Kur ika nga Shqipëria më 1990, nuk mund të isha në një pikë më të favorshme nga ana profesionale, nga pavarësia ekonomike, dhe sidomos nga miqësitë dhe forca e kapitalit social. Për t’u pasur zili! Që atëherë nisi një endje, ku u mësova me pasigurinë dhe luftën. Në vendin tim kishin pasur një tjetër formë. Por kthimin në Shqipëri për të jetuar nuk e pashë kurrë si një gjë të mundur, sepse nuk ka kuptim kur e ke kapërcyer ylberin. I jam kthyer vazhdimisht Shqipërisë, me mall dhe dashuri si për asnjë vend tjetër, si asnjë kthim tjetër. Se ajo mban të kyçur brenda thesarin më të madh të njeriut të rritur: gjithë fëmijërinë time, rininë, derisa u bëra grua “me punë të mirë, me burrë e fëmijë”. Njerëzit që desha dhe më deshën në kohën kur dashuria është gjithçka që lidh njerëzit, pa përzierje me ndjesi të tjera bërë pis nga koha, xhelozia, interesi… njëfarësoj kështu, ishin aty. Asnjëherë nuk e besova se ishte ora të kthehesha. Gjithnjë mendova se vendi im do të më gllabëronte në atë zonën e vet gri, nga e cila ika si fillim. Vendi im u bë kështu për mua një yll në qiell, që më ndriste orët e errësirës në zemër. Ia mbaja kyçur në sënduk të sigurt dertet. Bëja sikur nuk i kishte. Më sillte gjithnjë një gëzim të bukur. Me kujtime dhe me aq copa magjike pasqyre të thyer. Nuk përpiqesha t’i bëja copat bashkë për të krijuar të tërën. Më pëlqente të shihesha në to tamam ashtu si gjendeshin, në thyerje e përpëlitje figurative. Sido që Shqipëria me shtëpinë e madhe prej tullash të vjetra por solide ku u rrita, në mes të Tiranës, në një lagje denbabaden të atyre që kishin të njëjtin mbiemër me mua, më kish dhënë aq siguri sa mund t’i jepej një fëmije për një çati të sigurt, për një sobë në dimër me zjarr, për një krevat ku hyje dhe mbuloheshe me një jorgan të rëndë me lesh a pambuk dhe një velenxë sipër, për bukë e gjellë që i kishe gjithnjë gati kur ktheheshe nga shkolla, për rrugë përreth mbushur me kalamaj që i njihje aq mirë sa të bënin si njeri. Çatia qe dhe nuk pikonte.
Pastaj jeta më çoi në situata nga më të ndryshmet dhe drejt pasigurish aqfytyrëshe e të vazhdueshme. Me çapitje që s’pushoi asnjëherë, që të mësoj më shumë, të punoj më mirë, të jetoj më bukur. Aq më bën të shes mend dhe të them se ia kam dalë, se e di që t’ia dalësh kur je vetëm, pa një katapultë institucionale apo financiare që lejon një fillim mbi zeron, dhe jashtë qelizës familjare e sociale që të ka formuar, është jo vetëm punë, por edhe fat i madh dhe kompromis. Edhe lodhje e thellë e qelizës. Po. Jam me fat që jam sot me shëndet, punë të mirë dhe njerëz të dashur përreth.
Dhe tamam nga kjo pozitë sot kujtoj një imazh konstant që më lejon një perspektivë realiste të emigrimit: frikën e ditës kur nuk do të kisha më strehë mbi kokë. Po sikur një ditë të përfundoj në rrugë?! Të paktën fëmija im të jetë i sigurt, unë pastaj do të bëj diçka që ta shmang gjumin nën qiell të hapur! Po sikur vërtet të mbetem nëpër stacione trenash? Po sikur të jem duke bredhur nëpër qytete si endacake e ditur, por pa shansin e gjetjes së një pune? Si aq çuna e goca të mençur mbledhur në tufa të qëndrueshme nëpër stacione trenash e metrosh, me një tufë librash e qensh lidhur me bizhu argjendi të rëndë, nën qiej me paqe false? Nuk e besoj se e bëjnë nga qejfi. Se, pasi përfundon nëpër rrugë, edhe punën s’ke si e kërkon më, apo jo? Merr teposhtë! Dhe kush do të jetë aty të ndihmojë realisht një të pastrehë?! Të pastrehët janë flama e qyteteve, bezdia më e madhe e qytetarit normal. Po sikur? Po sikur në një çast dobësie a rebelimi të marr arratinë e të mos mund të kthehem mbrapsht, nën strehën e sigurt e të rehatshme, se s’dua apo se s’më lënë? Po sikur, që aty, të nisë shpërbërja e gjithçkaje në një rrëkajë që s’ka mur e gardh t’i vërë fre? Jo, nuk është e mundur të më ndodhë mua! Mua, nuk mund të më ndodhë! S’kam lidhje unë me rrugën! Por pse atëherë ky mundim që s’ma lë natën të ikë qetësisht prej shtratit ku fle deri në agun tjetër, pastaj tjetrin, pastaj tjetrin? Agime ku zgjohem vetëm, me askënd përreth që të më japë një dorë në ditë të keqe, se ditët e këqija gjithnjë vijnë edhe po vonuan, agime ku punoj, sepse pa punë s’ka jetë, agime ku përpiqem të ndërtoj ditë të reja, më të sigurta, pa frikën e agimit dhe të natës që vjen. Jam vetëm dhe kam një njeri të vogël, së cilës i duhet paqe e hare fëmije. Ndërsa truri im është rob i frikës nga mbetja në rrugë. Ankth. Ndoshta fobi. Çdo boshllëk, çdo gungë penguese e rrugës e ringjall frikën e të mbeturit në rrugë. E largoj. Ç’lidhje kam unë me të?! Studimet pasuniversitare të rinisura, të gjata e të lodhshme, risjellin të njëjtën frikë. Po pastaj? O punë perfekte, ose në rrugë! Të përfundosh në rrugë, e pastrehë, nuk është ekstreme. Sepse është e mundur. Për këdo. Ende e shmangshme. Por tensioni është aty. I vazhdueshëm.
Mendja kërkuese është më realiste se dëshira ime optimiste. Unë e di sa afër është shumica e njerëzimit me jetën në qiell të hapur, me të qenët pa strehë. Unë i mbaj sytë hapur. Sidomos kur mosha ka bërë të vetën. Kur një sëmundje e papritur të lë sakat. Kur nuk të ka mbetur familje ose e ke larg. Larg në çfarëdo kuptimi. Kur ke një natyrë ëndërrimtare e të palidhur varshëm me sensin praktik të interesit dhe jetesës materiale. Kur je krenar më shumë se ç’duhet. Kur nuk i bie në qafë kujt. Kur ke dobësi nga ato që janë krejt njerëzore. Kur lodhesh. Kur s’e ke menduar dot pleqërinë sa ishe e re. E pse ta mendoje?! Sidomos kur je në Amerikë! Sa njerëz do të jashtëqiteshin në Amerikë prej banesave të tyre të sajuara modestshëm, herë me fibra e qelqe të ngjitura, e ndonjëherë me hyrje butaforish helenike, sikur vetëm për pak muaj t’u ndërpritej rroga? Një numër i pamatë njerëzish! Niveli i pakapshëm i qirasë apo kësteve të hipotekës kur shumica nuk i zotëron shtëpitë e veta dhe jetesa nga rroga në rrogë, është normalitet i aq e aq të rinjve 40- a më pak-vjeçarë që mund të jetojnë fare mirë sot, por që nuk guxojnë as të lidhen me kënd, as të lindin fëmijë. Dhëmbët e konsumizmit u kanë kapur kryet, ndërsa ato të pasigurisë ekonomike u mbajnë ndër nofulla trupin. Por jeta vazhdon për ditë, si një zvarritje e këndshme me qejfe të vogla, argëtime, dhe njeriu nuk e sheh veten nga distanca, sepse kjo nuk i intereson. Së paku të mund të gëzojë të gëzueshmen. Dhe sepse, normalisht, nuk e ndryshon dot atë gjendje. Veç atyre të vullnetshmëve. Fatmëdhenjve. Parallinjve. Mbinjerëzve. Nuk janë të padëgjuar njerëz dikur milionerë, që janë pleqëruar rrugëve dhe të pastrehë kësaj Amerike gjithë shkëlqim! Por askush nuk do t’i shohë. Ata janë e përmjerrë. Përjashtim nga rregulla.
Jam në ditë disi të sigurta sot. Por frika e të përfunduarit në rrugë më ndjek pa zhurmë dhe pa dinakëri. Është aty, ndoshta jo më për mua. Por sa njerëz prej atyre që unë kam dashur apo dua sot, mund të kenë atë fat nesër?! Sa prej tyre do të bien përmes të çarave të shoqërisë sonë gjithë krisa e probleme?! Ndoshta ka të bëjë me llojin e njerëzve që unë dua. Njerëz që nuk dinë të bëjnë pare, me aftësi maksimale – sens praktik minimal. Me kryet nëpër re idesh. Vulnerabiliteti, si tipar moral – i pastër në një botë të papastër.
Një vegim i shumë vjetëve të shkuar ngrihet vrullshëm ndonjëherë: jam në San Francisco. Një fillim mbrëmjeje i patëdytë! Qiell i pastër i një fundi pranvere. Aromë pjalmesh. Endem vetëm rrugëve. Kaloj pa kuptuar nga një bllok në tjetrin ndarjesh të qeta me ndërtesa tipike, dyqane, parqe. Tek-tuk ka njerëz të mirëmbajtur përkorshëm. Dielli ka rënë krejt, por drita është ende e qartë. Aq sa për të parë mirë se jam rrethuar nga një ushtri të pastrehësh. Janë nga të gjithë krahët. S’di si ndodhi. Nuk para komunikojnë, por ecin në radhë. Një ushtri e paorganizuar, gjithsesi e rreshtuar. Ecin drejt një shtyse, rëndese joracionale, si valë deti. Unë jam një pikë uji në një trup ujor të lëvizshëm. Ku janë njerëzit e mi? Ku është qyteti im? Më kanë shkarë. Nuk i kam më aty. Atë fillim mbrëmjeje në San Francisco nxitova. U arratisa prej tyre. Shpëtova. Por në përjetimin e atij çasti nuk shkas dot aq kollaj. Mbetem brenda.
© 2024 Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Fotoja në kopertinë ©Monica Kelly.
Pershkrimi me i bukur me fjale i ndjesive komplekse qe te sjelle pasiguria.
Sistemi komunist ishte ai qe ishte dhe pergjithesisht nuk e kishte ankthin e humbjes se punes. Ne sistemin kapitalist frika e humbjes se punes eshte force normale levizese e sistemit. Filmi The Pursuit of Happiness e pershkruan mjaft qarte sesi nje i papune e pa shtepi luftoi dhe sot ai eshte nje milioner!
Sa e vertete Eda!
Nuk besoj se ka te beje me ate te P. Simakut qe qarkullon ne media. Streha eshte edhe adrese. Adresa pike takimesh pervojash pa lidhje per njerez qe jetojne jetet e tjereve neper telefona.
Kush ka jetuar ca dite ne cader apo ka fjetur perjashta e ndjen edhe me shume fryken. Zhuli, pagjumesia, uria, moskokecarja, … vari leshte. Ne Kalifornia ka pedagoge kolegjesh qe enden verdalle neper makina, apo qe i kap pensioni ne ndonje nga ato trailers. Keshtu qe nuk eshte habi te te shkoje ndermend ndonje internim i tille nga fati.
Mbetja I pastrehe dhe i paperkrahje ne pleqeri nuk eshte shenje e rënies ekonomike por e shkaterrimit te familjes nga edukimi “liberal”. Do jete edhe me shkaterrues e dramatik per nje pjese te brezit te moshes se dyte qe nuk pranojne te bejne femije. Por me shprese se ky trend po ndryshon dhe brezi I fundit po I rikthehet traditave konservatore te jeteses qe mbrojne familjen ne radhe te pare. Shpresoj qe fitorja e dytë e Trump te jete momenti decisiv I ktheses per mire
Nuk është trend, është cunami! Aq sa ishte në gjendje Kanuti i Madh të ndalte baticën, po aq do të mundet Trump – apo kushdo tjetër – të ndërpresë valën e “as martohemi, as bëjmë fëmjë“. Si njëra, ashtu dhe tjetra, janë forca elementare në veprim: natyrore e para, shoqërore e dyta, por po aq e verbër dhe e pakontrollueshme sa edhe forca e gravitetit. Dukuria është akoma embrionale dhe nuk ka marrë ende vëmendjen e duhur nga sociologjia, media dhe politika. Por shpejtësia, intensiteti i përhapjes dhe natyra universale janë shenja të një revolucioni social global, që për pak dekada do i kthejë përmbys shoqëritë dhe shtetet, pavarësisht specifikave nacionale dhe ekonomiko-politike.
[… Përse liberal në thonjëza, te edukimi “liberal“? Nëse ky edukim nuk është liberal, atëherë çfarë është *? Qëllimi i liberalizmit, të paktën për etërit e tij të shekujve 18 dhe 19, mund të mos ketë qenë sheshimi (si eufemizëm i shkatërrimit) i strukturave hierarkike – politike, fetare, shoqërore, familjare – në emër të individualizmit dhe humanizmit, por në praktikë rezultati eshtë tamam ky: krijimi i masës amorfe. * “Perverted liberalism“, e ka quajtur Leo Strauss këtë lloj liberalizmi.]
Eshte ne thonjeza per te thene se vetem liberal nuk eshte. Sepse liberal eshte pak a shume sinonim me tolerancen, nderkohe qe liberalet (politike) jane njerezit me intolerante dhe paragjykues. Meqe ra llafi kam disa prej tyre ne mehalle. Dallojne sepse kane signs me ylbere, tufa simbolesh fetare e ngjyrash raciale dhe padyshim me sloganin liberal “Hate doesn’t have a place here”. Kam dashur disa here qe per shaka te ngul nje foto te Trumpit krahas ketyre tabelave dhe te rri e te shikoj pastaj reagimin e ketyre krijesave liberale, po nuk na lene punet.
Shqipot qe besojne se Trump do te restauroje vlerat morale te shoqerise e perceptojne konservatorizmin ne te njejten menyre banale qe brigadieret e kooperativave ne kohe te Dulles shpjegonin marksizmin .Roli i familjes eshte ne funksion te menyres se prodhimit .Per rreth 10 mije vjet kemi patur nje shoqeri agrare ,per rreth 150 vjet nje shoqeri industriale dhe 30 vitet e fundit nje shoqeri post industriale e cila ka sjelle Nje strukture te re e cila perleshtet me traditen mijera vjecare .Si veren K Marks “what was holy now is profane’.Tragjedia e Parashqevise shpjegohet thjesht :ekperienca e Shqiperise jo gjithmone eshte e tregetueshme ne SHBA .Nese nuk ke marketable skills ne SHBA ngordh per buke .Eshte vend i kapitalizmit te shfrenuar ku 1/3 e jetes te shkon duke i paguar taksa qeverise dhe ne kthim perfiton nje pension mjaft te vogel ne 67 vjec te cilin shumica e aerikaneve nuk arrijne ta gezojne pasi vdesin pa e arritur ate moshe .E pare ne ate prizem nuk e di kush ia mbushi mendjen Parashqevise se do ia dilte mbane ne Hollywood vend ku cdo kamarier /e i LA enderron te behet aktor/e.
Lidhja me kohen e Dulles shume e gjetur. Tani bej nje lidhje me Bazin e Canit dhe Levizjen DumBabiste e pare kjo me syrin e transgenderit Njujorkez.
Ne thelb eshte e njejta gje .Mbeshtetesit e Dulles e konsideronin cdo turist te huaj si agjent qe vinte per te minuar jeten tone te lumtur ,mbeshtetesit e Trump konsiderojne cdo emigrant si nje kriminel qe vjen me thike ne dhembe ti ne therri e tu rrembeje shtepine katandine .Nese ke kenduar ndonje liber ne jeten tende to verec ngjashmerine e frikshme midis MAGA dhe bolshevikeve .Me kete mesele perfshihen dhe emigrante qe duan te provojne “their whiteness “ ashtu si dikur qerrexhinjte dikur doin te provonin se ishin te Partise .Eshte per tu habitur se si qytetaret e vendit qe ka universitetet me te mira te botes jane nga ana emocionale po aq naive sa ata te vendeve me popullsi analfabete .
Faleminderit. Keshtu mendoja dhe une. Nuk mund te jesh transgender pa urryer se pari vehten tende dhe ate qe je.
As mua s’me pelqen ai stil jetese por njerezit kane te drejte te bejne c’te duan me trupin e tyre .Quhet liri .Jeto e leri te tjeret te jetojne .Kjo lufta kulturore kondra stileve alternative te jeteses eshte e njejte me luften kunder modes se huaj ne kohe te merhumit kur u rruanin mjekrat turisteve te huaj ne kufi.Dhe kjo do kaloje si te gjithe te tjerat.
“That which has been is what will be, That which is done is what will be done, And there is nothing new under the sun.”