Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Diaspora

NGA BROHORITJET TE REALITETI: SHQIPJA PËRTEJ KUFIJVE

Këtë shkrim do ta nis duke e bërë të qartë që në krye të tij se do të ruaj një lloj balance mes asaj që mund të konsiderohet e suksesshme dhe disavantazhet që e rrethojnë gjithë kohës këtë sukses. Them kështu sepse kohët e fundit, sidomos nëpër tubimet e orientuara drejt qëllimeve politike, shpeshherë shikojmë një lloj brohoritje suksesi për mësimdhënien e shqipes jashtë hapësirës shqipfolëse, saqë të krijohet përshtypja (në mos besimi) se gjithçka shkon më së miri, e ndërkohë realiteti nuk del (ose nuk duhet të dalë) në pah.

Tashmë është një lajm i mirë dhe shpresëdhënës për shqipen dhe kulturën shqiptare që përpos programit të mirënjohur të Albanologjisë në LMU München, që ofron shqipen prej dekadash në nivel universitar, në hapësirën gjermanofolëse janë themeluar dhe dy lektorate të tjera të shqipes: ai i Universität Regensburg në prill 2023 (për momentin me kohëzgjatje deri në mars 2029), dhe që prej shkurtit 2025 ai i Universität Zürich në Zvicër (për momentin me kohëzgjatje deri në 2028). Duke qenë se njëri lektorat sa ka filluar të hedhë rrënjët, e tjetri do të fillojë së afërmi, e pashë të arsyeshme që në mënyrë të thukët të jap për lexuesit e Peizazheve disa informacione rreth pozicionimit të tyre dhe strategjive të mia si lektor i të dyja lektorateve. Më tej do t’i kushtoj vëmendje të veçantë mësimdhënies së shqipes si gjuhë e trashëguar, meqenëse kjo është një nga çështjet më qendrore në ekzistencën e lektorateve të shqipes.

1. Pozicionimi

Përpara se të ndalem konkretisht në pozicionimin e lektorateve, duhet sqaruar një fakt i cili duhet të pranohet si i tillë pa shumë diskutime: ekzistenca e njësive të ndryshme studimore, duke përfshirë dhe shqipen bazohet në fonde. Këto fonde vijnë ose nga universiteti, ose nga burime të treta (fondacione shkencore), dhe nuk do shumë mund që të kuptohet që në një situatë si kjo e sotmja ku investimet për degë si Romanistika, Sllavistika apo Albanologjia sa vijnë e po rrallohen dhe konkurrenca po bëhet gjithmonë e më e fortë, një nga zgjidhjet e mundshme është trajtimi i këtyre degëve brenda Studimeve të Europës (Jug)Lindore. Kështu janë pozicionuar edhe Studimet Shqiptare në Regensburg. Ato janë pjesë e një projekti 6-vjeçar që quhet SeeFfield të financuar nga Fondacioni Volkswagen, pra financohen nga burime të treta, teksa infrastrukturën e nevojshme për zbatimin e projektit e mundëson Universiteti i Regensburgut. Projekti ka në fokus të mbështesë Studimet për Europën Juglindore, ku ndër të tjera marrin pozicionin e tyre edhe Studimet Shqiptare. Megjithatë, duhet thënë që projekti i dha një rol qendror shqipes, sepse vendosi që lektorati i shqipes të themelohej dhe të financohej plotësisht nga projekti në 6 vitet e ekzistencës së tij. Pra, i vetmi lektorat që SeeFfield financon është ai i shqipes. Për arsye tërësisht institucionale lektorati u pozicionua në Institutin e Sllavistikës brenda Universitetit të Regensburgut.

Meqenëse në Universitetin e Zyrihut ende nuk e kam nisur punën nuk mund ta trajtoj gjerësisht punën për Studimet Shqiptare atje, por në shërbim të argumentit që degët tona po ngjeshen, duhet thënë që edhe në Universitetin e Zyrihut është vendosur që Seminari Sllav të bashkohet me Studimet e Europës Lindore dhe së bashku të formojnë një Institut për Europën Lindore. Në kuadër të këtij ristrukturimi lindi dhe ideja e një lektorati të shqipes, që sado i kufizuar (vetëm 10% ngarkesë, pra 2 orë në javë) përbën një ngjarje historike për Studimet Shqiptare sepse është hera e parë në Zvicër që hapet një lektorat i shqipes në nivel universitar, brenda studimeve të Europës Lindore. Nuk duhet harruar që Zvicra përmban një numër tepër të konsiderueshëm folësish të gjuhës së trashëguar[1].

2. Përfitimet dhe zhvillimi

2.1 Shqipja dhe mësimdhënia e saj

2.1.1. Një veçanti e lektoratit të shqipes në Regensburg është ofrimi (që prej prillit 2023) për herë të parë i kurseve posaçërisht për folësit e gjuhës së trashëguar në nivel universitar. Ndërmarrje të tilla të shpejta kërkojnë në radhë të parë formimin e lektorit. Në Institutin e Sllavistikës është ndërkohë traditë mësimdhënia e gjuhëve të trashëguara, sidomos e rusishtes dhe e çekishtes, dhe ishin pikërisht lektoret e këtyre gjuhëve që më ofruan trajnimin përkatës për të ofruar kursin e shqipes si gjuhë e trashëguar. Njëkohësisht, ishte përfshirja e shqipes si gjuhë e trashëguar ajo që shtroi idenë e krijimit të një forumi për gjuhët e trashëguara. Ky forum që mbahet një herë në muaj, mbledh lektorët e gjuhëve të ndryshme për të diskutuar mbi didaktikën e mësimdhënies, për të hartuar projekte dhe për të organizuar tubime shkencore[2].

2.1.2. E nisëm me shqipen si gjuhë e trashëguar sepse ajo luan një rol kyç në ekzistencën e lektorateve të gjuhëve të ndryshme. Kjo për arsye se çështjet e migracionit dhe identitetit po marrin hovin e tyre kohët e fundit në hapësirën gjermanofolëse. Megjithatë, nuk duhet lënë pa përmendur që shqipja ofrohet edhe si gjuhë e huaj dhe që çdo semestër krahas mësimdhënies së gjuhës ofrohet edhe një kurs shkencor (me raste, kur kemi profesorë të ftuar, edhe dy kurse shkencore). Kurset e gjuhës janë ndërkohë pjesë e kurrikulës së përhershme të programit bachelor të Studimeve të Europës Juglindore, çka e bën premtuese të ardhmen e lektoratit dhe Studimeve Shqiptare.

2.1.3. Duke filluar nga viti 2025 do të ketë një certifikatë të njohurive të shqipes. Akreditimi i shqipes ishte i lehtë pikërisht prej infrastrukturës që ofton Instituti i Sllavistikës. Gjuhët e tjera janë të akredituara prej kohësh në UniCERT, një agjenci e cila i mundëson universiteteve gjermane të ofrojnë certifikata të gjuhëve të caktuara sipas kornizës europiane të gjuhëve. Megjithatë, ky certifikim është mundësuar deri në nivelin B1, dhe arsyeja është e lidhur me mundësitë që shqipja ofron në Regensburg. Ka vetëm një lektorat që ofron 13.5 orë mësimi në javë, dhe këto nuk mjaftojnë që studentët të arrijnë në nivele më të larta të mësimit të gjuhës. Këtu lind edhe nevoja të ngrejmë një pyetje: Kujt i intereson mësimi i shqipes si gjuhë e huaj, dhe për më tepër marrja e një certifikate të njohurive të shqipes? Kam pasur të bëj me studentë që kanë interesa nga më të ndryshmet por do të përmend këtu dy arsyet më të rëndësishme: ose duan të bëhen mësues (të degëve të ndryshme) dhe njohja e shqipes e pasuron dukshëm profilin e tyre profesional sepse në shkollat gjermane ka shumë folës të shqipes, ose duan të thellojnë kërkimet shkencore mbi Europën Juglindore dhe njohja e shqipes i ndihmon shumë, sidomos në studimet mbi ish-Jugosllavinë. Pra, theksoj këtu, që shqipja si gjuhë e huaj nuk është një fushë pa perspektivë, dhe jemi ne ata që duhet të punojmë më mirë në hartimin e metodave. Nuk do të ndalem në këtë shkrim te metodat e shqipes dhe problemet e tyre, sepse kjo çështje meriton një shkrim më vete.

2.1.4. Lektorati i shqipes është shtrirë edhe në nivele të tjera. Ministria e Arsimit e Bavarisë ndërkohë më ka emëruar si testues të shqipes për gjimnazet bavareze. Bëhet fjalë për folës amtarë të shqipes, të cilët kanë ardhur së fundmi në Gjermani dhe e kanë kryer një pjesë të shkollimit në Shqipëri. Këtyre folësve u jepet mundësia që të japin gjuhën e tyre amtare si provim në vend të gjuhëve të tjera (kryesisht frëngjisht dhe latinisht) që mësohen në shkollat e gjimnazet bavareze. Pra duhet kuptuar, siç do ta sqaroj paksa më gjerësisht më poshtë, që nuk janë vetëm shtetet amë ato që shqetësohen apo që duhet të shqetësohen për atë që ata e kanë quajtur dhe vazhdojnë ta quajnë diasporë.

2.2. Kërkimi dhe aktiviteti shkencor

2.2.1. Në vijim të idesë që parashtrova më sipër, pra që financimi është një nga faktorët kyçë në kërkimin dhe aktivitetin shkencor në degët tona, po flas fillimisht për mundësitë financiare që kanë Studimet Shqiptare në Regensburg. Së pari duhet thënë që Regensburgu shquhet për Studimet e Europës Juglindore sepse aty gjëllin prej kohësh Instituti Leibnitz për Studimet e Europës Lindore dhe Juglindore, i cili ka famë ndërkombëtare. Në bazë të kësaj ekspertize ngrihet dhe vetë projekti SeeFfield (Strengthening Southeastern European Studies in Regensburg), që ka mundësuar financimin e lektoratit të shqipes. Përpos këtyre burimeve kryesore të financimit, në Regensburg gjendet edhe Bayhost, Qendra Universitare Bavareze për Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore që ofron një shumëllojshmëri fondesh për kërkim shkencor dhe shkëmbime, dhe kjo mundësi nuk është vetëm për Regensburgun por për të gjitha universitetet në Bavari. Nga këto shkëmbime mund të përfitojë dhe shqipja kurdoherë. Rol kryesor luajnë edhe fondacione universitare që financojnë simpoziume shkencore, sic është fondacioni Vielberth i cili ka financuar një simpozium për Studimet Shqiptare që realizuam në qershor 2024, dhe jemi ndërkohë në pritje të përgjigjes për financimin e një tjetër simpoziumi që duam të realizojmë në vitin 2025.

2.2.2. Nga politikat e internacionalizimit që ndjek universiteti përfitojnë edhe Studimet Shqiptare. Kemi ndërkohë si partner strategjik programin e Studimeve Shqiptare në Universitetin Charles në Pragë, që drejtohet nga kolegia Orkida Backus Borshi. Shkëmbimet dhe bashkëpunimi shkencor midis njësive tona realizohet prej të paktën 4 burimesh financiare: Erasmus dhe DAAD, prej të cilëve mundësohet shkëmbimi, Agjencia universitare çeko-bavareze tek e cila mund të aplikojmë për projekte të përbashkëta dhe organizime konferencash, si dhe doktoraturat binacionale duke qenë se universitetet kanë marrëveshje që të udhëheqin doktoratura të përbashkëta. Shtojmë këtu edhe bashkëpunimet që kemi me UCL London, me kolegen Mirela Xhaferraj, e cila gjithashtu ka filluar të ofrojë kurse për folësit e gjuhës së trashëguar.

2.2.3. Nga këto burime financiare kemi disa rezultate paraprake:

a) Së pari ekzistenca e lektoratit, e rrjedhimisht e mësimdhënies së shqipes dhe përfshirja e shqipes në kurrikulën mësimore të Studimeve të Europës Juglindore mundësohet nga fondacioni Volkswagen që paguan lektorin e shqipes.

b) Së dyti i kemi shfrytëzuar me mundësitë që kemi pasur fondet universitare për organizimin e konferencave dhe simpoziumeve. Gjatë vitit 2024 kemi organizuar 3 simpoziume e konferenca: me UCL London, me Universitetin e Elbasanit, dhe njërin si organizatorë të vetëm. Në këto simpoziume kemi shtruar si çështjen e studimeve shqiptare dhe të ardhmen e tyre, ashtu edhe didaktikën e mësimdhënies së shqipes dhe të rejat shkencore[3].

Ndërkohë me Studimet Shqiptare në Uni Charles kemi nisur shkëmbimet në mësimdhënie dhe planifikojmë ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë edhe më tej.

3. Shqipja si gjuhë e trashëguar

Vendosa t’i kushtoj një hapësirë më vete shqipes si gjuhë e trashëguar sepse siç dhe e theksova më sipër kjo fushë luan një rol qendror në ekzistencën e lektorateve të shqipes. Nëse do të flisja me termat që flet Qendra e Botimeve për Diasporën, do të thosha folës diaspore dhe shqipja si gjuhë diaspore, por lektorati që unë përfaqësoj është i distancuar nga terma që përdoren kryesisht për qëllime politike, pra për të identifikuar emigrantët dhe më pas fëmijët e tyre, gjeneratën tjetër që lind dhe rritet në rastin tonë në Gjermani, si pjesë e Shqipërisë. Është po kjo qendër që deri më sot nuk ka ndërmarrë ose financuar studime mbi folësit e gjuhës së trashëguar në mënyrë që të hartojë metoda në përputhje me nevojat e tyre. Mjafton t’i hidhet një sy teksteve të publikuara nga kjo qendër, dhe kuptohet menjëherë që janë hartuar nga individë, një pjesë e të cilëve nuk ka dhënë mësim për folësit e gjuhës së trashëguar dhe nuk i njeh problemet e këtyre folësve. Përmbajtja e këtyre metodave përbën një artikull më vete, por këtu po përmend vetëm kurrikulën „Identiteti im“, që është ndërtuar për të ngulitur një identitet shqiptar, ashtu siç e përfytyrojnë identitetin shqiptar hartuesit e këtyre teksteve. A munden disa fëmijë të lindur në Gjermani, që frekuentojnë shkolla gjermane, që e jetojnë jetën e tyre në mjedisin e gjerë gjerman, identiteti shqiptar i të cilëve është i kufizuar brenda familjeve të tyre, të kenë vetëm identitet shqiptar? Dhe a është e mundur që identiteti i këtyre fëmijëve të ndahet me thikë? Fundja, këtë më tha dhe studenti im D.K. në njërën prej orëve të mësimit: A mund të ndahem me thikë? Jo, unë kam një identitet të përzier dhe brenda meje jetojnë shumë kultura.

Mendoj se është pikërisht qasja shumë e ndryshme që kemi ndaj folësve të gjuhës së trashëguar ajo që nuk më ka ngrohur ndonjëherë që të ndërmarr nisma bashkëpunimi me këtë qendër. Kjo kategori folësish meriton më shumë sesa të këqyret me lentet që na servir politika shqiptare. Nëse puna me folësit e gjuhës së trashëguar do të vendoset në shërbim të kongreseve propagandistike tek të cilat flitet shumë por nuk thuhet asgjë, do të mbetemi prapa siç dhe jemi. Kësisoj, do të shtroj në këtë shkrim këto pyetje, të cilat mund të marrin përgjigje vetëm duke i shqyrtuar folësit e gjuhës së trashëguar ashtu siç janë dhe jo si ushtarë besnikë të identitetit shqiptar:

a. Çfarë lloj ideologjish gjuhësore sjellin me vete folësit e gjuhës së trashëguar dhe si mundet lektori/mësuesi të përballet me këto lloj ideologjish?

b. Cila është “bota” e secilit student, dhe këtu me botë nënkuptoj varietetin apo varietetet gjuhësore nga të cilat ndikohet studenti?

c. Si mund të ndërlidhen botët e këtyre studentëve me njëra-tjetrën?

d. Çfarë duhet të mësojnë folësit e gjuhës së trashëguar: standardin, variantet e tjera jostandarde apo një kombinim të të dyjave?

3.1. Ideologjitë

Folësit e gjuhës së trashëguar janë të ndikuar nga ideologjia e standardizimit, duke besuar fort që varieteti që ata flasin nuk është i duhuri ose është “pa gramatikë” dhe që varieteti standard është forma e duhur dhe “me gramatikë”. Po jap këtu përgjigjet që kam mbledhur nga disa studentë teksa unë i drejtoj atyre pyetjen e parë në orën e parë të kursit. Pyetja ime është: Përse keni vendosur të jeni pjesë e këtij kursi? Përgjigjet:

a. Sepse mendoj që unë flas pa gramatikë dhe dua ta mësoj shqipen me gramatikë.

b. Sepse kur shoh video në you tube siç e flisni ju të „Shqipërisë” më duket shumë e pastër dhe shumë e lartë.

c. Sepse kur shoh video ose kur dëgjoj standard më duket shumë intelektuale në krahasim me atë që unë flas.

d. Sepse prindërit më kanë thënë që ne flasim si “fshatarë”, ne nuk dimë të flasim mirë.

e. Sepse kur kam bërë kurs shqipje në München mësuesja më ka thënë që vetëm kjo është shqipja e pastër, dhe duhet të mundohem të flas mirë.

Të gjithë këta cilësorë i referohen sigurisht standardit, ose thënë ndryshe në përgjigjet e studentëve projektohen qëndrimet ndaj standardit në raport me varietetet e tjera të shqipes. Edhe cilësori i parë nuk i atribuohet faktit që ata mendojnë vërtet se flasin pa gramatikë, por duke qenë se pas standardizimit të shqipes mësimdhënia e standardit në Kosovë ishte shumë e orientuar gramatikisht, u përdor termi “me gramatikë” ose “pa gramatikë”, që mbartet më tej edhe te folësit e gjuhës së trashëguar.

Problemi më i madh, është që këta folës reagojnë me shumë vështirësi në fillim të kursit për sa i përket aftësive komunikative. Zhvillimi apo rikthimi i aftësive komunikative varet shumë nga ideologjia e mësuesit dhe se çfarë metode përdor mësuesi. Se çfarë ideologjish mund të kenë mësuesit këtë e kuptojmë nga përgjigja e dhënë nga studenti në pikën e. Këtu do të doja të ndalesha edhe te formimi i mësuesve. Shumë prej mësuesve që marrin përsipër mësimdhënien e shqipes për folësit e gjuhës së trashëguar nuk kanë as formimin bazik profesional në këtë fushë. Kjo do të thotë që ata nuk kanë kryer as nivelin e parë të studimeve universitare në gjuhë shqipe. Flitet shpeshherë që mësuesve „të diasporës“ t’u ofrohet trajnim. Pyetja që unë shtroj është: Sa i mundur është trajnimi i mësuesve që nuk kanë kryer as nivelin bazë të studimeve në gjuhën shqipe? Me këtë problem ne duhet të përballemi dhe jo ta tejkalojmë duke shfaqur një lloj ngazëllimi që edhe pse nuk financohet shumë, ka njerëz që sakrifikojnë dhe ndihmojnë folësit e gjuhës së trashëguar. Ndoshta pasiguritë dhe problemet identitare që mungesa e didaktikës i shkakton folësve të gjuhës së trashëguar kur ata janë ende fëmijë, është problem shumë më i madh sesa ngazëllimi që ka njerëz që krahas punëve e jetës së tyre i kushtohen këtyre fëmijëve. Pasiguritë që akumulohen nga mungesa e didaktikës në mësimdhënie, i përjetoj vetë me studentët e mi. E kam më të vështirë t’i bind që ata mund të flasin shqip, se sa t’u mësoj shqipen.

3.2. Bota e secilit student

Në kursin e shqipes si gjuhë e trashëguar në semestrin dimëror 2023/24 larmia e folësve të gjuhës së trashëguar, më bëri të hartoj një strategji metodologjike se si ta menaxhoj një klasë të tillë. Po fillojmë duke përshkruar pak botët me të cilat isha në kontakt:

a. R.N.- Studente, Bachelor në Pedagogji

Prindërit e studentes janë nga veriu i Shqipërisë, nga Mirdita. Ata emigruan në Greqi dhe aty lindi dhe studentja. Ajo u rrit në një familje ku flitej vetëm varieteti gegë. Kur shkoi në shkollë ajo ra në kontakt me folës grekë dhe me folës shqiptarë, por të jugut të Shqipërisë duke qenë se emigrantët shqiptarë në Greqi janë më së shumti nga jugu. Pra, në familje komunikonte në varietetin gegë, në shkollë në varietetin toskë dhe në greqisht. E gjithë familja u shpërngul në Bavari, dhe ajo e bëri gjimnazin në Gjermani. Shqipja e saj është një përzierje e gegërishtes me toskërishten dhe ndonjëherë kur ka vështirësi në gjetjen e fjalëve dhe formave gramatikore përdor sipas rastit greqisht ose gjermanisht, varësisht nga folësit që ka përballë.

b. L.H.- Student, Bachelor në drejtësi

Prindërit e studentit janë të dy nga Vlora. Ai ka lindur në Regensburg dhe përveçse zotëron varietetin toskë dhe të folmen e Vlorës, ka pasur kontakt të vazhdueshëm me të afërmit e tij në Vlorë gjatë pushimeve verore.

c. E.G. (Studente, Bachelor në Administrim Biznesi) dhe A.I (Studente, Bachelor në Studime amerikane).

Prindërit e studenteve janë nga Kosova, përkatësisht nga Ferizaj (E.G) dhe nga Mitrovica (A.I.). Ato flasin shqipen e Kosovës, merren vesh mirë me njëra-tjetrën.

I gjendur mes botësh kaq të ndryshme, që pjesë të identitetit të tyre gjuhësor kanë varietetet e tyre, duhet të gjeja një metodologji gjithëpërfshirëse, që tematizon si varietetet e tyre ashtu edhe varietetin standard.

3.3. Si të ndërlidhen botët

Botët e këtyre studentëve mund të ndërlidhen vetëm duke stimuluar punën interaktive në grup. Kësisoj, detyrat e mia dhe detyrat e studentëve ishin të qarta. Teksa unë i vendosja në situata komunikative, detyra e tyre ishte që secili të fliste në varietetin e tij. Unë ndërhyja vetëm në momentin që folësit nuk arrinin të kuptoheshin me njëri-tjetrin në forma të caktuara gramatikore por edhe në leksik. Në fund të dialogut unë i jepja studentëve varietetin standard të formave gramatikore dhe leksikore që nuk kuptonin, dhe i vendosja përsëri në dialog që të përpiqeshin të flisnin në standard. Motivimi për të folur standardin ishte shumë i lartë, teksa ata shikonin që edhe varietetet e tyre po përfshiheshin.

Të njëjtën taktikë ndiqja dhe me shkrim. I vendosja të shkruanin për të njëjtën temë ashtu siç ata mendonin se duhej shkruar. Më pas ata duhet të shkëmbenin me njëri-tjetrin atë që kishin shkruar, dhe të shpjegonin format gramatikore, ose të jepnin opsionin e tyre se si do ta kishin shkruar një formë të caktuar. Në fund unë i ofroja formën standarde, dhe ata duhet ta shkruanin dhe njëherë tekstin, kësaj radhe në standard.

3.4. Standard, dialekt apo të dyja?

Unë nuk jam kundër mësimdhënies së standardit për folësit e gjuhës së trashëguar, por jam kundra mësimdhënies së standardit si forma e vetme në rastin e folësve të gjuhës së trashëguar. Për këtë arsye përgjigja ime është, mësoju standardin duke përfshirë dialektet.

4. Përfundime

4.1. Pavarësisht pozicionimit institucional dhe strategjik të lektorateve të shqipes në Universitetin e Regensburgut dhe Universitetin e Zyrihut, mbetet ende pa përgjigje ardhmëria e tyre. Të dyja janë me kohëzgjatje të limituar. Shpresëdhënës është fakti që janë bërë pjesë e kurrikulave akademike dhe kjo përbën në njëfarë mënyre një arsye të ekzistencës së tyre. Nga ana tjetër aktiviteti shkencor që ne bëjmë dhe projekti SeeFfield në Regensburg janë hapa të rëndësishëm që së shpejti të sqarohet ardhmëria e Studimeve Shqiptare në Regensburg.

4.2. Përsa i përket shqipes si gjuhë e trashëguar, janë shumë nisma që duhen ndërmarrë. Më së pari duhet hartuar një metodë e qartë dhe që i përgjigjet nevojave konkrete të folësve të gjuhës së trashëguar. Kjo nuk mund t’u besohet njerëzve pa përvojë në mësimdhënien e shqipes si gjuhë e trashëguar. Në përgjithësi gjuhësia shqiptare duhet të jetë gati për ta kuptuar gjuhësinë e migracionit, së cilës jo vetëm nuk i kushtohet ndonjë rëndësi, por është më pak e lëvruara, qoftë dhe prej faktit që vetëm kohët e fundit mori përhapje çështja e folësve të gjuhës së trashëguar. Kërkimi shkencor dhe didaktika në këtë drejtim duhet t’i japin krah njëra-tjetrës. Ndoshta do të arrijmë ndonjë rezultat kur t’i shohim këta individë ashtu si ata janë, dhe jo si „diaspora“ që ne duam të jenë.

 

© 2025 Ledio Hala. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi ilustrues është realizuar me anë të Midjourney.


 

[1] Termat gjuhë e trashëguar dhe folësit e gjuhës së trashëguar janë terma të propozuar nga gjuhëtarja Kristina Jorgaqi për termat në anglisht heritage language dhe heritage speakers. Shkruesi i këtyre rreshtave ka përdorur deri më sot termat gjuhë e origjinës dhe folës të origjinës, nisur nga termat në gjermanisht Herkunftssprache dhe Herkunftssprecher. Megjithatë, termat e gjuhëtares Jorgaqi qëndrojnë sipas mendimit tim më mirë sesa termat e përdorura nga unë. Me këtë rast shpresojmë që të pranohen gjerësisht dhe që të gjithë të përdorim të njëjtin term, duke qenë se deri së fundmi ky term nuk është përdorur në gjuhësinë shqiptare.

[2] Më shumë informacione rreth forumit do të gjeni në këtë faqe: https://www.uni-regensburg.de/sprache-literatur-kultur/fakultaet/forschung/forschungsprojekte/forum-herkunftssprachen/index.html

[3] Informacione lidhur me tematikat dhe përmbajtjen e simpoziumeve do të gjeni në këto faqe:

https://www.ucl.ac.uk/ssees/events/2024/jan/albanian-studies-global-context

https://seeffield.app.uni-regensburg.de/conference_report_albanian-studies-symposium-regensburg/

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin