Nuk jam shënimth për një artiste të skenës shqiptare dhe s’do të përmend emrin e saj, me shpresën se kështu mund të krijoj sadopak distancë mes meje dhe kopsht-gjyqit mediatik; se, kur thashetheme të reja të eklipsojnë thashethemet mbi artisten, unë si shënimth nuk do të figuroj në listat e linkeve ku përmendet emri i saj. E thënë thjesht e thukët, artistja nuk është protagoniste. Protagonistët janë bamirësit, farizenjtë, klanistët e opinionistët brenda e jashtë trojeve tona të çmuara; ata që u indinjuan, prekën, u përgjëruan e përgjunjën, ofruan buzëkuq e shall për ta stolisur, vafte të ngrohta për ta rimëkëmbur artisten, darkime me serenata e dhoma në hotele të hijshme – dhe u argëtuan duke ekranizuar protagonizmin e tyre. Aut prodesse, aut delectare!
Gjithë ky inskenim më shtyn të lidh dy fjalë rreth mirësisë së tëndit, duke filluar nga vëzhgimi se kjo lloj mirësie është disi e nënvlerësuar. Ndër shekujsh, Dhjata e Re ka lëvduar dhembshurinë e të huajit, të Samaritanit të Mirë, ndërkohë që rrallë përmendet mirësia e tëndit. Çudi… Ka mirësi si ajo e tëndit? Yti të njeh edhe kur ti s’njeh vetveten, kupton gjuhën që flet biografia jote, i njeh njollat e shkëlqimet e saj, ai është i gatshëm të mësojë udhën edhe kur vetë s’ka sy; yti të do të mirën ndonëse bota apo vetvetja ty të keqtrajton, të rikthen zërin, sepse Yti s’ka zor të çirret në emrin tënd, për hirin tënd, për të drejtën që të ka ngrënë fati, familja, shteti. Do s’do ti, Yti e ngre jetën tënde, dramën tënde familjare, në majat e çështjeve kombëtare, në qendër të përkujdesjes së tufës, në lukth të dashurisë së katundit. Si u shpreh Trump triumfuesi: “Do t’i mbroj gratë, dua apo s’duan ato”. Kështu edhe Yti.
Më solli ndër mend Samaritanin e Mirë ndonjë dëshmitar shqiptar që u përball me artisten në tokë të huaj dhe aty befas kuptoi se vetë Zoti po e vinte në sprovë. Zoti, protagonisti suprem, priste prej dëshmitarëve të braktisnin rehatin e tyre e t’i dedikoheshin artistes, jo vetëm me kuletë, shall e buzëkuq, por të vinin në shërbim të kauzës humanitare edhe instagramet e tyre, klikimet e tyre, pra, jo më pak se valutën narciste të kulturës Klik, aq e vlerësuar dhe e mbledhur si plaga qelbin prej moderatorëve dhe opinionistëve televizivë.
Në alegorinë biblike, Samaritani i Mirë, është një i panjohur, një i huaj, i cili, tek rrugëton në trojet e judeve, ndesh një udhëtar të plaçkitur e të plagosur. Ndryshe nga vendasit, përfshi një prift që nxiton të shkojë në shtëpinë e Zotit, Samaritani s’e përbuz viktimën në shesh. Duhet një i huaj, dikush nga Samaria, ta nxjerrë të plaçkiturin nga halli e ta shpëtojë prej indiferencës së kalimtarëve spektatorë. Samaritani ia lyen plagët me vaj e verë, e ngarkon mbi kafshën e tij, e çon në një bujtinë, i paguan hanxhiut një më një harxhet derisa i plagosuri merr veten. Më pas secili vijon në rrjedhën e jetës së tij, pa falënderime, pa mallëngjime. As bamirësit as viktimës nuk ia mësojmë emrin dhe këtu merr fund protagonizmi anonim i të huajit, i cili vendos të bëhet i afërm për ty. Jezusi e rrëfen këtë alegori si një shëmbëlltyrë, e cila duhet imituar për virtytin njerëzor që përcjell. Shtylla kurrizore e këtij virtyti është anonimiteti, sepse virtyti bën të mirën e fsheh dorën, sepse për të lashtët, ai është shpërblim në vetvete.
Mirëpo këtë princip biblik e Sokratik, Yti s’e afron, ai e konsideron anonimitetin oportunitet të humbur, sinergji të pashfrytëzuar. Fundja, si mund ta ngrejë Yti hallin tënd në stratosferën e brengave internacionale pa klikime, intervista, dëshmi për nënën, atin e të birin, pa përlotje, opinione, revoltime, pa treguar me gisht e regjistër familjeje dështimet e demokracisë, të institucioneve sociale, dhunën sistemike të komunizmit e të Sigurimsave? Është e kuptueshme, që fatura të tilla komplekse nuk bëhen dot pa i hapur lakrat e tua, pa hetues (ca me flokë, ca pa flokë, ca me vetulla të lyera, ca me të zbehta, me syze ose veshë protagonistë) e pa hetuesi që lypin edhe përkthyes në këtë mini Nürnberg kangurësh, ku s’mungojnë maskat e profesionalizmit e as dëshmitarët (apo të akuazuarit?) hebrenj. Mirësia e tëndit shpaloset tik-tak, tiktok, klik-klik, falë simbiozës virale që protagonizmi “Doni më për Belulin” kultivon me tregun e kotësive.
Dhe, kur gjithçka është kotësi, shkruante William M. Thackeray, kurrgjë s’është e drejtë, kurrgjë e dëlirë. S’kam pse habitem as unë as ti që, kush brumoset në të tillë shoqëri, dikur, në mes të shkretëtirës së kulturës Klik, këlthet si një personazh i Sally Rooney-it: “A është kjo botë kaq e ligë saqë e bën dashurinë të padallueshme prej formave më të ulëta e më abuzuese të dhunës?”
(c) 2024 Enit K. Steiner. Të gjitha të drejtat janë të autores. Imazhi nëkopertinë: Aimé Morot: Der barmherzige Samariter, 1880 (detaj)
Mesazhi i duhur, në kohën e duhur. Edhe pse dyshoj shumë, që ndonjë nga të adresuarit ka për ta vënë re këtë nota bene.
Më poshtë transkripti i pjesshëm nga një skenë filmike – tashmë edhe klasike, duhet thënë – i dialogut mes Arthur-alias-„Joker“ dhe prezantuesit të shfaqjes, Murray, te filmi „Joker“. Arthur, mentalisht dhe fizikisht gjithnjë në zgrip të greminës, me zanat kloun dhe komedian skene, është i ftuar në studio, në shown e përditshëm të prezantuesit të famshëm, Murray-t, pasi ky është tallur me videot e tij në emisionet e mëparshme.
Për ata që nuk e kanë parë filmin (atë të 2019-ës, jo vazhdimin), ua rekomandoj fort. Është, të paktën për mua, një nga realizimet më të mira kinematografike të viteve të fundit.