nga Arjeta Kokalari
Midis dorëshkrimeve të Musine Kokalarit të kohës kur jetonte në Rrëshen, më tërhoqën vëmendjen dy fletore, ku ajo ka hedhur përshtypje të çastit, mbi librat që lexonte e disa herë edhe për filmat që shikonte në kinema.
Në kopertinën e njërës prej tyre shkruhet: “Libra të lexuara, Musine Kokalari, Rrëshen, 1973”, ndërsa në tjetrën: “Përshtypje të çastit nga librat e lexuara, Përshtypje personale si krijuese nga këndi i punës së krahut”.
Shënimet në brendësi fillojnë në fakt në datën 15 Prill 1975 me përshtypjet për librin “Shkëndija nëpër errësirë” të Petraq Samsurit. Titulli i këtij libri rastësor duket sikur përfaqëson titullin e shënimeve që ajo ka lënë, çdonjëri prej të cilëve është si një shkëndijë që ndriçon errësirën që mbuloi emrin e Musine Kokalarit dhe mendimet e saj për disa dhjetëvjeçarë.
Përshtypjet për librat janë ndërthurur edhe elemente ditari, p.sh. ajo herë pas here vendos datën para shënimit, por jo në çdonjërin prej tyre. Disa herë shënimet ndërpriten nga veprime të çastit, p.sh. kur shkruan se i duhet të ziejë qumështin. Shpesh ngjarjet e librit i paralelizon me ndodhi personale, madje disa herë nuk shkruan fare për atë që trajton libri, por për ngjarje që i vijnë ndër mend pasi e ka lexuar.
Ish punonjësit e bibliotekës së Rrëshenit pohojnë se Musine Kokalari ishte personi që kishte tërhequr dhe lexuar më shumë libra në qytet dhe kjo dëshmohet edhe sipas shënimeve që ka lënë, ku vërejmë se ajo lexonte çdo gjë, kryesisht letërsi artistike, veçanërisht prozë të autorëve shqiptarë, të vjetër e të rinj, por edhe të huaj, libra studimorë, letërsi për fëmijë, revista letrare, artikuj shkencorë dhe politikë, si dhe shtypin e ditës.
Në shënimet e saj vërehet kënaqësia që letërsia shqipe po pasurohej me autorë të rinj të talentuar, si Skënder Drini, Koço Kosta e Mihallaq Qilleri, por edhe pakënaqësia që më të shumtët syresh i shërbenin propagandës së kohës, madje edhe në letërsinë për fëmijë.
Në librat shqiptarë bashkëkohorë Musineja vërente se i kushtohej shumë pak vëmendje punëtorit të thjeshtë të krahut, atij që po “ndërtonte socializmin”. Problemet e tij, mjerimi ku jetonte, prapambetja kulturore nuk paraqiteshin në libra.
Ndjeshmëria personale dhe vështrimi kritik, pas përvojës jetësore, ka ndryshuar. Pasi ka lexuar “Kushëriri Pons” të Balzakut, Musineja shprehet: “Kush ka kaluar luftën, kush është ndodhur në situata dramatike të përmbysjeve të mëdha shoqërore, ka njohur vuajtjet, luftën për bukën e gojës, prapaskena të shëmtuara, me të vërtetë nuk i duken më (ende) interesante këto libra”.
Përshtypja për librin gërshetohet me kujtimet personale për njerëz apo ngjarje që i njihte mirë.
Një shembull është shënimi kur ka lexuar librin “Për ju pionierë” të E. Hoxhës, ku ajo shkruan: “Më tërhoqi më shumë pjesa që lidhet me Gjirokastrën, kujtimet e fëminisë. Xhaxhai i tij ka qenë burri më i mësuar për kohën e vet. Po çudi, në një shënim mbi jetën e tij e kanë vënë që ishte Kryetar i Shoqërisë “Bashkimi”. Si duket nuk donin të nxirrnin emrin e Mumtazit T’im që ka qenë kryetari i vërtetë i shoqërisë “Bashkimi” dhe për ta plotësuar atë vend nderi që është lënë pa kryetar, thonë që ishte Hysen Hoxha. Kjo është një gënjeshtër”.
Duket se Musineja ndalet veçanërisht në krijimet letrare që pasqyronin atë që për kohën konsiderohej “përmbysja e madhe revolucionare” e më vonë “lufta e klasave”, duke argumentuar pasqyrimin joreal dhe pa logjikë të ngjarjeve të përshkruara, krahasuar me realitetin. Një rast i tillë është edhe libri “Para agimit” i autorit Shevqet Musaraj.
Nuk ishte e vështirë për lexuesit e atëhershëm, të njihnin Musine Kokalarin të trupëzuar te personazhi kryesor Emira Velo, vajza e kulturuar që synonte demokracinë, kulturimin dhe mirëqenien e njerëzve; të njihnin mjedisin familjar dhe shoqëror, rrethanat botëkuptimore e historike dhe veprimtaritë ku ajo qe përfshirë në jetën e lirë. Kjo nuk ishte e rastësishme, pasi Shefqet Musaraj e njihte nga shumë afër familjen Kokalari, pasi që kish punuar si ndihmës në shtypshkronjën e tyre “Mesagjeritë Shqiptare”.
A e njohu vallë Musineja veten të identifikuar në personazhin e Emira Velos? Ajo nuk na e pohon këtë, por vërejmë se shënimet që ka lënë pas leximit të librit, nuk janë thjesht përshtypje të çastit, por një analizë e mirëfilltë jo vetëm si vështrim artistik e morfologjik, por edhe mbi subjektin dhe personazhet, ku vë në dukje gjithë gabimet konceptuale dhe historike, disa herë edhe brenda familjes së “personazhit” e duke referuar faqen përkatëse në libër për çdo rast.
Nëse shënimet e tjera përmblidhen në disa fraza, shënimet për romanin “Para Agimit” zënë gjashtë faqe të plota të fletores.
Ndërsa autori i librit i vesh personazhit Emira Velo cilësitë më të mira njerëzore, intelektuale e morale, madje që në emër, diçka jo e zakontë kjo për letërsinë e realizmit socialist, meqenëse kuptohet qartë që ky personazh po ndërtohet për t’u bërë “armik”, nuk ndodh po kështu në analizën e Musine Kokalarit. Ajo ironizon gjetjet e stisura të autorit, të cilat nuk përputhen me realitetin historik, jo vetëm për sa u përket ngjarjeve të romanit, por edhe historisë e mentalitetit të popullit shqiptar prej lashtësisë deri në përhapjen e ideve komuniste. Nuk e lexon këtë vepër vetëm si një krijim letrar, por si një ngjarje historike ku ndihej përfshirë thellësisht.
Musineja i mbyll shënimet e saj për këtë roman: “Për mua tema është interesante, por gërshetimi nuk është real dhe i gjallë, i thellë. I mungon brumi ideologjik, mprehtësia politike. Ai (autori) është thjesht një agjitator tendencioz, me boshllëqe të mëdha”.
Shënimet e fundit në fletore datojnë në korrik 1980. Libri i fundit për të cilin ka shkruar është “Një verë pa lamtumirë”, i autorit Zija Çela. Një rastësi e çuditshme, metaforike mbyllja e shënimeve me titullin e këtij libri. Vetëm disa muaj më pas Musineja do të konstatonte diçka të huaj në trupin e saj, që do të diagnostikohej si kancer. Për ta kuruar do të detyrohej të ndërmerrte një maratonë të mundimshme e të pasuksesshme vajtje-ardhjesh mes Tiranës dhe Rrëshenit.
Musine Kokalari u largua nga jeta tre vjet më pas, më 13 gusht 1983, një ditë vere, pa askënd pranë për t’i thënë “Lamtumirë!”.
(c) 2025 Arjeta Kokalari. Të gjitha të drejtat janë të autores. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autores.
Redaksia e revistës e falënderon Arjeta Kokalarin për materialin dhe fotot që na vuri në dispozicion.