FËMIJËT QË IKIN

Këto ditë, duke udhëtuar në zonën e Bregut, më qëlloi të shoh dy shkolla të mbyllura; sa gërmadha të ripërdorshme, aq edhe përmendore të brishta të trishtimit.

Arsyet pse mbyllen shkollat, anembanë Shqipërisë, pak a shumë njihen; familjet emigrojnë, së bashku me fëmijët. Madje edhe ato familje që kanë biznese të hapura këtu, preferojnë që fëmijët t’ua bëjnë shkollën në Greqi a në Itali.

Njëherazi, kam takuar dhe kam folur me prindër, që më kanë thënë se nuk ka shkolla për fëmijët e tyre, prandaj janë detyruar t’i shpien gjetiu.

Ja çfarë ndodh: në fillim janë fëmijët që ikin, kjo i bën shkollat të mbyllen, dhe shkollat e mbyllura i dëbojnë edhe fëmijët e mbetur.

Pikëllohem, sepse më mungon edhe mua gëzimi i një oborri shkolle ku luajnë të vegjlit; më kujtohen jo vetëm orët e mësimit dhe lëndët, por edhe si rriteshim së bashku, centimetër pas centimetri. Së bashku – si brez, si qytetarë, si komb.

Këta fëmijë, që “nxirren” nga dheu i tyre, për t’u implantuar gjetiu, e përjetojnë një traumë, edhe sikur të mos jenë të vetëdijshëm. Shqipërisë i gjymtohet brezi më i brishtë, dhe njëherazi arsyeja për ta parë të nesërmen me optimizëm.

Fëmijët ndërrojnë gjuhën e tyre amtare dhe bëhen pjesë e “tjetrit”. Andej mbase do të jetojnë më mirë, por një komb që humbet fëmijët e vet, humbet edhe gëzimin dhe pastaj edhe arsyen për t’u gëzuar.

Anembanë bregut të Jonit ndërtohet: hotele, vila, rrugë të reja. Flitet për turistë, çadra plazhi, restorante, resorte, beach bars, tunele, jahte dhe gjëra të tjera të bukura. Ka një klasë njerëzish që janë turrur të tërbuar për të bërë evro.

Banorët vendës e dinë që kanë fatin të jetojnë në “parajsë”, por nuk organizohen dot, për të mbrojtur interesat e tyre. Anës rrugëve sheh ende mijëra e mijëra ullinj që nuk kanë ardhur nga askund, por mua secila nga këto pemë të shenjta më duket njëlloj e rrezikuar. Aty ku unë shoh ullirin, ai tjetri sheh vendin ku ka mbirë një pemë…

Në restorante nuk shërbehet prodhim lokal, por cofëtira të ngrira, të sjella nga ana tjetër e botës, si të zhgroposura nga akulli paleozoik i Groenlandës; emrat e ushqimeve në librezën e menysë janë në gjuhë të huaja, njëlloj si edhe emrat e pijeve.

Pushohet ende mirë, por frika e shndërrimit të truallit të gjallë në një platformë shfrytëzimi mbetet.

Ngaqë jam mësuar t’i kaloj pushimet në Meksikë (Cancún, Riviera Maya), gjithnjë më del parasysh mjedisi steril i resorteve gjigante, ku njerëzit nuk kanë më asnjë marrëdhënie me truallin.

Dikur patëm vendosur, në Cancún, të marrim autobusin dhe të dilnim nga zona e hoteleve, për të shkuar në qytetin e Cancún-it, atje ku jetojnë vendësit. Rezistuam atje vetëm aq kohë sa iu desh autobusit të radhës të vinte për të na marrë.

Ngaqë i dua fshatrat dhe qytetet e Bregut, refuzoj të mendoj se një ditë edhe ato do t’i pllakosë errësira që pashë atë ditë, në atë qytet meksikan, mu buzë dritës së hoteleve të mëdha.

Na e patën sugjeruar atëherë vizitën, si eksperiencë të lakmueshme, qoftë edhe vetëm si një mënyrë për të dalë nga flluska e bregdetit. Por e vetmja gjë që sikur na tërhoqi, ishte një dyqan i ndërtuar buzë rrugës, enkas për turistët “guximtarë” si ne. Të njëjtat xhingla dhe i njëjti folklor i rremë.

Një herë tjetër, u kuturisëm jashtë resortit tonë, për të blerë një kartë SIM te qyteza përbri. Pamë njerëz që kishin ende shpresë të përfshiheshin njëfarësoj në biznesin e kujdesit për vizitorët si ne – një farmaciste që pyetëm për adresën e dyqanit, na dha një kartëvizitë. You never know.

Edhe pse turistit sikur nuk i lejohet të sëmuret. Para tre vjetësh, haptazi i sëmurë me Covid, më testuan atje me detyrim, para se të kthehesha; por më nxorën atje “negativ” vetëm e vetëm që të mos harxhonin kohë dhe pará për të më karantinuar; siç e tregoi pastaj testi që bëra të nesërmen në Brooklyn.

Meksika të pret gjithnjë mirë; por duhet që ta pezullosh mendjen dhe të refuzosh të kuptosh se çfarë po bën dhe ku je. Resortet janë të bukura dhe ushqimi i mirë, por përndryshe i ngjajnë një burgu të mrekullueshëm – me mure të padukshme.

Vallë ky të jetë fati që i është parathënë edhe zonës së Bregut në Shqipëri?

Ngaqë në Riviera Maya dhe në Cancún nuk kam parë kurrë meksikanë të vegjël, jam mësuar t’i mendoj fëmijët, në këto zona liminale, si kanarina në minierën e qymyrit. Edhe pse fëmijët këndej nuk vdesin, por thjesht fluturojnë gjetiu, sado flatrues të pasigurt.

Çfarë është edhe ajo një lloj vdekjeje. Kolektive, pa qenë individuale.

Kur vizitova këtë verë Qeparoin e vjetër, me rrapin e madh në qendër, pata pak kohë të endesha mes gërmadhave, shtëpive të braktisura dhe bërrylave të rrugicave, me tek-tuk ndonjë antenë televizori të mbirë rishtas në ndonjë prej çative, fije bari mbirë në çimenton e reaktorit, në Çernobyl.

I tunduar nga një aromë qingji të pjekur – edhe ajo kushedi e studiuar për turistin e uritur – m’u duk vetja sikur isha kthyer vizitor në qytetin e lashtë maja të Tulum-it në Yucatan, dhe prita të shoh meksikanin vendës, me një iguana gjigande në krahë, të cilën ua ofronte vizitorëve për foto.

Mendova se Bregu është ende tepër i vyer, që t’u vihet turistëve në dispozicion për ta shkelur e përshkelur.

(Dje nuk di pse më erdhi inat, kur pashë dy birbo shtegtarë, që e kishin ndalur makinën diku në një kthesë dhe po urinonin gëzueshëm mbi shkurrishte.)

Gjithsesi, nuk ka forcë morale dhe aq më pak politike që ta ndalë tani shndërrimin e ndërtesës së shkollës së mbyllur në vend parkimi, dhe më pas në një hotel të ri; mes hotelesh të tjera të reja, njëri më i ndryshëm se tjetri, nota të luajtura nga një orkestër shurdhësh.

Fëmijët që ikin më kujtojnë obsesivisht përrallën e fyelltarit magjik; siç më kujtojnë zonat e mbetura pa fëmijë degradimin e qytezave dhe fshatrave në vende ku shiten imazhet dhe eksperiencat e qytezave dhe fshatrave.

Dhe ku restorantet buzë detit gatuajnë kallamar të sjellë posaçërisht nga Vietnami (heroik?).

Në darkë vonë, anës rrugës, mund të ndeshësh në ndonjë nga punëtorët “mysafirë” të resorteve të mëdha; teksa njëherazi lexosh në “X” një anonim që të thotë se “brown people” nuk kanë vend në Shqipëri.

Kjo e fundit, si koment ndaj një lajmi për një indian, që kish dashur të hapte derën e avionit Air Albania. Mendova për ditën kur ndonjë bangladeshas a filipinas do ta humbë mendjen, dhe do të orvatet të hapë derën e Bregut, për të dalë nga kjo videolojë tepër lëbyrëse.

Fëmijët që ikin këto dyer kanë arritur t’i hapin, për t’u zhdukur përtej. Shqiptarët emigrojnë shëndetshëm dhe anëtarësohen në “diasporë”, por shqiptarit po i shkërmoqet trupi, copë pas cope, mish pas mishi, kockë pas kocke. Një ditë do t’i mbeten vetëm paratë e fituara, tapí të mjera të një ekzistence të shkuar dëm.

Trauma e parrëfyer konsumohet tani mes haresë së përgjithshme të diellit dhe detit, gjithnjë e mjekuar paljativisht me krem kundër rrezeve UV.

For everything else, there’s Mastercard.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Flux.

10 Komente

  1. Paske vizituar Qeparonë e vjetër!?
    Mirë ke bërë, se është fshat i bukur por tashmë nuk ka mbetur më asnjë nga vendasit.
    Vetëm ca të huaj që kanë blerë shtëpi atje,tjetër për tjetër po nejse.
    Tashmë Qeparoi është fshat i partisë jo i kapedanëve si dikur…

    1. Kisha qenë edhe më herët, por tani m’u duk ndryshe. Prandaj e krahasova me Tulum-in, një qytet që ka mbetur nga maya-t e Yucatan-it, buzë oqeanit, edhe ai në majë të malit. Mendova se edhe këtyre që kanë blerë shtëpi u duket i bukur, por bukuria e këtyre nuk ka lidhje me të atyre që e kishin dikur.

  2. Kujtohet qeveria dhe opozita cdo shtator, sikur edhe drejtuesit e shkollave.

    Eshte interesant ri-perjetimi i femijerise per prinderit emigrante. Valle ndjekin, si ai autori qe ri-lexonte librat, te njejten pervoje a ndjesi? Apo e ri-perjetojne femijerine nepermjet femijeve te tyre? Kush nuk ka prinderit aty, edhe me keq. Se edhe femijeria e vet i duket imagjinare. Ndoshta ka lidhje me truallin. Apo me tapine? Ose pasaporten!

  3. Nje teme sa e rendesishme e po aq e dhimbshme. Sigurisht qe nuk ndodh vec atje, ashtu sic e keni vene edhe ne dukje (duke sjelle Meksiken si krahasim), por gjithesesi nuk na ben te ndihemi me pak fajtore edhe per faktin se nje pjese te fajit e mbartim te gjithe ne qe u larguam e nuk u kthyem me edhe pasi perfunduam ciklet e edukimit apo eksperiences qe morem jashte.

  4. Faleminderit Ardian per kete shkrim te mrekullueshem ( i lexoj me kenaqesi shkrimet e tua). Fatkeqesisht kjo eshte kostoja e dhimbshme e emigracionit qe ka shoqeruar shume popuj ne keto eksperienca. Por fatmiresisht there is a silver lining ne kete histori: Suedia (por edhe Italia e shtete te tjera) e kaloi kete dhimbje midis viteve 1850-1910 kur mendohet se nja 1.3 milion suedeze ( pra rreth nje e pesta e popullsise) braktisen vendin per nje jete me te mire ne US dhe Canada. Mbas ketij emigracioni Suedia ja kaloi edhe Britanise se madhe dhe sot eshte ajo qe eshte. Po ashtu edhe Italia. Kjo i ngjan dhimbjes qe shkakton tek pacienti nje operacion i gjate dhe i nderlikuar mbas te cilit vjen sherimi i plote dhe mireqenia. Por dhimbja nuk harrohet…

    1. Me pelqen shume optimizmi juaj. Seriozisht. A keni ndonje parashikim te perafert se kur Shqiperia do te mund te behet si Suedia, ose qofte edhe si Italia. Falemnderit!

  5. Me keto ritme Shqiperise i do i duhet te importoje fuqi punetore nga jashte ,pjesa derrmuese e fuqise punetore eshte mbi 40 vjec e s’do kete kush ti zevendesoje nese ia mbath gjithe rinia jashte .

  6. Shkollat ne shumicen e fshatrave duhen mbyllur edhe sikur popullsia te mos emigronte .Edhe ne kohe te Dulles kur shumica e popullsise jetonte ne fshat shumica e tyre kishte me pak se 150 nxenes .Modeli i Ndrec Ndue Gjokes me shkolla ne cdo fshat nuk eshte efektiv e cilesia e dobet e mesimdhenies flet per kete .Nese 40-50 fshatra kane nje shkolle moderne me te gjitha aletet e ambientet e duhura nje nga variablat qe i shtyn shqipot te emigrojne do te hiqej nga ekuacioni.Me permiresimin e infrastruktures kjo mund te behet e mundur . me ndertimin e rruges se re te lumit te vlores Qeparoi eshte vetem 1 ore Vlores .

    1. Në Borsh mund të ngrihej një shkollë e madhe, e plotë, e pasur, ku të shkonin fëmijët e fshatrave përreth me autobus. Edhe në Himarë, xhanëm, por atje mund të dilte ndonjë problem me gjuhën…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin