Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filologji / Histori

NË KUJTIM DHE RESPEKT TË GENCIANËS

nga Fatos Dibra

Para pak kohësh ndërroi jetë Prof. Genciana Abazi-Egro (28.11.1970-25.08.2024)!

E filloj këtë shkrim duke i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerës: Bashkëshortit profesorit shumë të nderuar Dritan Egros, dy vajzave, si edhe gjithë familjarëve dhe të afërmve të tjerë. Zoti iu dhëntë forcë dhe durim!

Ndarja nga jeta e studiueses Genciana Abazi-Egro është humbje e madhe për botën akademike. Me ndarjen e saj nga jeta akademia shqiptare dhe sidomos orientalistika dhe turkologjia shqiptare ka humbur një studiuese të kalibrit të veçantë që me temat e shtjelluara, burimet e përdorura dhe metodologjinë e zbatuar ka sjellë një frymë të re në shkencat humane. Kontributi i saj nga ana tjetër ka rritur ndjeshëm nivelin e diskutimit dhe të debatit në shtypin shkencor dhe atë popullarizues për çështje shumë të rëndësishme të  kulturës dhe identitetit të shqiptarëve.

Për herë të parë Genciana Abazi-Egron unë e kam takuar në vitin 2011. Megjithatë, më shumë se personalisht (më ka rënë rasti të jem krejt pak herë në të njëjtat aktivitete me të) e kam njohur nëpërmjet punës shkencore që ka botuar në formë monografish dhe artikujsh. Kam dashur të shkruaj diçka qysh kur e mora vesh lajmin e hidhur. Më së pari në shenjë nderimi, respekti dhe mirënjohjeje për atë që ka arritur me punën e saj dhe që na mbetet si gur kilometrik. E gjithashtu, sepse pyetjet e shtruara, argumentet dhe përgjigjet e dhëna gjatë kësaj veprimtarie dhe përpjekjeje, përveç se shembull i nivelit të lartë akademik dhe kuraje civile, kanë qenë dhe mbeten ushqim për mendjen. Kështu që po përcjell në pak rreshta atë pjesë të punës së saj, siç e kam njohur unë.

Formimi

Genciana Abazi-Egro ka kryer studimet universitare për gjuhë dhe letërsi shqipe (në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pranë Universitetit të Tiranës, 1993). Kurse studimet pasuniversitare për turkologji pranë Universitetit të Ankarasë në Turqi, përkatësisht më 1996 (master) dhe 2001 (doktoraturë), duke u bërë kështu e para studente nga Shqipëria që ka kryer studime të specializuara në këtë fushë në një universitetet të Turqisë.[1] Por njëkohësisht duke qenë studiuese e kalibrit të ekselencës. Aktivitetin e saj profesional e ka zhvilluar kryesisht si kërkuese shkencore pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (Akademia e Shkencave e Shqipërisë / Qendra e Studimeve Albanologjike / Akademia e Shkencave Albanologjike). Kurse prej vitit 2017 ka qenë lektore dhe kërkuese shkencore pranë Universitetit Europian të Tiranës. Ka qenë, po ashtu, për një kohë e angazhuar si lektore edhe pranë Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke (Universiteti i Tiranës). Gjatë punës së saj Genciana Abazi-Egro, përveçse si studiuese dhe kërkuese shkencore, ka qenë edhe pedagoge dhe udhëheqëse shkencore. Këtu unë do të mjaftohem vetëm me një pasqyrë të shkurtër të veprimtarisë së saj si studiuese, pa u ndalur tek kontributi si edukatore dhe mentore e studentëve në vite. Por dëshiroj të përmend vlerësimin e veçantë të studentëve të Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke (Universiteti i Tiranës), që kanë pasur fatin të marrin mësim prej saj – kjo më ka mbetur në mendje gjithmonë nga biseda me miq, atë kohë kolegë studentë të kësaj dege.

Puna si studiuese

Puna e saj hulumtuese ka përfshirë të gjitha sferat / disiplinat kryesore të studimeve orientalistike dhe turkologjike në trojet shqiptare: filologji, gjuhësi, studime letrare, histori; me një veprimtari botuese që ka trajtuar thuajse të gjitha çështjet që janë rrahur në botimet e këtyre disiplinave në përgjithësi. Një tipar i veprimtarisë botuese të Genciana Abazi-Egros ka qenë ai që unë kam dëshirë ta quaj ‘përmbajtje në divulgimin e rezultateve’ dhe jo botimi thjesht për të plotësuar “normën botuese” – kjo e fundit sipas një fryme sot të quajtur edhe ‘publish or perish’, sjellëse edhe e pasojave jo gjithnjë fort të këndshme dhe për t’u lëvduar në dijen dhe marrëdhënien ‘dije – studiues (~ autor)’ – që i nënshtrohen shumë punonjës në fushën e akademisë. Kjo mënyre pune, bashkë me rigorozitetin shkencor dhe mënyrën e trajtimit të çështjeve që janë marrë në shqyrtim, ka bërë që prej kësaj studiueseje punëtore të kemi artikuj dhe libra që jo vetëm specialistet dhe të interesuarit për disiplinën përkatëse, por edhe dashamirët e leximit në përgjithësi i lexojnë me endje dhe kanë dëshirë t’i rikthehen sërish, për shkak të shijes së mirë që lënë dhe informacionit që përcjellin.

 Kontributet në fushën e gjuhësisë

Kontributet në fushën e gjuhësisë lidhen më së shumti me gjuhësinë e kontaktit, si dhe fushën e leksikut dhe të semantikës. Në to i është kushtuar vëmendje ndikimit të turqishtes mbi shqipen (kryesisht) në rrafshin leksikor dhe të fjalëformimit. Po ashtu trajtohen edhe me zhvillimet e ndryshme që kanë pasuar turqizmat brenda shqipes. Studimi i parë është punimi me titull Turqizmat në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe (1993, mikrotezë diplome, sot e barazvlefshme me një tezë masteri) mbi gjendjen e turqizmave në shqipen bashkëkohore, punim që për fat të keq nuk është botuar. Disa çështje janë trajtuar shkurtimisht në artikullin “Për klasifikimin e turqizmave në gjuhën shqipe” (Abazi, 1995).

Huazimi dhe përdorimi i formateve të burimit të turqishtes në shqipe është tjetër çështje e trajtuar hollësishëm. Punimi më i vëllimshëm është teza e masterit (e pabotuar) me titull Türkçeden Arnavutçaya geçmiş ekler ve bunların ses, şekil, anlam bakımından uğradığı değişiklikler [Ndajshtesat e burimit turk në shqipe dhe ndërrimet që kanë pësuar në rrafshin fonetik, morfologjik dhe semantik] (1996). Kjo punë është ndjekur nga artikujt shkencorë “Vështrim i përgjithshëm mbi formantet turke në fjalëformimin e shqipes” (Abazi, 1996) dhe “Arnavutçadaki Türkçe Yapım Ekleri ve Bunların Anlamsal Değerleri” [Ndajshtesat fjalëformuese të burimit turk në shqipe dhe semantika e tyre] (Abazi-Egro, 1999)”.

Një studim tjetër në fushën e gjuhësisë është teza e doktoraturës me titull XX. yüzyılda Türkiye Türkçesinde “çağdaşlaşma” ve “kadın” kavramlarıyla ilgili söz varlığında görülen değişmeler [Zhvillimi semantik i koncepteve të ‘modernizimit’ dhe ‘gruas’ në turqishten e shek. XX] (2006, e pabotuar), një kontribut që i kushtohet tërësisht fushës së turkologjisë. Një tjetër kontribut në këtë fushë është artikulli “Dünyada ve Türkiye’de Anlam ve Kelime Değişmelerine İlişkin Araştırmalar Münasebetiyle” [Rreth studimeve mbi ndërrimet semantike dhe leksikore në botë dhe në Turqi] (Abazi-Egro, 2009b), i botuar në një përmbledhje të artikujsh në nderim të Prof. Dr. Hamza Zülfikar, mentorit të saj në studimet master dhe doktorale.

Një kontribut shumë i vlefshëm në fushën e studimeve gjuhësore është artikulli mbi studimet turkologjike në Shqipëri “Arnavutluk’ta Türkoloji Çalışmaları” (Abazi-Egro, 2002), ku shqyrtohen në mënyrë analitike kahet dhe arritjet e studimeve mbi huazimet turke në gjuhën shqipe. Ky artikull është një burim i vyer pasi më një anë sjell në vëmendje prurjet e ndryshme të studiuesve shqiptarë dhe të huaj, duke ndjekur jo vetëm qëndrimin e gjuhëtarëve, por edhe qëndrimin ndaj turqizmave që kanë mbajtur në kohë të ndryshme intelektualët, botuesit dhe instancat shtetërore (si pjesë e planifikimit gjuhësor); kurse më anë tjetër bën një paqyrë bibliografike që duhet ta ketë parasysh çdo studiues që mëton të merret me turqizmat në shqipe. në gjykimin tim ky është një nga artikujt që dëshmon njohjen e gjerë dhe të thellë që ka pasur Genciana Abazi-Egro rreth kësaj fushe. Siç reflektohet gjerësisht, një aspekt i veprimtarisë së saj shkencore ka qenë njohja e mirë e burimeve të ndryshme. Në këtë rast e kam fjalën sidomos për studimet e kolegëve. Nuk janë hiç të pakta burimet e kësaj kategorie që unë i kam njohur duke lexuar shkrimet e Genciana Abazi-Egros.

Një kontribut mjaft i vyer në fushën e studimit të turqizmave në shqipe është edhe evidentimi i turqizmave dhe listimi i tyre në një kapitull të posaçëm, në botimet kritike të veprës së Nezimit dhe të Hasan Zyko Kamberit. Evidentimi dhe listimi i këtyre fjalëve është një punë që kërkon njohuri të mirë të turqishtes, jo vetëm asaj moderne, por edhe të turqishtes së periudhës osmane.

Në studimet në fushën e gjuhësisë është e mundur në fakt të përfshihen edhe artikuj të tjerë, që do t’i përmendim më poshtë, si pjesë e kontributeve në studimet letrare, filologjike, historike e kulturologjike.

Studimet letrare dhe filologjike, historike e kulturologjike

Kontributi më i spikatur i Genciana Abazi-Egros përfshin punën botuese dhe studimet mbi tekstet shqipe me grafi arabe. Me formimin e saj solid, njohjen e gjuhëve të specialitetit (turqishtes dhe osmanishtes), dëshirën, pasionin dhe durimin ajo ka qenë e prerë fiks për këtë punë. Në këtë sipërmarrje të vështirë ajo ka qenë trashëgimtare, vijuese dhe përfunduese e punës së nisur disa dekada me herët nga studiuesi i shquar Osman Myderrizi, që është edhe gjyshi i saj nga nëna. Në kuadër të kësaj pune ajo ka arritur të botojë veprat e dy prej poetëve më të spikatur të letërsisë shqipe para shek. XX: Divanin e Nezim Beratit (ose Nezim Frakullës) (Abazi-Egro, 2009a) dhe Poezitë e Hasan Zyko Kamberit (Abazi-Egro, 2016a). Kjo është një punë e lodhshme, me ndërlikimet e veta dhe plot vështirësi, që më së miri ia njohin ata që kanë pasur rastin të merren më botimin kritik të teksteve të vjetra shqipe. Nezim Berati dhe Hasan Zyko Kamberi i përkasin një tradite letrare dhe një konteksti kulturor shumë të pasur dhe të vyer, por që për shkaqe kulturore dhe politike fatkeqësisht u mohua dhe u anatemua për një kohë të gjatë në Shqipëri – ky qëndrim i padrejtë mund të thuhet se ende vijon, edhe pse jo  në përmasat e dikurshme. Kontributi i Genciana Abazi-Egros në lidhje me këto vepra letrare shkon shumë përtej botimit të tyre kritik. Kjo studiuese i ka kushtuar një numër të madh artikujsh çështjeve të ndryshme që lidhen me këto tekste. Sidomos, ka qenë në qendër të punës së saj vepra dhe jeta e Nezim Beratit. Në sajë të këtij angazhimi të gjatë hulumtues ne sot njohim shumë më mirë jo vetëm veprën, por edhe autorin dhe mjedisin social e kulturor, ku ky ka jetuar dhe krijuar. Kështu, krahas hulumtimeve dhe shqyrtimeve me natyre sidomos filologjike dhe letrare, në të cilat janë diskutuar çështja e krijimit, kopjimit, përcjelljes dhe receptimit të teksteve letrare shqipe të traditës islame (Abazi-Egro, 2005); (Abazi-Egro, 2010); (Abazi-Egro, 2012); (Abazi-Egro, 2016b), duhen sjellë në vëmendje ato që e tejkalojnë këtë kufi disiplinar dhe ofrojnë një sintezë erudicioni dhe metodologjie me burimet historike të dorës së parë që hedhin dritë mbi shumë çështje dhe probleme, të para në prizmin e burimeve letrare të sipërpërmendura (që më së shumti kanë qenë të lëna mbas dore ose të përçmuara si të padenja), shih (Abazi-Egro, 2015). Këtu dëshiroj të përmend veçmas kontributin mbi vendin e familjes së Vlorajve në zhvillimin e kulturës shqiptare të periudhës osmane, si patronë të artit dhe poetë edhe vetë. Çështjet dhe problemet që diskutohen në këtë kontribut rrokin një sërë aspektesh (disa të paprekura më herët në studimet shqiptare, disa të tjera të pasjella në vëmendje sa duhet) që duhen mbajtur parasysh kur i qasemi veprave letrare të traditës islame por edhe letërsisë së lëvruar në Shqipërinë e periudhës osmane në përgjithësi (Abazi-Egro, 2014); (Abazi-Egro, 2019). Një tjetër kontribut mjaft i veçantë është artikulli i mbështetur mbi dy akte martese të Nezim Beratit, që gjenden në sherien e Beratit (Abazi-Egro, 2013).  Këtu, përveç sjelljes në vëmendje të dokumenteve, mes tjerash është diskutuar statusi social dhe pasuria e Nezimit, si dhe çështja e përdorimit në një dokument zyrtar (siç është akti noterial i martesës) të pseudonimit letrar Nezim krahas emrit të vërtetë Ibrahim, të poetit. Një përdorim i tillë i pseudonimit dhe emrit të vërtetë të një poeti nuk dëshmohet kund tjetër dhe e shton dijen mbi përdorimin e pseudonimit letrar në kontekstin osman, siç e ka vënë në dukje Genciana Abazi-Egro. Gjithnjë mbetet i mangët klasifikimi sipas etiketave konvencionale. Do të përmend si kontribute në fushën e historisë artikujt “Deti Adriatik dhe viset e Ballkanit në perceptimin e kronistëve osmanë të shek. XV” (Abazi-Egro, 2006); dhe “On Concept of Turk in 18th Century Albanian Literature” (Abazi-Egro, 2016c), por në këtë grup mund të përfshihen pjesa më e madhe e artikujve, ashtu siç është krejt e lehtë (dhe madje e nevojshme) të lexohen si pjesë e disiplinave të tjera edhe këto dy artikuj.

Përkthime, recensione, publicistikë

Përveç punës hulumtuese dhe kërkimit shkencor, Genciana Abazi-Egro i ka kushtuar kohë dhe vëmendje edhe prezantimit të botimeve të ndryshme në Turqi mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ajo ka sjellë në vëmendjen e studiuesve shqiptarë një vepër të rëndësishme të albanologut Necip Alpan mbi lindjen e alfabetit shqiptar (Abazi-Egro, 1993). Një kontribut i shumë i veçantë në këtë drejtim është prezantimi që i ka bërë librit të Ali Emirit, mbi poetët e Vilajetit të Shkodrës. Një kontribut i rrallë ky dhe me vlerë të madhe për njohjen e lëvrimit në trojet shqiptare të poezisë në gjuhët klasike të kontekstit islam (turqishte, persishte, arabishte). Ky shkrim i shkurtër është bërë shtysë për një sërë artikujsh nga studiues të tjerë shqiptarë, ku trajtohen çështje të ndryshme mbi të dhënat që ofron kjo vepër.

Përkthimi është një tjetër fushë e kontributit të Genciana Abazi-Egros. Po lejohem të veçoj dy kontribute me vlerë nga fusha e studimeve turkologjike: Sjelljen në gjuhën shqipe të veprës mbi Sami Frashërin të Agâh Sırrı Levend-it (Levend, 2004), që ka mundësuar njohjen nga lexuesi shqiptar i një vepre themelore në gjuhën turke mbi Sami Frashërin dhe të qasjes ndaj figurës së Sami Frahsërit në akademinë turke. Si dhe përkthimin (bashkë me Dritan Egron) i manualit mbi studimet osmane Qytetërimi Osman përgatitur për botim nga dekani i studimeve osmane Halil İnalcık dhe Günsel Renda (İnalcık & Renda, Qytetërimi Osman, Vol.1, 2018a); (İnalcık & Renda, Qytetërimi Osman, Vol. 2, 2018b).

Genciana Abazi-Egro ka pasur kontribut edhe shtypin e përditshëm duke sjellë me një gjuhë popullarizuese teza dhe të dhëna nga shkrimet akademike, qoftë në formë intervistash, qoftë në formë shkrimesh. Kjo ka bërë që prej punës së saj të përfitojë edhe publiku i gjerë, që mund të ketë më pak prirje dhe interes për t’iu drejtuar shtypit të specializuar shkencor. Të gjithë këto materiale unë mendoj së i kanë shërbyer më së miri divulgimit të njohurive prej një burimi të sigurt. Janë të tilla gjithnjë, edhe në rastet kur gazetarët apo botuesit e gazetave nuk kanë përtuar të sajojnë tituj gjithfarësh si karrem për lexime e klikime, (që besoj se e ndjera Gencianë duhet t’ia ketë falur me mirësi dhe durim) për shkak se poshtë titullit teksti i artikullit ka folur siç e ka thënë studiuesja, jo si ia ka vënë emrin gazeta.

Do të kisha dashur që këtë shkrim ta kisha pasur mundësi për ta shkruar në nderim të punës dhe të kontributeve të Genciana Abazi-Egros, për t’ia paraqitur asaj vetë në një rast të veçantë: ndoshta një përvjetor, kur kolegë që nderojnë dhe njohin punën e njëri-tjetrin mblidhen për t’i paraqitur falënderimet, mirënjohjen dhe vlerësimin për punën e bërë një kolegeje që ka  bërë një udhë të gjatë dhe ka hapur udhë të reja në disiplinën e vet duke i përcjellë edhe urimet më të mira për një jetë sa më të mirë, të begatë e të gjatë. Genciana Abazi-Egro, njëmend, ka bërë një udhë të gjatë dhe ka hapur edhe udhë të reja në disiplinën e vet. Por u nda nga kjo jetë në një moshë që konsiderohet ndër më prodhimtaret për studiuesit, kur gjithë ata që e njihnin, ata që i njihnin punën pritnin të lexonin një tjetër shkrim, një tjetër studim të sajin.

Qofsh e xhenetit Gencianë!

(c) 2024 Fatos Dibra. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Burime

[Shënim: bibliografia e mëposhtme nuk është bibliografi e plotë e studimeve dhe botimeve të Genciana Abazi-Egros]

Abazi, G. (1995). Për klasifikimin e turqizmave në gjuhën shqipe. Në M. Pirraku, R. Boja, M. Hysa, Q. Morina, I. Rexha, & R. Rexhepi (Red.), Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (Simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992) (f. 345-350). Prishtinë: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Redaksia e Botimeve Historike.

Abazi, G. (1996). Vështrim i përgjithshëm mbi formantet turke në fjalëformimin e shqipes. Në Seminari XVIII Nërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë de Kulturën Shqiptare (Përmbledhje e ligjëratave, referimeve, kumtesave dhe e diskutimeve. Tiranë 19-31 gusht 1996) (f. 775-779). Tiranë: Toena.

Abazi-Egro, G. (1993). Nexhip P. Alpan: “Si lindi alfabeti shqip?” (Arnavut alfabesi nasıl doğdu?), Ankara, 1979. Gjuha Jonë(1-4), 135-137.

Abazi-Egro, G. (1997). “Poetët e Shkodrës dhe vepra të tjera të Ali Emirit” [Mbi librin e përgatitur nga Hakan T. Karateke]. Perla(1), 149-150.

Abazi-Egro, G. (1999). Arnavutçadaki Türkçe Yapım Ekleri ve Bunların Anlamsal Değerleri. Türk Dili Araştırmaları Yıllığı Belleten, 59-78.

Abazi-Egro, G. (2002). Arnavutluk’ta Türkoloji Çalışmaları. Bilig, 21, 1-20.

Abazi-Egro, G. (2005). Sami Frashëri dhe letërsia e bejtexhinjve: një sprovë e parë për botimin e Divanit të Nezim Frakullës. Studime Filologjike(1-2), 119-164.

Abazi-Egro, G. (2006). Deti Adriatik dhe viset e Ballkanit në perceptimin e kronistëve osmanë të shek. XV. Në F. Duka (Re.), Skënderbeu dhe Evropa (Përmbledhje kumtesash) (f. 168-176). Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë.

Abazi-Egro, G. (Re.). (2009a). Nezim Berati – Divani shqip. Tiranë: Toena.

Abazi-Egro, G. (2009b). Dünyada ve Türkiye’de Anlam ve Kelime Değişmelerine İlişkin Araştırmalar Münasebetiyle. Turkish Studies, 4(3), 841-870.

Abazi-Egro, G. (2010). Nga dorëshkrimet në botimet kritike: mbi procesin e njohjes së letërsisë së bejtexhinjve. Studime Filologjike(3-4), 169-184.

Abazi-Egro, G. (2012). Një përpjekje e hershme për njohjen e teksteve shqipe: Dervish Sali Ashkiu nga Tepelena dhe versioni i tij i Divanit shqip të Nezim Beratit. Studime Filologjike(1-2), 209-217.

Abazi-Egro, G. (2013). Dy dokumente të panjohura mbi jetën e poetit Nezim Berati (shek. XVIII). Studime Historike(1-2), 265-271.

Abazi-Egro, G. (2014). Familja dinastike Vlora dhe kultura shqiptare e shek. XVIII. Në B. Meta (Re.), 100 vjet Pavarësi: Aktet e Konferencës Shkencore Ndërkombëtare Tiranë 26-27 nëntor 2012 (f. 459-468). Tiranë: Botimet Albanologjike.

Abazi-Egro, G. (2015). Trashëgimia letrare dhe procesi i kombformimit modern tek shqiptarët. Studime Filologjike(3-4), 173-188.

Abazi-Egro, G. (Re.). (2016a). Hasan Zyko Kamberi – Poezi. Tiranë: Botimet Albanologjike.

Abazi-Egro, G. (2016b). Një përpjekje për lëvrimin e trashëgimisë së hershme letrare: Zef Jubani dhe letërsia e bejtexhinjve. Studime Filologjike(1-2), 83-94.

Abazi-Egro, G. (2016c). On Concept of Turk in 18th Century Albanian Literature. Anali Gazi Husrev-begove biblioteke, 37, 167-177.

Abazi-Egro, G. (2019). Literary Patronage of the Albanian Vlora Dynastic Family, 1670-1764. Polis(18), 5-21.

Balcı, M., & Dibra, F. (2020). Arnavutluk’ta Türkoloji. Në Ö. Emiroğlu (Re.), Avrupa’da Türkoloji (f. 69-116). Ankara: Akçağ.

İnalcık, H., & Renda, G. (Red.). (2018a). Qytetërimi Osman, Vol.1. (D. Egro, Përkth.) Tiranë: ALSAR.

İnalcık, H., & Renda, G. (Red.). (2018b). Qytetërimi Osman, Vol. 2. (G. Abazi-Egro, Përkth.) Tiranë: ALSAR.

Kırbaç, S. (Re.). (2012). Balkan Türkoloji Tarihçesi ve Balkan Türkologları. Ankara: T.C. Kültür ve Türizm Bakanlığı Araştırma ve Eğitim Genel Müdürlüğü.

Levend, A. S. (2004). Sami Frashëri. (G. Abazi-Egro, Përkth.) Tiranë: Dituria.


[1] Me sa kam dijeni, në Turqi kanë pasur rastin të kryejnë specializime dhe studime pasuniversitare edhe studentë të tjerë nga Shqipëria, qysh para viteve 1990. Por këta kanë qenë përgjithësisht specializantë në fushën e historisë, të cilët në Turqi kanë ndjekur programe studime ose kurse me drejtim historinë e Perandorisë Osmane [Studentë që kanë ndjekur programe specializimi të gjuhës, letërsisë dhe filologjisë si turkologë, me sa dimë, nuk ka pasur.]. Kurse angazhimi (i tyre) me gjuhën nuk ka qenë si specialistë të gjuhës dhe letërsisë turke apo gjuhësisë, por si ndjekës të kurseve për nxënien e turqishtes si gjuhë e huaj ose përmirësimin e njohurive që kishin marrë më herët me mundësitë që ofronte Shqipëria në atë kohë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin