Në 1985 Kundera botoi esenë L’art du roman, brenda së cilës përfshiu një lloj mini-fjalori personal, të titulluar Quatre-vingt-neuf mots (“tetëdhjetë e nëntë fjalë”), të botuar më parë në revistën “Le Débat”. Në vështrim të parë, duket sikur kjo vepërz u drejtohet përkthyesve, me të cilët shkrimtari nuk pati gjetur kurrë paqe; për t’u shpjeguar atyre disa fjalë kyç për tekstet e veta letrare, ashtu siç i kish përdorur vetë. Këtij fjalori, në botimin italisht nga Adelphi (Praga, poesia che scompare, Adelphi 2024), i referohen shënimet më poshtë, ku shpjegimeve të Kunderës po u pranëvë disa komente të miat. Fjalën titull të çdo hyrjeje e kam lënë në italisht, për të shmangur ndonjë keqkuptim me përkthimin shqip.
CARATTERI (shkronjat). Po botohen libra me shkronja gjithnjë e më të vogla, ankohet Kundera. Hodha në plehra La Phrase inachevée, të Tibor Déry: i palexueshëm. Marshi i Radeckit, i Joseph Roth në botimin si libër xhepi: i palexueshëm. Kështu e përfytyroj fundin e letërsisë, thotë ai: pak nga pak, pa e vënë re askush, shkronjat do të zvogëlohen deri sa të bëhen krejt të padukshme. Këtu ka gabuar, Kundera. Në ekranin e një tablete a të një e-reader-i si Kindle, shkronjat mund t’i zmadhosh sipas dëshirës – është libri, si objekt me përmasa dhe peshë dhe aromë, si mënyrë e strukturimit të tekstit, si gjë e shfletueshme, që po shndërrohet tani në diçka luksi, në diçka statusi, në një mall konsumi të gjerë për snobët, njëlloj si pllaka e vinilit, për nostalgjikët e konsumit analog të muzikës. Duke i zmadhuar shkronjat, edhe “Plaku dhe deti”, në tabletën time, arrin të jetë 400 faqe. Në favor të Kunderës, më duhet të kujtoj se edhe e-Reader-i të jep opsionin për t’i zvogëluar shkronjat. “Lufta dhe paqja”, në një faqe të vetme – ja një kryevepër e artit tipografik.
ELITARISMO (fr. élitisme). Fjala élitisme, na kujton Kundera, shfaqet në Francë jo më herët se në 1967, fjala élitiste vetëm në 1968. Për herë të parë në histori, është vetë gjuha që e tregon nocionin e elitës nën një dritë negative, në mos përçmuese. Në vendet komuniste, vazhdon ai, propaganda ka filluar t’i stigmatizojë edhe elitizmin, edhe elitat, duke shënjestruar me to jo thjesht sipërmarrësit, sportistët e famshëm apo politikanët, por ekskluzivisht elitën kulturore: filozofët, shkrimtarët, profesorët, historianët, njerëzit e kinemasë dhe të teatrit. E habitshme kjo sinkroni, thotë Kundera. Duket sikur në gjithë Europën elita kulturore po ia lëshon vendin elitave të tjera. Në Lindje, elitës së aparatit policor; në Perëndim, elitës së aparatit të mass mediave. Elita të reja, të cilat askush nuk t’i akuzojë për elitizëm. Ashtu vetë fjala elitizëm do të harrohet. Më tingëllon profetik Kundera, me këto parashikime: elita policore në lindje, elita e mass mediave në Perëndim. Ose edhe më keq, një elitë e vetme, që rrjedh nga çiftëzimi (kopulimi) i elitës policore të djeshme me atë të mass mediave, nën bishtukun e tranzicionit.
EUROPA: Pasi vëren se në Mesjetë uniteti europian themelohej mbi fenë e përbashkët dhe se në kohët moderne kjo e fundit ia la vendin kulturës (artit, letërsisë, filozofisë), që u shndërrua në realizim të vlerave supreme përmes të cilave europianët njihnin, përcaktonin dhe identifikonin njëri-tjetrin, Kundera thotë se sot edhe kultura po ia lëshon vendin… kujt? Çfarë gjëje? Në cilin kontekst do të realizohen vlerat supreme në gjendje të bashkojnë Europën? Arritjet e teknikës? Tregu? Politika me idealin e demokracisë, me parimin e tolerancës? Por a nuk bëhet kjo tolerancë e zbrazët dhe e kotë, në qoftë se nuk mbron më një produksion të pasur dhe një mendim të fuqishëm? Apo mos duhet të shohim tek ky abdikim i kulturës një farë çlirimi, të cilit t’i dorëzohemi me eufori? Nuk e di, vërtet, shton. Por besoj se e di që kultura e ka lëshuar tashmë vendin dhe, ashtu, imazhi i identitetit europian largohet në të shkuarën. Dhe përfundon me këtë përkufizim befasues: Europian, thotë, është ai që ka nostalgji për Europën.
Gjithnjë më kujtohen ditët e mia të para në Europë – Roma, dyqanet e muzikës, libraritë, dhe një si largo prej simfonie që luante pranëvënia e stileve të ndërtesave e të shatërvaneve, në qytetin barok dhe gjetiu. Një nga gjërat që bleja rregullisht – edhe pse jo çdo ditë, sepse nuk ma përballonte xhepi – ishte gazeta “La Repubblica”; zakonisht të premteve, sepse vinte bashkë me suplementin revistë “Il Venerdì”; dhe gazetë e revistë i lexoja nga fillimi në fund, gjatë fundjavës e ndonjëherë edhe deri të premten tjetër. Dhe tani më kujtohen këto edhe ngaqë, pak ditë më parë, aq u neverita me materialet që gjeja në faqen online të së njëjtës “La Repubblica”, sa e hoqa përfundimisht nga faqeshënjuesit dhe mora vendimin të mos e lexoj më kurrë. Më kishin ardhur në fyt propaganda gati sovjetike, anësia politike, hipokrizia, meskiniteti; gazeta që dikur më kish treguar botën dhe kulturën dhe intelektin e historisë, tani po më hidhte hi syve.
Dhe ashtu u ndieva europian – ngaqë pata edhe unë nostalgji për kohën kur “La Repubblica” më lexohej me kureshti dhe ëndje.
FORNICARE: Mos kurvëro, e kanë përkthyer shqip urdhërimin e gjashtë të Biblës; ose mos shkel kurorën. Një përkthim më modern do të ishte “mos kryej akte të padëlira”. Kundera përmend një personazh të vetin, Alice-n (tek Amori ridicoli), e cila beson në Zot dhe është gati që t’u bindet urdhërimeve të Tij, por prej këtyre vetëm njëri i rezulton i diskutueshëm dhe duket sikur e sfidon: mos kurvëro! Ashtu, për të Zoti reduktohet në Zotin e mos-kurvërimit (çekisht Bůh nesoulože). Do të thoja, me Kunderën, se autoritetin e përjetojmë vetëm kur na ndalon të bëjmë atë që dëshirojmë. Një rrugë për ta shmangur këtë shtrembërim të moralit, është të ndjekim përkthimin literal: mos shkel kurorën. Aq më tepër që shumë të rinj, as që e dinë se ç’do të thotë kjo mos shkel kurorën në shqip. Ignorantia est argumentum.
OSCENITÀ (‘lapërdhi”): Në gjuhë të huaj, shkruan Kundera, i përdorim fjalët e ndyra por nuk i perceptojmë si të tilla. Kur shqiptohet me theks të huaj, fjala e ndyrë tingëllon komike. Është e vështirë të jesh i ndyrë (osceno) me një grua të huaj. Do ta kisha thënë, dhe mbase e kisha thënë edhe unë njëlloj. Si në Itali, edhe më pas në SHBA, fjalët e ndyra më kanë ardhur lirisht në majë të gjuhës, mua dhe të tjerëve të familjes, shumë më lehtë se po të kisha qenë duke folur shqip. Ndoshta ngaqë i kemi mësuar vonë, dhe censurës nuk i kemi dhënë kohë që të rrënjoset në pavetëdije. Nga shqipja, unë e shumta mund të them fjalë si mut, bythë dhe dhjes (në thelb, të së njëjtës fushe semantike: “Vulgariteti e ka truallin poshtë, atje ku mbretëron trupi me nevojat e veta,” shkruan Kundera gjetiu, te zëri VOLGARITÀ), por nuk shkoj dot më tutje; për të tjerat, më pengohet goja ose, gjithsesi, nuk ua shijoj efektin shfryrës a çlirues. Asnjë pengesë nuk provoj, përkundrazi, në anglisht a në italisht, me fjalë nga më licenciozet. Pasthirrma – sepse të tilla janë bërë – si anglishtja shit ose italishtja cazzo (në shprehjen ma che cazzo) më vijnë në mënyrën më të natyrshme të mundshme. Përfundon Kundera: fjala e ndyrë është rrënja më e thellë e dashurisë për atdheun.
PSEUDONIMO: Kundera ëndërron për një botë, ku shkrimtarët të jenë të detyruar, me ligj, që ta mbajnë sekret identitetin e tyre dhe të përdorin pseudonime. Avantazhet e kësaj do të ishin, thotë ai, kufizimi radikal i grafomanisë dhe rënie e agresivitetit në jetën letrare. Sa bukur. Por nuk më bind. Sepse përfytyroj një botë ku zbulimi i identitetit (“Tom Kuka jam unë!”), si akt i dënueshëm me ligj, ose i tillë që ta vinte në rrezik folësin, do të shndërrohej në motorin që çon përpara jetën letrare. Siç përfytyroj një botë me shkrimtarë që janë kapur duke zbuluar identitetin e vet, dhe kanë përfunduar pastaj në burg ose të internuar; dhe veprat e tyre të hequra nga tregu, të djegura në turrë, të dërguara për karton; e që megjithatë qarkullojnë dorazi, si shenjë dhe provë e rezistencës ndaj regjimit. Një botë ku studentët të dalin në protestë me parullën “Tom Kuka c’est moi!” dhe ashtu të rrihen e të përgjaken prej policëve. Ashtu letërsia do të rifitonte relevancën që sot duket sikur nuk e ka më; aq sa pesha dhe vlera e një vepre të mos matej me efektin letrar, por me tensionin mes pseudonimit të autorit të saj, dhe emrit të vërtetë.
RITMO: Kundera e ka tmerr të dëgjojë rrahjet e zemrës së vet, që i kujtojnë, pa pushim, se koha që i mbetet për të jetuar i ka ditët të numëruara – por mjeshtrat e mëdhenj të ritmit në muzikë kanë ditur ta anulojnë këtë rregullsi monotone; si polifonistët e mëdhenj, ose Beethoven-i, gjatë periudhës së vet të vonë, ku ritmi shfaqet kaq i komplikuar, sidomos në kohët e ngadalshme, sa mezi arrijmë t’i dallojmë batutat; ose Oliver Messiaen-i. Pastaj Kundera i kthehet “primitivizmit ritmik të rock-ut”, rrahjet e zemrës amplifikohen, thotë ai, në mënyrë që njeriu të mos e harrojë për asnjë çast marshimin e vet drejt vdekjes. Rock-u dhe vdekja – ose ndoshta ekzorcizmi nëpërmjet rock-ut, nëse pranojmë se shpirti i keq, që i ka hyrë dikujt, do të dalë sakaq, po t’i pushojë viktimës zemra. Por muzika jonë popullore, me ritmet e thyera, të tipit 5/8, 7/8, 9/8, 11/8, duket sikur e gënjen vdekjen, sepse nuk e lë rregullsinë të mekanizohet. Në mos, përkundrazi, këto ritme të thyera marrin për model ekstrasistolat.
ROMANZIERE: “Artisti duhet t’i bëjë të tjerët që vijnë më pas të besojnë se nuk ka jetuar ndonjëherë,” thoshte Flaubert-i – sipas Kunderës. Maupassant-i nuk lejoi që portreti i tij të përfshihej në një seri që u kushtohej shkrimtarëve të famshëm. Herman Broch, për veten, Musil-in dhe Kafkën: “asnjë prej nesh nuk ka biografi të vërtetë.” Për Kunderën, elementi që e shquan romancierin e vërtetë është se nuk i pëlqen të flasë për veten. “E kam zët të fut hundët në jetën e vyer të shkrimtarëve të mëdhenj dhe asnjë biograf nuk do ta ngrejë ndonjëherë vellon e jetës sime private,” thoshte Nabokovi. Dhe Calvino: “askush nuk do mundet të thotë ndonjëherë ndonjë gjë të vërtetë për jetën time.” Sipas një metafore të njohur, thotë Kundera, romancieri shkatërron shtëpinë e jetës së vet, për të ndërtuar, me materialet, një shtëpi tjetër: atë të romanit që shkruan. Që këtej, rrjedh se biografët e një romancieri shkatërrojnë atë që ka bërë romancieri dhe ribëjnë atë që ai ka zhbërë. Puna e tyre, në thelb negative nga pikëpamja artistike, nuk mund të ndriçojë as vlerën as domethënien e një romani. Kundera përfundon: në momentin kur Kafka tërheq më shumë vëmendjen se Joseph K., ka nisur procesi i vdekjes postume të Kafkës. E vetmja gjë që do të shtoja, mbase banale – jeta e shkrimtarit, për publikun, nuk është veçse kronologjia e veprave që ka botuar. Ajo tjetra, me të cilën mbushin biografitë, debatet, hulumtimet e thella, intervistat me kopshtarët dhe shoferët, i përket një tjetri.
SOVIETICO. Nuk e përdor këtë mbiemër, thotë Kundera. Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike – “Katër fjalë, katër gënjeshtra” (Castoriadis). Populli sovjetik – maskë leksikore, pas së cilës dënohen me harresë të gjitha kombet e rusifikuara të Perandorisë. Termi “sovjetik”, vëren Kundera, i hyn në punë jo vetëm nacionalizmit agresiv të Rusisë së Madhe komuniste, por edhe nostalgjisë kombëtare të disidentëve. (Ta ketë vallë fjalën për Sozhenjitsin-in?). U lejon këtyre të besojnë, se Rusia (Rusia e vërtetë) mungon si me magji nga Shteti i quajtur “sovjetik” dhe ruhet, si një esencë e paprekur, e panjollë, e pandotshme nga asnjë akuzë. Ndryshe nga Thomas Mann-i, që pas epokës naziste e vuri egërsisht në pikëpyetje frymën gjermanike; dhe Gombrowicz-i, që e dhunoi haptazi “polakësinë”, dhunimi i “rusitetit”, si esencë e pacen, do të ishte i pamendueshëm për rusët. Mes tyre nuk ka një Mann, nuk ka një Gombrowicz, thotë Kundera. Më bën të pyes veten, në heshtje, nëse ndarja që cave u pëlqen të bëjnë, midis epokës (ideologjisë) enveriste nga njëra anë, dhe “shqiptarisë” nga ana tjetër, ka ndonjë arsye që të respektohet. Ideja se gjithçka kriminale, e konsumuar gjatë 45 vjetëve totalitarizëm në Shqipëri, jo vetëm nuk kish të bënte me shqiptarinë dhe esencën e shqiptarit, por edhe u materializua si e kundërta e saj.
TRADUTTORI. Kundera e pranon se shpesh flet keq për ta, dhe se kjo që bën është e padrejtë. Paguhen pak, thotë, nuk mbahen në konsideratë, keqtrajtohen dhe u kërkohet që të jenë gjithnjë në lartësinë e autorit, dhe njëkohësisht t’i nënshtrohen këtij të fundit krejtësisht – dy gjëra pak të pajtueshme. E megjithatë, ata – përkthyesit – thotë, janë ata që na lejojnë të jetojmë në hapësirën tejkombëtare të letërsisë botërore, janë ata ndërtuesit modestë të Europës, të Perëndimit. Natyrisht. Por Kundera harron të përmendë përkthyesit që qëndrojnë më lart se autori – jo ngaqë vihen ta përmirësojnë (diçka që atë e tmerron) – por thjesht ngaqë mund ta përmirësonin, ose ngaqë e përmirësojnë pa dashje. Jo çdo autor që përkthehet, përkthehet për arsye të shkëlqimit estetik; ka edhe që përkthehen për arsye të “shkëlqimit” ose të oportunitetit politik, ose që botuesit të fitojnë pará. Edhe Pasternakut i ka qëlluar të përkthejë poezi gjeorgjiane. Lexoni edhe këtë histori të çuditshme (Nga rrëfimi në përkthim).
VALORE. Kundera nuk ka gjë të mirë për të thënë, në lidhje me strukturalizmin e viteve 1960 – meqë ky e futi në kllapa problemin e vlerës. E megjithatë, “Vetëm të supozosh një vlerë estetike objektive i jep kuptim evolucionit historik të artit,” thoshte, që në 1934, Jan Mukařovský, themeluesi i estetikës strukturaliste. Të kërkosh një vlerë estetike, shkruan, do të thotë të kërkosh të përcaktosh dhe të përkufizosh zbulimet, risitë, dritën e re që një vepër hedh mbi botën njerëzore. Vetëm vepra e njohur si vlerë (vepra, risia e së cilës tashmë është pranuar dhe përcaktuar) mund të bëhet pjesë e “evolucionit historik të artit”, që nuk është thjesht një sekuencë faktesh, por një kërkim i vlerave. Po të injorojmë problemin e vlerave dhe të mjaftohemi me përshkrimin (tematik, sociologjik, formalist) të një vepre (të një periudhe historike, të një kulture, etj.), po të vëmë në të njëjtin plan të gjitha kulturat dhe të gjitha aktivitetet kulturore (Bach-un dhe rock-un, stripat vizatimorë dhe Proust-in), nëse kritika e artit (reflektim rreth vlerave) nuk gjen më hapësirë për t’u shprehur, “evolucioni historik i artit” do të vijë duke e humbur kuptimin, do të rrënohet, do të bëhet një depozitë e stërmadhe dhe absurde veprash. Dakord. Edhe unë besoj se strukturalizmi nuk mund të ndihmojë në matjen e vlerave; por vetëm të ndërhyjë, me rigorozitetin që sjell, pasi këto vlera të jenë matur nga kritika e mirëfilltë. Por besoj edhe se një vepër arti nuk ka nevojë të ketë “vlerë” kulturore të spikatur, që të analizohet me metoda strukturaliste (ose përgjithësisht formaliste); një vepër mediokre mund ta ilustrojë shumë më mirë frymën e një epoke kulturore, se një kryevepër.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopertina është realizuar me Midjourney.