Titulli origjinal: Një popull që nuk beson te shteti dhe te tjetri është në krizë
Pedagogu dhe eseisti i ndjerë Gilman Bakalli, në këtë intervistë të vitit 2013, shihte një krizë në shoqërinë shqiptare, që sipas tij lidhej mbi të gjitha me mosbesimin e njerëzve te tjetri dhe shteti. I vetportretizuar si një “i djathtë skeptik”, Bakalli i besonte fuqisë së individit, por në të njëjtën kohë i frikësohej babëzisë së tij të pakontrolluar. Kur iu kërkua një personalitet historik shqiptar që frymëzon, ai u shfaq ngurues, duke e konsideruar këtë një lojë naive dhe të rrezikshme. Intervista mbyllet me dyshimin e ish-deputetit për ekzistencën e të djathtës shqiptare, e cila sipas tij nuk mund të qëndrojë në terrenin e një shteti me institucione të dobëta.
1. Patriot, nacionalist apo kozmopolit?
Veproj si patriot. Ndjehem si kozmopolit. Kam nevojë jo vetëm për rrënjë por edhe për krahë.
2. Majtas apo djathtas?
Jam i djathtë skeptik. Individi është një mit! Besoj tek fuqia e individit, por ia kam frikën babëzisë të tij të pakontrolluar/eshme. E vlerësoj konkurrencën e lirë mes individësh si energji që sjell begati e prosperitet, por kam frikë kur kjo konceptohet si një kopsht pa zot ku lulëzojnë lirshëm lule, ferra e shkurre. Jemi bërë këto që jemi jo përmes konkurrencës, por përmes bashkëpunimit në komunitet.
- Kur ju duhet një mendim i mençur si veproni?
Mendoj shumë, pastaj veproj me intuitë.
- Cili libër ju ka bërë të reflektoni më së tepërmi, kur e keni lexuar ?
Si individ më interesojnë tej mase vendimmarrjet e jetës së përditshme. Një libër që më ka bërë të reflektoj dhe ta rishikoj mitin e njeriut si qenie racionale është libri i Dan Ariely, “Predictably irrational”. Ndërsa si pjesëtar i një shoqërie, reflektoj në lidhje me vendimmarrjet e grupeve shoqërore. Një libër që ma ka nxitur tej mase reflektimin për këtë problem është libri i Jared Diamond “Collapse. How societies choose to fail or to succeed?” Besoj se ngacmimi për reflektim fillon qysh në titull.
- Çfarë ka ndryshuar pas 100 viteve shtet?
Sigurisht që kanë ndryshuar shumë gjëra dhe është relative të thuash për mirë apo për keq. Sa i takon qëndrimit tonë ndaj shtetit, mund të konstatojmë se ai ka evoluar nga shpresa për të pasur një shtet të fortë (pas viteve ’20), tek frika ndaj shtetit të fortë (regjimi diktatorial) tek mosbesimi se mund të kemi një shtet të fortë institucionalisht (aktualisht).
- A ka një krizë në shoqërinë shqiptare?
Një popull që nuk beson tek shteti dhe tek tjetri është përgjithësisht në krizë. Është vazhdimisht i shqetësuar dhe i pasigurt. Nuk është vetëm fenomen shqiptar. Është mbarëevropian. Janë simptoma tipike të një shoqërie si e jona, e cila deri para dy dekadash ishte më tepër “bashkësi” apo “komunitet” sesa shoqëri e mirëfilltë në kuptimin modern të fjalës.
- Jepni 3 këshilla, si mund të bëhet ky vend?
Kjo pyetje kërkon një mendim të mençur dhe, siç e thashë më sipër në pyetjen 3, kur dikush më kërkon një mendim të mençur, mendohem shumë…
- A ka një personazh historik shqiptar që ju frymëzonQë më frymëzon për çfarë? Personazhet historike janë figura komplekse dhe kanë jetuar në kontekste të ndryshme historike. T’i marrim si shembuj që të na udhëheqin në jetë është sa naive aq edhe e rrezikshme. Historia na ka treguar se jo rrallë, të gjallët mund të abuzojnë tej mase me të vdekurit. Nuk janë të pakët filozofët, të cilët kanë qenë personazhe frymëzuese për diktaturat. Shpesh, figurat historike keqpërdoren nga drejtuesit e shtetit për të përligjur pushtetin.
- Sa monark ishte Zogu, sa komunist ishte Enver Hoxha dhe sa demokratik janë liderët e sotshëm politik?
Ç’rëndësi kanë etiketat “monark”, “komunist” apo “demokratik”, kur ato shënjojnë thjesht burra shteti të cilët kërkojnë me çdo kusht të akumulojnë sa më shumë pushtet dhe ta ruajnë atë për një kohë sa më të gjatë.
- Pas 20 viteve tranzicion jemi në demokraci apo post-komunizëm?
Jemi në post-demokraci. Teatri politik nuk ka më nevojë për spektatorë. Shumica e qytetarëve luan thjesht një rol pasiv dhe apatik, thjesht si reagues ndaj sinjaleve që merren mediatikisht. Nën hijen e një inskenimi të tillë politik, real-politika zhvillohet pas dyerve të mbyllura: nga qeveritarët dhe elitat, të cilat para së gjithash përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat ekonomike. Një teatër të tillë, ku partitë dhe aktorët politikë luajnë me njëri-tjetrin pa praninë e audiencës, politologu britanik Colin Crouch e quan “post-demokraci”.
- Shqiptarët orientalë apo oksidentalë?
Edhe orientalë edhe oksidentalë. As orientalë as oksidentalë.
- Nga ndryshon një qytetar shqiptar, nga një qytetar evropian ?
Kanë të përbashkët faktin se as njëri e as tjetri nuk ekziston. Dallohen nga njëri-tjetri vetëm nga stereotipet.
- “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Besa, një vlerë e tejkaluar?
Purtekë, pra ndëshkim, për atë që nuk e mban. Ar, pra shpërblim, për atë që e mban. Vazhdon të mbetet e tillë. Besa, sot e quajmë besim reciprok, vazhdon të mbetet instanca e vetme që rregullon marrëdhëniet ndërnjerëzore. Transaksionet, kontratat e të tjera forma legale si këto, nuk e zëvendësojnë atë. Na duhet t’u besojmë atyre që kemi përreth. S’kemi rrugë tjetër.
- Tirana, metropol apo fshat urban?
Mbrojtja nga rreziku ka qenë përherë një nga motivet kryesore për ndërtimin e qyteteve, të cilat rrethoheshin me mure të larta. Këto mure shënjonin kufirin midis “nesh” dhe “atyre”, midis rregullit dhe primitives, midis paqes dhe luftës. Në daç si metropol, në daç si fshat urban, Tirana sot rezulton shembulli më ilustrues i përmbysjes së kësaj paradigme. Jeta në Tiranë i afrohet asaj jetës në “gjendjen natyrore”, ku dominon terrori (akustik e viziv), frika e stresi i vazhdueshëm. Rreziku ndodhet në qytet. Vetëm jashtë tij mund të gjesh paqen e kërkuar.
- Çfarë është kombi për ju?
Identiteti im i trashëguar. Është vendi ku prehem pasi mendja ime lodhet së fluturuari në hapësirat kozmopolite.
- Çfarë është familja për ju?
Është spiranca që më mban të ekuilibruar në sipërfaqen e trazuar të ujërave të së përditshmes….
- Më rrëfeni një vend që ju ka bërë përshtypje?
Bahçet e shtëpive shkodrane, në lagjen ku kam kaluar fëmijërinë. Mendoj se në këtë vend janë mbrujtur standardet e mia të gjykimit estetik.
- A do të veçonit një moment kulmor në karrierën tuaj?
Unë bëj një punë, të cilën e dua fort dhe e bëj me qejf të madh. Ky është kulmi!
- Nëse do t’ju jepej mundësia, çfarë do të ndryshonit nga jeta juaj?
Do të doja që këtë pyetje të ma bënte ai që ma dha jetën dhe jo ju! Dhe nëse do ma bënte ai, do i kërkoja të mos i ndryshonte disa gjëra…
- Si e shihni të ardhmen e të djathtës shqiptare?
E djathta shqiptare në një shtet me institucione të dobëta si ky i yni nuk mund të ekzistojë. E djathta që aspiron një treg të lirë pa një shtet të fortë, nuk mund ta kthejë Shqipërinë në një kopsht buzë Adriatikut, por thjesht e degjeneron këtë kopsht në një rrëmujë shkurresh, ferrishtesh e barërash të këqija.
Intervistoi Eno Shkëmbi, gazeta “Start”, 2012-2013. Imazhi në kopertinë është krijuar me Ideogram.
(Ky varg intervistash me autor gazetarin Eno Shkëmbi dhe bashkëpunëtor gazetarin Artan Dokuzi është publikuar më parë në gazetën “Start”, një media jo më e pranishme në hapësirën online. Intervistat e kanë pikënisjen në fund të 2012-ës dhe kanë vijuar përgjatë vitit 2013. Qëllimi ishte të sillej një kolanë idesh e refleksionesh nga njerëz kryesisht të botës kulturore e publicistike, në një kohë kur televizionet transmetonin përditë me një cekësi të padurueshme ngjarjet në kuadër të jubileut të 100-të pavarësisë. U synua të zgjohej sadopak te lexuesi mendimi kritik, duke zmbrapsur kësisoj pirgun e lajmeve të ditës, të cilat s’të japin kurrfarë kuptimi për të shkuarën dhe asnjë ravijëzim të së ardhmes. Nisur nga kompleksiteti i pyetjeve, intervistat u realizuan përmes komunikimeve me email. Të intervistuarit janë orientuar drejt përgjigjeve sintetike, por nuk janë kufizuar aspak kur kanë dashur t’i shtjellojnë temat në mënyrën e tyre, ndonjëherë edhe pak akademike. Arsyeja pse po i risjell këto intervista te “Peizazhet e Fjalës”, më shumë se sa për qëllime arkivore, është fakti që kjo kolanë mund të rilexohet gjithmonë si aktuale, meqë pyetësori mund të shihet edhe si një libërth a manual idesh, në tema mes të cilave janë vërtitur shpesh mospajtues njerëzit e mendimit dhe opinion-bërjes në Shqipëri. Le të shërbejë ky ripublikim për të krijuar një agorë të vogël mes lexuesve të “Peizazheve” përmes pyetjeve për të cilat askush nuk ka thjesht dhe vetëm një përgjigje. Eno Shkëmbi.)
Populli me gjuhë 7000vjeçare nuk ka arsyetim të jetë në krizë. Krizën e kanë/e pertypin politikanët, akademikët, gjuhëtarët se ashtu ua ndien/do niveli kulturor. Gjuhëtarët pse? Shkenca botërore thotë se ka patur vetëm një gjuhë shqipe, zanatlinjt lloshiane te gjuhësisë përpiqen ta coptojne shqipe, a më mirë ta shqyejnë ate. Nuk do të arrijnë, duhet ta kuptojnë dhe të kulturohen e të nxënë dije. Kriza gëlon në superstrukturë jo popull.
Jeni prapë jashtë teme. Ju lutem, hiqni dorë nga ky muhabeti i shqipes së vjetër, vend e pa vend. Se nëse vazhdoni kështu, do të detyrohem t’ju bllokoj.
Po lexo o burre i dheut ndonje liber mbi gjuhen,…
1. Paul Heggarty et al.Language trees with sampled ancestors support a hybrid model for the origin of Indo-European languages.
2. Johann Gustav Von Hahnn “Studime Shqiptare”, kapitulli “Alfabeti Shqiptar”.
3. Xhevat Lloshi “Alfabetet e gjuhës shqipe”.
4. Nikos Styllos Etruskishte toskërishte
5. Bahri Beci “Cili është roli I gjuhës shqipe në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike”. Gazeta Panorama Jan. 21, 2022.
6. Bardhyl Demiraj ‘Alfabeti origjinal I Dhaskal Todhrit në fokusin e analizave etno-kulturore dhe epigrafike të Johan Georg von Hahnit. Hylli I Dritës, Qershor 2022.
Ju rekomandoj te lexoni edhe libra të tjera për debat shkencor:
1. Vullnet Xhango “Akademizmi Voskopojar”, viti 2020, Tiranë.
2. Vullnet Xhango “Shkronjat, shëmbëllime të figurinave ‘pellazge”. 2024 Tiranë
Ta mbyllim këtu këtë temë. Nuk ka fare lidhje me të ndjerin Gilman Bakalli. Tregoni respekt për revistën, për autorët, për shkrimet që ju ofrohen dhe për lexuesin. Z. Xhango, jua kalova komentin vetëm sepse iu përgjigjët një komentuesi tjetër (dhe sepse kam një dyshim të lehtë se mund të jemi kushërinj të largët); përndryshe, listat e leximeve tuaja nuk na interesojnë si revistë. Shpresoj të keni aq bon sens ta kuptoni se po abuzoni me durimin tim (dhe me siguri, të shumë lexuesve të tjerë).
Një personazh që nuk e njihja, për shkak se kam jetuar dhe vazhdoj ende të jetoj jasht vendit, në periudha të ndryshme nuk jam informuar mjaftueshëm mbi realitetin shqiptarë. Falenderoj për publikimin e këtijë artikulli autorin sepse më bëri të njoh një personazh, për mua, shumë interesant. Ndihem fajtorë që nuk e kam njohur më parë. Mangësia e intelektualëve të tillë në vendin tonë, ndoshta është shkaku i një interesi të pavullnetshëm, për ata si unë. Më pëlqeu jasht mase mendimi dhe orientimi i Gilman Bakallit. Felenderoj edhe një herë autorin.
Gilmani ka qene nje intelektual nga ata te heshturit ne Shqiperi. Kam idene se kjo interviste qe kerkon me shume qe njeriu te shprehet ne aforizma nuk e tregon thellesine dhe dinamiken e mendimit te tij.
Nuk e di sesi jane bere keto intervista ne aspektin logjistik, me pyetje te parapergatitura, me ze, me e-mail, ne bar, apo nxitimthi diku ne park. Por mendoj se keto intervista jane deshmi e mediatizimit te intelektualit ne ate periudhe, jo e pozicionit te intelektualit ne shoqerine shqiptare dhe mendimit te tij per periudhen. Veshtire se nje historian apo studiues i mendimit politik shqiptar te perfitoje ndonje gje nga kjo. Sidomos per Gilmanin qe nuk ka shkruar shume dhe nuk e di a mbaroi ate fjalorin e tranzicionit.
Edhe ajo e Fuges mu duk shume plakative. Duke ndjekur te njejten strukture, jane ndoshta te pershtatshme per forma leximi te shkurtera (Tik-Tok apo Instagram), prodhime seriale, sondime mediatike me vlera te perkohshme qe e bejne intelektualin po aq te perkohshem. Produkte te shkeputura nga procesi i mendimit. Edhe Fuga eshte ndoshta epitoma e ketij fenomeni.
Ndoshta e kam gabim, por per mua interesant nuk eshte perfundimi, konkluzioni i nje intelektuali, por procesi i te menduarit, arsyetimi, qasja, rrugetimi biografik. Te gjitha keto qe nuk lejohen ne kete format interviste.
Ne youtube ka intervista nga 2-4 ore shume interesante me intelektuale. Elsa Demo ka ca tilla ne TVSh. Blendi Fevziu para viteve 2000. Ato te Adi Krastes nuk me kane pelqyer ndonjehere se ishin me shume per protagonizmin e tij. Mustafa Nano ka intervistuar disa personalitete interesante, por edhe intervistat e tij jane siperfaqesore.