Pak kohë para, nuk mund të them saktësisht se sa, vizitës së vitit të kaluar – për mua historike – të kryeministrit Rama në Athinë, në mediet dhe në shoqërinë shqiptare kishte filluar të flitej dhe të dëgjohej me një lloj simpatie për emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët prej vitesh quhen thjesht “Jorgo”.
Më ka rastisur të dëgjoj në studiot televizive njerëz që kanë qenë vetë emigrantë në Greqi, si Kreshnik Spahiu, Artan Hoxha dhe Laert Vasili. Në shumicën e rasteve, këta flisnin për vështirësitë dhe sakrificat e mëdha që emigrantët shqiptarë kanë kaluar: ata pranuan pa u ankuar racizmin e vendasve, punuan pa dokumente, pa sigurime shoqërore dhe pa asnjë garanci.
Shumë prej tyre ndryshuan emrat, fenë dhe madje edhe vendlindjen, vetëm që të mund të hidhnin rrënjë diku. Dhe e bënë këtë thjesht për një qëllim të qartë: për të krijuar një të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre [1].
Për këto vështirësi, racizmin dhe vuajtjet që emigrantët shqiptarë hasën, si nga shteti, ashtu edhe nga shoqëria greke, mediet shqiptare dhe analistët e shumtë nuk flisnin shpesh. Nuk e di me saktësi se sa, por supozoj që zërat e përmendur më parë kanë ndikuar deri diku edhe në botën politike dhe shoqërinë shqiptare. Empatia për vitet e vështira dhe kushtet e rënda, në të cilat shqiptarët ndërtuan jetët e tyre të reja në Greqi, po dëgjohet gjithnjë e më shumë në sferën publike në Shqipëri.
Por, a ka qenë gjithmonë kështu? Sigurisht që jo. Këta zëra bëheshin më të zëshëm kryesisht kur kishte tensione midis Greqisë dhe Shqipërisë, siç ndodhi gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2023 në Himarë [2]. Në ato raste, tematika e emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe sakrificat e tyre shpesh përdoreshin si argument për të nxitur solidaritet dhe për të theksuar padrejtësitë historike.
Përgjigjja nuk mund të kufizohet në një “po” ose “jo”. Megjithatë, kujtoj që emigrantët nga Greqia shpesh ishin objekt i skenave satirike në shfaqjet komike televizive, ndryshe nga emigrantët e Italisë, të cilët duket se i shpëtonin kësaj qasjeje. Shoqëria shqiptare, ose të paktën një pjesë e madhe e saj, shpesh i trajtonte emigrantët nga Greqia me nënvlerësim, dyshim dhe një dozë ironie.
Një nga arsyet për këtë qëndrim ishte fakti që Greqia, nga të gjitha vendet ku shqiptarët emigruan pas viteve ’90, ishte më pak e pasur dhe më pak prestigjioze. Ky perceptim u ushqye edhe nga marrëdhëniet historike ose tensionet mes Shqipërisë dhe Greqisë, të cilat kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive.
Emigranti “Jorgo” shpesh bëhet subjekt i memeve në rrjetet sociale dhe çdo gjë “qesharake” që lidhet me ta, përhapet shpejt. Megjithatë, duket se empatia ndaj tyre po rritet gradualisht. Sidomos në rastet kur ka kritika ndaj shtetit grek, ose kur bëhet krahasimi mes trajtimit të minoritetit grek në Shqipëri dhe komunitetit shqiptar në Greqi, pëlqimi dhe vlerësimi për sakrificat e emigrantëve shqiptarë nga Greqia shtohen dukshëm. Në këtë mënyrë, ata shndërrohen nga subjekt humori në shembull force dhe qëndrese përballë vështirësive.
Në shoqërinë shqiptare, ndryshimet masive të emrave nga emigrantët komentoheshin shpesh, sepse ishte dhe mbetet një realitet i dukshëm. Kjo temë ka gjetur pasqyrim edhe në veprat artistike. Një shembull karakteristik është skena nga filmi “Streha mes reve” [3], i regjisorit Robert Budina, ku emigrantët që kthehen nga Greqia hanë mish derri në shtëpinë e tyre në Shqipëri, ndërsa të tjerët jo. Kjo skenë simbolizon ndryshimet e mëdha kulturore dhe fetare që përjetuan shumë emigrantë, të cilët shpesh u pagëzuan si ortodoksë për t’u përshtatur me mjedisin grek.
Për vite të tëra, emigrantët shqiptarë në Greqi u lanë në mëshirën e fatit nga qeveritë shqiptare, të cilat nuk treguan ndonjë interes të madh për problemet e tyre. Kjo neglizhencë përfshinte edhe mosreagimin ndaj një çështjeje tejet të rëndë: vrasjen e 171 emigrantëve shqiptarë të pafajshëm në Greqi nga viti 1990 deri më sot [4]. Në shumë raste, autorët e këtyre vrasjeve nuk u gjetën kurrë dhe në ato pak raste kur drejtësia greke reagoi, dënimet ishin shpesh qesharake dhe të papërfillshme.
Kjo mungesë mbrojtjeje dhe drejtësie nga ana e shtetit shqiptar mbetet një njollë në marrëdhëniet midis dy palëve dhe një dëshmi e indiferencës së gjatë ndaj diasporës shqiptare në Greqi.
Reportazhet për emigrantët shqiptarë nga portalet, gazetat online, kanalet televizive dhe gazetarët-influencers po shtohen dita-ditës. Një aspekt që më ka bërë përshtypje të madhe, është mënyra se si u referohen shifrave. Dikush thotë se në Greqi sot jetojnë 800 000 shqiptarë, një tjetër përmend 600 000, diku tjetër dëgjova 500 000, e kështu me radhë.
Por cili është realiteti?
Për këtë çështje, nga kurioziteti, por edhe për të kuptuar më shumë, iu drejtova një mikut tim që punon në parlamentin grek. V.C. më informoi se deputetja e PASOK-ut, Nadia Giannakopoulou, kishte bërë një pyetje zyrtare në parlament drejtuar ministrit përkatës për numrin e emigrantëve që jetojnë në Greqi [5].
Sipas përgjigjes zyrtare, në Greqi janë të regjistruar 400 217 shtetas shqiptarë. Kjo shifër nuk përfshin ata që tashmë kanë marrë shtetësinë greke dhe as fëmijët e mitur të atyre që kanë leje qëndrimi. Përveç kësaj, vlerësohet se rreth 10 000 shqiptarë kanë leje qëndrimi të pezulluar për arsye të ndryshme.
Gjithashtu, nuk ka të dhëna të sakta për numrin e shqiptarëve që, pavarësisht shtetësisë greke ose shqiptare, janë larguar nga Greqia vitet e fundit. Ky fenomen lidhet edhe me valën e largimeve që ka përfshirë vetë shtetasit grekë në dekadën e fundit, ku më shumë se një milion janë detyruar të emigrojnë për shkak të krizës ekonomike dhe mungesës së mundësive në vendin e tyre (të ashtuquajturin “Brain Drain”) [6].
Duke u bazuar në këto të dhëna, është e qartë se shifrat e përmendura në reportazhe shpesh janë të ekzagjeruara ose të pabazuara në të dhëna zyrtare, duke reflektuar më shumë hamendësime sesa realitetin.
Videoja e fundit që kam parë nga gazetari Blendi Fevziu, ku përmendte situatën e djeshme dhe të sotme të shqiptarëve në Greqi, ngriti një mori pyetjesh për shkak të deklaratave që bëhen në publik. Për shembull, fraza si: “Pjesa e fëmijëve të emigrantëve që jetojnë në Greqi, është pjesa që (ndoshta) më pak e njeh shqipen”, më shtyn të pyes: Në çfarë burimesh apo të dhënash mbështeten deklarata të tilla? Me çfarë metodologjie janë mbledhur këto të dhëna dhe ku mund t’i konsultojmë ne të tjerët?
Kjo më kujtoi një profesor universiteti grek, i cili shpesh paraqitet në mediet greke dhe shqiptare duke dhënë deklarata të përgjithshme. Në një rast ai kishte thënë se racizmi kundër shqiptarëve në Greqi ka përfunduar, ndërsa në një tjetër kishte theksuar se rinia shqiptare është nacionaliste, sepse argëtohet me këngë nacionaliste në klubet në Shqipëri. Por çfarë konsiderohet “nacionalizëm”? Përvoja ime më tregon se disa grekë mund t’i konsiderojnë nacionaliste edhe këngë të tilla si “Valle kosovare”.
E vërteta është që komuniteti shqiptar në Greqi, si çdo komunitet tjetër, nuk është homogjen. Nuk ka të njëjtat mendime, qëndrime apo gjykime. Brenda tij ka zëra të ndryshëm, dhe kjo vlen edhe për brezin e dytë të emigrantëve. Jo të gjithë e flasin shqipen në të njëjtin nivel; jo të gjithë kanë pasur mundësinë apo dëshirën për ta përmirësuar. Kjo është një situatë e ngjashme me brezin e dytë të emigrantëve shqiptarë në Itali, Belgjikë apo Gjermani.
Ka shumë fëmijë shqiptarësh të lindur në Greqi që e flasin shqipen shumë mirë, madje më mirë se disa që kanë lindur në Shqipëri. Interesi personal luan një rol të madh, por edhe kushtet e krijuara ndikojnë shumë. Mësimi i shqipes në Greqi ofrohet vullnetarisht, kryesisht në fundjavë, dhe me shumë pengesa [7]. Jo të gjithë kanë pasur ose kanë mundësi t’i ndjekin këto kurse. Pavarësisht kësaj, nga ky brez kanë dalë përkthyes profesionistë, profesorë shqiptarë universitetesh, gazetarë, analistë dhe artistë që e zotërojnë shqipen në nivele të shkëlqyera.
Një shembull është fakti se një shqiptar i brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë në Greqi është sot ministër i Mbrojtjes në Shqipëri [8]. Por ka edhe nga ata që, kur flasin me gazetarë shqiptarë, u duhet përkthyes. Kjo ndodh edhe me brezin e dytë të shqiptarëve të Italisë, Belgjikës apo Gjermanisë. Apo jo?
Të kategorizosh një grup të tërë njerëzish në bazë të stereotipave, është jo vetëm joprofesionale dhe e rrezikshme, por edhe politikisht jokorrekte. A mund të matet me saktësi sa mirë e flet një brez i tërë gjuhën amtare? A është shqipja standarde i vetmi kriter, apo duhet të marrim parasysh edhe dialektet? Dhe sa tolerancë ka në Shqipëri për ata që e mësojnë shqipen jashtë kufijve [9]?
Më kujtohet diçka që më pati çuditur: një shoqatë shqiptare në Athinë organizoi vitin e kaluar një event dhe aty po diskutohej pikërisht ‘emigracioni shqiptar’ dhe në panel ishin tre grekë dhe një shqiptar.
Diskutimet për një grup të caktuar njerëzish, kur ata vetë nuk janë të përfshirë në mënyrë të mjaftueshme në debat, shpesh rrezikojnë të mos jenë as të drejta, por me siguri nuk do të jenë as përfaqësuese. Të flasësh për një komunitet pa e përfshirë atë në bisedë është, në rastin më të mirë, një qasje e paplotë dhe, në rastin më të keq, një përpjekje për të folur në emër të tyre pa e pasur këtë të drejtë.
Diskutimi për emigracionin shqiptar me një panel ku shumica janë grekë dhe vetëm një shqiptar është jo vetëm disproporcional, por edhe një humbje e mundësisë për të dëgjuar perspektivat autentike të atyre që e kanë përjetuar emigracionin. Në një forum të tillë, ku do të duhej të pasqyrohej zëri i komunitetit shqiptar, ai është zvogëluar deri në margjinalitet. Pra, pse flasin gazetarët shqiptarë për një brez emigrantësh kur nuk i përkasin këtij brezi?
Në të njëjtën video, Blendi Fevziu thekson: “Ndërkohë që problemi kryesor që shqiptarët hasën…, ishte në momentet e para një pritje shumë e mirë që vinte nga grekët. Në fakt, pritja e tyre ishte shumë e mirë. Por më pas, duke pasur parasysh mosnjohjen e realitetit, mosnjohjen e situatës, shumë prej shqiptarëve u përfshinë në probleme që lidheshin me kriminalitetin, vjedhjen…”.
Këtu dua të përsëris diçka që kam shkruar në tetor të vitit 2024: ky “por” ka shënuar fatin e qindra mijëra emigrantëve shqiptarë, jo vetëm në Greqi dhe Itali, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar vitet e fundit [10]. Kjo lloj retorike e bën shumë të vështirë për shqiptarët që të jenë të pranuar plotësisht, pasi gjithmonë duket se duhet të “provojnë” vlerën e tyre dhe të “riparojnë” një imazh që nuk e krijuan ata vetë. Kjo është veçanërisht e padrejtë për shumicën e emigrantëve që kanë qenë të ndershëm, të përkushtuar dhe që kanë kontribuuar në mënyrë pozitive në vendet ku kanë emigruar.
Sipas Fevziut, pritja e shqiptarëve në Greqi fillimisht ishte shumë e mirë. Megjithatë, një numër i madh shqiptarësh u përfshinë në aktivitete kriminale, dhe për këtë arsye qëndrimi i shoqërisë greke ndryshoi. Pra, sipas kësaj logjike, fajin dhe arsyen për keqtrajtimin që përjetuan emigrantët shqiptarë në Greqi, e kanë vetë shqiptarët. Sipas kësaj narrative, media greke, që i portretizonte të gjithë emigrantët shqiptarë si banditë dhe pushtues, nuk luajti fare rol në këtë situatë. Po ashtu, as shoqëria greke, e cila fillimisht ishte e gatshme t’i mirëpriste fqinjët e saj të varfër, nuk ka asnjë përgjegjësi për racizmin e ashpër që tregoi ndaj tyre.
Me pak fjalë, thuhet se e meritonim çdo gjë, sepse midis nesh kishte kriminelë dhe hajdutë.
Por, sa kriminele ishte motra ime dhe sa hajdut isha unë, 7 dhe 9 vjeç? Apo kushërinjtë tanë, 4 dhe 1 vjeç, ose fëmijët e tjerë që prindërit i sollën nga Shqipëria në Greqi? Me këtë logjikë dhe këtë lloj racizmi jemi përballur atëherë dhe, siç duket, shqiptarët në Greqi ende përballen me të njëjtat paragjykime [11]. Kjo ishte përditshmëria jonë sa herë që në lajmet greke përmendej një krim i kryer (ose thjesht i dyshuar) nga një shqiptar. Sikur faji ishte kolektiv, një barrë mbi çdo shqiptar që jetonte në Greqi.
Rroftë victim blaming, rroftë gazetaria shqiptare!
Ja disa fragmente nga kolegët grekë të Blendi Fevziut për mirëpritjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi:
“Fund tragjik për tre shqiptarë”
- Një i vdekur nga plumbi i një roje
- Dy të vrarë brutalisht në Agrinio
- Dhe një tjetër është mbytur në një lumë
Gazeta “Ta Nea”, 4.11.1991
“Ankthi dhe frika kanë kapluar banorët e fshatrave greke pranë kufirit, pasi kufiri është rrethuar nga refugjatë shqiptarë të uritur. Ushtria ka dhënë urdhra të posaçëm për banorët e zonës se si të përballen me situatën…
Banorët grekë të fshatrave pranë Shqipërisë jetojnë çdo natë në frikë nga pushtuesit shqiptarë. Pas këtyre maleve është Shqipëria, dhe çdo natë ushtria dhe policia patrullojnë për të dekurajuar banditët shqiptarë…”
Fragmente nga një buletin lajmesh i Kanalit Televiziv Mega Channel të vitit 1992 [12].
“Pas të gjithave, ata ishin shqiptarë”
Autori i vrasjes së dy emigrantëve shqiptarë paraqitet si një njeri me probleme psikologjike, që ka një urrejtje të pashpjegueshme ndaj shqiptarëve.
Ndërkohë, një artikull tjetër informon se një fermer mori armën dhe qëlloi tre shqiptarë ndërsa ata po flinin në një kasolle nën dyshimin se po e vidhnin.
Gazeta “Ta Nea”, 6.2.1993
“NËN PUSHTIMIN SHQIPTAR”
“Po na vrasin brenda shtëpive tona”
Gazeta Eleftheros Tipos, 24.05.1993
Diçka nga sporti:
TITULLI: GREQIA E RËNIES (SOCIALE)
“Fytyra të trishtuara, koka të ulura. Lojtarët e ekipit kombëtar të futbollit mbërritën në Athinë në agim pas udhëtimit në Tiranë. Trajneri dhe lojtarët arritën ta bëjnë një komb të tërë të ndjejë turp dhe indinjatë. Një komb që u poshtërua jo vetëm në nivel sportiv, por edhe në nivel shoqëror. Shqiptarët, të bashkuar si një trup i vetëm, luajtën për ekipin e tyre dhe na mundën pastër. Shqipëri – Greqi 2-0 mbrëmë në Tiranë, me ekipin grek që zhgënjeu edhe armiqtë e tij më të betuar me paraqitjen e tij. Me një trajner që duket se jeton 100 vite mbrapa, pasi ka humbur çdo sens mase pas ndeshjes së fundit. Vasilis Daniil përgëzoi lojtarët e tij për përpjekjen dhe deklaroi se ishte i kënaqur. Ata që e panë ndeshjen në ALPHA TV panë një ekip kombëtar që dështoi të ngrihet në nivelin e duhur. Pasi pranuan golin e parë, u përhumbën, dhe lojtarë me vlerë të madhe, me përvojë në Champions League, nuk mundën ta mposhtnin Strakoshën. Në pjesën e parë, ekipi iu afrua golit, por nuk ia doli të shënojë. As Karagounis, as Georgiadis, as Choutos. E gjithë shtypi grek, me tituj therës, kritikoi performancën e turpshme të ekipit tonë përfaqësues [13]”.
Kjo lloj gazetarie ndez atmosferën, kultivon fanatizëm dhe urrejtje. Në rastin konkret, rezultatet i pamë pikërisht 4 vite më vonë në ndeshjen e radhës mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku sërish Shqipëria fitoi. Në Zakinthos u vra Gramoz Palushi pasi kishte veshur një bluze të kuqe, thjesht të kuqe e jo te kombetarës [14]. Ndërsa në pjesën tjetër të Greqisë, ata shqiptarë që dolën për të festuar fitoren e Shqipërisë u ndeshën me dhunë të pabesueshme nga tifozët grekë.
Me 10 janar 2022, pra pasi shqiptarët u integruan në menyrë spektakolare, siç thekson Blendi Fevziu, një tjetër koleg i tij, Nikos Evaggelatos, gjatë transmetimit në televizion duke dhënë lajmin për arrestimin e një shqiptari ditën e dielë i cili qëlloi me armë në rrugë, u shpreh se nuk ka asgjë të pazakontë kur dëgjon për shqiptarët dhe armët. Ai e cilësoi ngjarjen si “normale” për faktin që personi i arrestuar nga policia me armë është shqiptar.
“Çfarë është më e zakonshme se një shqiptar me armë”, tha live Evaggelatos [15].
A është dhe kjo faji i emigrantëve shqiptar të integruar në Greqi z. Fevziu? A janë ndoshta ngjarje si kjo që e bën shtetin grek t’i trajtojë emigrantët mbas 35 vite pa respekt duke i hequr në 2019 lejet qendrimi 10 vjeçare? Duke i trajtuar ata si të kishin emigruar në Greqi dje [16]?
Ky lloj formati mua vetë më krijon përshtypjen se shqiptarët e brezit të parë apo të dytë nuk janë të aftë të flasin për përvojat e tyre, ose se nuk kanë ekspertizën e duhur, që është krejt e pavërtetë. Shoqëria dhe institucionet që dëshirojnë të adresojnë çështje që prekin komunitetet e margjinalizuara, do të ishte mirë të sigurojnë që ata të jenë aktorë kryesorë në procesin e bisedës dhe vendimmarrjes. Besoj se kështu mund të krijohet një platformë që nuk riprodhon paragjykime ose stereotipa, por promovon mirëkuptim dhe solidaritet.
Për mendimin tim, është thelbësore të mos u përcjellim brezave që jetojnë jashtë Shqipërisë, mesazhin se “nuk e flisni mirë shqipen”, sepse kjo mund të shkaktojë një shmangie më të madhe nga gjuha [17]. Në vend të kësaj, do të doja të shikoja që t’i inkurajojmë dhe t’u ofrojmë mbështetje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin e tyre kulturor. Gjithashtu, fakti që disa fëmijë rriten duke folur dy gjuhë, p.sh. shqip dhe greqisht ose shqip dhe italisht, është jashtëzakonisht pozitiv për ta, por edhe nga pikëpamja kulturore, si për vendin e origjinës, ashtu edhe për vendin në të cilin ata rriten. Disa prej nesh na u deshën dekada për të kuptuar se nuk ka asnjë problem të flasësh greqisht në Shqipëri apo shqip në Greqi.
Ky lloj diskutimi do të ishte i dobishëm në qoftë se do të sfidohej. Është e nevojshme të flasim për këto çështje me më shumë ndershmëri dhe kontekst historik, duke kuptuar se përgjegjësia për paragjykimet dhe vështirësitë që emigrantët kanë përjetuar nuk qëndron mbi ta, por mbi sistemet dhe shoqëritë që kanë dështuar t’i pranojnë dhe t’i trajtojnë drejt.
Dhe diçka e fundit, me një identifikim tërësisht personal: në vend të frazave, si “ti flet shqip si grek“, do të doja të dëgjoja më shumë fraza inkurajuese, si “flisni shqip gjithnjë e më shumë, me ose pa gabime, me ose pa shqiptim të përkryer, me ose pa dialekt“. Kjo është një qasje e dobishme për të inkurajuar brezat që nuk e kanë mësuar shqipen siç duhet, ose që nuk e kanë mësuar fare, të ndihen të lidhur dhe krenarë për këtë gjuhë. Për mua kështu krijohet një mjedis që mbështet dhe nxit përdorimin e shqipes, në vend që të gjykojmë përpjekjet e sinqerta të kujtdo. Unë vetë kam përvojën time për ta konfirmuar këtë: inkurajimi dhe mirëkuptimi janë çelësi për të kultivuar dashurinë për shqipen.
© 2025 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ndalohet rreptë ribotimi pa lejen eksplicite të autorit.
Referencat:
[1]https://www.respublica.al/2023/10/16/t-gjitha-macet-jan-t-bukura
[3]https://cineuropa.org/en/film/361412/
[4]https://shqiptarja.com/video/historiku-ja-171-emigrantet-shqiptare-qe-jane-vrare-ne-greqi
[7]https://www.dw.com/sq/m%C3%ABsuesit-e-gjuh%C3%ABs-shqipe-n%C3%AB-greqi/a-14983347
[8]https://www.gazetatema.net/blogu-tema/dy-fjale-per-ministrin-e-ri-te-mbrojtjes-pirro-vengun-i450582
[9]https://peizazhe.com/2025/01/06/nga-brohoritjet-te-realiteti-shqipja-pertej-kufijve/
[10]https://peizazhe.com/2024/10/18/koha-jone-per-racizem/
[12] Marrë nga një Free Book me titullin “Mosmirënjohës”.
[13]Raporti i Andreas Tzifas për ALPHA TV pas humbjes së ekipit kombëtar grek të futbollit nga ekipi shqiptar më 11.10.2000. https://www.youtube.com/watch?v=X2124CqAty8
[16]https://www.tribuna-news.com/news/me-kodin-e-ri-t-emigracionit-leje-10-vje-are
[17]https://peizazhe.com/2025/01/06/nga-brohoritjet-te-realiteti-shqipja-pertej-kufijve/
SHBA jane vend me 330 milione i ndertuar nga emigrantet dhe urrejtja ndaj emigranteve ka qene nje konstate e perhershme e historise se tyre me e vjeter se sa SHBAte vete .Duhet thene shtrember te rrime e drejte te flasem se greket nje popull prej 9 milione banoresh e perballuan sfiden e integrimit te gjysem milione shqiptareve te cilet ardhen atje te paftuar ne pergjithesi mire .Nashi fenomene racizmi ndaj shqiptareve pati por edhe ne shqiptaret do ishim treguar po aq raciste nese rolet do ishin te kunderta .Ndersa fenomenet e racizmit duhen adresuar e mira eshte qe te permenden disi me shume edhe qindra mijera akte miresie te grekeve ndaj shqiptareve .