Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Shkencë

NUK ËSHTË ELEMENTARE, WATSON: SAGA E BASHKËSISË

nga Shkëlqim Çela

 

Çka vëzhgohet është ndryshimi i objektit dhe jo vetë objekti si i tillë. Nëse e “ngrijmë kohën”, ndryshim do të thotë dallimi me rrethinën. Një objekt i zi ose i bardhë në një fushë përkatësisht të zezë apo të bardhë është i pakëqyrshëm. Bashkësia (në kuptimin e shumësisë së gjendjeve) bëhet kësisoj e domosdoshme në perceptimin e botës: bashkësi e elementëve të njëkohshëm, ose e kohëve të ndryshme për të njëjtin element, ose natyrisht, e elementëve të njëkohshëm ne kohë të ndryshme. Me gjithë këtë domosdoshmëri, bashkësia është koncepti që ngatërrohet më shumë në narrativën e përditës. Ajo ngatërrohet me elementin. Pasoja: një perceptim, përvetim dhe gjykim i shtrembëruar i realitetit. Rrekja për ta ngucur idenë e elementit në bashkësi është aq e gjithëgjendur, sa të vjen të besosh se është e lindur, se është njerëzore. Në një kohë që individi apo elementi i bashkësisë është një konstrukt mendor. Jo vetëm përgjithësime si “shqiptari”, “shqiptarët”, “gjermani”, “progresivi”, “socialisti” e të tjerë përcaktime në numrin njëjës shoqëruar me folje në vetë të tretë, që kanë fituar të drejtën e qytetarisë në komunikimin e përditës, por edhe një personë private, apo një vetje janë në të vërtetë bashkësi, dhe nuk mund të jenë ndryshe. Për shembull, merrni një shok të afërt të cilin po e quajmë Afrim. A ka më thjesht se Afrimi, djali gjiton, kushëriri, shoku me të cilin është ngrënë një thes me kripë mbi fetat e bukës në dorë spërkatur lehtë me vaj bimor fëminish? Afrimi ka një emër, një individualitet të pangatërrueshëm, ai është një vetje, dhe ky është perceptimi për të. Ndërkaq asnjë Afrim i dhënë në një çast nuk është i njëjti me atë të një çasti tjetër. Në këtë kuptim, ka një aradhe të pafund Afrimësh dhe këtu nuk po flasim për Afrimin 5, 25 dhe 75 vjeçar, të cilët natyrisht janë të ndryshëm, por po flasim për segmente shumë më të shkurtra kohe, të themi të fillimit esëll të një gostie dhe të fundit të saj, ku shoku ynë mund të jetë i dehur dhe nuk di si shkohet në shtëpi të tij. Në këtë kuptim Afrimi është një seri kohore, nuk është një individ por një bashkësi individësh, dhe perceptimi për të në fakt është përpunimi sasior i pavullnetshëm i kësaj bashkësie. Të gjithë jemi të tillë. Qenësia e shumë vetjeve apo personaliteteve në një grimë të ngrirë kohe bën gjithashtu një bashkësi, ku me gjasë, për çdo njësi diskrete të kohës, mbase është dominant vetëm një personë e shfaqur, ndërsa të tjerat janë recesive, për të përdorur terma nga gjenetika. Ajo që perceptojmë si individ është në fakt përfundimi i një analize statistikore të pavetëdijshme për bashkësinë përkatëse. Për shembull, fakti më i rëndomtë, që Afrimi është 175 cm i lartë është gjithashtu një përfundim analize. Kjo sepse lartësia trupore e tij është një ndryshore e pandryshueshme në kohën e vëzhgimit dhe deduktimit (time invariant variable). Afrimi ka qenë 80 cm i lartë në moshën 5 vjeçare, 175 cm në moshën 25 vjeçare, dhe ndoshta, për shkak të rrëgjimit trupor prej moshimit, 171 cm në moshën 75 vjeçare. Ajo që deduktohet për lartësinë trupore të tij në një segment kohor të dhënë është vlera e pritshme (expected value) e lartësisë trupore, e cila idealisht kërkon vëzhgime të njëpasnjëshme dhe nxjerrjen e një vlere të pritshme prej tyre, që s’është gjë tjetër veç një mesatare e peshuar probabilitare. Kur mjaftohemi me vetëm një vëzhgim, kjo ndodh prej pandehmës së pandryshueshmërisë në kohë të ndryshores në fjalë (kupa proverbiale me ujë deti për kripën në gjithë oqeanin). Gjithë sa më lart për të kuptuar se në perceptimin tonë bashkësitë janë rregulli dhe elementi është deduktimi. Thënia se askush nuk mund të futet dy herë në të njëjtin lumë është e mangët, nuk thotë gjithë të vërtetën: ai dikushi i lumit nuk është gjithashtu i njëjti. Futja e dikujt në lumë përbën një ndërprerje bashkësish, atë të lumit dhe të dikushit. Diagramet e Venit na ndjekin pas si hije, ku(r)do, për të perifrazuar një film shqiptar me sigurim të shtetit.

Ky ndryshim në kohë i subjekteve, që janë “vëzhguesi dhe perceptuesi i realitetit”, bën që e gjithë marrëdhënia subjekt-objekt të jetë marrëdhënie bashkësish dhe serish kohore që përplasen sa herë ndodh vëzhgimi. Vëzhgimi është ngjarja dhe dukuria që na gabon me ngashënjimin e një bote që nuk mund të jetë atje pa ne – shtrati i nxehtë i çdo fidani idealist: jo vetëm “vëzhgoj, pra jam”, por edhe (sidomos) “vëzhgoj, pra është”. Ky kapërcim pindarik bëhet me lehtësinë e papërballueshme që e mundëson egoja gjenetike njerëzore. Ndërkaq, ndryshimi kohor, ergo bashkësia e “të njëjtit objekt” është edhe më mbresëlënëse prej imtësisë (granularity) të tij. Dihet që konceptimi për botën është bërë gjithnjë e më tepër gjasor. Gjasa ishte dhe është një mënyrë e detyruar për të përshkruar diçka të pavëzhgueshme prej kufizimeve të vëzhgimit si proces. Është diçka e njëjtë si, të themi, përshkrimi i (vend)ndodhjeve të mia gjatë ditës së sotme pa qenë i aftë të jem më i detajuar se njësia e ditës (çka domethënë të mos jem në gjendje të vëzhgoj në njësi ore, minute, sekonde, etj., po vetëm në njësinë më të vogël të një dite të plotë 24 orëshe.) Një aparat fotografik me kohë të gjatë të përthithjes së dritës për një shkrepje që autostradat i jep si gjarpërinj dritash të kuqe dhe të verdha varësisht kahut të lëvizjes. Me këtë kufizim, mund të thuhej se unë isha 30% në punë, 10% në shitore, 20% në kinema etj., kur e gjithë dita = 100%. Kësisoj përshkruhem si një shpërndarje, si shumë vetje me denduri e frekuenca të ndryshme të (vend)ndodhjes. Dhe kjo është një mënyrë legjitime e të parit tim, nuk ka asgjë të gabuar në të, ajo është një mënyrë e përvetimit të kushtëzuar të së vërtetës, ku kushti konsiston në pamundësinë e vëzhgimit më të imët se njësia e ditës (24 orë). Por në qoftë se ky kufizim bie, për shembull me aftësinë për të më vëzhguar në njësi bazë kohore të 24 (vend)ndodhjeve në sekondë, si në filmat me celuloid dhe kamerat përkatëse, çka do të thotë ta bësh ditën e mëparshme 1/24-ën e sekondës, e gjithë pamja ndryshon: nga trubullia e vendndodhjeve të mia, si një fashë drite apo terri në shumë vende (punë, shtëpi, shitore, kinema, etj.), befas jam qartësisht i ndodhur në të njëjtat vende. Natyrisht, askush nuk mund të thotë ku u ndodha brenda kuantumit të kohës 1/24 sekondëshe, ku qeshë, të themi në gjysmën e parë të tij, në 1/48-ën e sekondës, por nga pikëpamja e perceptimit njerëzor (në të vërtetë, e gjitha kjo është një çështje e perceptimit njerëzor, është një çështje e yshtur nga sistemi ynë i referimit si njerëz), nëse nuk do çanim kryet për një diskretim tej 1/24-ës së sekondës, atëherë qenia ime nuk është më një shpërndarje, përkundrazi jam një e qenë me një vektor me katër koordinata të fiksuara (tre për hapësirën dhe një për kohën). Të qenët e mi si individ është i kushtëzuar nga kufiri fundor i diskretizimit. Kjo na sjell në kryepyetjen skajore: a është diskrete natyra apo e vazhduar në nivele të pafund të diskretes. Është në fakt pyetja që “ndan një dynja”: materializmin dhe idealizmin filozofik. Kufiri fundor i ndarjes së lëndës është një pyetje e lemerishme, dhe vlerësime sasiore për të janë dhënë, për shembull për hapin më të vogël të grimcës elementare, për njësinë më të vogël të kohës, për homologen e energjisë, dhe numrat janë tmerrësisht të vegjël, janë të botës planckiane në daçi, me fuqi negative minus 30 e 40 të njësive tona të përditës, por edhe këto llogaritje nuk i shpëtojnë dot dënimit të kufizimit tonë (tashmë mendor dhe natyrisht, edhe të mjeteve të vëzhgim-hulumtimit), duke e bërë çështjen e kufizimit të diskretes apo vazhdimësisë pa fund të ndarjes së realitetit (kohë dhe hapësirë) praktikisht një çështje konceptuale, duke na sjellë pas një qerthulli tekanjoz kohor (circular time) sërish te grekët e vjetër që i faleshin eksperimentit të mendimit në mungesë të laboratorit. Diku(r) e sidoqoftë laboratori do të mungojë, pavarësisht dhe me gjithë CERN-et e botës.

Në gjithë sa më lart, që e mori në fakt yshtjen nga mekanika kuantike dhe dualiteti i keqkuptuar valë-thërrmijë i saj (një tjetër ngatërresë gjigande e elementit dhe bashkësisë, “another Festivus miracle”), pjesëza materiale konsiderohet si një njësi (entitet unik), pa zhbiriluar përbërësit e njohur, të pandehur dhe të vërtetuar në mënyra të tërthorta probabilitare, apo dhe ende të panjohur të saj, çka më duket një pandehmë edhe logjike, edhe e ndershme.

Por edhe vetëm si pyetje kjo mbetet një “llaftar i bukur”: a ka një kufi të fundmë të copëzimit të hapësirës dhe kohës, a ka atome konceptuale të këtyre dy formave të perceptimit të botës në kushtet “normale” të sistemit (shtypje, temperaturë, vëllim), a ka një hap pas të cilit hapësira dhe koha nuk kanë e nuk bëjnë kuptim, pra janë të pamundura, a ka një largësi mes dy pikash të skajeve të një segmenti, në mes të cilave ndalimi është i pamundur, a ka një tren ekspres të tillë në ato nivele “elementare”, në të cilat një stacion ndërmjetës nuk ekziston ngase i pamundur? A ka një “grimë” kohe të pandashme, pas së cilës nuk mund të ketë kohë tjetër më të vogël se çasti pasardhës? A është pra bota diskrete? Kuanta e Planckut na rrëfen se të paktën për studim shkencor, deri tani, diskretja e botës është e pazëvendësueshme. Thërrmijat elementare duket se nuk mund të bëjnë kërcime më të shkurtra se një kufi i caktuar. A është ky një kusht studimor, apo një veti e brendshme e lëndës? Të mos harrojmë se ndarja e pafund e materiales ka si kufi konceptual Asgjënë, qenia e së cilës është edhe më e vështirë të ngërthehet cerebralisht se hapi i fundmë diskret i natyrës. Asgjëja në të përditshmen tonë është një pamundësi perceptimi. Në shprehjen “s’dalloj dot (as)gjë pas atij muri”, me “asgjënë” kuptojmë mungesën e perceptimit të objekteve të dhëna, çka është një botë larg nga koncepti i Asgjësë. Si e tillë ajo është futur lehtësisht në ligjërimin njerëzor; ndërkohë që si koncept i mirëfilltë, Asgjëja, Mosgjëja, Hiçi janë të parrokshme nga mendja njerëzore sepse nuk janë hasur kurrë në jetë; çdo imagjinatë është një ekstrapolim realiteti dhe kjo për Asgjënë është e pamundur, se nuk ka ç’realitet të ekstrapolohet. Si në botën e drejtësisë amerikane: Asgjëja si krim nuk ka precedent. Asgjëja nuk është relacion, çka e bën atë të ndryshme nga zeroja. Ajo mëton të jetë e dhënë e parë. Pa asnjë mëdyshje, të pranosh Asgjënë është diçka monumentale, mamuthore, zhbërëse e gjithçkaje; jo më kot të pranosh Asgjënë domethënë të pranosh Zotin. Dhe e anasjellta. Zoti ka nevojë për Asgjënë sikurse Asgjëja për Zotin. Bashkësia boshe (që nuk ka asnjë element) nuk është e njëjtë me Asgjënë, pasi ajo parakupton ekzistencën e elementëve të tjerë në bashkësi jo boshe, çka e zhbën idenë e Asgjësë e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe nuk mund të bashkëjetojë me Gjënë, pasi është dyanshmërish përjashtuese me të (mutually exclusive).

Kufiri i poshtëm material është i domosdoshëm për përcaktimin sikur veç konceptual të elementit të bashkësisë materiale. Çdo bashkësi mund të merret si bashkësi e tullës fillestare ndërtuese, të pandashme të lëndës (sqaroj se gjithçka është lëndë; ato që i kemi quajtur “fusha”, ose materie në formë fushe në shkollë, sidozot magnetizmi, janë forma të drejtpërdrejta të lëndës: deri dhe graviteti ka thërrmijën e vet hipotetike, gravitonin. Pyetja munduese deri në torturë cirkonvolutare që shtrohet është se çfarë ka brenda një gravitoni, dhe nëse ky do të ish vërtet i pandashëm, pra i papërbërë, çfarë ka midis dy gravitoneve të njëpasnjëshëm?) Individualja, materia e mbërthyer në hapësirë dhe kohë, është e mundur vetëm në këtë kufi të poshtëm konceptual (druaj se do të jetë e pamundur që ky kufi të kapet jo vetëm si vëzhgim eksperimental, por edhe me ndonjë formulim të mbyllur matematik), ku hapësira edhe të dojë nuk rrëgjohet më, dhe koha edhe të dojë nuk ka ku rrjedh më.

Fakti që nuk vëzhgojmë objektet si të tilla, por ndryshimin e tyre në kohë, ose ndryshimin e tyre me rrethinën në çdo kohë të dhënë, e bën bashkësinë një kusht të domosdoshëm për perceptimin e botës: duhen të paktën dy elemente, të njëpasnjëshme kur janë i njëjti dhe të ndryshëm për të njëjtë kohë vëzhgimi (pra një bashkësi) për të shquar qenien e një objekti. Qenia e ku(r)doshme dhe e pazëvendësueshme e bashkësive në procesin elementar të perceptimit dëften rolin themelor të kuptimit të drejtë të tyre. Fatkeqësisht, mosnjohja e bashkësive si koncept dhe si agjente vepruese, dhe sidomos ngatërrimi i tyre me elemente përkatëse, shpesh të përzgjedhur njëanshmërisht, është rregulli dhe jo përjashtimi në arsyetimet e përditës. Bashkësitë kanë një kod e procedurë të veçantë përshkrimi, kanë një “jetë e profil” përkatës, i cili duhet parë në vetitë e qenies së plotë e të pandarë. Një njeri është bashkësia e gjithë qelizave të trupit të tij, por njeriun zakonisht nuk e shohim si të tillë (veç hulumtimit mjekësor). Atë e shohim si një të tërë dhe gjithë çfarë ai prodhon mund të merret teorikisht si prodhim i bashkësisë së qelizave të tij. Ndërkaq çdo qelizë është vetë një bashkësi e përbërësve të saj, organeleve dhe gjithë materialit qelizor, të cilat gjithashtu janë bashkësi të molekulave / atomeve përkatëse… Por askush nuk e sheh njeriun si të përbërë kësisoj, për të konvencioni shoqëror është granitik, aty ndalon çdo lloj zhbirilimi i mëtejshëm. Ky lloj konvencioni nuk zbatohet kaq vetëkuptueshëm në bashkësi të tjera, ku përkëmbimi konceptual i bashkësisë me elementin është shumë më i çlirët. Është e vështirë të konceptohen “gjermanët” në terma bashkësie, gjithnjë në skenë do hyjë “gjermani” legjendar, elementi, i cili nuk mund të mbartë vetitë e bashkësisë “gjermanët” as si prototip, si qenie sintetike pa iu nënshtruar një analize sasiore, e cila shpesh nuk është një procedurë e thjeshtë përshkruese (descriptive statistics). Konceptimi i bashkësive, dhe sidomos krahasimi mes tyre, kërkon një aparat të mirëthemeluar shkencor, pothuaj një gjendje tjetër mendore, të çliruar nga prangat e përshkrimit të individit, edhe pse e ndërtuar mbi individin, për të cilën mund të flitet në një trajtesë pasuese.

© 2024 Shkëlqim Çela. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Ilustrimi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

 

3 Komente

  1. Nuk e kuptoj synimin apo dobine praktike te kesaj persiatje, por e shkurtuar, ne gjuhe figurative – edhe fizikantet, amatore ose jo, nuk i shpetojne metaforave – mund te shprehemi se “robi eshte mish i grire”, e shoqeria vepron si site, ne perpiqemi te mblidhemi e te mbledhim c’ngel e c’kalon ne site, e keto perpjekje jane kolektive.

  2. Një përsiatje meteorike në kërkim të njësisë së tërësisë, qoftë ajo bashkësi e gjendjeve apo e gjendje e bashkësisë.
    Flm Shkëlqim që arrin dhe ndan me ne dyshimin tënd mbi kaosin që rregullon mendimin.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin