Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
1x10 / Letërsi

1X10: INTERVISTË ME VETVETEN

Titulli: Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)
Autori: Petro Marko
Shtëpia botuese: OMSCA-1, 2000
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Oksana Duqi

1.

Pyetje: Më fal që po të ndërpres, po… si të them, këto që po dëgjoj nga ti, mos janë pjellë e fantazisë? Se, më fal, më fal, ti njihesh sikur ke shumë fantazi të shfrenuar dhe aty për aty trillon gjëra, episode ose ngjarje të paqena.

Përgjigje: Ashtu është! Shokë të mi të ngushtë, si Zenel Hekali, Minella Koleka, për të cilët do të flas kur të hapet kapitulli i të njohurve të mi, kur u kallëzoja ndonjë episod të jetës sime, shkuleshin së qeshuri duke thënë: “Ja, ja, tani e trilloi! Ç’fantazi ka shejtani!” Dhe unë qeshja bashkë me ta dhe u thosha: “Edhe Don Kishoti i shkretë, kur ishte në pragun e vdekjes, thirri të afërmit e tij, i vështroi dhe u tha: “Unë ju kam gënjyer. Nuk kam lexuar libra kalorësie dhe as që jam kalorës i fytyrës së vrerosur. Unë quhem Antonio Kishiena dhe jo Don Kishot!” Ata, që e dëgjuan të fliste kështu, panë njëri-tjetrin në sy dhe thanë me vete (disa dhe me zë): “I ziu, tani që është duke vdekur, shkalloi, rrodhi, nuk di se ç’thotë!”

Pra, Don Kishotin, kur trillonte bëma fantastike, e besonin. Kur tha të vërtetën, nuk e besuan.

2.

– Dy janë rrugët: ose t’ia heq vetes, ose të bëjmë njëfarë kompromisi… – Ai fliste me dashuri për revistën. Thoshte se ishte revista e parë ku mund të rrihej mendimi filozofik, ku mund të shtroheshin problemet e kohës. Ishte mjeti më i ndershëm për të nxjerrë kafshatën e gojës. – Nuk mund të jetojmë me sadakara. Jemi njerëz apo jo? – gati po përlotej. – E kam menduar mirë. Unë do të shkruaj artikullin “Pse nuk jam marksist” Me të do të tregoj një të vërtetë, se unë nuk jam marksist, po nuk e luftoj marksizmin, siç luftoj fashizmin dhe nazizmin. Ta kam thënë se te ne gjer më sot nuk ka asnjë marksist, – dhe nisi nga filozofia e Platonit, e Hegelit, e Durkhaimit e të tjerë, e të tjerë. – Jam një demokrat liberal, antifashist, – dhe pinte me ngadalë uzon “Omega”.

I thashë:

– Po qe se ti boton një artikull të tillë, unë e heq emrin nga revista. Ti do të fitosh antipatinë e rinisë dhe të të gjithë intelektualëve të Shqipërisë. Punë e madhe se do të na e mbyllin revistën. Do të jetojmë duke bashkëpunuar me shtypin…

3.

Ecnim. Të ndërgjegjshëm për drejtimin që kishim marrë. Kur dolëm majë një bregu të zhveshur fare dhe dëgjuam udhërrëfyesin: “JA SPANJA!” – shpërtheu një urra e fuqishme dhe pastaj përqafime me njëri-tjetrin. “NO PASARAN!”

4.

Pyetje: – Po ti, a qëllove ndonjë armik?

Përgjigje: – Më zure ngushtë! Dua të ta tregoj! Është e domosdoshme që unë të ta them se si vrava njeriun e parë! E vrava! E vrava! Duke parë gjithë shokët e mi të shtrirë, të vrarë, të vdekur, të ndarë nga ne përgjithmonë, u ndeza, u turbullova, nuk e desha më jetën, kërkoja ta përmbysja botën, ta merrja në dorë rruzullin e ta shtrydhja si limon, që t’i dilnin lotët e fundit!

5.

Një nga kujtimet e mia sentimentale është edhe ky:

Unë, shumë herë, rrija aty në sheshin e të internuarve dhe dëgjoja pianon; i binte një vajzë leshverdhë, aty pranë, në shtëpinë e padrones së Ustikës, nga familja princore Gargano. Ajo i binte pianos kur më shikonte mua që rrija duke vështruar detin, i mbështetur te trungu i njërës nga të katër pemët e sheshit. Pasi i binte disa pjesëve romantike, dilte dhe më shikonte.

6.

Aty mësova se Pensione Xhakarini ditën përdorej si klub i klasit të parë, ku shkonin familje aristokrate dhe pinin ose kërcenin, kurse pas orës 22 kthehej në zyra të Gestapos si në Via Taso. Aty mësova se togeri Kok ishte tmerri i antifashistëve dhe i patriotëve, agjent besnik i Hitlerit, kriminel i regjur. Pra, Koliqi më shpëtoi jetën dhe u interesua për mua duke më dërguar sekretarin e tij.

7.

– Ti që sot je gruaja ime!

Ajo qeshi. E mora për dore dhe zbritëm poshtë, në pastiçeri. Unë piva një kafe, ajo piu një gazoz. Dhe që atëherë ne dilnim bashkë.

8.

Për çudi, pas pak hyri në birucë hetuesi im, me një letër të shkruar në dorë dhe më tha: “Po e nënshkrove këtë, do të t’i heqim zinxhirët…” Dhe e lexoi:

– I nënshkruari Petro Koka deklaroj se Mehmet Shehu ka qenë agjent qysh në Spanjë…

E vështrova mirë dhe i thashë:

– Po! Këtë deklaratë e nënshkruaj…

Hetuesi më hoqi hekurat, më liroi dorën dhe nënshkrova: Petro Koka. Ai, sapo e mori, e tundi në ajër dhe, duke dalë në korridor, thërriste: “E mposhtëm dhe revolucionarin e Spanjës…”

Erdhën me vrap shumë hetues dhe të gëzuar më thoshin:

– Pse të vuaje?! Ta kishe nënshkruar që më parë…

Mirëpo kryehetuesi e mori në dorë deklaratën dhe si i tërbuar thirri:

– Ç’ke nënshkruar këtu Petro Koka! Kë gënjen? Me kë tallesh? – dhe më zhdëpi në dru. Pasi mblodha veten, hapa gojën:

– U bënë gjashtë muaj që më torturoni, dhe ende nuk e dini se cili jam! – Përsëri filluan me shkelma dhe përsëri më varën te dritarja.

9.

Kam shkruar dhe përsëri, sa të kem frymë, do të shkruaj, po me atë entuziazëm të Petros idealist të pathyeshëm, të viteve të rinisë e të luftës: dhe qëndrimi im do të jetë gjithmonë kundër çdo lloj padrejtësie, kundër shkeljes së çdo lloj të drejte njerëzore, kundër çdo pushteti diktatorial që të pengon frymëmarrjen, që vret ëndrrat e fëmijëve dhe idealin e idealistëve, që u vë kufij me tela me gjemba horizonteve të lira.

10.

Nuk do ta harroj kurrë atë ditë të ftohtë, kur sindikalistët demonstruan si lumë – masë rinie e populli – në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ndaluan përpara shtëpisë sime, ku buçiti thirrja: “Petro Marko! Petro Marko!” “Rroftë kujtimi i Sejfulla Malëshovës! Rroftë Petro Marko!” – dhe duartrokitjet e brohoritjet nuk pushuan. U ngrita nga shtrati, ku lëngoja, dhe dola në dritare, mbështeta ballin te xhami e i përshëndeta me dorë. Atëherë ata duartrokitën stuhishëm e më përshëndetnin me dashuri. Më mbyti mallëngjimi. Ishte një ditë e madhe për mua, një ditë që nuk harrohet.


1×10 është një seri që i prezantohet lexuesit të Peizazhe të Fjalës. Ideja është e thjeshtë: një libër në dhjetë copëza. Ky “cungim” i librit nuk vjen gjë nga parimi se mjafton një gotë për të marë vesh ç’verë ka fuçia, por nga shpresa se oreksi për dijen dhe leximin vjen duke “pirë”.

Shkruani një Koment

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading