Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Fe / Histori

O SA MIRË ME QENË BEKTASHI!

nga Mustafa Nano

Bektashizmi është një sekt (tarikat) i mistershëm, më i mistershëm sesa fetë e mëdha monotesite. Është i zhytur në mjegullën e historisë. Aliu, kalifi i katërt, që është “profeti” i sektit të bektashinjve (për nga rëndësia, disa e vënë mbas, e disa në krah të, Muhametit), besohet të jetë një personazh i historisë, ashtu si djemtë e tij Hasan e Hysen, ashtu si edhe dymbëdhjetë imamët e famshëm, mirëpo menjëherë më pas fillon terri. Është disi e çuditshme, pasi si rregull, sa më vonë të shfaqet a të ndodhë një ngjarje në histori, aq më e ndriçuar rezulton të jetë. Ndërsa me Bektashizmin ka ndodhur e kundërta. Për Haxhi Bektashin, themeluesin e urdhërit të bektashinjve, dihet më pak sesa për Aliun e djemtë e tij, që kanë jetuar 600-700 vjet më herët. Thuhet (nuk ka asnjë dokument historik që e provon: janë thjesht bektashinjtë që e mëtojnë) se Haxhi Bektashi ka lindur në shekullin XIII, diku në Iran, dhe më pas është shpërngulur në Anadoll, në fshatin Kirshehir. Edhe për Balim Sulltanin që i dha një formë konkrete këtij urdhri, që përhapi e kodifikoi kredot, praktikat, ritualet e rangjet hierarkike e që krijoi grigjën e parë të madhe të besimtarëve (ky është për bektashinjtë si Shën Pali për të krishterët) nuk dihet më shumë, sido që ka jetuar deri në fillim të shekullit XVI. Për familjet e mëdha shqiptare të pakashumë së njëjtës kohë dihet shumë më tepër.

Ne bektashinjtë shqiptarë ndihemi të lidhur më së shumti me Sari Salltikun, i cili ka jetuar në shekullin XIII, që është shekulli i Haxhi Bektashit. Të dhënat mbi origjinën e jetën e tij janë të rrëmujshme e kundërthënëse, por shqiptarët, nuk kuptohet në ç’rrugë, e kanë bërë një “shenjt” të tyrin, dhe i mbahen mendimit se është ai që na e ka sjellë Bektashizmin. Si? Pse? Kur? Përgjigjen e jep vetëm një legjendë që krutanët ia kanë treguar Alexandre Degrandit, konsullit francez në Shkodrën e fundshekullit XX, që vizitoi varrin e supozuar të Sari Salltikut në qytetin e tyre: “Një kuçedër me shtatë kokë u bë një hall i madh për banorët e Krujës, e për një princ të tyrin të paemër, që ishte edhe babai i një vajze të bukur, ngaqë kërkonte çdo ditë për ushqimin e darkës një banor të atyshëm. Kështu, çdo mbrëmje shihej një krutan të ngjitej malit përpjetë për të shkuar në majë, në guvën ku banonte qënia antropofage. Kur i erdhi radha të bijës së princit, atypari çatisi një dervish mjekërbardhë. Ky ishte Sari Salltiku. Me të marrë vesh atë që po ngjante, ai mori vajzën dhe u nis për te guva. Rrugës ndali një copë herë dhe i kërkoi asaj t’i pastronte morrat që kishte zënë gjatë udhëtimit. Vuri kryet në prehërin e vajzës, e cila ende nuk ishte gati t’i zinte besë dashamirësisë së papritur të tij. Dridhej si purteka. Nuk po kuptonte se ç’po ndodhte. Një mendje i thoshte se plaku ishte një kuçedër e llojit të vet, dhe ajo kishte rënë kështu nga shiu në breshër. Por u tut më kot. Sari Salltiku ishte engjëlli i saj mbrojtës. Ai e mori atë rrugë jo për të marrë me të mirë ndonjë xanxë të mishit të vet, por për t’u ngrënë dhëmb për dhëmb me kuçedrën. Dhe ia preu të shtatë kokët. Në këmbim, princi i ofroi të bijën për grua, por dervishi, duke lexuar një mungesë dëshire në sytë e çupës, u përgjigj se ‘dervishët nuk mund të marrin një grua pa dëshirën e saj’. Ai shkoi të jetonte në shpellën e kuçedrës, por jeta e tij e vetmuar atje ish një déjà vu e frikshme për banorët e Krujës, të cilët për këtë arsye vendosën ta vrisnin. Sari Salltikut i ra në vesh lajmi, dhe u tërbua nga inati. I hipi një mushke, së cilës iu desh të bënte katër hapa për ta çuar në Korfuz, ku pas ca kohësh vdiq. Gjurmët e patkonjve të mushkës besohet të kenë mbetur në Krujë, Shijak, Durrës.” Nuk kuptohet pse hapat e parë i ka bërë të vegjël (Krujë-Shijak, Shijak-Durrës), dhe hapin e fundit e ka bërë aq të madh (nga Durrësi në Korfuz). Nuk kuptohet mirë po ashtu se si trupi i Sari Salltikut u gjet i varrosur në Krujë, banorët e së cilës donin ta vrisnin. Mistere legjendash.

Por le t’i lëmë rrëfenjat për pak. Bektashizmin, me shumë gjasë, e kanë sjellë këtyre anëve jeniçerët, që ishin rëndom shqiptarë, boshnjakë e sllavë të tjerë të Ballkanit të rekrutuar që fëmijë në kuadrin e Devshirmesë, një praktikë e rrëmbimit të fëmijëve prej familjesh të krishtera me synimin për t’i bërë myslimanë e ushtarë. U vu re një gjallërim i tarikatit në fund të shekullit XVIII e në fillim të shekullit XIX, dhe këtu një dorë duhet të ketë dhënë edhe Ali Pashë Tepelena. Nuk ka prova se ai vetë ishte bektashi, aq më pak i thekur, por janë të shumtë ata që besojnë se e promovoi Bektashizmin për qëllimet e veta. Në këtë periudhë u ndërtuan shumë teqe, mes të cilave edhe ajo e Prishtës në Skrapar, që është një nga më të rëndësishmet në historinë e Bektashizmit në Shqipëri. Mit’hat Frashëri, në fakt, e zhvendos disi në kohë ndërtimin e kësaj teqeje. Thotë se është ndërtuar në vitin 1855. Nga Baba Tahiri.

Pikërisht atëherë kur po mendohej se Bektashizmi po merrte fuqi, erdhi gjëma. Më 15 qershor 1826 (Ali Pasha nuk ishte më në këtë botë), sulltani Mahmud II i kaloi jeniçerët në satër. Është një mënyrë metaforike të thëni “i kaloi në satër”, sepse në të vërtetë kërdia u shkaktua me armë zjarri. Gjetën vdekjen atë ditë rreth katër mijë jeniçerë, të cilët ishin shndërruar në një shtet brenda shtetit. Pak javë më vonë, me anë të një dekreti sulltanor, u ndalua Urdhri i Bektashinjve. U përndoq kushdo që njihej si pjesëtar i tij. Në Shqipëri, bektashinjtë mbijetuan, sidoqoftë, dhe u vunë në pritje të kohërave më të mira, që erdhën në gjysmën e dytë të shekullit. Kur nisën përpjekjet e rilindësve për të zgjuar nga gjumi shqiptarët apo për të qitur nga rrënojat kombin shqiptar, bektashinjtë e kishin marrë veten, dhe luajtën një rol të jashtëzakonshëm patriotik. U favorizuan edhe sepse ishin një “fe” e palidhur me ndonjërën prej fuqive të mëdha apo vendeve fqinje. Katolikët ishin të mpleksur me austriakët e italianët, ortodoksët me serbët në veri e grekët në jug, e myslimanët synitë me turqit. Bektashinjtë “i takonin vetëm kombit të tyre”. Dhe u rrekën ta shndërronin besimin e tyre në një fe kombëtare. U frymëzuan prej Naim Frashërit, por edhe e frymëzuan këtë të fundit. Shumë shqiptarë prej tij e morën vesh se ç’ishte ky sekt. Por edhe Naimi vetë më shumë e shpiku Bektashizmin, sesa e interpretoi apo e shtjelloi.

Bektashizmi i tij të ngjan me një fe naive, të epshme, të çlirët, pa rregulla të qarta e të prera, shkurt një fe që u vjen pas midesë shqiptarëve, të cilët duan të mos ia prishin as vetes në tokë, as Zotit në Qiell, por në të njëjtën kohë mbron parime e vlera të rëndësishme, që dikush i ka bërë kapule, pa e vrarë mendjen t’i legjitimojë me ndonjë burim doktrinor të tyre. Më shumë të sillen si thelbi i urtësisë njerëzore në shekuj sesa një sistem koherent fetar. Për se është fjala? Parime e vlera të tilla zbulohen më së miri prej frazave naimiane të mëposhtme: “Hëngre vetë një kafshitë? Kafshitën tjetër falja atij që s’ka të hajë”; ose “Mos lër mëmë pa foshnjë e foshnjë pa mëmë”; ose “kur ju lind një vashë, të mos ju vijë ligsht, [ngaqë] një është si djali, si vasha, si burri, si gruaja”; ose “të vegjëlit nuk arrësehen (arsimohen, edukohen) duke i rrahur e i sharë, por me të mirë, me të butë, me urtësi”; ose “për atë që punon, skamje s’ka, pasi punën e ka bekuar Perëndija”; ose “s’ka në jetë më të lig njeri se sa tradhëtori i kombit e i mëmëdheut”; ose “kush i jep të varfërit, i jep hua Perëndisë”; ose “atë që s’dëshiron të ta bëjnë të tjerët, mos ua bëj as ti atyre” (Rregulli i Artë i njohur në të gjitha kulturat kryesore të botës); ose “ata që besojnë Zotn’ e vërtetë, pavdekësinë e shpirtit, dhe bëjnë mirësi, Zoti i madh i do, po myslimanë qofshin, po të krishterë, po izraelinj…”; ose “ju myslimanë, mos flisni me të krishterët e me izraelinjtë përveçse me më të bukurën e fjalës”; ose “[o burra], në doni të mos mërgohi nga e drejta, merrni vetëm një grua, se Zoti s’i dha njeriut dy zemra”.” Duket sikur ka bërë tok veçoritë e mira e anët e fisme të të gjitha doktrinave e qytetërimeve, solidaritetin, nderimin për familjen, barazinë gjinore, qëndrimin kundër dhunës, kultin e punës, patriotizmin, tolerancën ndërfetare, monogaminë, etj.

Një personazh tjetër me rëndësi i Bektashizmit është Abas Aliu, që nderohet me bujë në majë të malit të Tomorit, ku thuhet se ka varrin. Në çdo fund gushti, atje e mbajnë frymën me mijëra pelegrinë të besimit bektashi. Shkojnë grupe-grupe, djem e vajza, shpeshherë edhe familjarisht. Blejnë një dele në fshatrat aty rrotull, ose edhe atje në vend, ku ka kope të tëra me gjedhë. Ia japin dikujt për ta gatuar, por një pjesë e bëjnë gjithçka vetë: e therin, e varin diku, e rrjepin, e fusin në hell dhe e pjekin në një zjarr në natyrë. Maja e Tomorit pushtohet ato ditë nga djem e vajza që pinë, bërtasin, këndojnë, bëjnë dashuri në mes të gjakut të bagëtive. Para apo pas këtij harbimi, nuk harrojnë kurrë të hedhin ca lekë pranë tyrbes së supozuar të Abas Aliut.

Bektashinjtë pra besojnë se heroit të Qerbelasë i prehen eshtrat në Kulmak. Por historia thotë tjetër gjë: “Abas Aliu, djali që kalifi i famshëm Ali e pati me gruan e dytë (pasi i vdiq e para, Fatimja, që ish e bija e Muhametit), i hipi kalit, çau rrethimin e mbështetësve të Jezidit, dhe shkoi të mbushë ujë në një burim, pranë Eufratit, ngaqë të vetët, sidomos gratë e fëmijët, mes të cilëve dhe një mbesë me emrin Sakina që ai e donte shumë, po vuanin prej etjes. Teksa kthehej me bucelën (kacekun) plot, ndonëse etja e përvëloi, ai nuk piu asnjë gllënjkë, pasi i dukej e padrejtë e burracake të pinte ujë para Sakinës. Ushtarët e Jezidit i qëlluan prapa shpine dhe i morën një krah; në kohën që hodhi bucelën me ujë në krahun tjetër, i qëlluan sërish, duke ia dëmtuar dhe atë krah; ia doli megjithatë ta kapë bucelën me dhëmbë, derisa një shigjetë e parafundit ra mbi vetë enën dhe uji iu derdh i gjithi në tokë; kjo gjë i shkaktoi dhembje në shpirt, pasi misioni i dështoi dhe fëmijët e rrethuar ishin duke u tharë nga etja, por një shigjetë e fundit nuk i la kohë të jetonte me atë vuajtje; ajo e goditi në sy dhe ia përshkoi kryet tejetej, e pas kësaj Abas Aliu ra nga kali, dhe u plandos në tokë, ku dha shpirt. Është viti 680 pas Krishtit, dhe viti 61 sipas Hixhrit.”

Ka qenë Sami Frashëri, në veprën e tij enciklopedike ‘Kamus al-alam’, që i është mbajtur si pa të keq tezës se varri i Abas Aliut është në Tomor. Dhe të tjerët pas tij, ngaqë u ka pëlqyer kjo legjendë, e kanë mbajtur gjallë. Në një artikull të vetin, duke iu referuar Margaret Hasluckut, që ka qenë në majë të Tomorit në vitin 1930, Jorgo Bulo thotë se bektashinjtë shqiptarë bëjnë një lidhje tjetër, aspak legjendare, mes Abas Aliut e malit të Tomorit: “Një dervish me emrin Haxhi Babai, duke parë pelegrinët që ngjiteshin në Tomor çdo mes gushti për t’iu falur një hyjnie pagane, shkoi në Qerbelá, mori një dorë dhé nga varri i vërtetë i Abas Aliut, e solli në majë të malit, dhe vendin ku e hodhi e konsakroi si varrin e dytë të shenjtorit.” Bektashinjtë nuk ua kanë vënë veshin shumë atyre që e mbrojnë këtë version që, në thelb, e platit disi simbolikën e pelegrinazhit të tyre. Është një gjë të shkosh e të falesh para eshtrave të një shenjtori dhe është krejt një gjë tjetër të shkosh e të falesh para një grushti me dhé të marrë nga varri i tij, që është me mijëra kilometra larg, diku afër Bagdadit, buzë Eufratit.

Evliya Çelebiu flet për malin e Tomorit, “dy orë larg nga jugu i Beratit, ku rriten bimë medicinale shumë të kërkuara nga mjekë të Latinistanit e të Perëndimit, e ku ia vlen të shkosh për piknik e për gjah”, por nuk i referohet asnjëherë si një vendi të shenjtë për bektashinjtë, edhe pse nuk harron të flasë për këta të fundit.

Githashtu, gjeologu francez Ami Boué e historiani anglez William Martin Leake, që kanë udhëtuar shumë më vonë në viset e banuara nga shqiptarë, nuk flasin për “malin e shenjtë”. Njësoj si Çelebiu, francezi e përmend Tomorin, i përmend edhe bektashinjtë, por nuk ka vënë re ndonjë lidhje mes tyre. Ndërsa anglezi ka qenë vetë në Tomor, në majë fare, teksa bënte rrugën nga Korça në Berat. Ka lënë shënime të udhëtimit. Flet për një “pelegrinazh” që bëhej në muajin gusht (edhe në qershor e korrik), por fjala është për atë të barinjve vlleh të Myzeqesë (Mizakia) që çonin bagëtitë e tyre në kullotat e paana verore të Tomorit. Dhe e vetmja lidhje e këtij mali me fenë në kujtimet e britanikut të pasionuar pas lashtësisë, mund të gjendet te një proestos (murg a prift) i Tomorit, me mbiemrin Papa, që kish ca kohë që kish vdekur. Ai e përmend ngaqë, i detyruar prej shiut që binte me rrëshekë, i bujti në shtëpi, ku tanimë banonin të tjerë.

Çuditërisht, as Henry Fanshawe Tozer nuk i erdhi rrotull idesë se Tomori ishte qendër për bektashinjtë. Ai nuk ka qenë në atë mal, por ka folur për të. Më saktë, i kanë folur beratasit. Dhe për ta dalluar si të veçantë, i kanë përmendur faktin që në majën e tij ka përjetësisht borë, dhe që atë borë ata e përdornin në vend të akullit për nevojat e tyre në tryezën e ngrënies.

Vetëm Antonio Baldacci, që ka qenë në vitet ‘90 të shekullit XIX, e ka përmendur “majën e Abas Aliut”. Si është e mundur që as Çelebiu në shekullin XVII, as Boué, Martin Leake e FanshaweTozer në fillim të shekullit XIX nuk kanë folur për festën e bektashinjve? Kjo është një pyetje që s’ka përgjigje hë për hë, por gjasat janë që bektashinjtë “ta kenë bërë Tomorin të tyrin” në fund të shekullit XIX. Pak më pas, saktësisht më 1916 (kështu thotë Mit’hat Frashëri), është ndërtuar Teqeja e Abas Aliut. Nga dervish Iljazi.

Pelegrinazhi në atë majë mali është një ritual i lashtë, megjithatë. William Martin Leake na thotë se Tomori, që në botime të kahershme përmendet me emrin Tomaros, është “Fron i Perëndive” dhe vendndodhje e tempullit të Dodonës. Naim Frashëri e ka vargëzuar këtë pretendim: “Thotë Herodoti/Që një herë moti/Kish në Tomor/Shtëpinë Zoti”. Sami Frashëri, po njësoj, ka treguar se ia ka pasur qejfi të besojë që mali Tomaros, që përshkruhet nga autorë të lashtë, ka qenë mali i Tomorit. “Tomori është Dodona, vendi ku ndodhej tempulli i pellazgëve,” thotë Samiu, por nga ana tjetër ka shumë të tjerë, ndoshta të shumtit, që mendojnë se Tomarosi i mirëfilltë, për të cilin flitet, është një mal në afërsi të Janinës, dhe Dodona, tok me hijeroren e vet, aq të përmendur nga autorët antikë, është aty pranë. Ndërsa Çajupi, ndonëse ortodoks nga Sheperi i Zagorisë, i ka kënduar si askush tjetër Baba Tomorit. Vjershën e tij e hap me këto vargje: “Tek ti vinin njerëzit qëmoti/për të mësuar ç’urdhëron Zoti/tek ti lutem edhe unë duke qarë/të mësoj ç’thotë për shqiptarë. Më pas, e bën malin të flasë e t’u japë këshilla shqiptarëve që e kanë harruar mëmëdhenë e që janë përçarë prej feve. Ndonëse e quan fron të Perëndisë, ai i drejtohet Tomorit si të ishte Perëndia vetë.

Me shumë gjasë, Baba Tomori ka qenë një perëndi pagane ilirike. Albanologu Maximilian Lambertz rrëfen legjendën që ekzistonte për Baba Tomorin, dhe thotë, mes të tjerash se ai, Tomori pra, në rolin e një personazhi mitologjik, kish rënë në dashuri me më të bukurën e dheut, të cilën e mbante gjatë natës e, me të zbardhur dita, ia besonte erës që t’ia çonte motrës së saj, më të bukurës së deteve; Baba Tomori kish marrë në mbrojtje edhe Beratin, e për këtë u hëngër egërsisht me “baba” Shpiragun, duke i dhënë e marrë njëri-tjetrit plagë të shumta, që nuk janë gjë tjetër veçse lugjet e lugajat e sotme që zbresin rrëpirave të tyre; ndërsa lotët e më të bukurës së dheut që ndiqte e pafuqishme atë duel, krijuan lumin e Osumit. Një fabul të ngjashme e rrëfen dhe Eqrem bej Vlora që, teksa bën një shpjegim e interpretim të besimeve popullore në Toskëri, flet për Tomorin e Shpiragun si për dy diva. “Tomori godiste me shpatë, e Shpiragu ia sëllonte me çomangë, e për dënim Perëndia i ngurtësoi si dy male kundruall sho-shoqit. Grykat e humnerat nuk janë gjë tjetër, veç plagët e marra,” ia bën Eqrem Vlora në shënimet e tij me titull “Nga Berati në Tomor e kthim”.

Ekziston edhe një traditë gojore që bën fjalë për një kishë të Shën Mërisë në mal të Tomorit dhe për pelegrinazhin e besimtarëve ortodoksë më 15 gusht, ditën e Shën Mërisë së gushtit, që është e kremtja në nderim të ditës kur Zonjës së Bekuar i është çelur dera për në parajsë. Por kjo histori që e ngarkon vendin e kultit të tyre me simbolika të ndryshme nuk është se u prish punë bektashinjve. Përkundrazi, nuk mund të ketë një vend kulti më të përshtatshëm për ta, që janë pjesë e një sekti ku përzihen “rrëfime, legjenda, besëtytni, praktika magjike, teknika të ekstazës dhe qasje manikeiste” (sipas Abdulkadir Haasit), “kulte pagane, greke, kristiane, zoroastriane, mazdaike, judaike, me gjasë edhe budiste” (sipas John Kingsley Birge-it), “elementë antikë, paraturkikë, paraislamikë e islamikë” (sipas Ahmet Jashar Oçakut), dhe – kur vjen puna në Shqipëri – “një si temperament shqiptar, që i ka dhënë Bektashizmit një formë të tillë, në të cilën në plan të parë del organizimi social, sjellja, idetë liberale, e jo ana fetaro-besëtyte apo dogmat formale të fesë” (sipas Margaret Hasluck-ut).

© 2024 Mustafa Nano. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

17 Komente

  1. Pershendetje Nano

    perpos rrefenjave do te ishte me interes te mesonim qendrimin tuaj mbi idene e Shtetit te Bektashinjve shpallur kohet e fundit. Mendoj se ky opinion do te ishte me i dobishem se sa rrefenjat e pershkruara nga Robert Elsie per lexuesit sigurisht.

    1. Auron,
      Nuk di pse e përmend pa lidhje librin e Robert Elsie-t. Nuk ka asgjé në kétë shkrim që të jetë marré nga ai libër apo nga ai autor.
      Sa për tjetrën, statusi im sot nuk me lejon – dhe veç Abas Aliu e di sa po vuaj prej këtij shkaku 🙂 🙂 – të marr pjesë në debatin publik e të mbaj anë (qëndrime).

      1. Ne fakt, ne lidhje me pozicionin tuaj, lexuesi interesohet pikerisht per dobite diplomatike te ketij sekti.

        P.sh. sa perfaqesonin/lobonin per interesat e trevave shqiptare janiceret para se te luftoheshin? Sa u demtua lobi shqiptar ne Stamboll e asaj qe shprehu kryeministri? Per perfitimin diplomatik qe ka Shqiperia nese del me tezen e islamit shqiptar – edhe pse nja 30 vjete me vonese se Boshnjaket kane vite qe merren me islamin evropian apo bosniak per ta emancipuar nga ai arab apo larguar ndikimet iraniane.

        Ne Zvicer jeton nje prej ideologeve te islamit evropian, Tariq Ramadan. I prekur se fundmi nga akuzat per dhune seksuale (kush nuk eshte se fundmi, edhe Puff Diddy!).

        Sa per historine e Bektashizmit, une do te lexoja me mire Albert Dojen.

  2. jane me dhjetra shkrime nga antropologe e etnologe shqiptare, edhe studiues te huaj, qe kane shkruar per Bektashizmen. Ketu na prezantohen pershtypjet e turisteve te para 300 vjeteve.

    Nuk lexova ndonje teze, vec corbe nga blloku i shenimeve.

    Ndoshta po ti bejme pyetjet ca me qarte, mund te pergjigjet.

    1. Relevanca e kesaj teme? Ndertimi i nje shteti autonom si Vatikani per Bektashizmen qe ti bej karshillek Iranit – meqe i ka 3000 e kusur iraniane ne vend. Por Kryegjyshata eshte tashme ne Shqiperi.

    2. A eshte bektashizma nje sekt fetar shqiptar me aspirata kozmpolite si besimet e tjera teiste?

    3. A mund ta kete bektashizma kete potencial per tu bere nje pike rendese per sekte te tilla brenda tradites se Shia?

    4. Ne lidhje me diskutimin e Edon Qesarit mbi otamanizmen. A permban Bektashizma elemente te tille moderne qe e lehtesojne kete aspirate politike qe Rama do ti veshe Bektashizmes dhe lidhen me traditen osmane te tolerances fetare, ose ndonje revizionizmi tjeter historik?

  3. Bektashizmi si një sekt fetar, a ka lidhje shpirtërore me popullin shiit të Iranit? Apo është një grupim krejt ndryshe?

  4. Eshte lajm i mire mejtoj une qe Shqiperia te benet kala e Bektashizmit boteror ashtu si ne kohe te Dulles kala e socializmit ne brigjet e Adriatikut .Nuk e di nese kete marrezi KM e mejtoi vete apo ia futen ne mendje te tjeret por ne rast se nuk a ka vene re po jetojme ne nje bote te cilen teknologjia po e transformon me shpejtesi marramendese e Shqiperise i duhet te kape trenin e teknologjise se larte e nuk e ka luksin te humbe kohen me absurditete te tilla pasi po iken gjithe rinia ne emigracion .

  5. Gojëdhana e Sari Salltëkut, e mbledhur nga Degrand, u botua tek verra e tij Jules Alexandre Degrand: Souvenirs de la Haute-Albanie, Paris 1901, f. 236-243. Robert Elsie e ktheu nga frëngjishtja në anglishte tek: http://www.albanianliterature.net/legends/legend_02.html

    Interesant kapërcimi katër-gjurmësh Krujë – Shijak – Durrës – Korfuz. Sipas Prof. P. Xhufit, Korfuzi u shkëput nga terraferma dhe i kaloi Venedikut më 1386 [Arbërit e Jonit, bot. I. f. 162]. Sari Salltëku, sipas Elsie-t, jetoi nga 1326 deri më 1360.

    Me fjalë të tjera, gojëdhana të paktën në konturin kohor ka një farë baze: d.m.th. shtegtimi i Sari Salltëkut nga Kruja për Korfuz duhet të ketë ngjarëi në periudhën kur ishulli ndodhej ente nën të njëjtin juridiksion si edhe, ta zemë, Butrinti në tokën përballë.

  6. Te dhena, le te themi te pafajshme per bektashizmin, qe jane si njefare hyrje ne antologjine bektashiane a bektashiste ( kjo me -ste me duket me shqip).
    Gjithsesi, ne kuader te homologimit te bektashinjve si myslymane, dmth sunite, mire do ishte qe bektashinjte te gjenin vetveten, e nqs ky shtet-farse do i ndihmonte atehere nje dobi do tìi gjendej.

    Por eshte e rendesishme qe ky te jete shtet-farse, me afer Atosit sesa Vatikanit, perndryshe ideatori duhet denuar me pushkatim, pardon burgim i perjetshem, meqenese cdo percarje fetare, qe eshte rendom edhe krahinore, eshte atentat ndaj kombit shqiptar dhe teresise territoriale te RSH-se ( meqe ra llafi duhet ndryshuar kushtetuta qe te krijohet ky shtet).

    Sa i takon bektashizmit si besim, fe a sekt, ashtu si cdo fe tjeter anadollako-cifuto-arabo-lindore, ka vlere historike si pushtimet nga Roma te turku serbi e greku, kshuqe varet nga opinioni kombetar si do vleresohen, por jo se ne kohet e makinave elektrike do merremi me gomarin e Abaz Aliut, Jezuit apo Muhametit.

    1. Zoteri Kryegjata, nuk po merrem me te tjerat qe shkruani, por per hir te saktesise dua t’ju ve ne dukje qe keni nje lajthitje te rendesishme, qe besoj ju vjen nga padija, jo nga deshira per te krijuar konfuzion. Ju thoni (citoj):

      “Gjithsesi, ne kuader te homologimit te bektashinjve si myslymane, dmth sunite, mire do ishte qe bektashinjte te gjenin vetveten…..”

      Gabimi juaj eshte qe barazoni te gjith myslymanet me sunitet…. dhe kjo eshte lajthitja juaj, eshte e vertete qe çdo sunit eshte myslyman, por jo çdo myslyman eshte sunit….konkretisht bektashinjte jane myslymane, por nuk jane sunite.

      1. Kjo behet rendom ne Shqiperi, sunitet nuk e njohin veten per te tille ( nuk njohin as fjalen sunit) , thjesht myslymane, por dallojne bektashinjte, prandaj censusi jep 50% myslymane e 5 % bektashinj. Bektashinjte ne mase i thone vetes thjesht myslymane, duke u futur ne te njejten kategori me sunitet.
        Jo se eshte ndonje gje e mire a e keqe, kjo eshte ne doren e secilit, por qe ajo ishte ideja e asaj qe citove, nqs duan te ruajne veten nga homologimi, mund te vleje ky shtet-farse, perndryshe per 20 vjet bektashinjte do jene me pak sesa deshmitaret e jehovait, e gjithe te tjeret do jene thjesht myslymane si edhe sunitet ( sa per te vrare kohen ky muhabet, se keto ndarjet fetare, te islamit e krishterimit, vetem me fene s’kane te bejne, se jane politike 24 karatce, qe vjne nga deshira per pushtet e ca maluketerve qe kane shekuj nendhe e vijojne per inerci) .

        1. “Sa per te vrare kohen ky muhabet….” nuk mund te behezt ne kurriz te saktesise, apo edhe mund te behet nqs kapemi ne gabim dhe perpiqemi ta justifikojme. Pra hajde e vrasim pa kohen. Ju thoni:

          “Kjo behet rendom ne Shqiperi, sunitet nuk e njohin veten per te tille ( nuk njohin as fjalen sunit) , thjesht myslymane,…”

          Nuk kuptohet mire si e thoni ju, sunite te nu e njohin veten per te tille se ju vjen turp te quhen sunite, apo se nga mungesa e njohjes se ketyre puneve nuk e dine qe jane sunite? A e njohin sunitet shqiptare veten per sunite apo jo nuk e zhbën dallimin e qarte midis suniteve dhe bektashinjve si dy sekte te ndryshme te Islamit. Se shqiptaret si ne shume fusha dhe ceshtje te tjera qe u perkasin direkt jane injorante, ky fakt nuk e zhbën te verteten, apo realitetin.

          Me falni por e thjeshtezoni shume edhe problemin e dallimeve fetare duke i rene krejt shkurt e duke ua vene fajin ca maluketerve qe mbeten gjithmone fajtore per komoditetin e atyre qe nuk duan te hyne ne detaje ose thjesht nuk i njohin detajet si puna e shumices se myslimaneve shqiptare qe nuk e dine qe jane SUNITE.

  7. Nje analize interesante e diskutimit qe shkaktoi Rama me bektashizmen ishte kjo e nje blogu.

    https://medium.com/@expressisti/diplomacy-and-religion-%C3%A0-la-carte-9b9d95146eaf

    Autori/ja e she ne prizmin historik se jo pak here trompa e islamit te udheheqjes sone i eshte vene ne goje nga faktore te jashtem (Italia, Bashkimi Sovjetik), qofte per ta bere Shqiperine muslimane shembull te projekteve sekularizuese a koloniale, qofte per diversione ne opinionin publik nderkombetar. Ose edhe nga interesat e ngushta te udheheqesve (Ramiz Alia, Sali Berisha).

    Ndoshta Nano na thote ndonje gje ne lidhje me kete.

  8. Kryegjyshata boterore ka pas qene ne Shqiperi dikur e nese duan te ndertojne nje compound pune tyre megjithese keto kultet fetare jane thike me dy presa kur ndertohen si subjekte autonome tip shtet brenda shtetit .Pyetja qe shtrohet eshte se cdo qeveria qe ngaterrohet ne punet e fese kur dihet qe Shqiperia eshte shtet laik e ndare nga feja?Mos ka filluar dhe Rama te na currufjapset si Dulla kur i hipi ne koke te benej udheheqes i revolucionit boteror proletar e na beri si popull gazin e botes?

  9. Komenti i mesiperm i Albes, me beri te me lindi nje pyetje. Nese ndokush do te me pergjigjej me argumente dhe fakte do t’ia dija per nder.

    Ne kohe te Dulles, e shume para kohes se tij Sekti i Bektashinjve pat funksionuar normalisht ne Shqiperi, madje ne Shqiperi kishte edhe te ahtuquajturen Kryegjyshate Boterore (Wow! edhe Kryedicka, edhe Boterore) Nejse/ Dulla i vuri fshesen feve. klerikeve, se mos guxoje te coje ndonje bakllava ne furre diten e Bajramit, a te piqje ndonje gjel deti per Krishtlindje. Nuk mund te justifikoheshe as me Vitin e ri se jane nja 5 a 6 dite veç.

    E marr vesh qe Katoliket e Botes nuk e cane koken fort, sido qe te ishte Papen e kishin akoma ne vendin e tij. Orthodokset e te gjithe botes nuk e cane koken fort as ata, cdo kishe Kombetare Autoqefale e kishte ate KryeWhatever qe kane ata. Po keshtu Myslymanet, te gjitha sektet, pervec bektashinjve i kishin ata te Kryes. Po te gjoret bektashinj te Botes si ia bene per ato 20 a 30 vjet qe nuk kishin Kryegjysh, e as Kryegjyshate? Kush ua bekonte hashuren?

    1. Ashtu si Kisha orthodokse edhe Urdhri i Bektashizmes u zhvendosen ne SHBA.

      Do te ishte interesante te studioheshin keta elementet fetare te perfshire ne veprimtarine subversive anti-komuniste.

      Edhe lidhjet me kupolen komuniste. Gjate viteve 60 ekzistonte ne qarqet katolike ideja se komunistet ishin bektashinj te fshehur, sidomos pjesa e Dibres (Baba Tafa i Martaneshit) dhe e Mallakastres e Laberise (Shehleret).

      Ne duam ti fshijme keto konfliktet fetare, shih nderhyrhjen e Enis Sulstaroves mbi religjionin politik, por ato jane shfaqur sa here.

      Une ngre tezen se: Flamurin e sekularizmes te ne e kane mbajtur pakicat fetare dhe etnike per shkak te mungeses se perfaqesise politike.

  10. Nuk e prisja kete aftesi shtetformuese te Rames, por sidoqofte, Marshallah. Jam i sigurte qe sumbulla bektashiane do i shkoje per mrekulli xhamadanit shqiptar vija-vija. Shpresoj gjothashtu qe ky shtet te rritet dhe te behet i madh sa ai globi i famshem i cmendines se Shvejkut qe eshte me i madh se ai i jashtemi por qe rrotullohet nga perbrenda.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin