëm pushtetit dhe pushtimit. Për sa kohë pushteti i shifrave punon kundër njerëzimit dhe synon pushtimin, skllavërimin dhe tutelimin, është e kotë të shpresojmë në sisteme dhe gjendje më të mira sociale-politike-ekonomike-kulturale apo intelektuale etj.

Mjedisi publik, nënshtruar ndaj fuqisë së virtuales, është i mbushur me tema vanitoze, snobizëm, mashtrim, dashakeqësi, shtrembërim, dhe është e lehtë ta kuptosh se bëhet fjalë për një kohë të errët, që qarkullon pushtet të madh. Shpesh nuk ndahet as roli i viktimës nga ai i agresorit, madje edhe përmes konfliktit, luftës, vdekjes, rrjeti përfiton fuqishëm. Ky rrjet online, me kuptimin “në rresht për një”, është një rend i pakuptimtë, nga numri në numër, që udhëheq prirjet parazitare të shoqërisë së sotme konsumatore, duke promovuar njëlloj nga ngjyrat e racave e deri tek lëvizjet politike konservatore, revoltën woke, injorantët e pavarur të tokës së sheshtë dhe zogjve përgjues, e deri tek neoorientalizmi perëndimor, aseksualiteti socialist, apo gara e masturbimit buxhetor për armatim drejt Luftës së Tretë Botërore. Ka të njëjtën vlerë shifrore kliku si për martesa ndëracore me arsye emigracioni, edhe për ofertat e silikonit komercial, apo për deklaratat publike që lëshohen si mesazhe të paguara keqardhjeje për fëmijët e Sudanit. Nëse numrat janë elemente që zënë vendin e parë në rendin e gjërave, ashtu siç sugjerojnë shkencat ekzakte, atëherë ata nuk kanë asnjë rëndësi për trupat e fëmijëve në vijën e zjarrit. Fjala “kuptim” në gjuhë latine (“senso”) mbart në rrënjën e vet edhe kuptimin domethënie, edhe ndjeshmëri. Numrat le të na kujtojnë sendet, për sa kohë ata nuk e prishin rendin e vlerave njerëzore.

Viti 2024, ishte viti më i keq në historinë moderne të botës për fëmijët. 473 milion fëmijë jetojnë në zona konflikti ushtarak dhe 52 milion kanë mbetur pa shkollë, për shkak të luftërave. Sipas AlJazeera, në nivel botëror një në gjashtë fëmijë jeton pranë luftës.

Sa trupa fëmijësh do të duheshin që të gjallët të kujtohen për politikën në kushte çnjerëzore? Sa numra do të duheshin ende që të vrarët të marrin formën e tyre përfundimtare në paqe, si mbetje drejt territ ku grumbullohen të vdekurit, pavarësisht ndasive ideologjike, ekonomike dhe etnike? Ndoshta një pafundësi shifrash, ashtu siç matematika e kërkon përmes nocionit qesharak të infinitit, i cili nuk pasqyron realitetin e vdekshëm, por atë hyjnor. Fatkeqësisht jeta e njerëzve është e fundme dhe mjaftueshëm e lodhshme për t’u marrë me numra apo me hyjni. Nëse je larg së vërtetës, nuk do të thotë që ajo e vërtetë nuk ekziston, që ajo nuk sundon mbi llogaritë dhe shifrat. Statistikat nuk vendosin marrëdhëniet, as i nxisin konfliktet, por bëhen shkak për të marrë masa. Për shembull: sa më fetarë janë deklaruar shtetet, aq më keq trajtohen njerëzit. Kjo histori vazhdon, dhe nuk mund të rrimë në pritje të asnjë perëndie teksa shtetet përdorin njerëzit për t’u therur mes njëri-tjetrit, sepse numrat tregojnë që pritja mund të jetë e kotë. Aktet e përdorimit me statistikë të gjenocideve janë motiv për shumë armiq që të ngrenë shpatat e të kthejnë tytat në emër të hakmarrjes, edhe për shumë miq që të mprehin tehet, dhe për shumë të rrëzuar politikë që të udhëheqin botën nën flamurin e luftës.

Çfarë funksioni ka reduktimi i së vërtetës në shifra?

Akti i parë, dhe më i frikshëm, është dëmtimi i durimit, duke shtuar pandjeshmëri në publik. Kjo sjell më shumë njerëz të painteresuar, të përgjumur, të lodhur, të dorëzuar etj. Akti i dytë është frika që zëvendëson të vërtetën, duke sjellë ndotje në opinion, bindje, strukje, tallje, distancë etj. Ndër kalorësit e së vërtetës, ata që nuk duhet të fshihen e as të heshtin, janë artistët dhe politikanët, por shpesh nuk i shohim të sillen kështu. Artistët e shfrytëzojnë për lëvrim fondesh, si sfond tematik, për të prodhuar vepra të shitshme dhe të majme. Ndërsa politikanët e përdorin për pasurim dhe pushtet retorik mbi masën. Ka plot nga ata të “ndjeshmit”, që i sheh në kafene, galeri, zyra e tendera, pa pikën e sedrës, ndërgjegjes apo humanizmit, duke u shqetësuar për çështje vogëlsirash personale, por edhe për muhabete kalimtare ngjarjesh që ndodhin mijëra kilometra larg realiteteve tona të përditshme, me tone evazive mbi estetikën moderniste që u përket esteticienëve të financuar gjermanë, një pllaquritje llafologjike. Ndërsa manipuluesit patologjikë të politikës sillen si të shqetësuar për ngjarjet botërore dhe shquhen vetiu si kokëfortë, skeptikë, analistë, opinionistë, tallavaistë, e më të rrezikshmit: turbolitikanistë. Këta të fundit bëjnë të mundur fshirjen e kujtesës me një të rënë të medias private, ashtu siç u përdor paturpësisht në diasporën tonë të vyer rasti i Simakut, si një fatkeqësi e dalë nga telenovelat dhe kartelat meksikane. Meqë nuk është bërë asgjë konkrete për diasporën e as diaspora për konglomeratin, tashmë pranë zgjedhjeve u desh një narrativë e re me taban atdhetar dhe reaksion nacionalist, e cila u realizua më së miri përmes batalioneve të kaosit online. Shpërthimi i një interesi akut ndaj Shqipërisë, siç bëhet për ndeshjet e futbollit, tregoi nevojën urgjente dhe të dëshpëruar për vota. Gëlon televizioni me “anteprima”, dhjetëra emisione mbi talentet, historitë, dokumente të papublikuara, rikornizim territoresh, rivlerësim asetesh me bazë kombëtare, ndërkombëtarizim vallesh popullore, financim absolut për trashëgiminë jomateriale me shëtitje nëpër bienale, oferta pune sezonale, llogore lufte personale, bujqësi në ngritje-zbritje, tregu, leku, plehu, kreu…

“Turp” është fjalë e lehtë kur e sheh se nuk u rëndon asgjë mbi kokat boshe. Janë ushtarë të droguar të pallavrës publike që pranojnë, zbatojnë, raportojnë, kurojnë, luftojnë etj. Anije mallrash me debate, flluska, fjalime, histeri kolektive, e deri në epsh masiv, u zhvendosën e u shkëmbyen përmes shifrash marramendëse drejt trojeve virtuale të Shqipërisë brenda pak muajve. E ardhmja jonë dhe publiku i aplikacioneve të diasporës u dominuan nga rraskapitja. Këta servilë të marrëzisë nuk janë të prekshëm ndaj gjendjes njerëzore, sepse ajo që i mban në majë të altarit është broçkulla që prodhojnë në formë ereksioni zinxhir, nga më i madhi, tek më i vogli; nga më i forti, te më i dobëti; e nga më i pasuri, te më i varfri. Sakaq u shuan kombe, gjuhë, identitete, njerëz e kultura, pa pikën e mëshirës apo pendesës publike, teksa shqiptari i fundit ndërroi identitet për një rrogë në perëndim.

Jemi ende tek shifrat…

Ku ishin këta statisticienë kur, njëkohësisht me turizmin në Shqipëri, u rrit edhe inflacioni, evazioni fiskal, konsumi i drogës, prostitucioni ndërkombëtar, zhvatja e truallit publik, mjekësia e zezë dhe gjuetia arkeologjike?

Këtu kemi të bëjmë me mungesën e ndjeshmërisë, aq sa reflekton vetmi universale, ndër galaktika e yje, si shkumë e flluska sapuni, të pavlera deri në statistikën e fundit. E gjithë bota është në një krizë ekzistenciale, mbyllur në një gotë ujë përzier me naftë e gjak. E kujt i plasi nëse vendoset një rend i ri apo rikthehet një i vjetër? Këto skorie të lashta ezoterike na qeverisin, luajnë rolin e Zotit, groposin shpirtin njerëzor në humbëtirën e tiranëve që prodhojnë spektakël lokal. Ngrenë tempuj me diktat elektoral, fundosin fëmijët nën takën e sistemeve fashiste, futen thellë nën lëkurën e regjur të servilizmit pasional dhe komandojnë nga brenda zemrat e militarëve, për të mos pasur më kurrë kryengritje derisa të ketë dritë dielli, në pafundësinë e absurdit të ekzistencës njerëzore, si e vetmja specie që e kupton budallallëkun e vet. Mbeturina të patretshme pluskojnë në tregjet që ofrojnë platformat serioze me emra të rëndë e të rëndësishëm, me plane buxhetore të fryra nga kompani me lajtmotiv: ringjalljen kombëtare. Janë aq shumë, sa do të duheshin disa luftëra botërore t’i shuanin përfundimisht, dhe një IBM kineze që t’i rendiste si holokaust. Shumica prej tyre ushqehen me fonde anonime nga biznese kriminale dhe bosë administrativë, financime që synojnë shpirtin e atdhedashnorëve që jetojnë jashtë vendit dhe mbajnë tatuazhe dykrenare. Ata veprojnë skutave, duke ndërtuar skenarë që kanë veten si personazh kryesor dhe partinë si regjisor. Prodhojnë dokumentarë epikë, hollivudianë e bollivudianë, që mund të konkurrojnë në Kanë. Të vërteta globale, shifra të pamohueshme, akte që mbartin ligjzbatim, reformim, planifikim, përmirësim, të cilat përjetohen me zjarr nga diaspora aktive dhe pasive, nga fëmijët që nuk e njohin Shqipërinë, as luftën.

Profilet e gjeneratës së re në rrjet nuk kanë asnjë profilaksi kundër indoktrinimit. Ideja fikse e shifrave që shihen si rëndësi dhe vlerë, ua ka pushtuar mendjet dhe zemrat. Ne, përdoruesit aktualë, jemi në dilemën “është a s’është e vërtetë”, ndërsa brezat në vazhdim do të përballen me pyetjen më të madhe të njerëzimit: “të jesh a të mos jesh online”. Sistemi që po krijon shtypje është i dukshëm, si shprehja gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Erdhi dita që të përballemi me atë që kemi krijuar, pranuar dhe reklamuar. Duhet të jetë mizor kushdo që hiqet si shpëtimtar i masave apo si kungues i sistemeve të drejta, duke shfrytëzuar injorancën e mbjellë në rrjet. Çfarë mashtrimi surrealist… Këta nuk ua kanë frikën as gjëmimit të hakmarrjes hyjnore e as ligjit mbi të gjithë, se disa bëjnë edhe si besimtarë, e i sheh të ulur këmbëkryq apo nguc mes priftërinjve e prokurorëve, teksa ekspozojnë paratë e pista përmes veshjeve, veturave, orendive dhe stolive në evente publike. Ka edhe nga ata që hiqen si humanistë e më pas u del boja me një telefonatë. Vizionarë shoqëruar nga artistë që u tjerrin lavde pas kangjellave. Një lobotomi u duhet të gjitha palëve që kanë qeve-grisur Shqipërinë postmoniste. Janë aq shumë, aq keq, aq lart, sa ka mbetur vetëm të mbyllin dyert e të na lidhin me zinxhirë. Mbyllja e rrjetit social kinez TikTok (për shembull), u la si retorikë me një shtrëngim dore me qeverinë komuniste pas Maos, për arsye të qarta elektorale. Edhe pse censura është mjeti më idiot që mund të përdorë një pushtet pa libido si formë komandimi të turmave, ajo përdoret masivisht nga diktaturat, sepse ka rezultat të shpejtë dhe impakt të madh te popujt që kërcënohen me jetë. Ndërkohë, në vendin tonë s’ka llogaridhënie për sulmet kibernetike, firot buxhetore, mbufatjen e remitancave apo kullëngritjen largpamëse të planit francez. Ama, digjitalizim ka plot, mjafton të regjistrohesh!

Reforma, reforma, reforma…

S’ka reformë e as formë në këtë botë që të mbajë gjallë fosile politike, siç bëjnë shqiptarët e groposur për së gjalli. Ishte edhe rasti Prodi, apo Berlusconi, por të gjithë i dinë bëmat e tyre me borxhe, mafie, burgje, gjoba, kazino e tradhti. Mos vallë këta tanët qenkan më të pastër? Jemi ngopur me diktatorë meme-sh, artistë pa ndërgjegje, polici kriminale dhe fonde të tretura. Është iluzioni i grykësve që u servilosen, gllabëruesve të fatit dhe vullnetit, që po i mban në këmbë. Gjithsesi, mjafton të presim. Janë renditur sa e sa luftëra, ndër epoka e ndër sisteme, pa më të voglën pendesë dhe gjithçka rrëzohet, kthehet në hi e pluhur. Drejtësia s’u takon politikanëve dhe industrialistëve, as artistëve dhe gjykatësve, as pushtetit popullor dhe as kolonialistëve. Ajo i përket secilit skllav që shijon lirinë e tij, me zemrën e tij, vizionin e tij. Edhe prestidigjitatorët e realiteteve artificiale do të rrëzohen, është vetëm një shteg i ngushtë drejt territ që zbulohet hap pas hapi. Në këtë jetë do të lahen të gjitha – thotë fjala e urtësisë qytetare. Disa gjëra nuk lahen as këtu e as atje – vazhdon urtësia e përvojës popullore.

Shifrat flasin kudo, me këdo, për gjithçka, me një saktësi empirike. Po sipas këtyre lloj shifrave, janë konfiskuar 150 milion euro nga SPAK, dhe mirë kanë bërë! Institucionet e drejtësisë janë minimalisht në detyrim transparence me shqiptarët e dërrmuar, të vjedhur e të abuzuar prej 80 vitesh. Çfarë kuptimi kanë shifrat kur e dimë se është vjedhur dhjetëra herë më shumë? Po a ka kuptim të konfiskohet gjithçka duke marrë parasysh se ato para prej vitesh janë investuar, financuar, transaktuar, përdorur për vota, për pushtet, për gjyqe? Shuma e konfiskuar, pavarësisht se cilit individ kriminal, politik apo artistik i përket, nuk bën asnjë fajde nëse ka riqarkulluar, madje mund të konsiderohet edhe e pastruar, e reformuar, e rilindur. Janë me mijëra raste nëpër botën e qytetëruar, të riciklimit publik, aq sa vetë sistemet e drejtësisë kanë marrë shembull dhe kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh, duke lejuar qarkullimin vaskular të parasë së pistë, sepse paraja vetë s’ka faj.

Deri këtu asgjë e re!

Në realizimin e planit kombëtar 2030, atë të planit botëror 2045, e deri te plani galaktik 2165, asgjë nuk shkëlqen më shumë se lideri suprem, i cili nuk ka kohë për shqyrtim, bashkëveprim, sugjerim. Gjykimi është invertuar, tashmë gjyqi i bëhet publikut, dhe publikja merr trajta të konfirmimit masiv. Në këtë mënyrë dëmtohet drejtësia e lidhur ngushtë me demokracinë, sepse publikja përfaqësohet nga individi, andaj demokracia është sistemi më lartë i publikes, sepse reflekton drejtpërdrejt drejtësinë e individit, duke bërë që demokracia të jetë drejtësi. Drejtësia nuk bën gjykime në grup, as cilësia e demokracisë nuk duhet të ndikohet nga numrat. Është kjo arsyeja pse po prodhohen shifra nga jashtë trojeve dhe miliona shqiptarë po rilindin për kauzën e karrigeve politike. Shqipëria nuk është në krizë votuesish, por udhëheqësish. Sistemi po kalon nga patronazhistët kombëtarë – tek ata ndërkombëtarë. Shpejt dhe heshtur u ngritën regjistra me votuesit universalë, që do të shfrytëzohen nga të gjitha palët, partitë, flamujt, shtetet, duke bërë pazar me emra dhe numra deri në planin hyjnor 2330, që e parashikon Shqipërinë si qendra e universit.

Herë shtohen banorët, herë shtohen nenet, herë shtohen kilometrat katrorë, e herë shtohen buxhetet. Këtë radhë shtohen njerëzit, ata që udhëtuan drejt një jete më të mirë, se këtu u kishte mbetur vetëm pakënaqësia, dëshpërimi, huri dhe guri. Ndërkohë në Shqipëri bashkëpunohet fshehtazi, investohet dorazi dhe vidhet haptazi. Palët kundërshtare janë bërë bashkë për të realizuar planin final të hegjemonisë së establishmentit: rrëzimin e individit. Sakaq, është gati platforma e kultit të liderit që udhëheq dynjanë nga spitali, qelia, bunkeri, shtëpia, zyra, dritarja, kompjuteri apo varri.

Bota e çudirave ka dimensione të ndryshme, ata që kanë lexuar Lewis Carroll, e dinë!

E prekshmja mbetet, ndërsa e paprekshmja zhduket… Ashtu siç ndodhi me vilën e diktatorit të vjetër, që u dha për hostel artistik, kuruar e ledhatuar nga dora delikate e francezëve. Restaurim i kulluar institucional, në këtë vend që u shemb teatri, u varros Galeria e Arteve dhe u çatrafillos qendra historike. Asgjë nuk i shpëtoi fadromës politike, por maison-i Enverit më në fund u shplodh, si një privilegj artistik në mes të Tiranës, teksa kodrat e Hollivudit të mbushura me artistë u dogjën deri në cungje, si fati i pashmangshëm dalë nga goja e Moirave, paralel me realitetin tonë. Kjo të imponon distancë kulturore, se ky moment historik u arrit me gjykimin dhe pëlqimin e artistit më të madh shqiptar të të gjitha kohërave dhe sistemeve. Kësisoj platforma e re po na i ngre të vdekurit me vjetërsira të rinuara, ndërsa artdashësi dhe konsumatori politik ndihen si kokat e shqiponjës së flamurit që mohojnë njëra – tjetrën.

Gjithsesi, për të mos humbur në logjikën e normales dhe morales, edhe parlamenti do të kishte më shumë fitime ekonomike nëse do të ishte kthyer në hotel dhe restorant, kafene apo lojëra fati. Ashtu si turizmi malor, rrugor, detar, që reflekton shifra të larta monetare. Do të ishte fantastike sikur demokracia jonë të investohej nga paratë e konfiskuara, prodhimi i armëve, ose tregu i rakisë ballkazan, sesa të administrohej copa-copa nga prostitucioni parlamentar çdo të enjte.

Rikthehemi tek agjenda e diasporës, që është arma e fundit kundër pakënaqësisë së popullit shqiptar me figurat e mbetura politike. Duhet pasur parasysh se diaspora nuk është më ajo e Nolit dhe Konicës, por e atyre që u vjen zor të thonë se janë shqiptarë dhe atyre që e shpallin hapur kombësinë si vlerë, duke luajtur sa me identitetin, edhe me dinjitetin. Kësisoj, u mbetet qindra-mijëra votuesve të ndërhyjnë në demokraci drejtpërdrejt, po aq sa vjedhja e votës apo shtrembërimi i kushtetutës. Njëkohësisht përmbyset edhe deficiti i elektoratit gri. Këtu partitë bëhen një trup, shkëmbejnë letra dashurie, luajnë e ka kush e ka dhe flenë bashkë.

I takon qytetarit si ilaç ndaj padrejtësive të shtetit të vet që të kundërshtojë, pasi tregon verbëri nëse i përgjigjesh qeverisë sate vetëm me “po”. Mirëpo, kjo lojë hijesh është gjithashtu zhvatje, sepse luhet për pasurinë e politikanëve dhe jo për drejtësi, siç pretendojnë disa lloj nacionalistësh, patetizmi i të cilëve merr përmasa epike, duke e kthyer në një spektakël primitiv për qytetarin e thjeshtë. Kur të bjerë sipari, të hiqen kuintat, të çmontohet skenografia, do t’u dalë e vërteta në shesh, dhe të gjithë oportunistët e servilët do të rreshtohen e do të rrëfejnë me kujë dështimin e premtimeve të tyre. Ndërsa disa të tjerë kërkojnë ngritjen e lavdisë së dikurshme majtiste, mes fabrikash e centralesh, si të ishte bahçja e anesë apo sokaku i të marrëve. Vepra të mëdha, si aeroportet, hekurudhat, parqet turistike, kultura kibernetike dhe turizmi militar, janë agjenda jonë e së drejtës, duke premtuar një boom shifrash.

Në edukatën tonë, koncepti “inteligjencë emocionale”, nuk ekziston, por mund të përshtatet në fjalën “ndjeshmëri”, që në fakt ka më shumë kuptim. Aftësia që njeriu të ndiejë dhe të ndihet, të shkëmbejë informacion ndjesor, është ndër arsyet kryesore pse krijojmë ndërlidhje. Në kulturën tonë të lashtë i ndjeshmi është i dobët, në vija të trasha. Kjo dukuri ndodh sepse ndjeshmëria shihej si një element femëror. Ndjeshmëria lidhet me dobësinë, brishtësinë. Kështu feks vetiu arti politik shqiptar, ku përdhosja e kundërshtarit, më të dobëtit, merr rolin e ideologjisë, ngre pushtet dhe reflektohet në popull si një akt dominimi dhe suksesi. Në raportin publik-privat nuk ka më vend për ndjeshmëri, aq më tepër për mëshirë apo keqardhje, por mbizotëron thyerja, dëmtimi, groposja, përfundja. Kjo vërehet qartazi edhe në mjetet e dominimit social, ku brishtësia e të ndjeshmit ndeshet me vrazhdësinë e të fortit. Por shpesh ndjeshmëria është edhe e rreme, dhe ka për qëllim mashtrimin e publikut, me prapavijë shfrytëzimin dhe indoktrinimin, shpëlarjen totale ndaj ndjeshmërisë së vërtetë, asaj që ngre kokat, hedh grushtet, mpreh shpatat, lëshon lotët, mbron fëmijët kundër regjimeve.

Për të mos i qarë hallin kalorësit që i varen këmbët, do të ishte ideale të mos merreshim me një mori gjërash, nga virtytet njerëzore, ndotja mjedisore, abuzimi me pushtetin, skllavërimi artificial, e deri tek apikultura robotike, apo sistemi i raketave ndërkontinentale për pushtimin e Groenlandës. Sakaq, buxheti ynë premton vende pune për të kthyerit dhe të thyerit nga diaspora. Në këtë pallavralogji, ka plot rryla që këndojnë ende, pa asnjë pasojë publike. Sepse ishte fjala e para, dhe përmes saj u ngritën monstrat, mbretërit, diktatorët dhe sistemet. Ishte fjala që u dha si besë e u pre, ishte fjala që u fut në vesh dhe tradhtoi, ishte fjala që krisi pushkën dhe vrau vëllanë, ishte fjala që dogji gratë sepse folën, ishte fjala që vrau fëmijët e armiqve dhe miqve, ishte fjala që la njerëzit pa bukë kur hapën gojën, ishte fjala që i vodhi votën kujtdo që nuk foli, ishte fjala që rrëzoi malin që nuk bëri zë, ishte fjala që fali të pafalshmin, ishte fjala që lëvdoi të korruptuarin, ishte fjala që shtypi popujt fjalëpakë, ishte fjala që vulosi fatet me një fjalë, ishte fjala që ushqeu terrorin fjalë për fjalë, ishte fjala që burgosi të pafajshmit, ishte fjala që spiunoi, ishte fjala që u hakmor, dhe ishte fjala që ndërtoi botën e vjetër dhe atë të re, në të cilën po jetojmë mes shumë fjalësh.

Ja një tjetër shifër interesante sipas Euronews: në Tiranë duhet të kursesh 312 muaj, 26 vjet rroga, për të blerë një shtëpi 100 m2, që nëse i bie plani i parajsës urbanistike, do të vlerësohet me gjysmën e çmimit dhe do të tërhiqesh zvarrë nga policia.

Me çfarë guximi, shkrimtari, gazetari, artisti, pedagogu, gjykatësi, politikani, filozofi nuk thënkan dot fjalë të vërteta karshi shfrytëzimit, shtypjes, përçmimit, abuzimit, korrupsionit dhe mediokritetit, ose nuk mbajtkan përgjegjësi për çfarë thonë, lëshojnë, si të ishte një zbrazje gazrash në ajrin e qelbur të qytetërimit tonë banal. A janë shifra edhe këto fjalë? A është e llogaritshme kjo sjellje? Është një shfaqje idiotësh e përmasave kataklizmike për popullsinë tonë të tkurrur, që edhe me shifrat e reja dhe probabilitetin e lartë, do t’i duhej një shekull provë para se të ndërtonte një shtet të denjë, thjesht prej numrit të ulët të banorëve dhe numrit të lartë të servilëve.

Nëse janë paratë që duan, i shtofshin! Nëse është pushteti që u pëlqen, ta gëzojnë! Nëse është gjaku që i kënaq, le të ngopen! Por s’ka bythë ku të rri fjala e tyre pa peshë, pa reflektim, pa zemër. A nuk ishin këtu dekada më parë këta politikanë, këta diktatorë, këta idiotë? Po pjesa tjetër e ndërgjegjes, e intelektit, ku ishte? Po njerëzit e Zotit, po ata të kombit, po këta të atdheut, apo ata të dijes dhe të drejtësisë? Ku ishin shkrimtarët dhe piktorët, skulptorët dhe muzikantët? Turpi më i madh i një qytetërimi është pjesëmarrja. Nëse s’ke folur, je bërë pjesë dhe nëse ke përfituar, quhesh bashkëpunëtor. Këtë ndjenjë trashëguan edhe gjermanët pas nazizmit. Ky detyrim ligjor i munguar, e bën situatën tonë të mjerë dhe të mbrapshtë. Tashmë qytetari shqiptar nuk ka as njohuri e as dëshirë të luftojë për ligjet, për të drejtat, për gjendjen politike, për gropën ekonomike, për perspektivën kombëtare, për luftën në prag, për armët nën rrogoz, për miliardat e zhdukura, për pandëshkueshmërinë e trashëguar, për zhdukjen e demokracisë, dhe të tjera asete problematike me sfond tragjik. Publiku kërkon spektakël dhe e gjen. Ka plot politikanë e servilë të pushtetit, të zhvendosur midis flamujve e akronimeve partiake, që sorollaten bizneseve, hoteleve, koncesioneve, posteve, të padukshëm, të pazhurmshëm, të pashqetësuar. Këta nuk janë pjesë e listave, as e medieve, as e gjykatave, as e prokurorive, as e skupeve, as e spektakleve, e as e ndërgjegjes apo memories kolektive. Efekti i famshëm Mandela nuk është vetëm një fenomen studimi apo trillimi, por është edhe një mënyrë jetese, sidomos mes popujve traumatik, ku nëse bën një hap të gabuar, hidhesh vetë nga pallati.

I shoh injorantët politikë teksa jetojnë të pashqetësuar, shumëfishohen, faktorizohen, publikohen përditë e më shumë. Ata u ngrenë kurthe statistikore të tjerëve, njëri-tjetrit dhe vetes. Një luftë e gjatë, e brendshme dhe e jashtme, aq sa s’ka më kuptim. Një folklor i ri gëlon rrugëve të atdheut, mbushur me krijesa mitologjike urbane, si kacavjerrësit, prapaskenistët, shumëkokëshat, pagojësit, gjithçkangrënësit, llapistët, yllkat, pionierët, fatosët. Ndërkohë europianët lindorë e perëndimorë grijnë sallatë, si në një skenar distopik me spiunazh rus, armatim amerikan, politikë premoniste, futuriste, teologjiste, bolsheviste. Këta mjeshtër të cirkut po kthehen në mazhorancë funksionale, përfaqësojnë hallet e botës së tretë, u bashkohen kauzave, financojnë indoktrinimin e fukarenjve, u mbajnë anën yjeve të kinemasë, u këndojnë fitimtarëve dhe viktimave të tyre, por mbi të gjitha komandojnë njerëzimin me numra. Me këtë vrull dhe vullnet masiv, mes shifrash boshe dhe injorancë të pashifrueshme, një ditë do të na kërkohet tesera e artistit, pasaporta e partisë, kodi i kulturës, letërnjoftimi shpirtëror dhe lejekalimi psikologjik.

Për ata që nuk e kanë ende të qartë, janë akte si shpyllëzimi, shpopullimi, betonizimi, shitja e trojeve, trafikimi i artefakteve, zhvatja e fondeve, dëmtimi i arsimit, shëndetësisë, turizmit, përdhosja e figurave kombëtare, shpërfillja e monumenteve kulturore, rrënimi i atdhedashurisë, që e ulin krenarinë e shqiptarit. Ky është Melosi i zhgënjimit politik. Ashtu si prologu dramatik i Euripidit, që për Niçen e vriste kureshtjen, e shprehur me fjalët: “E pse duhet ndenjur në shfaqje?”, ashtu edhe fati ynë politik është i paracaktuar, “e pse u dashka të marrim pjesë?”.

Ndaj le të mos i druhemi inteligjencës artificiale që do të na ndihmojë me përshpejtimin e procedurave të tranzicionit, kemi mjaftueshëm injorancë reale.

Mirë se të vijë Rendi i Ri Botëror, kemi parë edhe më keq!

© 2025 Rael Hoxha. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

 

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin