Titulli origjinal: Agron Tufa – Mbijetesa sociale i bën intelektualët të harrojnë urinë kulturore
Në këtë intervistë të hershme shkrimtari Agron Tufa dallon një arketip të intelektualit shqiptar të pas viteve 90’, i cili kënaqet me mbijetesën sociale duke harruar urinë kulturore. Tufa e portetizon veten si një njeri me bindje të djathta, të cilat sipas tij vijnë nga botëkuptimi filozofik, moral e religjioz, më shumë se sa për çështje politike apo ideologjike. Te Mithat Frashëri ai gjen një personazh frymëzues në historinë e Shqipërisë. Shkrimtari e konsideron Ahmet Zogun një udhëheqës largpamës që ka si meritë shtetin e parë modern shqiptar, pavarësisht metodave si qeverisi. Ndërsa Enver Hoxhën e sheh thjesht si miniaturën e shëmtuar të Salinit, duke mos besuar te bindjet e tij komuniste. Shkrimtari vë në dukje se liderët e sotëm shqiptarë i përafron me mendësinë e diktatorit Hoxha etja dhe babëzia për të pasur në dorë pushtetin e pakufishëm.
1 – Patriot, nacionalist apo kozmopolit?
Prirja ime, nëse hetoj e gërmoj në vete, është sipas rastit, pak nga të tria. Por edhe këto fjalë, sidomos dy të parat, ngatërrohen shpesh, sepse shpesh merren si sinonime. Atëherë, nëse ndërtojmë një shkallë njësie sipas madhësisë nga më e vogla tek më e madhja, “patriot”, me kohë ka zëvendësuar kuptimin zanafillor – atdhetar (nga patria) dhe shenjon sot kuptimin krahinor, d.m.th, vendlindje. Në këtë kuptim e përdorim sot fjalën në situata praktike (isha me nja dy patriotë të mi). “Nacionalist” lidhet me një nocion më të gjerë kategorial, që përfshin përmasat e kombit dhe etnisë. Me “kozmopolit”, unë së paku, nënkuptoj të qenët i përfshirë në një sistem të përgjithshëm vlerash të qytetërimeve bashkëkohore. Nëse më duhet të bëj diferencën emocionale midis këtyre tre nocioneve, atëherë prova më e mirë shërbejnë ato rrethana kur ti gjendesh përballë rrezikut të humbjes së njërës prej tyre. Varet cila të dhemb më shumë. Nëse lëndohesh në sedrën e vendlindjes dhe përpiqesh ta mbrosh imazhin e vendit nga vjen, atëherë kjo ndjeshmëri është tregues i ndjenjës tënde patriotike. Por akoma më e rëndë është kur gjendesh para rrezikut të humbjes së atdheut, kombit, identitetit kombëtar. Kur sheh të hidhet baltë mbi këtë ndjenjë, jep të duket dhe ndjenja jote nacionaliste. Por nuk është e njëjtë të të shajnë në sy gjithë botën. Ky nocion është si shumë abstrakt për t`u përjetuar. Ja, e përfytyroj sikur një afrikan, aziatik apo amerikan më shan: “Pt’hu, europianë të shpifur!”. Zor se do të ndjeja ndonjë poshtërim. Mbetet atëherë që prirja ime të jetë nacionaliste. Ca më tepër ka kuptim nacionalizmi shqiptar, në kushtet kur kombi ynë ende nuk e ka realizuar ëndrrën e vet të bashkimit dhe gjithnjë ka qenë i kërcënuar të zhduket.
2 – Majtas apo djathtas?
Djathtas! Më shumë se çështje politike apo ideologjike, bindja ime vjen nga botëkuptimi filozofik, moral e religjioz. E shoh ndjeshmërinë time brenda boshtit të vlerave të së djathtës, mitet e së cilës janë, që prej antikitetit: familja, prona, aftësia individuale e talentit/dhuntisë, prona private, privatësia si koncept, liria dhe iniciativa për ta administruar atë, tradita, atdheu, Zoti dhe mëshira për të dobëtin, humanizmi dhe ndjenja e solidaritetit, etika individuale dhe ndërindividuale. Të gjitha këto e shumë të tjera, janë përbërësit e ndërgjegjes së një të djathti. Cenimi, shtypja, ngushtimi dhe imponimi i tyre sjell reagimin dhe revoltën me formën e saj të drejtësisë. E majta ka treguar gjithmonë se i shpërfill këto “tabu”, në emër të një revolucioni dhe përmbysjeje radikale të sistemit të vlerave të krijuara, për hir të vlerave të reja, si shoqërizimi dhe zhdukja e diferencave, shtypja dhe nivelimi i aftësisë individuale, barazitizmi absolut, i cili nëse nuk është bërë prej Zotit, atëherë majtizmi e mohon Zotin, për t`i rrëmbyer kompetencat dhe atributet, për ta vënë drejtësinë dhe barazinë, me forcë. Etika e të djathtit është evolucioni: “Secili për vete, Zoti për të gjithë”, duke parashikuar që mëshira kristiane dhe zekati mysliman janë sisteme më përfekte, se sa drejtësia sociale e vënë nga njeriu ateist. Dështimet e sistemeve të majta me mitin e barazitizmit, janë që nga i pari shtet i Spartës në kohën e Likurgut, stina e jakobinëve në revolucionin francez, shteti i bolshevikëve të Leninit që zgjati 70 vjet torturë dhe gjithë sistemet e majta totalitare të socializmit në Europën Qëndrore e Lindore (përfshij edhe modelin stalinist të Shqipërisë) pas luftës së Dytë Botërore. Dështimi i kësaj përvoje më bind akoma më fort në botëkuptimin tim të djathtë.
3 – Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?
Në hapin e parë orientohem dhe i besoj instinktit, si impulsi i parë i intelektit. Në hapin e dytë e hetoj, se sa jam “unë” në këtë identifikim me mendimin. Në hapin e tretë përpiqem të rrok “dëmin” që mund të më shkaktojë mua dhe të tjerëve dhe vetëm pasi të kem fituar këtë siguri, mendimi i “shestuar” bëhet vendim.
4 – Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar ?
Besoj se “Don Kishoti i Mançës”. Hidalgoja mendjemprehtë është një kalorës i së Mirës, që kërkon të vendos drejtësi, virtyt e hijeshi, në një botë që ka marrë rrokullimën, ku hesapet bëhen me mendjen akull dhe zemrën gur. Kalorësi i Mançës lufton për të bukurën, të lartësuarën, idealin, në një botë të shëmtuar, në të cilën vetëm ai, si ëndërronjës i palodhur është qesharak e jashtë kohe. Kontradikta midis qëllimit idealist dhe mjeteve dalëmode që përdor për t’ia arritur shkakton tragjedi. Por Don Kishoti është mishërimi i ideales, virtytit dhe së bukurës që regëtin në ëndrrat e dëlira të njerëzimit dhe na qorton gjithmonë për pafajësinë që kemi humbur. Jo vetëm si shoqëri, por edhe si individë, nëse e ndajmë jetën tonë në periudha donkishote dhe pragmatike e meskine. Është një dualizëm brenda njeriut dhe njerëzimit që do të vazhdojë gjithmonë.
5 – Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?
Mosbesimi ndaj shtetit. Pas rënies së entuziazmit të shtetit të parë dhe Mbretërisë, pas likuidimit të rracës së burrave të shtetit, nacionalistë e atdhetarë të përkushtuar, nis epoka gjysmëshekullore e shtetit-njerk, të dhunshëm e xhelat, që mishërohet me kërbaçin dhe privimet. Nën fshikullimat mizore e të pandërprera, populli shqiptar u transformua në një koloni ndëshkimore të rrahur sistematikisht, të terrorizuar e të lebetitur, me ankthin e përditshëm të mbijetesës e të shpëtimit të lëkurës. Në fund të procesit dolëm një popull i deformuar në strukturat më të thella etnopsikike, një popull i zëvendësuar, apo më saktë, i alienuar. Përulja para drurit mund të hetohet lehtë, kush e mban mend atë kohë: më ka takuar të ndesh reagimet e gjindjes fshatare përball dy figurave: mësuesit dhe policit (apo oficerit). Përulja, sensacioni dhe admirimi për të dytin, dukej krejt haptazi. Edhe sot shteti asocionon me frikën, me dhunuesin, me privuesin, edhe pse në thelb shteti është një rojë që e kemi zgjedhur ne me vota, i cili, nëse nuk shërben mirë, duhet ndërruar me një rojë tjetër, më të drejtë e më të devotshëm. Gjithësesi koncepti i shtetit është bërë kinse më njerëzor pas rënies së komunizmit, falë edhe konteksteve bashkëkohore, parametrave të lirisë dhe standardeve që ti kushtëzon sot bota. Shteti sot ose kihet frikë, ose sulmohet për tu uzrupuar nga partitë që ta drejtojnë. Ndryshimi me burrat e shtetit të parakomunizmit është ky: njëra palë sakrifikoi gjithë pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, ndërsa burrat e sodit, shkrijnë gjithë Shqipërinë për të shtuar pasurinë e tyre.
6 – A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?
Ka një krizë të përgjithshme të shoqërisë shqiptare. Nëse të gjitha shoqëritë post-totalitare dolën të rrënuara pas Luftës së Ftohtë, Shqipëria, si vendi më izoluar e më i prapambetur, i drobitur nga gjenocidi i gjatë dhe i programuar i luftës së klasave, mishëronte qendrën e paralizës. Nuk mund të flitej për krizë, po për një paralizë të të gjithë shoqërisë. Madje vetë nocioni “shoqëri socialiste”, ashtu siç ka qenë e survejuar, e rekrutuar dhe e skllavëruar plotësisht, paraqiste gjendjen e të sëmurit që ka rënë prej kohësh në koma. Zgjimi nga koma i kësaj shoqërie pas rënies formale të komunizmit si sistem, siç e kemi parë dhe po shohim ndodh mundimshëm, me faza të ngadalta, si në torturë. Shoqëria jonë që ka trashëguar të gjitha sëmundjet e komunizmit, që në fillim të zgjimit të saj ishte një organizëm pa imunitet. Asaj i kanë munguar “antitrupthat” që i kundërvihen epidemive postkomuniste, përderisa kapitali i saj mendor, intelektual e moral me rënien e sistemit qe në gjendje katastrofike bankroti, pa autoritete që të bartnin dhe përcillnin peshën e ideve dhe vizionit për të ardhmen. Ndërrimi i sistemit dhe tranzicioni nga shoqëria totalitare në shoqëri të lirë e të hapur demokratike ka qenë veçse propagandë retorike. Në thelb vazhdoi po ajo trashëgimi ambiguide komuniste me dyfaqësinë dhe demagogjinë e kontrollit të monopoleve mbi politikën, ekonominë, kulturën dhe dijet, diç e ngjashme me restaurimin e pushtetit komunist në kushtet e reja të tregut dhe biznesit, të katapultimit dhe suksesit, të korrupsionit dhe korruptimit, përderisa trashëgimi i monopoleve në çdo sferë të aktivitetit shoqëror e politik mbeti prapë në duart e të njëjtëve aktorë.
Prandaj dhe alternimi i krizave vjen si rrjedhojë e mospërballjes së shoqërisë tonë (dhe mosdashjes për t`u përballuar) me problemet e trashëguara nga diktatura.
Disa nga këto probleme që i shohim të shpërthejnë herë pas here në këto dy dekada janë:
- Mosdashja dhe refuzimi për të vendosur drejtësi dhe rehabilitim ndaj gjysmës së shoqërisë shqiptare të persekutuar nga komunizmi, e cila edhe sot, shfrytëzohet politikisht dhe braktiset në mizerjen e vet pas çdo kryqëzate elektorale.
- Loja e pandërprerë deri në absurditet me kthimin e pronave pronarëve të ligjshëm.
- Mospendesa dhe glorifikimi ende i të shkuarës kriminale komuniste në media, shkencat e edukimit shkollor-universitar, në qëndrimin ndaj historisë si hipotekë e legjitimimit të vlerave.
- Refuzimi për të pastruar shoqërinë, klasën politike dhe intelektualët nga lidhja dhe bashkëpunimi me makinën shtypëse të rregjimit, që mishërohet me mos`hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave dhe informatorëve të tyre.
- Korrupsioni, trafiku dhe përqëndrimi i monopoleve në duart e një kaste politike.
- Shkatërrimi i sistemit arsimor me format e masivizimit dhe licenzat korruptive të privatizimit të arsimit.
- Shkatërrimi dhe degradimi i shërbimeve të korruptuara shëndetësore
- Nuliteti dhe mosbesimi ndaj organeve thellësisht të korruptuara të drejtësisë.
Humbja e besimit tek shteti si arbitër dhe mbështetës i paanshëm, mungesa e alternativave, agresioni propagandistik në mbrojtje të së keqes, si formë e demagogjisë politike, morale dhe sociale, është baza e përhershme e krizës së përgjithshme të shoqërisë shqiptare.
7 – Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?
- Të bëhet rrënjësisht transparenca e shoqërisë nëpërmjet hapjes së dosjeve, në mënyrë që të lahen llogaritë me të shkuarën, me qëllim që në postet politike, publike e administrative, të mos kemi të bëjmë me njerëz të rekrutuar dje dhe të rirekrutuar sot.
- Të luftohet çdo formë e shfaqje e korrupsionit shtetëror e administrativ, nepotizmi, klientelizmi, trafiqet dhe monopolet e paligjshme, me ndëshkimet më të ashpra ligjore.
- Forcat konkuruese politike që mëtojnë pushtetin qeverisës të vendit, përveç programeve konkrete zhvillimore, t’i qasen elektoratit të tyre jo me monopolin partiak të listave të imponuara të liderëve të tyre, por me kandidatë përfaqësues, të propozuar nga baza e votuesve (lagjet, fshatrat, grupet e interesit).
E quaj të tepërt, që këtyre tre këshillave t’u shtohet “ta duash vendin tënd”, sepse nuk ka ndonjë tregues të “dashurisë”, më të mirë se rregullat e një demokracie transparente e funksionale.
8 – A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzon?
Të gjithë ata idealistë që u munduan të përbashkonin shqiptarët në një front të vetëm nacional gjatë luftës së Dytë Botërore, duke patur në programin e tyre politik një Shqipëri të lirë, të orientuar nga modelet e demokracive perëndimore dhe duke patur si aspiratë bashkimin e trojeve etnike. Ky personazh është Mithat Frashëri. Ideali dhe aspirata e tij është aktuale edhe sot.
9 – Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratikë janë liderët e sotshëm politikë?
Zogu I ishte largpamës. Pavarësisht metodave si qeverisi, shteti i parë modern shqiptar ishte meritë dhe krijesë e gjenialitetit të tij. Gjykuar nga lufta, diversionet dhe konspiracionet tipike të politikës së kohës, Ahmet Zogu ishte burrë shteti kundrejt oponentëve të tij aventurierë, si Fan S. Noli dhe epigonët e tij. Zogun duhet ta gjykojmë brenda gjasave dhe alternativave të kohës: nëse jo Zogu, atëherë kush? Fan Noli? Ndonjë tjetër? Pavarësisht sistemit monarkik, pavarësisht qurravitjeve të majtistëve të atëhershëm e më shumë të komunistëve e ish-komunistëve të sotshëm, Zogu ka ndërtuar e modernizuar një shtet shqiptar në kushte shumë të vështira, duke u garantuar qytetarëve liri të tilla themelore, të cilat qytetari ynë i kohës së komunizmit nuk mund t’i shihte as në ëndrrat e tij më të çmendura.
Enver Hoxha ishte një miniaturë pak më e shëmtuar e më gjakatare se idhulli i tij, J.V. Stalini. Ai ishte mishërimi ndëshkues i Satanait (Shejtanit) në Shqipërinë e pas luftës së Dytë. Nuk mendoj se Enver Hoxha ka qenë komunist. Ai ka qenë thjesht një djall gjakatar. Doktrinën e komunizmit e përdori si maskë. Në fakt, më parë se komunist, ai ishte një terrorist gjakftohtë, i cili deri në ditën e vdekjes, la prapa një radhë të pafundme kufomash dhe një vazhdë të pandërprerë rrëkeje gjaku të freskët, duke filluar qe me familjen e vet, të afërmit dhe shokët.
Te liderët e sotëm politikë, në një mënyrë a në një tjetër, ngre krye herë pas here Enver Hoxha me absolutizmin, autoritarizmin dhe mungesën e demokracisë brenda falangës së rreshtimit politik. Vetëdija e tyre është e kushtëzuar nga strukturat e mendësisë dhe veprimit autoritar. Etja dhe babëzia për të patur në dorë pushtetin e pakufijshëm i përafron ata edhe në kushtet e demokracisë formale me mendësinë e diktatorit Enver Hoxha.
10 – Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?
Në postkomunizëm. Është një vazhdim për inerci i po atij komunizmi në kushtet e ekzistencës së pluralizmit partiak. Vetëm se dikur Komiteti Qëndror real vinte nga Jugosllavia, BRSS apo më vonë Blloku, ndërsa tani, është BE, SHBA etj. Kanë ndërruar termat, por në mënyrë inkoshiente binari ideologjik, në të kuptuarit e tyre, ka pësuar zëvendësimin me zhvendosjen nga Beogradi e Moska e dikurshme tek Brukseli dhe Uashingtoni i sotëm.
11 – Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?
Shqiptarët janë si t’u thonë. Edhe kështu, edhe ashtu. Por ama, edhe kur janë orientalë, po e deshi puna, shtiren më shumë oksidentalë se vetë oksidenti. Ose anasjelltas. Në thelb, nëse kultura dhe religjioni luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e konstruktit shpirtëror (dhe padyshim që luajnë), shqiptarët janë një përzierje laragane midis orientit dhe oksidentit. Por komunizmi për 50 vjet e niveloi dhe e depersonalizoi identitetin kulturor e religjioz të shqiptarit. Në kushtet e sotme, vihet re një përpjekje për të themeluar një identitet herë në bazë të vlerave kulturore, herë në bazë të vlerave religjioze. Duke qenë një komb me strukturë të trefishtë religjioze, ne përsëri mbetemi nën ndikimin e të dy kulturologjemave, formalisht e për politkorrektesë të orientuar drejt oksidentit. Unë mendoj se përgjigjen për një përcaktim më të qartë, do ta japin vetë shqiptarët në një perspektivë pak më afatgjatë formësimi, atëherë kur “stazhi” i lirisë të jetë pak më i gjatë dhe tradita e konfigurimit identitar të jetë bërë më e prekshme.
12 – Nga ndryshon një qytetar shqiptar, nga një qytetar evropian?
Nuk mendoj se ndryshon në pikëpamje thelbësore. Një qytetar shqiptar në kushtet dhe mjedisin europian është një individ i spikatur, i talentuar, me plot dëshirë e motiv për jetesë të përbashkët, miqësor, sakrifikues. Shembujt janë të pafund, sidomos me familjet shqiptare të integruara herët në këto shoqëri. Në mjedisin e mirë dhe normal shqiptarët janë njerëz plot virtyte, ambiciozë e të suksesshëm. Ndryshon puna me një qytetar shqiptar të Shqipërisë (Kosovës apo Maqedonisë etj). Ajo që e bën diferencën dhe ndryshimin është përvoja, ose shuma e përvojës individuale e kolektive. Atëherë shqiptari ndryshon nga europiani në masën e të qenit të tyre produkte sociale, etike e ekonomike të potencialeve që kanë këto shoqëri respektive. Megjithatë kurrë nuk do të thoja që një shqiptar në vetvete është më inferior se një europian. Janë kushtet e potencialeve dhe përvojave të ndryshme të shoqërive që bëjnë diferencën. Dukuri të tilla më të shpeshta që e shoqërojnë qytetarin shqiptar, si mosbesimi, pasiguria, mungesa e sinqeritetit apo alibia e mashtrimi, janë pjesë e situatës ekstreme dhe armë mbijetese e qytetarit shqiptar dhe në raste e rrethana të tilla, edhe qytetari europian nuk do të sillej më mirë se shqiptari.
13 – “Besa e shqipëtarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?
Varet nga konstrukti i edukimit dhe etikës individuale. Tani nuk bëhen punët me “besë”, por me marrëveshje, me kontratë. Mosmbajtja e “besës”, nënkupton sanksionet ligjore. Besa dhe besatimi, siç e kanë origjinën në shoqëritë parashtetërore kanë mbetur relikte etnotipe të folklorit. Por etikisht, vlera e “besës”, është diçka e shenjtë në parimet morale të një populli në kushte të caktuara. Për shembull, mbrojtja e hebrenjve gjatë luftës së Dytë Botërore u bë me një besatim të përgjithshëm të Qeverisë së atëhershme dhe popullatës shqiptare, madje në pjesën dërrmuese myslimane. Madje kanë kontribuar edhe priftërinj e hoxhallarë në fshehjen e tyre. Kjo është një dëshmi unikale që e veçon popullin shqiptar si të vetmin midis gjithë popujve të kontinentit që bashkëpunuan në krimin e zhdukjes së organizuar të hebrenjve, sepse të gjithë këto popuj të Europës ndihmuan në deportimin e tyre në Aushvic e gjetkë. Problemi i besës ndërlikohet sot, po të kemi parasysh, se pas përvojës çnjerëzore komuniste të epokës së kulmit të pabesisë, si çdo pajë tjetër etike e shpirtërore, edhe virtyti i besës, është një relikt i humbur. Pas plojës 50 vjeçare, vetë populli shqiptar nuk është më po ai që ka qenë: është një popull i zëvendësuar, i shkatërruar në strukturën e tij etnopsikike, i alienuar.
14 -Tirana, metropol apo fshat urban?
Tirana është një katrahurë urbane dhe përditë e më shumë – një xhungël betoni. Qytet i ndotur me pluhur, gazra makinash, me një makth ndërtimesh monstruoze, pa asnjë hapësirë të gjelbër ku mund të dalësh me fëmijë përdore. Tiranë është kryqendra e stresit. Përditë e më tepër shëmtohet në një garë të shfrenuar ndërhyrjesh e dallaveresh ndërtimore.
15 – Çfarë është kombi për ju?
Është “komb në grykë” që nuk të lëshon. Shuma e brengave të paraardhësve dhe pengu ynë që nuk po e bëjmë dot siç e kanë ëndërruar ata dhe ne, por është dhe shpresa se çfarë e si do t`ua lëmë pasardhësve. Të gjymtuar apo të plotë? Ferr apo parajsë? Të harmonishëm apo të përçarë? Kombi për mua është “provimi i fundit” që i jep kuptim vlerës së ekzistencës tënde personale, “provimi final i ndërgjegjes personale”. Dhe përgjigjën përfundimtare, rezultatin, nuk do ta marrësh sa je ende gjallë.
16 – Çfarë është familja për ju?
Familja është arsyeja pse ekzistoj, si ekzistoj dhe pasqyra, se si do ta doja ta pasqyroja vazhdimin e ekzistencës sime nga prindërit e mi, tek fëmijët. Dhe ndoshta edhe pretendimi i fshehtë për ca më tepër se kaq…
17 – Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?
Nuk më ka bërë përshtypje tronditëse asnjë vend. Kanë qenë brenda pritshmërisë dhe logjikës së arsyetueshme. Përshtypje më kanë bërë shpesh mospërkimet, me zbukurimet që u kisha bërë në imagjinatë, para se t`i vizitoj. Ndoshta vendin që do të më bëjë përshtypje, ende nuk e kam vizituar?
18 – A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?
Nuk jam tip që dalloj “kulme” në karrierë, sepse nuk e di se çfarë është “karriera”. Sot, për shembull, ndjehem mirë me aq sa kam arritur. Punoj me shpirt në një punë që e dua shumë (Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit), jap leksione si pedagog i jashtëm në Fakultetin Filologjik dhe në Universitetin “Hëna e plotë” (Bedër), kam një vend kolumnisti prej 3 vitesh në gazetën elektronike “Start”, ku shkruaj i lirë, një herë në javë, për çfarë të dua; kam në botim një vëllim të ri me poezi (librin e dymbëdhjetë origjinal), pres fëmijën e katërt (djalë) dhe bëj një jetë të qetë, të thjeshtë e të patrazuar, ndonëse me lodhje dhe agjendë të tejngarkuar. Jam shumë i kënaqur dhe falënderoj Zotin me gjithë shpirt. Ndoshta këtë mund ta quaj “moment kulmor” në jetën time?
19 – Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?
Nëse do kthehesha prapa, thellë në adoleshencë, do të rinisja nga e para po këto pasione që kam, me ndryshimin se do t’u shkoja në themel; do të mësoja disa gjuhë të huaja, ndonjë vegël muzikore. Mbase do të studioja për gjenetikë ose filozofi. Por meqë kjo është e pamundur dhe ngelemi këtu ku jemi, atëherë, po të më jepej mundësia e vetëm një pune shpërblyese e të mirëpaguar, do të reduktoja të gjitha angazhimet e shumta, për të patur më shumë kohë në dispozicion të fëmijëve, leximeve, krijimtarisë sime letrare e përkthimore. Ka mbi dhjetë vjet që ëndërroj të kem “kohë” dhe më dhimbset paradoksi që kjo “kohë” u jepet me të tepërt bjerraditësve.
20 – Cili është arketipi i intelektualit shqiptar, pas viteve ‘90?
Për një tip të përgjithshëm (portret grupor) të intelektualit të pas viteve ’90 mund të flas veçse subjektivisht, ashtu si ma dikton mua përfytyrimi. Intelektuali krijues (do të ishte çudi të thonim “jokrijues”) është një qenie në kërkim të indentitetit të tij shpirtëror e deri diku filozofik. Shenjat dalluese janë mbijetesa sociale dhe uria kulturore, për të zënë paralelisht pak vend në jetë dhe pak vend në art. Shumica, me kalimin e kohës, kënaqen me ambicien e parë, dhe dalëngadalë e harrojnë përfare ambicien e dytë. Por ata që mbijetojnë edhe si shkrimtarë, paraqesin një status të çuditshëm shkrimtari, të panjohur para viteve ’90: janë poetë, prozatorë, eseistë, studiues, përkthyes, pa harruar edhe angazhimin publik me debate publicistike e më të rrallë, përfshihen direkt në politikë. Ndoshta kontributi i tyre do të ndjehet jo menjëherë, por pas disa kohësh ashtu si capak përfaqësues më të mirë të gjeneratës para tyre, të fundit të viteve `80. Duke qenë se është një brez intelektualësh i papërfshirë me mëkatet e regjimit komunist, ky arketip ka luksin të kritikojë, por edhe alergjinë të mos përfshihet direkt në klasën politike drejtuese. Roli më i shpeshtë i tyre kufizohet në krijimtarinë letrare-artistike, në katedrat e universiteteve dhe në media, jo gjithmonë duke shkëlqyer.
Nëse do t’i jepej mundësia e komoditetit social, kjo tipologji intelektuali do t’i ndërpriste menjëherë marrëdhëniet me politikën, mediat dhe angazhimet shoqërore, për t’iu dhënë tërësisht botës së krijimit artistik, pavarësisht se nuk shpresojnë të kenë një lexues masiv. Ata përfaqësues që janë përshtatur mirë me terrenin e politikës direkte dhe nuk kanë pasur asnjëherë ambicie artistike, janë një format intelektuali karrierist, me llogari të qarta pragmatike dhe me kohë janë shndërruar në robotë burokratikë, në vegla të përsosura të teknologjive elektorale.
Intervistoi Eno Shkëmbi, gazeta “Start”, 2012-2013. Imazhi në kopertinë është krijuar me Ideogram.
(Ky varg intervistash me autor gazetarin Eno Shkëmbi dhe bashkëpunëtor gazetarin Artan Dokuzi është publikuar më parë në gazetën “Start”, një media jo më e pranishme në hapësirën online. Intervistat e kanë pikënisjen në fund të 2012-ës dhe kanë vijuar përgjatë vitit 2013. Qëllimi ishte të sillej një kolanë idesh e refleksionesh nga njerëz kryesisht të botës kulturore e publicistike, në një kohë kur televizionet transmetonin përditë me një cekësi të padurueshme ngjarjet në kuadër të jubileut të 100-të pavarësisë. U synua të zgjohej sadopak te lexuesi mendimi kritik, duke zmbrapsur kësisoj pirgun e lajmeve të ditës, të cilat s’të japin kurrfarë kuptimi për të shkuarën dhe asnjë ravijëzim të së ardhmes. Nisur nga kompleksiteti i pyetjeve, intervistat u realizuan përmes komunikimeve me email. Të intervistuarit janë orientuar drejt përgjigjeve sintetike, por nuk janë kufizuar aspak kur kanë dashur t’i shtjellojnë temat në mënyrën e tyre, ndonjëherë edhe pak akademike. Arsyeja pse po i risjell këto intervista te “Peizazhet e Fjalës”, më shumë se sa për qëllime arkivore, është fakti që kjo kolanë mund të rilexohet gjithmonë si aktuale, meqë pyetësori mund të shihet edhe si një libërth a manual idesh, në tema mes të cilave janë vërtitur shpesh mospajtues njerëzit e mendimit dhe opinion-bërjes në Shqipëri. Le të shërbejë ky ripublikim për të krijuar një agorë të vogël mes lexuesve të “Peizazheve” përmes pyetjeve për të cilat askush nuk ka thjesht dhe vetëm një përgjigje. Eno Shkëmbi.)