nga Bujar Meholli
Qershori i vitit 1924 u duk sikur grisi napën e një Shqipërie të rrëgjuar, feudale e reaksionare. Megjithëse, siç thoshte Luigj Gurakuqi në Popolo d’Italia, nuk ishte tamam revolucion i vërtetë, por grusht shteti, përmes tij Fan Noli arriti në qeveri. Kjo përmbysje – pa gjakderdhje a përdorim të forcës e dhunës revolucionare – erdhi si shkak i revoltës ushtarake ndaj regjimit të Zogut, çka bëri që të jetësohet ky si grusht shteti. Ardhja e Nolit në pushtet, gjithsesi nënkuptonte një forcë të re qeverisjeje, ani pse problemet e shumta ishin evidente. Thekso këtu, veçmas, kolapsin financiar. Grupi i Nolit nis e shihet si nacionalist. Por problemet do të fillonin menjëherë mu brenda grupit revolucionar, ngase mungesa e një koherence qe e pashmangshme, edhe pse fitorja e revolucionit të qershorit shënonte një etapë të re e të rëndësishme në zhvillimin historik të popullit shqiptar, me detyrën e parë themelore – organizimin e pushtetit të ri demokratik.[1] Duket sikur më tepër ky përbashkim mikst u bë më fort nga vrulli makut për ta shpënë nga pushteti Zogun sesa për të krijuar vërtet sistem të mirëfilltë demokratik. Këtu janë premisat e para të një moskuptimi ndaj asaj çfarë synonte të arrinte Noli. Kishte një unitet të dobët ideologjik ndërmjet tri qendrave kryesore të opozitës – Vlorë, Shkodër dhe Krumë, dhe secili fraksion kishte pak a shumë programin e tij, ishte e vështirë që të formohej një kabinet që të kënaqte interesa kaq të ndryshme.[2] Mes diferencash, u deshën ca kompromise përtë arritur te formimi i një kabineti, duke e lënë Komitetin e Kosovës jashtë. Fan Noli, kryeministër; Sulejman Delvina, ministër i Jashtëm; Luigj Gurakuqi, ministër i Financave; Stavro Vinjau, ministër i Arsimit; Kasëm Qafzezi, ministër i Ushtrisë; Rexhep Shala, ministër i Brendshëm; Qazim Koculi, ministër i Bujqësisë dhe Xhemal Bushati, ministër pa portofol. Një kabinet si ky varionte midis kontradiktave. Nga Noli, që kishte vizione demokratike dhe ishte i paepur për të rrëzuar njëherë e mirë sistemin e vjetër të çifligarëve, edhe nëse duhej përdorur metoda radikale, makiaveliste, për ta arritur synimin – demokratizimin e plotë të Shqipërisë, krijimin e një shteti funksional, me institucione dhe ligje, te Gurakuqi që kishte pikëpamjet e tij, ani pse të moderuara, jo në një linjë me Nolin dhe revolucionin. Vinjau ishte ai që deri diku përbashkohej me Nolin, por jo Qafzezi karrierist apo Shala që thelbësisht nuk ishte kundër përmbysjes së rendit çifligar, më tepër ishte për luftë pushteti kundër çifligarëve të mëdhenj. Këto plasaritje përbrenda kabinetit, evidente, vetëm sa u shquan në vijimësi deri në rënien e plotë të Nolit dhe rikthimin e Zogut në pushtet. Noli, të cilin e mbështetnin shoqëria Bashkimi dhe federata Vatra, ishte tejet i vendosur për një rend të ri, për këtë s’duhej kursyer asnjë mjet radikal, madje totalitar. Qoftë bejlerët liberalë, qoftë katolikët e Shkodrës, preokupoheshin për pabarazitë që kishin ekzistuar qysh moti dhe nga pushteti i ri mëtonin secila palë të mbronte interesat e veta: Shkodra duke kërkuar vëmendje si qytet me epërsi kulturore e historike, bejlerët që përkrahën Nolin, qenë më tepër të etur për pushtet, sesa për ndryshime rrënjësore shtetërore. Në mesin e luftës së revolucionarëve me Ahmet Zogun përmes gazetave dhe fjalimeve, vrasja e Avni Rustemit ishte shkaku kryesor që nisi grushtin e shtetit. Pasi e ngriti lart figurën e tij, Noli, me gjuhë të zjarrtë ftoi popullin që të mos jetë indiferent ndaj kësaj vrasjeje të kryer, sipas tij, nga bashibozukët dhe antikombëtarët. Revolucioni demokratik ngadhënjeu. Noli mori pushtetin dhe hodhi idenë e normalizimit të situatës, nisjen e një epoke të re për popullin e vuajtur shqiptar. Edhe këtu shohim se Noli thërret besimin fetar kur shprehet se do ta zbatonte gradualisht programin me ndihmën e Zotit dhe mbështetjen e popullit.[3]
Noli zotohej ta ndërkombëtarizonte çështjen kosovare, por Komiteti i Kosovës, më tepër sesa për reformat, angazhohej për Shqipërinë etnike, ndaj aleatët e tyre donin t’ia përshtatnin veçse këtij qëllimi. Duhet theksuar niveli i dobët kulturor dhe mungesa e mendimit kritik në masë. Populli, veçanërisht fshatarësia, të cilën Noli pretendonte se e përfaqësonte, nuk ua kishte haberin reformave. Të zhytur në një analfabetizëm kronik të shkallës së lartë, ata nuk interesoheshin fare për atë që po ngjante bri tyre, kurse natyrshëm fshatarësia konservatore ngelej nën thundrën e bejlerëve dhe reaksionarëve. I ndodhur në mes të kësaj situate, Noli, republikan i vendosur, sikur vihet me shpatulla pas muri, i pakuptuar dhe i tradhtuar. Në radhët e tij kishte njerëz që po t’i gërvishtje pak, dilnin monarkistë dhe nuk donin ta prishnin statukuonë. Duke pasur qëllim parësor mundjen dhe rrënimin e aristokracisë shqiptare, të pronarëve të tokave, të çifligarëve të mëdhenj, si Shefqet Vërlaci, qeveria e Nolit përpilon programin (duket si tejet i moderuar për meskinitetin shqiptar, e përgjithësisht ballkanas) prej 20 pikash:
- Çarmatimi i përgjithshëm dhe pa përjashtim.
- Dënimi i shkaktarëve të vëllavrasjeve dhe agjentëve kryesorë me ekspulsim dhe konfiskim të pasurisë ose me ndëshkime të tjera sipas masës së përgjegjësisë individuale.
- Ristabilizimi i qetësisë, i rregullit dhe i mbretërimit të ligjit.
- Lartësimi i autoritetit të shtetit mbi çdo fuqi personale ose ekstralegale.
- Shfarosje e feudalizmit, çlirim i popullit dhe vendosje definitive e demokracisë në Shqipëri.
- Reformë radikale e të gjitha degëve të administratës civile e ushtarake.
- Shkurtimi i burokracisë dhe pakësimi e pastrimi i nëpunësve. Në emërimin e tyre marrje parasysh, përveç zotësisë e moralit, edhe patriotizmi.
- Sigurimi i të drejtave, si dhe caktimi i përgjegjësisë së nëpunësve sipas një ligji tëveçantë.
- Organizimi i bashkive për të përmirësuar gjendjen e katundeve e katundarëve, me kompetencë të gjerë mbi çështje lokale.
- Balancimi i buxhetit me kursime radikale.
- Ndërrimi i sistemit të taksave në mënyrë që të lehtësohej populli.
- Përmirësimi i gjendjes së bujkut dhe pavarësia ekonomike e tij.
- Lehtësimi i hyrjes së kapitalit të huaj, mbrojtja dhe organizimi i kapitalit të vendit.
- Lartësimi i prestigjit dhe kredibilitetit të shtetit në botën e jashtme.
- Independencë e vërtetë e gjyqeve.
- Reformë radikale e kanuneve gjyqësore të vjetruara.
- Ndreqje e udhëve dhe urave dhe përkujdesje e veçantë për të gjithë komunikacionin e shtetit.
- Organizimi i degës së shëndetësisë për të luftuar sëmundjet që po shembin popullin.
- Organizimi i degës së arsimit mbi baza moderne kombëtare e praktike, në mënyrë që prej shkollave tona të dilnin qytetarë të vlefshëm, patriotë e punëtorë të mirë.
- Marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet, veçanërisht me fqinjët.
Ky program, s’do mend, ishte tejet progresiv për gjendjen kulturore-politike të shqiptarëve atëbotë. Duke implementuar secilën pikë, Noli aspironte revolucionin dhe vendosjen e sistemit të ri ku sundonte ligji. Siç thoshte: detyra jonë tani është ta çlirojmë kombin nga memurët dhe xhandarët kapadainj, shtypës e jeniçerë, ta mbrojmë nderin, jetën, pasurinë dhe të drejtat me anën e ligjit, duke provuar se shteti është mbrojtës e baba i mirë i popullit.[4] I vetëdijshëm për mungesën e unitetit mes shqiptarëve, atij i duhej ta shtrinte autoritetin gjer aty sa të zbatohej programi duke eliminuar, po qe nevoja me forcë, çdo pengesë, derisa ndër shqiptarët konservatorë e indiferentë të vendosej demokracia, sundimi i ligjit, reforma agrare e konfiskimi i pasurisë së pronarëve të tokave që kishin krijuar perandoritë e tyre aristokratike. Jehonë programit të Nolit i bënte shtypi liberal shqiptar, kurse Bashkimi u bë mbështetësi kryesor, ngase kjo organizatë ishte apriori kundërshtuese e regjimit monarkik të Zogut. Kjo vendosmërisht u angazhua në luftën kundër feudalizmit dhe mend u bashkua me Nolin. Ajo që kërkohej me ngulm, ishte kthesa rrënjësore, reforma urgjente. Kjo përfshinte ndryshime të mëdha në indin e politikës, arsimit, ushtrisë, shtypit; nga çarmatimi, denoncimi i plëngprishësve, te siguria dhe pavarësia ekonomike me reformën agrare. Një proces kolektiv politik, jo i ekspertëve dhe profesionistëve…[5]
Vizioni i Nolit ishte i pakapërdishëm për mendësinë prapanike, kolektive, shqiptare. Çarjet brenda kabinetit u bënë të dukshme. Disa, si Qafzezi, ishin kundër konfiskimit të pasurive. Nga elementë kundërshtues të Nolit, kjo pikë e programit u pa si manovër e stilit bolshevik. Qeveria e Nolit intensifikoi masat radikale kundrejt armiqve, pushoi nga puna perfektë e nënprefektë, hoqi leje për përdorim armësh dhe ndaloi mbledhjet e fshehta, gazetat kontrollohen dhe dënoheshin kundërshtuesit. Ky makiavelizëm i Nolit, kjo aurë diktatoriale, ndikoi gjithashtu në krijimin e reputacionit negativ në botën perëndimore; ai kritikohet për autokraci dhe regres. Revista The Near East e kritikon për kthim te censura dhe kontrolli shtetëror. Bashkimi vazhdonte punën e palodhur revolucionare aktivisht, por kërkonte përshpejtimin e revolucionit, derisa Shala-Qafzezi shpallnin me dekret se prona private do të respektohej. Kështu pika të rëndësishme të programit ngelnin veçse në letër, si fjala vjen, reforma agrare dhe arsimi. Nuk arrihej dot mobilizimi i fshatarësisë, as përgjithësisht iluminizmi shqiptar, aq i kërkuar. Pozicioni qeverisës i Nolit dobësohej gradualisht. Vajtja në Lidhjen e Kombeve me Luigj Gurakuqin për të kërkuar hua për trajtimin e problemeve pezull dhe për mbrojtjen e çështjes kosovare, sikur shënjon shprishjen përfundimtare të qeverisë së tij. Duke shfrytëzuar mungesën dymuajshe, bejlerë e reaksionarë nëpër mitingje antifeudale bënin dekrete në mbrojtje të pronës private, duke i dënuar për agjitacion kundërshtuesit dhe tentonin ta ndalonin dhunshëm ndikimin e Bashkimit; qeveria e Nolit u përça përbrenda. U shpërbë dalëngadalë, duke e privuar kështu legjislacionin përparimtar. Pa e marrë dot huan, i papranuar nga Perëndimi e nga Jugosllavia (këta të fundit e shihnin Nolin dhe turbullirat në Shqipëri si propagandë bolshevike, kurse kryeministrin shqiptar si autoritar, i cili u kishte marrë me forcë pronat të gjithë bejlerëve që nuk e kishin pranuar sundimin e tij duke i degdisur jashtë Shqipërisë; po ashtu atyre u konvenonte rrokopuja shqiptare dhe jo stabilizimi politik), nën trysni të madhe, i rrezikuar nga Zogu në sfond, i pakuptuar, Noli gjendej në udhëkryq. Kërkohej edhe dorëheqja e tij. Programi sistematik nuk u vu në funksion. Atë pakënaqësi grushti i shtetit ndaj Zogut, nga një konglomerat individësh tek të cilët pleksej karrierizmi, konservatorizmi, pasurimi i shpejtë, antagonizmat krahinorë e xhelozitë mes bejlerëve, Noli synoi ta shndërronte në revolucion shoqëror për të arritur progresin. Nuk ia doli. Këtu qëndron moskuptimi i madh nga bashkëkombësit e tij, amullia që u krijua gjatë kohës sa qeverisi.
Kryeministri Fan Noli ndodhej në një ambient të vështirë për t’i implementuar ato që synonte. Vizionet për funksionim të shtetit dhe demokraci të shëndoshë, fqinjësi të mirë, rregull e llogaridhënie, ishin të vagullta përbrenda një Shqipërie gjysmëanalfabete, ku elementë të konservatorizmit e bejlerizmit mbanin nën thundër vegjëlinë, duke krijuar pasuri marramendëse në kurriz të tyre. Noli s’qe në gjendje të përshtatej dot në klimën e nderë ballkanike të politikave regresive e sejmenëve; në planin personal, Noli njihet për kokëfortësinë, ndaj nuk pranonte lehtë kompromise. I mbrusur me idenë se ishte dërguar për të mbrojtur interesat shqiptare, provoi në të gjitha mënyrat realizimin e këtij revolucioni demokratik, duke mos kursyer as censurën, luftën ndaj kundërshtarëve dhe shtrirjen e autoritarizmit. Por kjo demokraci e amullt, iluzioniste, nuk i bindi dot Fuqitë e Mëdha, të cilat nuk e përkrahën, madje te Noli panë njeriun e rrezikshëm që mund t’i sillte kokëçarje gjithë rajonit, kurse Shqipërinë një vend për të cilin s’ia vlente barra qiranë të tregohej interes më i madh.
Në Bibël, te Ungjilli i Lukës, hasim këto vargje mjaft të ngjashme me të Nolit që i shkroi më pas i zhgënjyer, larg atdheut. Edhe pse shohin, ata nuk shohin asgjë, edhe pse dëgjojnë, nuk kuptojnë asgjë…[6] Bota poetike që krijoi Fan S. Noli më pas është e madhe dhe komplekse. Brenda saj janë kodet mitike dhe shenjat që e përshkojnë të tërën. Në tekstin letrar ato materializohen dhe krijojnë e hapin kuptime të reja me lidhjet e shumëfishta të tekstit poetik me mitin biblik. Fan S. Noli qëndroi për vetëm gjashtë muaj në krye të shtetit shqiptar. Me kundërreagimin e ndërmarrë nga Ahmet Zogu, Noli e humbi pushtetin. Nga kjo humbje dhe zhgënjim i thellë, mori rrugët e mërgimit. I frustruar nga ngjarjet politike, nga rikthimi i Zogut në pushtet dhe nga tradhtia e shokëve të revolucionit, i shkruan poezitë e Albumit, që nuk mund të lexohen pa referencën politike.
Në kështjellë t’atdheut, në tempull të fesë
janë shtruar sarafët pa shpirt e pa besë,
tregtojn’ e gënjejnë, rrëmbejn’ e sfrutojnë,
thon’ ashtu Israelin e mbrojn’ e shpëtojnë.
Shtrembërojnë kanunet, i marrin në dorë,
dhe shkëlqejnë në kish’ e në fron me kurorë,
vegjëlia për ta batërdisen dhe vriten
dhe kështu parasitët gjakpirës po rriten.
Tradhëtori dinak, hipokrit e kusar
na u ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar;
nënë zgjedhën besnikët për vdekje lëngojnë,
se mëkat dhe mallkim kryengritjen kujtojnë.
Çdo i shenjt’ ideal, çdo shtëpi Perëndie
ishte bërë dyqan dhe pazar tregëtie:
kush fitonte më tepër, ay ishte usta,
dhe kush nukë plaçkittë ish krejt budalla.
Kur e pa këtë zi dhe këtë erësirë,
Krisht’ i ëmbël u-ndes dhe u-bë i vështirë:
me kamçik e me fshikull sarafët i dboj,
dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj.
Dhe Shën Pjetr’ i gëzuar ahere i tha:
“Ja tani e ke nisur tamam, or usta!
Me kërbaç e me shpatë mi ne mbretëro
dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto”.
“Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar,
se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar;
ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin,
se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin”.
Jesu Krishti s’dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun,
dhe me lot i penduar e hodhi kamçikun,
dhe i tha: “S’e ka fajin kurrizi, po truri,
se lirin’ e sjell drita e mëndjes, jo druri”.
“Merr-e prapë kamçikun, Shën Pjetri u-përgjeq,
se përndryshe kjo punë na del mos më keq.
Përkëdhel’ u kurrizin dhe do t’të besojnë,
vraj-i shtypi, dhe shtrydhi, dhe do t’adhurojnë”.
Jesu Krishti s’dëgjoj, dhe s’e mori vesh mikun
dhe s’u-unj përsëri që ta merrte kamçikun:
dhe e kapnë kamçikun sarafët për fenë,
dhe e shëmpnë çlironjësin, fen’ e atdhenë.[7]
Poezitë me motive biblike të Fan S. Nolit, përmes muzikalitetit të theksuar, përcjellin si mesazh kryesor luftën e përhershme mes hyjnores dhe djallëzores, mes së mirës dhe së keqes, dështimit dhe fitores; duke përdorur simbolet biblike, përshkruan realitetin shqiptar dhe luftën ndaj kundërshtarëve politikë. Noli ka dhënë kontribut mjaft të madh edhe në letërsinë teologjike dhe kishtare me anë të përkthimit të veprave biblike pasi që u shugurua prift. Si zotërues i gjuhëve të rëndësishme dhe i shquar për shkathtësinë e përkthimit, ai do t’u sjellë besimtarëve ortodoksë shqiptarë një sërë veprash me interes. Fan S. Noli e shihte veten si misionar në mesin e shqiptarëve. Ai e shihte veten si njeri të dërguar në tokën shqiptare për t’i prirë popullit, por kjo natyrisht nuk ishte një rrugë e lehtë sikurse nuk ishte për Jezu Krishtin. Kësaj figure dominuese në artin e tij dëshiron t’i ngjajë dhe të barazohet me të, sepse ashtu mund ta përhapte të vërtetën në popullin shqiptar dhe t’ua dëshmonte se ishte aty për ta, sepse pa shkrirjen e praktikave analitike me ato të shoqërisë, qëndrimet e njëjta, hierarkitë dogmatike, me konditat e përjashtimit dhe dominimit do të përsëriten vazhdimisht[8]. Kështu gjen pika të përbashkëta me Krishtin, duke e quajtur veten çlirimtar dhe kryetrim, Njeri-Perëndi, që vjen në mesin e shqiptarëve për t’i shpëtuar. Një Krisht-hero i mbron trojet shqiptare nga tradhtarët dhe dashakëqijtë.
Fan Noli dhe karriera e tij politike ngelen ndër episodet më interesante në historinë e kombit shqiptar. Një erudit, intelektual i zoti, i pashoq, pasionant, vizionar, revolucionar, u ngrit në majë të Shqipërisë, por nuk u kuptua dot. Iu desh t’i nënshtrohet presionit dhe të ikë larg atdheut, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej nga nuk u kthye më.
Megjithëse nuk u implementua, programi i Nolit, thelbësisht utopik, është pa dyshim ndër më përparimtarët në Ballkan, mbase më gjerë. Përmbysja e qeverisë së tij shënon njëkohësisht edhe fundin e përpjekjeve reale për një iluminizëm-politik shqiptar, për një mëtim të angazhimit qytetar drejt çlirimit, vendosjes së ligjit, mbrojtjes së lirisë individuale, të kundërvënies ndaj feudalizmit dhe imperializmit fqinj. Antizogistët gjithashtu u arratisën, kurse kthesa kundërrevolucionare e Ahmet Zogut, siç e quante Gjergj Dimitrovi, ndodhi. Fan Noli, poliedrik, me gjithë dështimin në emancipimin e popullit shqiptar, krijoi modelin e një politikani të moderuar dhe u bë pjesë e pandashme e historisë moderne shqiptare. Po të zbatohej në plotni programi progresiv i tij, gjendja socio-kulturore shqiptare, gjithsesi, do të ishte ndryshe.
(c) 2024 Bujar Meholli. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1]Historia e Shqipërisë, hartuar nga Aleks Buda, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Jusuf Alibali, Ndreçi Plasari, vëllimi i dytë, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë, 1965.
[2] Robert C. Austin, Shtegu i pashkelur i Nolit, botimi II, Albin, 2000.
[3]Joseph Swire, Albania, the Rice of a Kingdom, William&Norgate, London, 1929.
[4] Nga fjalimet e Nolit, Ligji është themeli i shtetit.
[5] Gilles Deleuze and Félix Guattari, Anti-Oedipus, capitalism and schizophrenia, translated by Robert Hurley, Mark Seem and Helen R. Lane, University of Minnesota Press, Minneapolis.
[6] Bibël, Luka, 8:10.
[7] Fan S. Noli, Albumi, Rilindja, Prishtinë, 1968.
[8] Félix Guattari, Soft Subversions, Texts and Interviews 1977-1985, SEMIOTEXT(E) FOREIGN AGENTS SERIES.
Abaz Ermenji e pershkruan si karagjozllek donkishotesk te gjithe meselene e grushtit te shtetit te 1924.Ndonese nga historiane amatore diku ne internet kam lexuar disa pike pyetje me vend mbi figuren e A Rustemit.P.sh si ka mundesi qe u shpall i pafajshem kur ishte kapur ne flagrance aq me teper pasi kishte vrare nje mik te Frances?