MBËSHTJELLË ME MAGJINË E ARTIT KADAREAN

nga Emine Sadiku

Refleksione mbi përmbledhjen me studime të autorit Ilir Yzeiri, “Kadare, identiteti i keqkuptuar”, botuar nga UET Press, Tiranë, 2024.

Hyrje

Korpusi në shqyrtim përmbledh 15 studime letrare – estetike. Në to tematizohet fenomeni “Kadare”. Përmbledhja me shkrime, referate shkencore të mbajtura në kohë (kryesisht në dhjetëvjetëshin e fundit) dhe në vende të ndryshme është  një përzgjedhje dhe një renditje duke u mbështetur gjerësisht në veçoritë komunikuese brendatekstore. Përmbledhja në një korpus e e 15 studimeve mundëson dhe krahasimin e teksteve të ndryshme, si të thuash ata paraqiten në dialog, në komunikim duke hedhur dritë në njëri – tjetrin. Hulumtimi i komunikimit në tekstin letrar ka rezultuar një mënyrë e suksesshme për të zbuluar dhe shprehur lidhjet e botës së brendshme dhe asaj të jashtme që synohen në tekst. Komunikimi në tekstin letrar, analizat, konsideratat për të, për evidentimin  e veçorive të tij, ballafaqohen gjithnjë me kundërti të llojit: forma dhe përmbajtja¸ thënia dhe shprehja; struktura dhe substanca, monosemi dhe polisemi etj. Në mënyra të ndryshme këto dukuri shfaqen dhe trajtohen në punimet e autorit I. Yzeiri.

Në teoritë e sotme për shkencën letrare vjen e mbizotëron mendimi që vlera e një vepre letrare nuk shpjegohet vetëm me përmbajtjen e saj por lidhet ngushtë me ndikimin e saj te lexuesi. Kështu dinamizohet koncepti i veprimit të veprës te lexuesi, i lidhjes midis tyre. Vepra letrare nuk vështrohet më si objekt kontemplacioni, por si pol i një dialogu: autor – lexues, recipient. Ky i fundit është realizuesi i kuptimit të veprës, instanca vlerësuese e saj. Ndërsa teksti letrar- artistik paraqitet si reaksion ndaj botës, aktiviteti lexues rezulton si një reaksion ndaj tekstit. Sigurisht, këto dy aktivitete (teksti dhe leximi) nuk mund të trajtohen si simetrike: Është ekzistenca e tekstit që çon në komunikim, që drejton këtë komunikim. Gjithashtu leximi nuk duhet të çojë në një shpërthim subjektiviteti pa përfillur sugjestionet që referojnë në tekst. Lidhur me këtë Ingarden thotë: “Funksioni i lexuesit është i tillë që të marrë në konsideratë sugjestionet dhe direktivat e veprës, të shmangë çdo interpretim të çfarëdoshëm, duke aktualizuar vetëm pikëpamjet që sugjeron vepra”. (Wolfgang, Iser: Rezeptionsästhetik, München, 1975, f. 236). Në rastin tonë autori Ilir Yzeiri, përveç se lexues i pasionuar, është një interpret, një kritik letrar me këndvështrime origjinale – krijuese, me pikëpamje estetike letrare që u përshtaten pjesëve në shqyrtim. Blloku me 15 studimet në fjalë mund të përdoret si një burim interesant informacioni për studentët e programeve të ndryshme të universiteteve tona.

Homo creator ose interpreti kreativ

Homo creator shenjon personin me aftësinë për të rikrijuar botën me anë të veçorive të  veçanta konjitive – pasqyruese. Një shkrimtar është pa dyshim homo creator; po ç’mund të thuhet për analizuesin, kritikun, interpretin e veprës letrare? Në rastin e I. Yzeirit (edhe në shumë raste të tjera) përgjigjja është pa ekuivoke: ai është kreativ. Për të vlen ajo thënia e Flauber-it: je ne fais rien de ce que je veux! Car on ne choisit pass es sujets, ils s’imposent. (në letrën drejtuar G. Sand, 1.Januar 1869). ( Mua nuk më intereson se çfarë duhet të bëj. Njeriu nuk i zgjedh subjektet, ato i imponohen atij). Këtë mund të themi për këndvështrimet që zjedh Iliri për të ndriçuar dhe zbuluar vlerat e teksteve kadareane. Në kritikën e tij mbi romanin e K. Kostës “Mbështjellë me kaosin e rrëfimit fillestar” (botuar në “Peizazhe të fjalës”, 30. 03. 2024) Iliri bën një prezantim të mrekullueshëm të romanit. Leximi – zbulimi i ngjarjeve/bëmave shoqërohet me largimin nga rendi empirik i kohës dhe hapësirës;  sfondi mistik, ku vendosen ato, të kujton një thënie të F. Kafkës: “Edschmid flet për mua sikur të isha një konstruktor. Ai deklaron se unë i mrekulloj, i vesh me një tis çudie proceset, bëmat e zakonshme. Natyrisht ky është një gabim i madh nga ana e tij. Edhe vetë e zakonshmja është një mrekulli e një çudi. Unë veç e skicoj atë. Ndoshta e ndriçoj pak si një ndriçues  një skenë gjysmë të errët”. (Marrë në: Gustav Janousch: Gespräche mit Kafka, Frankfurt, 1951, f. 38).   Por kreativiteti i interpretit letrar ndryshon nga ai i shkrimtarit; ai mbështetet në një realitet, në tekstin letrar. Dimensioni krijues i kritikës letrare është i rrokshëm po të ndalemi në analizat e shpjegimet që ofron ajo, në kontributin e pamatë të saj për të kuptuarit, ndriçimin dhe shijimin e tekstit.   (Poema e Pushkinit “Eugjen Onegin” nuk do të kishte kurrësesi të njëjtën tërheqje pa kritikën e shquar të W. Belinskit.)  Kritiku i madh gjerman, studiues i mirënjohur në fushën e letërsisë artistike në Gjermani, Marcel Reich – Ranicki përshkruan dhe thekson gjendjen e kritikut si një njeri të vetmuar, siç ndodh zakonisht me krijuesit shkrimtarë, artistë: Atje, ku janë librat, është dhe kritiku. Ai është në qendër të vëmendjes dhe përsëri i vetmuar. I vetmuar sepse ai është i interesuar (zakonisht) me pasion për letërsinë. Kjo e dallon atë nga shkrimtarët, që janë të interesuar vetëm për veprat e tyre, jo domosdoshmërisht për letërsinë… Brecht-i, një poet gjenial, nuk e lexoi kurrë romanin e T. Mann “Zauberberg” (Mali i magjishëm)… Shumica e shkrimtarëve kuptojnë nga letërsia aq sa kupton zogu nga ornitologjia…(Volger Hage – Mathias Schreiber: Marcel Reich – Ranicki, Köln, 1995, f. 180 -181).         Ilir Yzeiri bën pjesë në klasën e atyre recipientëve të veprës artistike që përmbush atë thënien sugjestive të Wilhelm von Humboldt-it: artisti me forcën e tij krijuese, me fantazinë e tij, infekton dhe lexuesin, e bën dhe atë artist, ndoshta jo në atë masë sa vetveten, por i transmeton mjaftueshëm ndjeshmëri dhe kapacitet për të rrokur idetë dhe artin e tij. (Wilhelm Humboldt: Essais esthetique, Stuttgart, 1967, f.140). Si një dukuri të veçantë kreative  do të sillnim në evidencë këndvështrimin filozofik të pjesëve të tematizuara. Autori zgjedh pozicionime të përshtatshme receptive që harmonizojnë me sensin filozofik të vetë materialeve të zgjedhura për analizim. Një trajtim i markuar filozofikisht bëhet i mundur se letërsia e mirë, sidomos ajo kadareane, e përmban filozofinë brenda saj si estetikë, si njohje dhe reflektim ndaj botës. Hulumtimet filozofike – estetike mbi krijimet kadareane, fillojnë me terminologjinë përkatëse; kuptimi, domethënia dhe vlera e tyre shtjellohen në punimet gradualisht dhe qartësisht. P.sh.: Në studimin “Fenomenologjia e urës” romani “Ura me tri harqe” zbulohet në pikëpamje fenomenologjike (husserliane). Intencionalitet-i është koncepti qendror i fenomenologjisë së Husserl-it. Me këtë nocion jepet fakti që ndërgjegjja jonë drejtohet gjithmonë diku, është ndërgjegje e diçkaje. Në letërsinë artistike operohet gjithmonë me produktet e ndërgjegjes sonë, me mënyrën se si vjen e hyn bota në vetëdijen tonë, bota reale dhe ajo ideale. “Për të qenë të sigurtë na duhet, së pari, të injorojmë gjithçka gjendet përtej eksperiencës sonë të drejtpërdrejtë , botën e jashtme ta reduktojmë në përmbajtjen e ndërgjegjes sonë ….” (Shih dhe: Edmund Husserl: Zur phänomologischen Reduktion; Texte aus dem Nachlass, 1926 – 1935, Dordrecht, Holandë, 2013, f. 281 ). Dhe ky i ashtuquajturi reduktim fenomenologjik është hapi i parë i rëndësishëm i Husserlit. Në këtë pikëpamje është analizuar dhe romani i Ivo Andriç “Ura mbi Drino”. Edhe pse të ngjashëm në objektin e tematizuar, urën, romanet ndryshojnë shumë midis tyre. Ura me tri harqe nuk ekziston askund, ajo është një trillim i autorit. Te Andriç ura bëhet metafora e bashkëjetesës dhe ndarjes (f. 4, sipas korpusit me materiale të Ilirit që kisha në duar). Vetë koncepti dhe imazhi i urës sugjeron poeticitet, simbolikë, me funksionet, kuptimet dhe konotacionet polivalente që emeton. “Ura” titullohet një pjesë në prozë e Franz Kafkës, e shkruar gjatë viteve 1916/1917, e botuar pas vdekjes së tij (nga miku i tij, Max Brod) në vitin 1931. Tregimi bën fjalë për një urë që ngrihej e pangushëlluar mbi një përrua me trofta në ujin e ftohtë akull. Urat e Kadaresë, Andriç-it, e Kafkës eksplorojnë në mënyra të ndryshme frikëra dhe konflikte njerëzore. Si shumë vepra të tjera të autorëve të përmendur, edhe rrëfimet me objekt urën lënë gjurmë të thella, nxisin refleksione mbi kushtet e ekzistencës njerëzore. Ashtu si Kafka edhe I.Kadareja ndërton botën e tij me ligjësinë e saj. Kreative – origjinale është gjetja e sfondeve filozofike – artistike ku autori e vendos figurën Kadare: Me Kadarenë ngjizet mënyra evropiane e të menduarit dhe e të vështruarit të dukurive. Arti i tij ka brenda magjinë e Prustit, të Kafkës e të Sartrit, Markezit dhe Umberto Ecos (f. 43). Krahasimi me korifej të letërsisë botërore synon dhe atë që pritet të arrijë çdo kritikë letrare: tërheqjen e lexuesit dhe stimulimin e një leximi sa më efektbërës.

Analiza letrare – filozofike e Ilir Yzeirit është një nga mundësitë e leximit të novelës së Kadaresë, një mundësi që kontribuon shumë në të kuptuarit e pjesës nga lexues të ndryshëm. Po në kuadrin e zbërthimit filozofik të teksteve kadareane do të përmendnim disa studime të tjera:  “I. Kadare dhe kritiku Aleksandër Zotos”. Këtu qëndrimin e Zotos do ta quante atentat sociokritik, një gjetje e momentit me domethënie teorike (f. 19-20). Në esenë me titull “Kadare – Hoxha, interteksti dhe ca të tjerë rrugës” operohet me kategorinë intertekst. Sipas këtij konceptimi (poststrukturalist) asnjë tekst nuk mund të mendohet jashtë lidhjes me tërësinë e teksteve të tjera, të autorit në shqyrtim ose të mbarë letërsisë (f. 46). Po në suazën e gjetjeve origjinale do të përfshinim analizën e romanit “Koncert në fund të dimrit”(f. 72) mbështetur, ndër të tjera, në procesin e transferimit të ligjërimit. Analizën semiologjike e praktikon në leximin e poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”(f. 60).  Një kreacion më vete është gjuha, ngrehina leksiko-gramatiko – shprehëse që realizon Iliri. Gjuha e tij e pasur në mendime, në reagime, në ndjenja-emocione gjithfarësoj është aq tërheqëse, sa të mban mbërthyer si të ishim në një tekst të bukur letrar -artistik. Kjo ndodh në të gjitha pjesët e  korpusit të analizuar. Mund ta ilustronim me një masë të madhe shembujsh. Por po ndalemi vetëm në vlerësimin gjuhësor që i ka bërë atij Kadareja i madh në një bisedë me të më 13 maj, në vitin 2020: U habita, ndjeva një krenari që si është e mundur që në gjuhën shqipe erdhi dita të shprehen rreshta të tillë, paragrafë të tillë… Vepra e I.Kadaresë është jo vetëm një atraksion, një shkollë artistike – estetike, por dhe një “institucion” gjuhësor. Atje mësuam ne shumë gjëra, prosedetë, stilemat, figuracionin, tërë stilin gjuhësor të Kadaresë, i ngulitëm sa në koshiencë, sa në subkoshiencë, e i shfaqim shpesh (disi të përpunuara) si mjete efikase në shprehjet tona. Aftësia krijuese e Ilirit ka bërë objekt edhe gjuhën e shkrimtarit: mund të përmendim këtu konsideratat gjuhësore në analizat e romanit “Koncert në fund të dimrit”, neologjizmat, kompozitat ad-hoc etj…(f. 72). I prodhuar nga  talenti, fantazia e autorit, teksti aktivizon dhe talentin – fantazinë e lexuesit. Kjo thënie vlen më së miri për esenë  “Helenë” (reflektim mbi librin “Kohë e pamjaftueshme” të Helena Kadaresë).  Autori as është përpjekur ta frenojë entuziazmin që i ka shkaktuar personi Helena Kadare si grua, si autore, si njeri me shumë pozitivitete. Me një gjuhë sa logjike aq dhe emocionale autori i ka dhënë studimit të tij ngjyra të feksura të një proze poetike.   

Historia e letërsisë si provokacion

Kështu, si provokim, e koncepton Hans Robert Jauß historinë e letërsisë dhe teorizimet mbi të. (Hans Robert Jauß: Historia e letërsisë si provokacion, Frankfurt am Main, 1970). Është fjala këtu për hartimin e një historie që kufizohet në vendosjen kronologjike të autorëve, të veprave ose të fakteve të tjera letrare – artistike. Jauß propozon një perspektivë tjetër, përfshirjen në histori të ndikimit estetik te lexuesi. Ky komponent, dimensioni receptim, ndikim, lavdi e vonë është nënvlerësuar nga historia e letërsisë. Në këtë kuptim ajo provokon një qasje tjetër ndaj realitetit letrar- artistik. Historiciteti i letërsisë ka të bëjë së tepërmi me vlerësimin e produkteve letrare nga lexuesit – recipientë. Lexuesi e aktualizon tekstin, kritiku reflekton mbi të, autori prodhon një tekst tjetër: Këto momente shenjojnë horizontin e pritshmërive të lexuesit bashkëkohor dhe atij të mëvonshëm. Një vepër letrare nuk lexohet njësoj nga lexues të së njëjtës kohë ose të kohëve të ndryshme. Edhe i njëjti lexues nuk është e thënë që ta lexojë njësoj të njëjtin tekst, shembull: Ilir Yzeiri si lexues i romanit “Hija”(f.67).  Po Ilir Yzeiri, si studiues – kritik, përdor të tjerë parametra, të tjera ndriçime për të interpretuar pjesët e analizuara të  I. Kadresë. Pasi ka shpallur se modeli i vetëm dhe i imponuar (në Shqipërinë totalitare) ishte realizmi socialist vulgar dhe himnizimi i katër figurave : partizanit në luftë, punëtorit dhe fshatarit , gruas së emancipuar…(f. 29), Iliri ecën në rrugë të reja, në vlerësime mbi bazë vrojtimesh e konceptesh të tjera të ndryshme nga ato realiste – socialiste. Këto ia mundëson edhe arti e vepra kadareane, që siç thotë ai, është e vetmja që nuk mund të kalojë në rivlerësimin e madh (. 38) … Kadareja ndërton  një tjetër sistem imazhesh dhe figurash (f. 29). Po të shkruante, të analizonte në këtë mënyrë (si në këtë përmbledhje studimesh) në atë kohë, përfundimi do të ishte i qartë për Ilirin, ndalim botimi, së pakti. Në veprën e Alfred Uçit “Labirintet e modernizmit” (Tiranë, 1986) ato dukuri, ato koncepte dhe këndvështrime, që te Iliri rezultojnë të sukseshme, bindëse dhe me forcë zbuluese – interpretuese, kritikohen si “antivlera të dëmshme” nga estetika marksiste- leniniste e A. Uçit. Mund të fillojmë me përmendjen vlerësuese të shumë filozofëve, shkrimtarëve , estetëve, si: Proust, Kafka, Sartre, Ecos etj. : A. Uçi në librin e tij -program të estetikës realiste – socialiste, i godet plot mllef autorë të tillë të cilët vlerësohen sot nga masa ndërkombëtare e lexuesve dhe estetëve.  A. Uçi shprehet kështu: Për të konkretizuar dhe kuptuar karakterin reaksionar , regresiv të ekzistencializmit si filozofi dhe si art, do të kufizohemi në analizën kritike të krijimeve letrare – artistike vetëm të dy autorëve, të Zh. P. Sartrit dhe A. Kamysë, përfaqësues kryesorë të  ekzistencializmit… (Labirintet e modernizmit, f. 277). Pasi ke lexuar pikëpamjet estetike, të ilustruara me analizime tekstesh të A. Uçit, të kap një dëshpërim e një depresion për realitete të tilla. Kështu ndikoheshin e shpëlaheshin trutë e njeriut nga luftëtarët e kauzave  të partishme komuniste. Por po të kërkosh informacion përtej kufijve, përtej estetikës dhe kritikës zyrtare shqiptare të kohës së  A. Uçit, ndesh një realitet tjetër, p.sh.: Albert Camus, shkrimtar francez, filozof, në vitin 1957 merr çmimin Nobel në letërsi. Ai vlerësohet si një nga autorët më të njohur e më të rëndësishëm të letërsisë franceze të shekullit të 20-të. Mohimi i vlerave pozitive të veprës së tij (nga A. Uçi e të tjerë) mbështetet dhe në një interpretim të shtrembëruar qëllimisht, të tekstit, të lexuar sipas qëllimeve dhe manipulimeve real-socialiste të militantëve estetë. Rasti Ilir Yzeiri flet për një hapje të kritikut estet ndaj mënyrave të reja të vështrimit analizues të tekstit letrar. Është pikërisht ajo që kërkon me këmbëngulje Jauß e të tjerë, historia e letërsisë nuk mund të shkruhet, nuk mund të jetë objektive, pa përfshirë dhe aspekte të estetikës ndikuese, të qëndrimeve të lexuesit, të lirisë interpretuese. Jauß nënvizon se informacioni, njohuritë letrare lidhen gjithnjë me interpretimin, me ballafaqimin me tekstin:  Historia e letërsisë është një proces i prodhimit dhe receptimit estetik që i përmbledh aktualizimin e teksteve letrare nga lexuesi recipient, reflektimin mbi tekstet nga kritikët letrarë dhe prodhimin e mëtejshëm letrar nga shkrimtarët… Grumbullimi, mbledhja e fakteve të panumërta, siç e praktikon historia konvencionale e sotme e letërsisë  është veç një shtrembërim i procesit… një stivosje  dhe klasifikim i të dhënave, që nuk mund të quhet histori, por pseudo histori….Kështu ngatërrohet karakteri i mirëfilltë i letërsisë me atë të historisë…Konteksti historik, ku shfaqet një vepër letrare, nuk përbën një dukuri, një sfond që mund të ekzistojë pa një recipient…Arritjet në fushën e letërsisë projektohen së pari në horizontin e pritshmërive të lexuesit të sotëm e të ardhshëm, të kritikut letrar dhe të autorëve… Teorizimi i horizontit të pritshmërive do të ndihmonte shkrimin e historisë së letërsisë në historicitetin e saj karakteristik… ( Hans Robert Jauß:  Literaturgeschichte als Provokation, Frankfurt am Main, 1970, f. 172-173). Një historian, që respekton vetëm idealin objektiv të historisë, ka hequr dorë nga estetika. Punimet e Ilir Yzeirit, ballafaqimi/krahasimi i tyre me teori dhe mendime të epokës socialiste, janë një argument më shumë për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e dimensionit receptim në konceptimin dhe hartimin e një shkence të historisë së letërsisë. Korpusi i punimeve, që po shqyrtojmë, na mëson ndër të tjera se historia e letërsisë, letërsia nuk mund të kuptohen pa komponentin receptim, ndikim, që ndryshon nga epoka në epokë. Sot I. Kadareja, siç dëshmon dhe I. Yzeiri, lexohet ndryshe (jo vetëm nga autorë të kohës realiste – socialiste, por dhe nga recensentë, kritikë, studiues bashkëkohorë.)

Prezantimi me boshllëqe, vizatimi skematik i realitetit në tekst

Mendimi teorik i autorit tonë mund të zbulohet më tej po t’i drejtohemi plotësimit të zonave bosh, të pranishme gjithnjë në një tekst letrar. Një shpjegim i thjeshtë i ekzistencës së vendeve bosh në tekst do të ishte koncepti i dikotomisë. Ne flasim për informacione të koduara analoge dhe digitale. Përshtypjet, receptimi, perceptimi i botës me anë të shqisave tona bëhen mbi bazë kodimesh analoge. Por shprehja gjuhësore e tyre është gjithnjë digitale. Ky kombinim në një tekst i gjuhës digitale me pamje analoge të botës shpjegon, ndër të tjera, lindjen e zonave boshe. Vendet bosh, të pacaktuara nuk e ulin forcën ndikuese të tekstit, përkundrazi e ngrenë atë, se ato kërkojnë pjesëmarrjen sugjestionuese të lexuesit në komunikim, i cili ndikon aktivisht në rikonstruksionin e tekstit. Madje forca sugjestionuese e tekstit në vendet bosh arrin një optimum. Mungesa e hapësirave bosh në një tekst letrar e pengon lexuesin të projektojë eksperiencën e tij jetësore subjektive në përmbajtjen e tekstit. Ndërtimet kompakte, pa hapësira bosh, e mposhtin fantazinë dhe subjektivitetin e recipientit. Këto konstrukte s’janë veç objekte të manipuluara dhe manipuluese. Tekste të tilla gjen jo vetëm në letërsi, por sidomos në sektorin e reklamës, të politikës etj. Mediumi i reklamave nuk synon asnjë shkëmbim mendimesh me klientët, synon vetëm manipulimin dhe detyrimin e tyre për shitjen e mallit … Teksti me vendet bosh evidenton një lloj poroziteti. Letërsisë i duhet një lloj boshllëku, një lloj pakuptimësie e qëllimshme, një tis mjegulle në formën e enigmës që e rrethon atë e që prodhon magjinë tërheqëse, misterin e artit. Pjesët letrare disponojnë një  dinamikë sugjestive që e përthith subjektivitetin e lexuesit. Teksti i Kadaresë, si një letërsi e klasave superiore, është poroz. Ai ofron shumë pika e vende ku interpretimet tona mund të ndërhyjnë si shfaqje emocionale, si shpjegime dhe analizime. Këtë e ka shfrytëzuar mjeshtërisht Iliri. Në të gjitha esetë/studimet, në veçanti, dhe në mbarë korpusin e përmbledhjes  nuk mungojnë plotësimet, herë si shtesa – informacione të reja, që integrohen mrekullisht me përmbajtjen e punimeve me temë letërsinë e mirëfilltë kadareane, herë si qëndrime, si pozicionime vetiake për   të na i zbuluar tekstet në një dritë të veçantë prej vëzhguesi të talentuar. Së pari vlen të përmendet studimi me titull “Njeriu që dërgoi Kadarenë në Perëndim”. Është fjala për Jusuf Vrionin, përkthyesin-talent, që arriti t’ia transmetojë botës letërsinë e Kadaresë me të gjitha misteret dhe magjinë e saj. Në korpusin e studimeve të Ilirit nuk mungojnë dhe të dhëna interesante historike, politike, letrare, artistike që i rrinë si sfond e si atmosferë analizimeve e përshkrimeve të veprave të veçanta të Kadaresë. I marrë në bllok, me informacionin shkencor-eseistik- letrar, me të dhënat historike- politike – shoqërore të kohëve të ndryshme, me qëndrimin subjektiv prej studiuesi estet, korpusi me studimet e Ilirit rezonon dukshëm me pikëpamjen moderne të Jauß dhe të përkrahësve të tij të shumtë në shkencën e historisë së letërsisë (Literaturgeschichte als Provokation- Historia e letërsisë si provokim) . Tekstet e mira letrare për komunikimin e tyre me ndikim sugjestiv në rritje kërkojnë një lexues që ndërvepron aktivisht në rikonstruksionin e tekstit. Kështu lexuesi nuk lexon vetëm tekstin e panjohur, por atë plus eksperiencën e tij subjektive. Ky është një kualitet hermeneutik i lexuesit të letërsisë artistike: Të lexosh do të thotë të lexosh dhe vetveten. (Për më shumë informacion për një tezë të tillë shih dhe : Roman Ingarden: Rezeptionsästhetik, München, 1975, f. 52). Lexuesi dhe studiuesi Ilir Yzeiri projekton në leximet e tij dhe eksperiencën e pasur si pedagog, si kritik- estet i letërsisë, si redaktor dhe moderator emisionesh kulturore me dominancë letrare-gjuhësore.  Në këtë kuptim lexuesi do të gjejë në përmbledhjen me studime të I. Yzeirit “një minierë” mendimesh, emocionesh, konstruktesh, faktesh…që së bashku të orientojnë më mirë në botën kadareane me të thënat e të pathënat e saj.

Për ta përfunduar:

Kritiku Reich – Ranicki në një intervistë (dhënë dy gazetarëve të gazetës ‘Spiegel’, W. Hage dhe M. Schreiber)  u pyet dhe rrëfeu për ndikimin e tij në marrjen e çmimit Nobel nga Heinrich Böll: “Mora një pyetësor nga Akademia në Stokholm…Ata kërkonin mendimin tim për një autor gjerman që do ta meritonte Nobel-in. Fillova të mendoj. Po kjo nuk zgjati shumë, ndoshta tre minuta: Heinrich Böll, ky ishte autori që në atë kohë e meritonte çmimin Nobel…Por mendoj se edhe pa propozimin tim ai do ta merrte çmimin…(Volker Hage- Mathias Schreiber: Marcel Reich- Ranicki, Köln, 1995, f.183). Sikur Ilir Yzeiri të kishte marrë një pyetësor nga Akademia në Stokholm për të propozuar shkrimtarin e tij për çmimin Nobel, sigurisht  ky do të ishte Ismail Kadareja. Prej kohësh prisnim që ky çmim të vinte në anët tona, të nderohej me të shkrimtari ynë gjenial, Ismail Kadare, para se të ndahej nga jeta.

 

(c) 2024 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat janë të autores.

Rreth Autorit

Emine Sadiku Teichmann ka studiuar në universitetin e Tiranës, në degën Gjuhë-Letërsi të fakultetit Histori-Filologji. Ajo ka kryer një sërë specializimesh në disa universitete gjermane. Është autore e disa librave në fushën e gjuhësisë, stilistikës gjuhësore, mësimdhënies së shqipes e të gjermanishtes. Që prej vitit 1996 jeton dhe punon në Gjermani.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin