nga Bashkim Shehu
Shëtisja rrugëve të Tiranës – kryeqytet i Shqipërisë – me një mik katalan. Këtij befas i telefonuan në celular, nga Barcelona. “Gjendem në periferi të Europës,” i thotë. Në periferi? Gjeografikisht, Shqipëria gjendet në qendër të kontinentit: vetëm një çikë më në lindje se Vjena dhe pak më në jug se Firencja. Megjithatë, për gjysmë shekulli diktaturë komuniste, ka qenë aq larg nga Europa sa një vrimë e zezë kozmike. Tipari më i bujshëm i atij regjimi ishte politika izolacioniste. Dhe distanca, e matur nga Spanja, ishte edhe më e madhe. Deri në fund të viteve shtatëdhjetë, për nënshtetasit e Franco-s, Shqipëria ishte një nga vendet ku ndalohej që të shkelje, krahas Koresë së Veriut, Vietnamit të Veriut dhe Mongolisë së Jashtme (!), siç lexohej në pasaportat e atëhershme. Ndonjë marksist-leninist shkonte fshehurazi, si për shembull Chicho Sánchez Ferlosio, i pari spanjoll që jetoi në Shqipërinë komuniste si folës në Radio Tirana.
Aktualisht gjërat kanë ndryshuar shumë. Është e vërtetë që disa inerci të totalitarizmit vazhdojnë të shfaqen në mendësinë e njerëzve dhe në jetën politike, duke bashkëjetuar me një kapitalizëm neoliberal që, siç shpjegohet në esenë e parë të këtij dossier-i, ka komercializuar deri edhe kujtesën historike. Por, sa i përket izolimit, gjendja është e kundërt me çka ishte në të shkuarën. Shqipëria është hapur kat e kat: numri vjetor i turistëve është katërfishi i popullsisë lokale dhe, nga ana tjetër, shqiptarët largohen nga vendi me një ritëm të qëndrueshëm prej gati 2% të popullsisë në vit – kjo është njëlloj si, për krahasim, të emigronin nga Spanja një milion spanjollë çdo vit. Ndërkohë, ka shumë spanjollë që vijnë për turizëm, sikurse ka fluturime direkte çdo ditë nga Barcelona, që bëhen edhe më të shpeshta në stinën turistike.
Nëse në të shkuarën staliniste Shqipëria shihej si “Kamboxhia e Evropës”, tani kanë filluar ta quajnë “Maldivet e Evropës”. Pra mbetet një ndjesi largësie, ekzotizmi, tëhuajzimi, irrealiteti. Një botë e çudirave, me fjalë të tjera. Dhe për të hyrë atje nuk ke nevojë të gjesh ndonjë vrimë lepuri, si në romanin e njohur të Lewis Carroll-it, meqë mund ta bësh nëpërmjet aeroportit që ka më shumë fluturime në rajon.
Gjithsesi, e shkuara dhe e tashmja bashkëjetojnë të ndërthurura. Për t’iu afruar këtij realiteti, sugjerojmë të lexoni një dossier që ka për emërues të përbashkët prezantimin e Shqipërisë ashtu siç e perceptojnë këtë shqiptarët. Autorët e tyre, përkatësisht Elidor Mëhilli, Edon Qesari, Ardian Vehbiu dhe Çapajev Gjokutaj, që këtu [në Spanjë, A.V.] nuk njihen, janë nga intelektualët më të shquar të vendit dhe nuk u lënë gjë mangët kolegëve të tyre të huaj. Dy të parët janë rritur dhe edukuar pas rënies së diktaturës, ndërsa dy të tjerët kanë jetuar në të dy regjimet.
Por edhe këto tekste, në vështrim të parë, mund të japin një ndjesi tëhuajsie, ekzotizmi, irrealiteti. Nëse ndokush do të kërkojë të shihet në to si në pasqyrë, do të gjendet përballë një shëmbëlltyre të përçudnuar, ku nuk do ta njohë veten. Megjithatë, shpresoj se, duke shikuar përmes pasqyrës, ky dossier do ta ndihmojë lexuesin, në njëfarë mënyre, për të kuptuar vetveten.
(Përktheu nga spanjishtja Ardian Vehbiu.)