Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

TA LEXOSH POEZINË SI PARTITURË

(rruga e mundimshme drejt një përkthimi)

 nga Natasha Porocani

Leopardin e njoha nëpërmjet Silvias[1].

Leximi i parë të çon drejtpërdrejt te pyetja: Si t’ia bëj që ta kuptoj këtë poezi? Sikurse edhe Marteta[2] e pohon, “poezia këndohet, dhe këndohet me ritëm”, ritëm, i cili mbështetet te “gërshetimi i substantivave me adjektivat”. Problematika kryesore e poezisë në fjalë identifikohet nga Umberto Eko (Eco), sipas të cilit Silvia realizon dy rrafshe: rrafshin e të shprehurit (fjalët shpeshherë të vështira për t’u përkthyer) dhe rrafshin e përmbajtjes apo të fakteve të treguara. Në rrafsh përmbajtjesor mund të dallojmë ende dy komponentë, fabula dhe trama[3]. Kjo do të thotë të pranosh se poezia që të vjen në duar është një kombinim perfekt tingujsh dhe mendimesh, nëpërmjet të cilëve ti herë lëkundesh e vallëzon në morinë e zanoreve që përplasen në zhurmën e aliteracioneve[4] e herë pengohesh e gati rrëzohesh në sintaksën e thyer të enjambements-it[5] leopardian, për ta ringjitur këtë frakturë në vargun pasardhës. Ky lloj kalërimi mes një sintakse poetike jo fort të përdorur në vargjet shqipe dhe valëzimit me të cilin të pështjell poezia nëpërmjet apostrofeve[6], sfidon duke hedhur në letër dorashkën e bardhë të pamundësive të përshtatjes absolute në shqipen tonë, të cilat italishtja jo fort qumështore e Leopardit t’i sfidon si anagramë[7], epifrazë[8], opozicion[9] (chiasmi), zeugma[10].

Thirrje e hapur për luftë.

Nga leximi i parë e deri ku Leopardi do të flasë shqip, duhej ndërtuar strategjia, e cila para së gjithash do të çonte në një fshat të bukur, plot gjelbërim e kalldrëm të Ankonës (Ancona), Rekanatin (Recanati) e Leopardit. Rekanati mund të ishte si të gjithë gjysmëqytezat e gjysmëfshatrat e Italisë, sikur në të, çdo adhurues të Leopardit të mos e tërhiqte dritarja e katit të dytë të vilës, nga ku Xhakomo Leopardi (Giacomo Leopardi) kishte dëgjuar për herë të parë i nervozuar zërin e Terezës[11] (Teresa) dhe zhurmën e avlëmendit, instrumentit që endte pëlhurë, të cilin falë prejardhjes, çdo adhurues shqiptar i poetit e njeh shumë më mirë e më bukur se bashkudhëtarët e panjohur të tij në rrugëtimin mes dhomave të vilës luksoze leopardiane. Kjo hyrje në fakt, ishte nevoja për të qenë besnik me Ekon (Eco) kur i tërheq veshin çdo individi që tenton të thotë gati të njëtën gjë: “nëse historitë sajohen (apo mund të sajohen)…, në ç’nivel përkthyesi është i autorizuar të ndryshojë një histori sipërfaqësore për të ruajtur një histori të thellë?”[12] E më keq akoma, në duar nuk ke një histori, por një ndjesi. E mbushur me kaq shumë tinguj, së pari duhet pohuar se poezia “Silvas” është vetëm një nga instrumentet e Leopardit, me anë të të cilave ai na sjell mekanizmin e përdorimit të fjalëve si tinguj: që do të thotë të lexosh një këngë nëpërmjet fjalëve. Për herë të parë këtë lidhje harmonike mes tingullit dhe fjalës te Leopardi e vëren Klemente Rebora (Clemente Rebora) në esenë e tij: “Për një Leopard të panjohur” (Per un Leopardi mal noto)[13], i cili e interpretoi si një çelës filozofik për të shpjeguar idetë e Leopardit mbi muzikën, në veçanti, lidhjen mes filozofisë dhe poezisë, meditimit dhe këngës. Dy ekstremet filozofike, relativen dhe absoluten, Rebora i sheh të mishëruar në muzikën e vargjeve të Leopardit, si e vetmja “formë artistike që është në gjendje të kapërcejë hendekun midis të veçantës dhe universales, midis trupit dhe mendimit dhe të shërojë divorcin midis fjalëve dhe gjërave.”[14]

Nisur nga këto referenca që drejtojnë mënyrën e leximit të poezisë sikur fjalët të ishin nota, do të provojmë të lidhim çelësin filozofik të Reborës me çelësin e solit në një partiturë. Fillimisht, bëjmë një kthim për nga e shkuara e Leopardit, burimit nga ku erdhi muzika e vargjeve të tij. Stefania Notiçi (Stefania Notici)[15] na tregon se që i vogël Leopardi ra në kontakt me trashëgiminë e muzikës popullore të Rekanatit. Në Xibaldone (Zibaldone) ai përmend këngë, për të cilat shprehet se janë “këngë popullore që janë kënduar në kohën time në Rekanati.”[16] Dhe gjithmonë sipas Notiçi-it nuk është aspak e vështirë që në to të njohësh paraardhësin e të paktën dy figurave të pranishme në Këngë (Canti), ku padyshim njëra shfaqet edhe te “pamjet e dashura dhe të ndrojtura[17] të Silvias. Gjatë përvojës në pranverën e Rekanatit, kuptohet menjëherë se muzika dhe trumbetimi i saj si lojë tingujsh në poezinë e Leopardit gjenerohet nga festat e provincës së vogël, të shpikura për raste aq të zakonshme e të parëndësishme për ne të tjerët. Kjo është ndjesia ndërsa dëgjon muzikën tradicionale me vargjet e Gjineshtrës,[18] si prelud dhe himn për këtë lule fushe, të cilën rekanatasit e quanin pronë vetëm të buzëkodrave të tyre.[19] Këto festa, gjithmonë të pranishme në Rekanat janë frymëzimi i temës së festës, i gjithëgjendur te Këngë. Me këtë qasje kthehemi te çelësi filozofik i Reborës dhe çelësi i solit të muzikës. Sipas fjalorit, çelësi në muzikë është një shenjë që vihet në krye të pentagramit dhe që tregon notën, sipas së cilës caktohet shkalla e lartësisë për notat e tjera të pjesës muzikore[20]. Hulumtimi të lexojmë Silvian si një partiturë, në mënyrë muzikore duke nënvizuar së pari lojën e tingujve që krijojnë rrokjet dhe diftongjet në të. Metoda që do të përdorim në këtë lexim jo fort të zakontë, do t’i referohet sprovës së Bizutit (Bisuti), “Poezia shpëton jetën” (La poezia salva la vita),[21] përmes së cilës gjetëm mekanizmin e duhur në qasjen ndaj muzikës së vargjeve të Leopardit. Në të njëjtën kohë, duke i përfytyruar rrokjet si nota, na duhet të përcaktojmë korpusin retorik që do të na qartësojë tipin e muzikës që përdor Leopardi. Për këtë arsye, i jemi referuar Ladislao Galdit (Ladislao Galdi)[22], në analizën stilistike ku ai ndërton hartën e figurave retorike dhe interpretimin e tyre përmes poezisë dhe narracionit, “Elemente të fonetikës stilistike” (Elementi di fonetica stilistica).

Për të përcaktuar tipin e muzikës së Leopardit duhet të hedhim një sy në variacionet tingullore që ai përdor. Duke lexuar Silvian, vërejmë se autori vendos në dispozicion të lexuesit një seri procedesh tipike leopardiane, ndër të cilat dallojmë:

a) Zgjedhjen e tingujve. Te Silvias vërehet prania e gjithkohshme e tingullit v, që i shoqëruar me zanore të ndryshme krijon efekte fonetike ekspresive: e gjendur brenda emrit Silvia, gërma v, në shoqëri zanoresh dhe brenda rrokjeve “vita” (v. 2), “fuggitivi” (v. 4), “salivi” (v. 6), “sedevi” (v. 11), “avevi” (v. 12), “solevi” (v. 13), “soavi” (v. 28), “perivi” (v. 42), “vedevi” (v. 42), “schivi” (v. 46), “festivi” (v. 47), “mostravi” (v. 639) në dalje të shpeshta vi-va, krijon efektin e pranisë së emrit të Silvas dhe nëse e rigrupojmë atë brenda 63 vargjeve, përtej aliteracionit, rrokjet (vi-va) që veçuam japin ritmin e një dysheje që përsëritet. Ky efekt tingëllor është një nga qëllimet e poetit për të pajtuar realitetin (vdekjen) me imagjinatën (viva-e gjallë). Rrokjet që funksionojnë si nota përsëriten në mënyrë të variueshme duke krijuar rima (v2-v6; v12-v13; v42-v46), të cilat arrijnë të realizojnë ritme të jashtme me të njëjtën frekuencë të artikulimit të tingullit. Më tej akoma, përsëritja e rrokjeve të njëjta brenda fjalëve dhe vendosja e tyre në largësi pothuajse të njëjta siguron ritmin e brendshëm ku ruhet e njëjta frekuencë artikulimi.

b) Vokalet palatale. Ato kanë një tingëllim të qartë: zanoret më të shpeshta në italishte janë e (12.5%) a (11.47%), i (9,45%)[23]. Në tekst e ndeshim në 265 (18%) prononcime germën e, 136 (9.3%) germën a, 241 (16%) germën i në praninë e 1454 tingujve. Zanorja a për shkak të hapjes së saj maksimale përcjell ulje të zërit dhe qetësi: Allor che all’opre femminili intenta
Sedevi, assai contenta/ Di quel vago avvenir che in mente avevi./Era il maggio odoroso: e tu solevi Così menare il giorno.

Prania e tingullit a është më e dendur në pjesën e parë të poezisë, sepse aty nis dialogimi, i cili ka nevojë për qetësi. Blazuçi (Blasucci) komunikimin e Leopardit me Silvian e përcakton si meditim që kalon në tri etapa: “mall-dhembshuri-identifikim”.[24] Etapës së parë detyrimisht i duhet një muzikë e qetë, e ulët, siç ka zgjedhur poeti. Ndërsa etapa e fundit identifikon. Po të konsiderojmë identifikimin si një mekanizëm filozofik që Leopardin e dërgon te zhgënjimi dhe pritja e një makabriteti-shpërbërjeje të shpresës, zëri nuk mund të jetë i qetë. Kjo ka sjellë zhvendosje deri në tkurrje të tingullit a: O natura, o natura,/ Perché non rendi poi/ Quel che prometti allor? perché di tanto/ Inganni i figli tuoi?/Tu pria che l’erbe inaridisse il verno,Da chiuso morbo combattuta e vinta,Perivi, o tenerella. E non vedevi/Il fior degli anni tuoi;/Non ti molceva il core/La dolce lode or delle negre chiome,/Or degli sguardi innamorati e schivi;

Edhe tingulli e mund të krijojë pritshmërinë e njëtrajtshmërisë: në fazat e para të mallit, vargu është i mbipopulluar nga tingulli e, i cili vjen duke u rralluar, derisa në fazën e identifikimit, njësoj si tingulli a, bëhet më pak i ndijshëm: Anche negaro i fati/La giovanezza. /Ahi come, Come passata sei,/Cara compagna dell’età mia nova,/Mia lacrimata speme!/Questo è quel mondo? Questi/I diletti, l’amor, l’opre, gli eventi/Onde cotanto ragionammo insieme?/Questa la sorte dell’umane genti?/All’apparir del vero/Tu, misera, cadesti: e con la mano. La fredda morte ed una tomba ignuda. Mostravi di lontano. Po ta vëmë re, edhe në shembullin që morëm, zanorja e e shoqëruar me bashkëtingëllore hundore, sugjeron në vesh një luhatje të zërit specifikisht të lehtë.

Leopardi shoqëron idetë me efektet e prodhuara nga tingujt dhe në këtë rast kjo procede funksionon si një katalizator në raportin mes realitetit poetik dhe idesë së tij mbi të vërtetën.

Me zanoren i shoqërohen tinguj ose zhurma reale, apo edhe impresione akustike pak a shumë simbolike, sidomos kur ky tingull na shfaqet në sufikset io/ia: Konkretisht gioventù, maggio, giorno, Io, mio, miglior, ch’io, fior, chiome, ragionava, giovanezza, ragionam. Silvia, leggiadri, lasciando, mia, apparia, pria, nëse i hulumtojmë këto fjalë në përdorimet e tyre brenda vargjeve, konstatojmë se efekti i tyre shoqëron idetë filozofike të Leopardit, përkatësisht: Silvia, gioventù, maggio, leggiadri, lasciando –pranvera e fundit e Silvias; giorno-zhurma simbolike e një faze të jetës iluzive; Io, mio, miglior, mia, apparia – identifikimi i vetvetes dhe përballja me mungesën e shpresës; ch’io, fior, chiome, ragionava, giovanezza, ragionam, pria-kthimi në pashpresën e gjetjes së vetvetes.

c) Fjala çelës: Silvia

Në muzikën e poezisë së Leopardit përsëritjet e tingujve përzihen dhe reflektojnë të njëjtën fjalë/semë/figurë me të cilën dialogon mendimi i poetit: është fjala për praninë e Silvias, jo më si emër, por si një çelës muzikor që lidh tonalitetin e disa figurave:

v-ja për të cilën folëm më lart;

apostrofët: (v. 1: “Silvia”; v. 29: “o Silvia mia”; v. 36: “o natura, o natura”; v. 43: “o tenerella”; vv. 54-55: “cara compagna dell’età mia nova, mia lacrimata speme”; v. 61: “tu misera”);

anagramën: “Silvia…salivi” (vv. 1 e 6);

anaforat: “Che pensieri soavi, / Che speranze, Che cori” (vv. 28-29); “perché non rendi poi…./ perché di tanto…” (vv. 38-39); “questo è quel mondo? Questi / i diletti… / Questa la sorte…” (vv. 56-59)

përsëritjet: “o natura, o natura” (v. 36); “come, / come passata sei..” (v. 53);

polisindetin :che pensieri soavi, che speranze, che cori…” (vv. 28-29)

Nga kjo ulje dhe ngritje e tonit, nga kombinimet e kaq shumë zanoreve brenda vargjeve lidhen idetë e Leopardit me simbolikën e Silvias. Duke variabilizuar deri në limite këtë lojë tingujsh, në të vërtetë ajo nis te rimat: v: 4-6; 10-11; 12-13; 8-14; 16-18; 20-21; 23-27; 32-33; 35-36; 37-39; 46-47; 50-53; 57-59; 55-58; 61-63; dhe asonancat: v: 2-5; 29-30; 56-57;

Këtë mori tingujsh të dominuar nga zanoret dhe diftongjet, e bën akoma më komplekse struktura sintaksore e thyer, e etiketuar ndryshe si enjambements.[25]: sonavan le quiete / stanze” (vv. 7-8); “peria fra poco / la speranza mia dolce” (vv. 49-50); “negaro i fati / la giovanezza” (vv. 52-53); “questi / i diletti” (vv. 56-57); “la fredda morte ed una tomba ignuda / mostravi” (vv. 62-63). Këto shkëputje të periudhës në vargun pararendës, për t’u rimarrë në vargun e mëpasëm, krijojnë lëvizjen e kërcimit të kastelanës, valle tipike rekanatase[26] plot ritëm nën muzikën e klaviçenbalit.

Përmes morisë së instrumenteve tingullorë (figurat retorike) muzika synon të endë një seri korrepondencash mes fjalëve dhe ideve, duke dhënë jo imazhe mes fjalëve, por imazhe mes tingujve. Silvia vetë është një imazh. Kënga e saj është e vetmja e dhënë fizike e plotë që na flet, na dialogon ne si lexues, sepse flokët e errët (La dolce lode or delle negre chiome) që përmend Leopardi janë shenjë vetëm e bukurisë së Silvias. Pra, Silvia është çelësi i solit që ndërton e udhëheq partiturën. Teksti poetik i Leopardit ka një strukturë të afërt me një kompozim muzikor, të ngjashëm me muzikën e popullit të tij, e bukur për t’u dëgjuar, e lehtë për t’u kërcyer.

 

(c) 2024 Natasha Porocani. Të gjitha të drejtat janë të autores.


[1] “A Silvia” është poezi e vitit 1828 dhe është ndër poezitë e para pas “ringjalljes” në jetën personale dhe në krijimtarinë artistike të Leopardit. Me “ringjalje” i referohemi fundit të vitit 1827 deri në qershor 1828, ku gjatë qëndrimit në Pisa, Leopardi përjetoi një ringjallje shpirtërore dhe letrare pas një periudhe heshtjeje.

[2] Rafaela Marteta, vep. cit., f. 97.

[3] Umberto Eco, Sulla letteratura, Bompiani, Milano 2002, f. 334.

[4] Më gjerë është sqaruar në vijim, me shembujt përkatës.

[5] Është një figurë retorike që gjendet vetëm në poezi dhe konsiston në thyerjen, në fund të rreshtit të sintaksës së fjalisë në mënyrë të tillë që mendimi të vazhdojë në nisjen e rreshtit tjetër: “sonavan le quiete / stanze” (vv. 7-8); “peria fra poco / la speranza mia dolce” (vv. 49-50); “negaro i fati / la giovanezza” (vv. 52-53); “questi / i diletti” (vv. 56-57); “la fredda morte ed una tomba ignuda / mostravi” (vv. 62-63).

[6] V. 1: “Silvia”; v. 29: “o Silvia mia”; v. 36: “o natura, o natura”; v. 43: “o tenerella”; vv. 54-55: “cara compagna dell’età mia nova, mia lacrimata speme”; v. 61: “tu misera”.

[7]Silvia…salivi” (vv. 1 e 6).

[8]io gli studi leggiadri / talor lasciando e le sudate carte” (vv. 15-16).

[9] “io gli studi leggiadri… e le sudate carte” (vv. 15-16); “fredda morte, tomba ignuda (v. 62)”.

[10] Një lloj elipse që konsiston në referimin e disa plotësimeve të një kallëzuesi i cili në fakt do t’i përshtatej vetëm njërës prej tyre: “porgea gli orecchi al suon della tua voce / e alla man veloce” (vv. 20-21).

[11] Mendohet se figura që frymëzoi poezinë A Silvia, është Tereza Fatorini (Teresa Fattorini), vajza e karrocierit të familjes Leopardi që jetonte përballë pallatit të tyre, e cila vdiq në moshën njëzet e një vjeç. Ajo ishte një vajzë e gjallë, plot jetë, me të cilën Xhakomo (Giacomo) duhet të ketë rënë në dashuri, por pa ia shprehur kurrë asaj këtë ndjenjë.

[12] Umberto Eco, Të thuash gati të njëjtën gjë, Dituria, Tiranë 2006, f. 165.

[13] Clemente Rebora, Per un Leopardi mal noto, «Rivista d’Italia», anno XIII, fasc. IX, settembre 1910, f. 373-449/ më vonë në përmbledhjen kolektive Omaggio a Clemente Rebora, M. Boni Editore, Bologna 1971, f. 69-165.

[14] Laura Barile, Il Leopardi di un Rebora “malato d’assoluto” Interlinea, Novara 1993, f. 131-134.

[15] Stefania Notici, L’idea di musica in Leopardi e la sua incidenza sui i „Canti“, Universita degli studi della Callabria, Facolta di lettere e filosofia, anno 2005-2006.

[16] Zib. 29. Citimi plotë i frazës së këngës popullore: «fàcciate alla finestra, Luciola, / Decco che passa lo ragazzo tua, / E porta un canestrello pieno d’ova / Mantato colle pampane dell’uva. / I contadì fatica e mai non lenta, / E ’l miglior pasto sua è la polenta. / È già venuta l’ora di partire, / In santa pace vi voglio lasciare. / Nina, una goccia d’acqua se ce l’hai: / Se non me la vôi dà padrona sei», «Io benedico chi t’ha fatto l’occhi / Che te l’ha fatti tanto ’nnamorati», «Una volta mi voglio arrisicare / Nella camera tua voglio venire». (citim i S.Notici)

[17] Notici, idem.

[18] Poezia Gjineshtra e Leopardit. https://www.studenti.it/la-ginestra-di-leopardi.html

[19] Për saktësim gjineshtra është lule që popullon anët e rrugëve në Shqipëri, falë klimës së ngrohtë dhe të lagësht të zonave të jugut e të Shqipërisë së mesme.

[20] https://fjale.al/çelës

[21] Donatella Bisuti, La poesia salva la vita, Universale Economica Feltrinelli, quarta Edizione, Ottobre 2018.

[22] Ladislao Galdi, Introduzione alla stilistica italiana, Patron Editore, Bologna 1984 (ribotuar 8 herë-botimi i parë 1971).

[23]Ladislao Galdi, vep. e cituar, f. 29. Edhe shpjegimet e fuqisë së zanoreve i janë referuar këtij kapitulli të Galdit.

[24] Luigi Blasucci, Genesi e contruzione di „A Silvia“ e Note sul testo di „A Silvia“ në Lo stormire del vento tra le piante, Testi e percorsi leopardiani, Marsillio. Venezia 2003, f. 131-138.

[25] Termi derivon nga frëngjishtja dhe do të thotë, pak a shumë, ringjitje. Është një figurë retorike që gjendet vetëm në poezi dhe konsiston në thyerjen, në fund të rreshtit të sintaksës së fjalisë në mënyrë të tillë që mendimi të vazhdojë në nisjen e rreshtit tjetër. Në prozë kjo nuk është e mundur për shkak të natyrës sintaksore të periudhës.

[26] Castellana është një valle tipike rekanatase dhe karakterizohet nga shpejtësia, është plot me lëvizje të gjalla. Ky vallëzim lindi në muret e qytetit, brenda kështjellave, nga të cilat ka marrë emrin. Melodia e kryer nga fizarmonika është e pikësuar nga ritmi i ngutshëm i klaviçelës, hapat rrjedhimisht janë të shpejtë dhe ritmikë. http://folkloremaceratese.blogspot.com/2006/02/caratteristiche-di-alcuni-balli-tipici.html

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin