PA GJUHË NË GJUHË

Më kujtohet që ime më, për të përshkruar dikë që rrinte pa folur në një bisedë, përdorte shprehjen “si prifti pa gjuhë.” E kam pyetur se ç’ka qenë ky prift pa gjuhë, por nuk ka ditur të më thotë.

Bëj tani një kërkim në Google, më dalin disa pak hite, por asnjë shpjegim.

Shqipja është e pasur me krahasime të tilla, të cilat i referohen – herë drejtpërdrejt herë tërthorazi – një historie të shkurtër, një anekdote, një përralle a rrëfimi tjetër.

Si rregull, krahasimet shërbejnë për t’i dhënë qartësi e gjallëri asaj që thuhet, nëpërmjet ilustrimit me diçka që është e njohur për bashkëbiseduesit.

Për shembull, kur themi për dikë që “flet si miza në qyp”, e riprodhojmë më qartë imazhin që kemi në mendje.

Ideja në raste të tilla është që një gjë e njohur, p.sh. zhurma që bën një insekt që fluturon brenda në qyp, të përdoret për të pikturuar me ngjyra të gjalla një gjë më pak të njohur – mënyrën si flet dikush.

Edhe shprehja “si prifti pa gjuhë” duhet t’i jetë referuar ndonjë historie, me një prift që nuk fliste dot, sepse nuk kishte gjuhë. Kjo histori dikur do të ketë qenë aq e njohur, sa imazhi të nxirrej prej saj dhe të përdorej në ligjërim – duke qenë folësi i sigurt se po evokonte një situatë familjare për të gjithë.

Mirëpo kur historia me priftin pa gjuhë u harrua, atëherë edhe krahasimi “si prifti pa gjuhë” nuk funksionon dot normalisht. Pjesëmarrësit në bisedë e kuptojnë se ç’do të thotë “prift pa gjuhë”, por nuk e ankorojnë dot këtë shprehje te ndonjë histori a rrëfim që kanë në kujtesë, edhe pse e dinë që një histori a rrëfim i tillë ka pasë ekzistuar.

Ime më do të jepte, me siguri, një shpjegim tautologjik: “prifti pa gjuhë – po ja, që nuk fliste, sepse nuk kishte gjuhë.”

Këtu, për të funksionuar akoma, shprehja duhet shkëputur nga rrëfimi përkatës, duke u idiomatizuar. E megjithatë, ndryshe nga krahasime të tjera, të llojit “si kripa në ujë” (p.sh. “u tret si kripa në ujë”), të cilat i referohen një situate stereotipike ose rutinë, kjo “si prifti pa gjuhë” nuk e bën mirë punën, e pashoqëruar me rrëfimin në sfond.

Dukurinë e gjej në shprehje që lidhen me personazhe ndonjëherë të quajtura me emër: “si e ëma e Zeqos (majë thanës)”, “do ta [bësh këtë ose atë], si Çeçua”, “si Xhaferri simiten”, “ka Çeçua biçak”, “gjindet Kola në punë,” “për mustaqet e Çelos”, “ku të dhëmb e ku të ther, o xha Ymer”, “bir Selman i nënës”. Shumë nga këto histori tanimë janë zbehur e kanë humbur; shumë prej përdoruesve të shprehjeve nuk i dinë më. Heronjtë e tyre duket sikur u kanë mbijetuar dhe tani e çojnë jetën rrënjëdalë.

Dhe ngaqë rrëfimet përkatëse shpesh janë harruar, mund të ndodhë edhe që këto të ngatërrohen me njëra-tjetrën, dhe të kalohet nga “e humbi si Xhaferri simiten” tek “e hëngri si Xhaferri simiten” – kjo e fundit një variant i kontaminuar i “e hëngri si gega sapunin.[1]

Njëlloj funksionojnë edhe frazeologji që nuk përmbajnë emra të përveçëm, por që gjithnjë kanë nevojë të mbështeten në një histori a rrëfim, për të përcjellë kuptim, p.sh. “më rrove të rrova, brisku i berberit”, ose “merre me lëng”. Kuptimi i këtyre nuk mund të dalë nga analiza e thënies vetë – ka nevojë për referencën e heshtur, drejt historive, rrëfimeve, anekdotave të bashkëndara nga komuniteti; të cilat njëherazi e mbështetin këtë komunitet “nga poshtë”.

E megjithatë, gjurmët u kanë mbetur në gjuhë; ndonjëri madje do të thoshte: rrëfime të tilla vijnë të vdesin në gjuhë. Ndonjëherë folësi improvizon dhe e sajon një histori aty për aty – “ishte njëherë njëri, e kishte emrin Zeqo, dhe nuk po e gjente nënën e vet plakë, filloi ta kërkonte nëpër fshat, dhe u habit kur e pa nënën të hipur në thanë, duke u folur që andej të gjithëve që kalonin…” etj.; historia mund të përshkruajë një plakë pak të rrjedhur, por në këtë rast është shprehja, që përdoret si pikënisje për të improvizuar rrëfimin. Improvizime të tilla nuk janë të pangjashme me etimologjitë popullore, ose ri-analizën e fjalëve.

Ime më, së cilës ia kam dëgjuar këtë “si prifti pa gjuhë”, vjen nga një kulturë qytetare myslimane; çfarë duhet mbajtur parasysh, nëse duam të qëmtojmë historinë e priftit.

Kujtoj edhe se prerja e gjuhës, si dënim, nuk ka qenë edhe kaq e panjohur, në Mesjetë. E përmend edhe Bibla (Proverbat 10:31, Makabejtë 15:33-39). Si formë ndëshkimi, prerja e gjuhës ia hiqte dikujt mundësinë për të komunikuar – në një shoqëri ku shumica dërrmuese ishin analfabetë.

Gjithsesi, prerja e gjuhës do parë si formë simbolike e heqjes së “lirisë së fjalës.” Qarkullon një histori për një kalif në Egjiptin e shekullit XI, Al-Hakim bi-Amr Allah, i mbiquajtur në Perëndim “Kalifi i çmendur”, i cili e pat ndaluar përdorimin e gjuhës kopte – edhe në rrugë, edhe në shkolla, edhe në shtëpi. Ata që kapeshin duke e folur koptishten, dënoheshin me prerje të gjuhës (gjuhë për gjuhë).

Të ketë filtruar kjo histori a legjendë deri në Gjirokastrën e shekullit XX?

Që “prifti” i shprehjes “si prifti pa gjuhë” nuk është një prift çfarëdo, që hesht, por protagonisti i një historie së cilës tani i ka mbetur vetëm hija, e tregon edhe forma e shquar: “prifti”. E cila i referohet, në thënie, temës ose pjesës së njohur të thënies. Në një nivel tjetër, trajta e shquar shënjon një personazh të njohur për ata që flasin, por që mund të jetë i panjohur për të tjerët – ose një mënyrë për të dalluar in-grupin nga out-grupi.

Prandaj edhe tundohem që trajtoj këtë “prift pa gjuhë” si personazhet me emër, “e ëma e Zeqos”, “Xhaferri”, “Çeçua”, “Kola” – të cilët vijnë me status të ngjashëm me heronjtë e përrallave dhe të legjendave, paçka se, si ajsbergut, edhe atyre pjesa më e madhe u mbetet nën ujë, e fshehur, e parrëfyer. Pa gjuhë.

 

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është trajtuar me AI.

P.S. Mbase ndonjë lexues ndihmon me historinë a rrëfimin për priftin e heshtur.


[1] “Gega” te kjo shprehje, me gjasë i referohet shitësve të produkteve të ndryshme ushqimore dhe të përdorimit të përditshëm të paktën në Tiranë, që ndoshta vinin nga zonat pak më në veri të qytetit. Kur isha unë fëmijë, “gega” quanim atë që vinte me karrocë, për të shitur karamele, hallvasi të bardhë dhe kallam sheqeri ndanë rrugës në mëhallë.

2 Komente

  1. Në Gjirokastër gjyshërit e mi më përcollën shprehjen “kokoshi vuv”, nuk tundoheshin të shanin në fe! Për më tepër, konsideroj trashëgimë tonë si të krishterë, dhe kuptoj se shkollimi më i mirë ishte i krishter, i nisur para ardhjes së osmanëve

    1. Por kjo “si prifti pa gjuhë” nuk është sharje, dhe aq më pak “sharje në fe”. Shqipja ka sa të duash shprehje e frazeologji me prift e me hoxhë, që nuk i merr kush “sharje në fe”. Më vjen keq që “trashëgimia juaj e krishterë” nuk jua paska hapur pak mendjen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin