Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Semiotikë / Teknologji

TË HEDHËSH NË TË PASTËR (ii)

  • Historia e të shkruarit për brezin tim – përsiatje. Pjesa II.

Për shkak të filmave pa hesap, makinën e shkrimit – atë tradicionalen – e shoqërojmë mendërisht me gazetarin, poetin, shkrimtarin; edhe pse meshkujt profesionistë të letrave, në shekullin XX, do ta përdornin makinën e shkrimit kryesisht duke marrë në punë një daktilografiste (rigorozisht vajzë ose grua), për t’ia diktuar tekstin. Kjo “ndarje e punës” vazhdoi për shumë kohë – në vitet 1980, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, një grup daktilografistesh jo vetëm që përballonte artikujt dhe monografitë që shkruheshin aty, por edhe tekstet e mëdha të Fjalorëve – të shqipes dhe terminologjikë shumëgjuhësh.

Thonë që kalimi nga shkrimi me dorë te të shtypurit me makinë arriti të modifikojë edhe stilin e shkrimtarëve; sidomos të atyre që formulimin e tekstit filluan ta bëjnë me zë, duke ua diktuar sekretareve. Lexoj tani se Henry James filloi t’i diktonte veprat e veta dikur në vitet 1890, çfarë edhe e shpëtoi nga mundimi “fizik” i të shkruarit me dorë/të shtypurit vetë në makinë (Trubek, vep.cit.). Ndonjë kritik dhe historian i letërsisë ka gjetur dallime midis stilit “të hershëm” dhe stilit “të mesëm” të këtij autori, të cilat i shpjegon me kalimin nga shkrimi me dorë në diktim. Sekretarja e James-it ka shkruar, në memuaret e veta, se pas vitit 1907, kur James nuk shkroi më vetë, “efektet e [diktimit] mund të gjurmoheshin lehtë në stil, i cili filloi të merrte trajtat e të folurit të lirë, kompleks, që nuk kërkonte përgjigje… një efekt që ia mundësonte tani të folurit vetë,” gjithë duke e çliruar nga probleme fizike të tilla si “paraliza e penës, dobësimi i syve dhe shtrembërimi i kurrizit.”

Edhe pse kalimi nga fillimet e të shkruarit te diktimi mund të shënjojë një distancim të ri mes mendimit dhe shenjës në letër, kjo nuk ka të bëjë me atë që, kur vjen puna për teknologjinë e të shkruarit, kjo është përcaktuar dhe ka ndryshuar në vite dhe shekuj falë edhe tensionit midis ekspresivitetit të subjektit, ose shkrimit si shprehje e vetes a e identitetit; dhe orientimit ndaj objektit, ose shkrimit si instrument për të komunikuar me tjetrin. Duke kaluar nga subjekti tek objekti, ta zëmë nga një zhgarravinë që edhe ti që e ke bërë nuk e kupton më, te një faqe e shtypur në ekran ose me printer, në fakt kemi lëvizur sipas një vektori të qartësisë. Po çfarë është tamam qartësia, në mos konformim ndaj një standardi “tipografik”, në mënyrë të tillë që ai tjetri të njohë, te shkronja jote, shkronjën që kishe ti në mendje kur po e vizatoje? Ky standard ngjan, nga disa anë, me standardin gjuhësor, paçka se vjen shumë më pak i politizuar; tek e fundit, në të dy rastet fokusi është orientimi ndaj objektit dhe mënjanimi i subjektivitetit – qoftë ky i shprehur me fonema a me forma gramatikore jo-standard, qoftë i mishëruar në forma shkronjash të çuditshme ose të panjohura. Natyrisht, mjetet mekanike të shkrimit, si tipografia (për shtypshkrimin) dhe makina e shkrimit, e më pas të shkruarit nëpërmjet një kompjuteri a pajisjeje tjetër elektronike (telefon cellular, tabletë) e çlirojnë subjektin shkrues nga nevoja për t’iu konformuar standardit në format e shkronjave dhe konvencioneve të tjera shkrimore, sikurse e çlirojnë nga barra për të vendosur nëse do t’i nënshtrohet apo jo atij standardi.

Çfarë humbasim, dora-dorës që e zëvendësojmë shkrimin me dorë me modelin mekanik/tipografik/elektronik? Johannes Trithemius, një dijetar gjerman i shekujve XV-XVI, që bëri emër si leksikograf, kriptograf dhe okultist, autor i së famshmes Steganographia, një libër në tri volume që përshkruante – mes të tjerash – si të përdorej magjia për të komunikuar në distancë, e konsideronte shkrimin me dorë si akt spiritual, një formë e përkushtimit fetar që nuk mund të replikohej kurrë nga tipografia e Guttenberg-ut (Trubek, vep.cit.).

Nëse ka pasur ndonjë domethënie apo jo, ontologjia e veglës shkrimore tek unë, këtë ende përpiqem ta kuptoj. Nietzsche-ja, i cili e përjetoi vetë revolucionin teknologjik të makinës së shkrimit, pat shkruar në një nga letrat private: “Veglat tona të shkrimit veprojnë edhe mbi mendimet tona”. Friedrich A. Kittel, nga libri i të cilit Gramophone, Film, Typewriter (Stanford University Press, 1999) e kam marrë këtë citat, gjen edhe një lidhje mes stilit aforistik të veprave të vona të atij filozofi dhe teknologjisë së re. Një ndikim të ngjashëm të makinës së shkrimit në stil e pat dyshuar edhe T.S. Eliot, pasi filloi t’i shkruajë poemat e veta me makinë: “në vend të fjalive të gjata, me të cilat kisha rënë në dashuri, tani nxjerr nga dora gjëra të shkurtra, staccato, si proza frënge moderne. Makina e shkrimit ndihmon qartësinë, por nuk më duket se inkurajon finesën (subtlety).”

Te leksionet për Parmenides-in, Heidegger-i e përmbledh dilemën kështu: “Shkrimi mekanik e privon dorën nga rangu i saj në lëmin e fjalës së shkruar dhe e degradon fjalën në mjet komunikimi.” Për ta kuptuar këtë, le të mbajmë parasysh se ky filozof i konsideronte edhe dorën, edhe fjalën, si shenjat dalluese kryesore të njeriut; dhe mendonte se dora lindi (doli) nga fjala dhe së bashku me fjalën. Në vend që të themi se njeriu “ka” duar, thotë ai, do të themi se dora mban esencën e njeriut; dhe dora – si çfarë është përfshirë në të dhe çfarë i shfaqet shikimit – është fjala e shkruar, d.m.th. shkrimi. Dhe fjala si skript është shkrimi me dorë. Që njeriu modern tani shkruan “me” makinë shkrimi dhe i “dikton” një makine, kjo shpalos një nga arsyet kryesore për shkatërrimin në rritje të fjalës, meqë kjo e fundit nuk vjen dhe ikën nëpërmjet të dorës shkruese, që është dora mirëfilli vepruese, por nëpërmjet forcave mekanike që ajo çliron. Makina e shkrimit e shkul të shkruarit nga mbretëria esenciale e dorës, që është mbretëria e fjalës, dhe fjala vetë shndërrohet në diçka të shtypur (angl. “typed”). […] gjithë duke e fshehur shkrimin me dorë dhe karakterin. Makina e shkrimit i bën të gjithë të duken të njëjtë…”, homogjenizon duke i fshirë diferencat individuale.

Le të mbajmë parasysh, në këtë kontekst, qëndrimin e Heidegger-it ndaj teknologjisë; dhe bindjen e tij se “të menduarit” është një aktivitet, një bashkëveprim i dorës dhe e mendimit; në kuptimin që krejt puna e dorës është e rrënjosur në të menduarit. Në këtë kuptim, një laps ose një penë, si vegla shkrimi, janë zgjatime të dorës, që ua realizon potencialin; çfarë nuk ndodh me makinën e shkrimit, dhe aq më pak me kompjuterin (me tastierë).

Duke iu kthyer qëndrimit të Heidegger-it, se “Shkrimi mekanik e privon dorën nga rangu i saj në lëmin e fjalës së shkruar dhe e degradon fjalën në mjet komunikimi”, le të kujtojmë këtu se, në një vepër që mbështetet sa tek ai filozof, sa edhe te Derrida (Where are you – An Ontology of the Cell Phone, 2014, Fordham University Press), Maurizio Ferraris sugjeron, duke iu referuar Derrida-s, se shkrimi – veçanërisht shkrimi nëpërmjet një pajisjeje si telefoni celular – ka të bëjë më shumë me regjistrimin se me komunikimin. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë ja ku u kthyem te regjistrimi si funksion fillestar i të shkruarit, ai që shfaqet në shumerët dhe qytetërime të tjera tejet të hershme, si ai i Linearit B.

Si i apasionuar që kam qenë pas shkrimit me dorë, gjithnjë jam prirur ta afroj me vizatimin, dhe, në analizë të fundit, me pikturën: dora vizaton në faqe simbole me natyrë gjuhësore. Te vizatimi ka një diçka jo thjesht kinetike, por edhe koreografike: shumë kultura, edhe pse jo detyrimisht jona, e afrojnë shkrimin me bukurshkrimin – mjaft të përmend rolin që luan kaligrafia në kulturën arabe dhe në kulturën kineze. Ky aspekt vizual i të shkruarit anulohet krejt nga të shtypurit me makinë; sepse këtu vizatimi ia lë vendin “vulës”, dhe të shkruarit ia lë vendin “vulosjes”.

E megjithatë, nga eksperienca personale, që kur kam filluar të përdor tastierën e kompjuterit për të shkruar, gjithnjë më ka shkuar mendja te një marrëdhënie mes të shkruarit me majë të gishtave në tastierë dhe të luajturit e një instrumenti muzikor, për të bërë muzikë. Sikurse më ka shkuar mendja që mjeshtria ime, sado rudimentare, për të luajtur në kitarë dhe, shumë më keq, në një piano elektronike, më ka ndihmuar për t’u ndier mirë përballë tastierës së kompjuterit. Edhe vetë termi që përdorim, tastierë, përçon një farë uniteti të thellë, ose solidariteti kuptimesh, mes dy veglave që konfigurohen – sërish në analizë të fundit – nga mekanika e dorës (e duarve). Edhe bishti i kitarës, që nuk i ngjan, në dukje, tastierës së pianos dhe asaj të kompjuterit, sërish merr parasysh gishtat, koreografinë e tyre, aftësitë limit për të vallëzuar mbi të, hapjet dhe distancat; aq sa të më bëjë ta përfytyroj si projeksion të dorës mbi dru.

Sërish më duhet të pyes: çfarë domethënie mund të ketë ky kalim, nga natyra vizatimore e shkrimit me dorë, te natyra muzikore e shkrimit përmes një tastiere; çfarë ndikimi mund të ketë sjellë në stil dhe në ritëm dhe në artikulimin e tekstit (ligjërimit); dhe më në fund, cilat janë efektet e shkrimit vetëm “muzikor” në brezin e atyre që nuk e kanë përdorur shkrimin me dorë si instrument bazë për të shkruar?

 

© 2025 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me AI.


Shënim: disa të dhëna dhe kuriozitete për përdorimin e makinës së shkrimit i kam nxjerrë nga Anne Trubek, The History and Uncertain Future of Handwriting, Bloomsbury 2016.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin

Pajtomë