Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

POETI VANDAL

rreth librit me poezi të Jazra Khaleed Grozni

nga Dritan Sulçebe

Mesdheu, dikur djep i qytetërimit, udhëkryq kulturash dhe perandorish, sot i ngjan një skene gjigante, ku prej vitesh përsëritet një prej tragjedive më të mëdha të këtij shekulli. Me miliona refugjatë tek rreken të largohen nga shtëpitë e tyre të rrënuara, kaplojnë detin mes rreziqeve të mëdha në kërkim të Evropës së ëndërrt, që ndërkohë i shëmbëllen një mirazhi gjithnjë e më të rremë. Teksa një botë e trazuar me krisje të mëdha midis veriut gjithnjë e më të pasur dhe një jugu të shkatërruar nga luftërat, varfëria dhe ndryshimet klimatike, shënjon sot mbarë realitetin tonë, artistëve u takon detyra sublime për ta përcjellë këtë angështi mbytëse në vepra që dinë të jehojnë fuqishëm në publikun e gjerë. Këtu poezia, për vetë natyrën e saj emotive-universale, luan një rol gjithnjë e më parësor, pasi siç ka thënë T.S Eliot:“Poezia e vërtetë mund të komunikojë përpara se të kuptohet”.

Poeti Jazra Khaleed, është sot një nga zërat më të vërtetë  dhe rebelë të shpirtit të kohës ku jetojmë. Padrejtësitë midis vendeve të pasura dhe atyre të varfra, konfliktet klasore, demokracitë liberale sado të përparuara por përherë të gatshme për të shkelur më të vegjlit, heronjtë e martirizuar nga falangat e fashistëve racistë, gjaku i refugjatëve të luftërave të Lindjes së Mesme, pasqyrohen përmes një gjuhe të zhdërvjellët, piktoreske, që hera herës merr trajtat e hip-hopit. Në këtë koleksion poezish të emërtuar sipas nofkës së autorit, që gjen frymëzim tek ai myslimani i vobektë në Greqinë, e cila nga ana tjetër shërben si sinonim për të gjithë botën perëndimore sa të begatë por dhe aq të rrënuar së brendshmi, shpaloset një botë e dhunshme, ku autori e sheh veten gjithnjë në rolin e një luftëtari të papepur të rezistencës. Ndaj fashizmit Khaleed nuk njeh kompromise apo paqe, por vetëm luftën e penës:

Me kokën plot rima
Vendos penën në automatik,
dhe i hap gropën çdo neonazisti;

Por njëherazi poeti nuk harron të shkojë thellë drejt burimit të së keqes:

Jam Jazra
Poet vandal
Skizometropolitan
bir muslimaneje
Me baba askend
Ti cila je?
Ti cili je?

Ngre pyetjen poeti,  duke provokuar fort mbi identitetin, tanimë burim i pashtershëm për ndasi dhe konflikte pa mbarim. Kush jemi? Nga vijmë? Ku po shkojmë? Sot në kohën e progresit dhe shkencës duhet të ishin pyetje përbashkuese dhe jo kufij-nxitëse, por errësira e ditëve ku jetojmë nuk na lejon të shohim përtej për një botë tjetër. Vargu i Khaleed është i mbarsur me stuhi, luftë dhe revoltë, duke i ngjarë njëherazi një thirrjeje për të mos pranuar më nënshtrimin, por për t’u ngritur për një botë më të mirë, të prirë nga dashuria për tjetrin.

Shqiptarët janë gjendur shpeshherë në rolin e refugjatëve skamnorë të detyruar për të kërkuar fatin gjetiu. Mjafton të ndërmendim dëbimet masive të luftërave ballkanike, eksodin e viteve 91-92, tragjedinë e Otrantos të vitit 1997, gomonet që na kanë shoqëruar përgjatë një pjese të mirë të “tranzicionit” dhe luftën e Kosovës. Kjo përvojë kaq e hidhur, duhet të na e shtojë shumëfish empatinë ndaj “tjetrit” fatkeq, që në saje të pamundësisë për ta vazhduar jetën në vendlindje, është i detyruar ta dorëzojë veten në mëshirën e dallgëve të Mesdheut. Jemi të gjithë bij të një toke të zhuritur, një ure të përjetshme përmes së cilës kalojnë tallazet e historisë. Dhe këtu Khaleed nuk lë pa përmendur edhe plagët më të rënda të kësaj toke që vijojnë të kullojnë gjak, duke na bërë thirrje që të mos harrojmë pa iu përulur tragjedive të së shkuarës.

Kështu ra Srebrenica;
pashë Greqinë tek hiqte vetullat,
pak para se të organizonte togat e ndërhyrjes,
pak para se të ngjitej në skenë;
turmat në sallë,
duartrokisnin vrasjet e emigrantëve,
përdhunimet e grave myslimane,
fitoren e qytetërimit,
triumfin e demokracisë,
striptizin e klasit të parë
Pashë fëmijë të hidhnin gurë në tanke,
eshtakë, të pamëshirshëm,
fëmijë që loznin kukafshehthi në rrënoja.

Srebrenica e djeshme është kryqi i një kujtese të dhimbshme që paralajmëron tmerrin që vjen kur bota sundohet nga urrejtja. Kësisoj poezia e Khaleed është sot, në një kohë të karakterizuar nga thërmimi shoqëror, polarizimet e skajshme dhe ringritja e fantazmave të racizmit dhe luftërave fetare apo etnike, më aktuale se kurrë.  Ky libër vjen për herë të dytë në shqip nën përkthimin dhe përkujdesjen e veçantë të Eleana Zhakos, që ka arritur të përcjellë më së miri  në gjuhën shqipe frymën rebele të tekstit, si dhe muzikalitetin e vargjeve, duke ruajtur të paprekur mesazhin kuptimplotë të poetit. Temat sa universale aq edhe “shqiptare” të vargjeve të Khaleed, kanë gjetur një përgjigje përmes ballinës së librit të shënjuar nga fotografia ikonike e Michel Setboun të portit të Durrësit përgjatë eksodit të vitit 1991, që ngjan porsi një përmendore për tragjedinë tonë të para pak dekadave, por dhe si një paralajmërim, që rrota e historisë mund të na sjellë prapë në po të njëjtat pozita edhe në të ardhmen. Poezia e Jazra Khaleed është kryekëput politike. Dhe në një mjedis postmodern ku të qenit politik konsiderohet gati si mëkat, ky mund të konsiderohet si një akt i mirëfilltë guximi. Si i tillë, libri i Khaleed mund të lexohet edhe si një manifest poetik, ku arti dhe politka bashkohen me njëri tjetrin me qëllim ndërgjegjësimin e lexuesit mbi atë se çfarë po ndodh në kohërat ku jetojmë. Siç ka thënë Toni Morrison: “Çdo art i mirë është politik” dhe këtu, Jazra Khaleed Grozni, nuk zhgënjen asnjëherë.

(c) 2024 Dritan Sulçebe. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shkruani një Koment

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin