Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

VARRI I SALIUT

nga Elson Zguri

Nazif, këtu jetova e këtu dua të qëndroj për gjithmonë”, i tha Sali Lazi diku në fund të viteve ‘70 gjyshit tim në një nga takimet e tyre të shumta. Për këtë dëshirë familja e tij ishte në dijeni siç dhe shumë njerëz të rëndësishëm, si gjyshi që e lidhte një shoqëri e fortë më të dhe ishte në të njëjtën kohë edhe komshiu më i afërt, ku Saliu jetonte. Fakti që ata dy lidheshin me këtë miqësi më bëri t’i adhuroj të dy akoma më shumë. Sepse gjyshin nuk e kisha njohur, ai vdiq kur isha akoma foshnje, ashtu këdo që adhuronte Nazifi e adhuroja automatikisht dhe unë si fëmijë. Sali Lazi lindi në Librazhd. Ai mbeti jetim dhe u mor si hyzmeqar[1] te familja e M.K. që jetonte në Gjere dhe punonte tek arat e kësaj familjeje, të cilat ishin të shpërndara në pjesë të ndryshme rreth fshatit. Bëhet fjalë për një zonë malore me shumë pyje. Ishte kjo familje, që i ofroi Saliut një shtëpi shumë larg nga shtëpitë e tjera të fshatit. Kjo shtëpi u ndërtua në mes të pyllit ku familja K. kishte disa toka. Deri në fund të viteve ’90, për të vizituar familjen e nënës sime, shkonim nga Gramshi në Gjere në këmbë dhe rruga zgjaste gati 4 orë. Para se të kalonim përroin “Gjozezë”, rruga na çonte gjithmonë pranë shtëpisë, të braktisur tanimë, të Saliut, në mes të pyllit. Dëshira ime e përhershme ishte të bënim një nga pushimet e nevojshme për piknik atje pranë, edhe pse ishim afër destinacionit tonë.

Gjithçka që ndodhte verës gjatë vizitave në Gjere, në atë vend aq të qetë, e lidhja me distancën mes vendit së ngjarjes e shtëpisë së Saliut. Kur daja im, Drini, preu këmbën teksa priste dru, unë llogarisja sa minuta na duhen deri te shtëpia e tij. Po ai, vite më vonë, kur motra ime pa një gjarpër, e kapi nga bishti dhe e rrotulloi në ajër, para se ta hidhte tutje, për t’i treguar se nuk duhet të ketë frikë. Pas kësaj ndodhie mendoja se gjarpri i trullosur, do të kalonte afër shtëpisë së Saliut.

Guri është i rëndë në vend të vet”[2], thotë Mërtiri te libri “Mërgim” i Mitrush Kutelit. Dhe Saliu, një mjeshtër i gurit, e donte gurin e vendit tij, atje ku rriti dhe shkolloi të njëmbëdhjetë fëmijët. Nga shtëpia jonë, e cila ishte më e afërta, shtëpia e familjes Lazi mbante 45 minuta me këmbë. Dy shtëpitë, nga vetë pozicioni gjeografik shikonin drejt njëra tjetrës, por natyrisht që zëri nuk dëgjohej. Dy familjet kishin shpikur disa kode përmes shenjave të mëdha dalluese, si tapet të kuq, çarçaf të bardhë etj. Secila prej tyre kishte nga një kuptim:

Tapeti i kuq: Jam në rrezik, kam nevojë për ndihmë.

Çarçafi i bardhë: po festojmë, ju mund të na bashkoheni.

Guna e zezë: Më ka humbur bagëtia, kontrolloni terrenin andej, se mos i gjeni.

Po aty afër ndodhet edhe varri i tij, në një udhëkryq rrugësh në majë të malit; njëra është ajo që përmenda, Gjere – Gramsh, kurse tjetra është rrugë vargmali, që lidh malin e Tervolit me malin e Vinës dhe vazhdon për në Kishtë. Kjo pikë, shtëpia, dhe më vonë varri i tij, ka qenë gjithmonë pikë referimi për banorët e fshatrave përreth, por gjithashtu edhe për kalimtarët.

Greqia është për të jetuar, kurse Shqipëria për të vdekur! Ka varreza më të qeta”[3], thotë ‘babai’, aktori i mirënjohur Karafil Shena, te skena, për mua shumë domethënëse, nga filmi i shkurtër me titullin “Pashka”, në regji të Oltjon Lipes.

Një kombinim ngjarjesh më bëri të shkruaj këtë shkrim, të kujtoj dhe t‘i hyj më thellë historisë të Saliut, por edhe vendvarrimit të një individi.

Që në moshë shumë të vogël, kur shkoja gjatë verës në fshat, përpiqesha të ndërtoja përfytyrimin e Saliut, zakonet dhe veprimet e tij rreth shtëpisë së izoluar në mes të pyllit. Ai ishte heroi im në një farë mënyre, sepse kisha frikë nga errësira dhe natyrisht që nuk kishte energji elektrike në atë shtëpi. Ajo familje, Saliu dhe gruaja e tij bashkë me njëmbëdhjetë fëmijët, jetonin në anën e sipërme, në një dhomë të përbashkët, kurse poshtë mbanin bagëtitë. Sot e kuptoj, se përse Saliu ishte aq i lidhur me atë vend, dhe pse donte, që edhe varrin ta kishte tek udhëkryqi, afër shtëpisë.

Saliu i kish kërkuar (edhe) gjyshit tim, që kur të vdiste ta varrosnin afër shtëpisë, në atë udhëkryq, një vend të cilin e pastronte pothuajse çdo ditë, e përgatiste varrin e vet, siç bënin mbretërit, ose faraonët dikur.

Shumë nga këmbësorët bënin një ndalesë të vogël te shtëpia e tij, për të pirë ujë të ftohtë, ndonjë gotë dhallë gjatë verës, ose çaj në dimër. Kur i zinte nata, pajiseshin aty me ndonjë llastik të ndezur për të parë rrugën pyjore e për të trembur kafshët e egra.

Në një bisedë virtuale mikja ime, Ilira, tregonte që para shumë vitesh ndodhej në një event të ashtuquajtur “libër njerëzor”, në mes të një pylli në kufirin polako-çek me temën “Ku është shtëpia ime?“. Aty ajo po thoshte citate të njohura si “no nations – no borders” dhe në fund e pyeti një nga të pranishmit, çek, me atë paturpësinë dhe drejtpërdrejtësinë e njohur të Evropës Qendrore, “Në rregull mike, bukur tingëllojnë të gjitha, por me thuaj ku dëshiron të varrosesh kur të vdesësh?“. Kur e lexova këtë koment, m’u kujtua përsëri heroi i fëmijërisë sime, Saliu, që e dinte prej vitesh, se ku donte të varrosej.

Është një pyetje, që s’kam guxuar t’ia bëj akoma vetes!

Është një pyetje jetike ajo, që të bëri Ilira. Unë e kuptova, kur humbëm dikë nga familja dhe u ngrit pyetja, se ku do ta varrosnim. Deri atëherë, nuk kisha hyrë asnjëherë në procesin e të menduarit për një gjë të tillë, vdekja nuk na kishte shqetësuar gjer në atë moment. Dhe as që mund ta imagjinoja, sesi lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë vendi ku do të varroset dikush me atë që është vendlindja e tij. Deri atëherë ishte e lehtë të fshiheshe pas frazave, që ti përmende. Por, në atë moment kuptova për herë të parë në jetën time se përgjatë jetës sonë, mund të kemi shumë atdhe, ose asnjë. Por, kur vdesim i përkasim vetëm njërit. Ai të cilit i përkasim është vendi, ku duam të varrosemi”, komentoi mbas disa ditësh në të njëjtin postim, një mike tjetër e imja, Pamela.

Dëgjo, Postol: kush ikën (nga vendi i tij), humbet” [4], thotë Mërtiri te “Mërgimi”. Frika e humbjes, e shtyu babanë te ‘Pashka’ të bëjë atë kërkesë. Frika se mos ‘humbiste’, e shtyu Saliun të mos varrosej afër fshatit, atje ku ishin varrat e bashkëfshatarëve të tij, por atje ku guri ishte më i rëndë.

Sali Lazi donte, që njerëzit ta kujtonin dhe t‘i përmendnin emrin, sa herë që do të kalonin andej ose do t‘i referoheshin “rrugës”, ose zonës. Për atë, si në kohët e lashta, ishte e rëndësishme dhe me vlerë t’i ruhej ajo, që në greqisht quhet histerofimía/υστεροφημία[5].

Për grekët e lashtë, histerofimía ishte kulmi i arritjeve të një njeriu, vula e pashlyeshme e triumfeve të tij. Histerofimía, të cilën po e ‘shqipëroj’ nga greqishtja dhe po e përdor në këtë shkrim, është fama e pavdekshme që pason heroin pas vdekjes së tij. Shembulli i Akilit në eposin e Homerit ‘Iliada’ është ndoshta ai më karakteristik. Akili zgjodhi histerofiminë, pra një vdekje që do ta bënte të paharruar, të pavdekshëm dhe ia arriti qëllimit.

Saliu ka qenë ustai më i mirë i asaj zone sidomos në punimin e murit të gurit e të dërrasës. Një artist që “gdhend drurin e gurin aty, buzë përroit Gjozezë. Saliu ka shëtitur një pjesë të madhe të botës dhe laton bukur perëndi e perëndesha, njerëz e kafshë, mbishkrime rrasash varresh”[6], njësoj si Batuni buzë Drinit tek “Cepi të Ilirisë së poshtme”. Akoma dhe sot, varri i xhaxhait të gjyshit tim, i punuar nga dora e Saliut, qëndron akoma në vend! Ishte njeri i qetë e largpamës, me mirëkuptim për të tjerët. Në ato kohë të vështira, të varfërisë ekstreme, Sali Lazi qëndronte me solidaritet ndaj komunitetit. Mbante edhe një palë dare dentare, që t’i shkulte ndonjë dhemb a dhëmballë dikujt që kishte dhimbje. Këtë gjë e bënte në mënyre humane, me solidaritet dhe empati për tjetrin. Gjyshja ime, Sabireja, tregonte që edhe asaj i kish shërbyer falas si dentist Saliu. Ai e kishte fituar respektin dhe vlerësimin e komunitetit me karakterin dhe kontributin e tij, që kur ishte fëmijë.

Pavarësisht vështirësive, për shkak të vendndodhjes gjeografike të shtëpisë dhe kushteve të jetesës, ai inkurajoi fëmijët e tij të shkonin në shkollë. Një problem i madh për fëmijët e tij, ishte përroi Gjozezë. Ai nuk kishte shumë burime, por kur binte shi, ishte shumë i rrezikshëm, sepse kishte një hapësirë të madhe. Në këto rrethana dhe pa një urë, përroi nuk kalohej dot nga njerëzit dhe kafshët.

Kjo pengesë e madhe për fëmijët e Saliut, i ka bërë ata shumë herë të kthehen mbrapsht dhe të qëndrojnë në shtëpinë tonë, ku kanë kaluar orë të tëra, ose edhe një natë të tëre. Shumë herë shtëpia mbeti pa bukë, sepse përroi ishte rruga e vetme që e lidhte me qendrën e fshatit, ku ndodhej furra e bukës dhe dyqanet e tjera.

Mbas vdekjes, familja e Saliut u shpërngul në qendër të fshatit. Vendi ku ndodhet varri i Saliut, është një vend me bukuri natyrore të jashtëzakonshme, ai mal është i mbuluar kryesisht me ahe, e më vonë ndërmarrja pyjore asokohe mbolli edhe pisha, duke i bërë Saliut nderimin e parë.

Në librin “Eskili, ky humbës i madh”, Kadare shkruan për ritualet e vdekjes e martesës, dhe si këto rituale, në asnjë vend të botës përveç Ballkanit, nuk janë aq shumë të ngjashme me shfaqjet teatrale, me tragjeditë e lashta. Kjo ngjashmëri ishte veçanërisht e dukshme midis shqiptarëve dhe grekëve[7]. Duke marrë parasysh shprehjen e famshme “arti kopjon jetën” dhe besimin e Kadaresë se dramaturgjia e Eskilit lidhet me traditën ballkanase, mund të gjejmë shumë raste të njerëzve të famshëm nga historia moderne, si dhe nga rrethina jonë, të cilët kanë arritur histerofiminë. Natyrisht në mënyrë pozitive. Madje Kadare thekson, që këto tradita të lidhura me tragjeditë e Eskilit, janë ruajtur më shumë në Veriun e Shqipërisë. Sigurisht përjetësimi i histerofimisë dhe çfarë ka vlerë, ka ndryshuar me kalimin e shekujve dhe natyrisht, që kjo është subjektive.

Ky realitet në traditën ballkanase, dhe sidomos  në atë shqiptare, ekziston me shekuj. Me shprehjen “kockat të më treten në vendlindjen time”, familjaret e mi tregojnë shumë histori për njerëz, që për arsye të ndryshme, jetonin larg vendlindjes. Te filmi ‘Pashka’, babai nuk dëshiron të kthehet më në Shqipëri, por gjithashtu i kërkon të birit t’i japë besën, që kur të vdesë, ta varrosin pranë plakut të tij.

Para pak kohë, në Ambasadën shqiptare në Selanik, një grua i afrohet dhe i flet mamasë time duke i thënë që është e bija e Saliut.

Historia e Saliut, u mbajt e gjallë për dekada të tëra nga kalimtarët e bashkëfshatarët e tij, nga brezi në brez, përmes elementit oral. Tani që po publikohet ky shkrim, erdhi koha që histerofimia e tij të ruhet edhe përmes fjalës së shkruar. Sepse, sipas mendimit tim, na duhen “heronj“ të tillë më shumë se kurrë. Tani, që falë rrjeteve sociale, nevoja për gjetjen e heronjve sa më të vjetër, për gjetjen e rrënjëve sa më autoktone, është shndërruar në mani për një numër të madh e bashkëqytetarëve tanë, kjo mani shfrytëzohet nga pseudoshkencëtarë, pseudohistorianë dhe pellazgologë[8], të cilët shpërndajnë lajme të rreme, duke deformuar historinë e të vërtetat shkencore.

Nëse autoritetet lokale dhe qeveria do të investonin sadopak te kjo zonë, në vendin ku ndodhet varri dhe në rrethina, padyshim që bukuria e vendit dhe e zonës do të shndërrohej në destinacion turistik për të huajt e vendasit dhe për adhuruesit e bukurive natyrore. Historia e Saliut, miti i heronjve të tillë popullorë, do të kontribuonin në këtë drejtim, dhe ndoshta pas dhjetëra apo qindra vitesh, historia e Saliut do të ketë marrë përmasa të tilla, sa që të bëhet ai Saliu më i famshëm i Shqipërisë, përmes dokumenteve të shkruara, monumenteve, toponimeve, shtëpisë së tij dhe të ndërtohet një muze i historive të tij personale e të fshatit, që ndërlidhen mes tyre.

Kjo ngjarje e rastësishme në Ambasadën shqiptare, më shtyu të shkruaj këtë artikull për dikë që arriti të fitonte histerofiminë e tij sa ishte gjallë, dhe jo thjesht sepse varri i tij është pikë referimi.

Këtyre shtresave do t’u thosha vetëm kaq: Mendoni se ka një vdekje. Me gëzim, pa mërzi, se vdekja është një gëzim, me kuptimin që vdekja i jep çdo çasti që në jetojmë gëzimin e kësaj që ne jemi akoma”[9], tha para disa javësh Profesor Artan Fuga dhe jam i bindur që kështu e ndjente Saliu kur i thoshte familjarëve për dëshirën e pozicionit të varrit të tij dhe gjithashtu kur e pastronte atë vend. Sepse, “nuk është çështja se si vdes njeriu, por si jeton”[10], u dëgjua me 22 nëntor nga LEX.

Këto tekste të reperit grek mund të ishin shkruar për Saliun dhe jetën që ai bëri.

 

© 2024 Elson Zguri. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është ndërtuar me Leonardo.


Referencat:

[1] hyzmeqár,-i emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -ë(t) i ligjërimit bisedor; ai që pajtohet për të bërë disa shërbime e punë të ndryshme. https://fjalorthi.com/hyzmeqar
[2] “Mërgim”, Mitrush Kuteli, Shtëpia botuese “Mitrush Kuteli” (2018), f. 28.
[3] “Pashka”, short film, 2020, Oltjon Lipe. https://mubi.com/en/de/films/pashka
[4] “Mërgim”, Mitrush Kuteli, Shtëpia botuese “Mitrush Kuteli” (2018), f. 27.
[5] Fama e mëvonshme, fama post-mortum, anglisht: ‘posthumous fame’. https://el.wiktionary.org/wiki/%CF%85%CF%83%CF%84%CE%B5%CF%81%CE%BF%CF%86%CE%B7%CE%BC%CE%AF%CE%B1
[6] “Në cep të Ilirisë së poshtme”, Mitrush Kuteli, Shtëpia botuese “Kuteli ‘04” (2012), f. 22.
[7] Në Greqi: “Αισχύλος, ο μεγάλος αδικημένος”, Shtëpia botuese: “Εκδόσεις του Εικοστού Πρώτου (Ekdhosis tu ikostu protu)” (1999), f. 39.
[8] https://peizazhe.com/2024/11/19/parimet-e-drejtshkrimit-shqip/
[9] “99 pyetje me Almirën”, RTSH. https://www.youtube.com/watch?app=desktop&v=HeRugXEAxyg
[10] Tekst nga kënga “Nyxterides” (Νυχτερίδες), albumi “G.T.K.”, LEX https://open.spotify.com/intl-de/track/7rgTr97Ob29FuuKCHqB7a4?si=QPz9reJARe2Nozjye97ufg&context=spotify%3Aalbum%3A5c1QYJZUSVTddywzKrN4la&nd=1&dlsi=df9b8dc884c44094

Bëhuni pjesë e diskutimit

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin