Mbaj mend, turbullt, nga fëmijëria një përrallë për dikë të cilit i kishin besuar një sekret të madh; aq të madh sa po e torturonte ditë e natë. Kish bërë bé të rëndë se nuk do t’ia thoshte kujt, por një ditë nuk duroi dot më, hapi një gropë në dhé, dhe ia tha gropës, para se ta mbulonte prapë. Kaluan vite, mbi gropë mbiu një kallam dhe kallami u rrit; një bari e pa kallamin dhe i pëlqeu dhe bëri me të një fyell; por kur filloi t’i binte, fyelli ra me fjalët e sekretit të dikurshëm. Nuk e kujtoj dot mirë këtë përrallë, as e identifikoj dot, por më erdhi në mendje lidhur me sa do të shkruaj në vijim.
Legjislacioni penal i viteve 1946-1990 përfshinte nene që dënonin krimin e “agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor” ose “shtetit të diktaturës së proletariatit”, të cilat janë interpretuar me të drejtë edhe si nene që kufizonin lirinë e fjalës.
I tillë ishte famëkeqi neni 55, “agjitacioni e propaganda kundër shtetit”, që përdorej për të përndjekur, arrestuar dhe dënuar ata që flisnin (i jepnin gojës, llapnin) kundër pushtetit, PPSH-së, Enver Hoxhës dhe kolegëve të tij dhe gjithçkaje tjetër që nuk mund të kritikohej as të përflitej.
Ky nen e përcaktonte kështu objektin e vet:
Agjitacioni e propaganda fashiste, antidemokratike, fetare, luftënxitëse, antisocialiste, si edhe përgatitja, përhapja ose ruajtja për përhapje e literaturës me përmbajtje të tillë për të dobësuar ose minuar shtetin e diktaturës së proletariatit.
Tani, edhe agjitacioni edhe propaganda janë veprimtari diskursive, kërkojnë përdorimin e ligjërimit në komunikim dhe, ipso facto, të paktën dy vetë – atë që flet dhe atë që dëgjon. Kur është fjala për dokumente të shkruara, dorëshkrim ose të shtypura, agjitacioni dhe propaganda konsumohen, si akte diskursive, në momentin kur dikush e lexon materialin e shkruar.
Por ky interpretim i bën problematike rastet kur persona janë dënuar – për agjitacion dhe propagandë – në bazë të materialeve të shkruara që u janë gjetur, dhe që i kanë hartuar ata vetë, por që nuk ia kanë treguar kujt, as ia kanë dhënë kujt për t’i lexuar; të tilla si ditare; tentativa për të shkruar letërsi, prozë a poezi; përkthime autorësh të ndaluar, e kështu me radhë.
Një ditar vështirë se mund të kënaqë përkufizimin e veprimtarive të agjitacionit dhe të propagandës; sepse ditari me përkufizim është vepër intime, që autori nuk e mban me synimin për t’ia treguar një të treti. Do të ishte absurde që ditari – dhe shënime të tjera të ngjashme me natyrë monologjike – të gjykoheshin si një formë e auto-propagandës, që konsumohej në momentin që e lexonte vetë autori.
Njëlloj edhe për poezitë a krijimet e tjera letrare, që disave u janë gjetur në bastisjet nga policia dhe janë sjellë si prova për t’i dënuar si “armiq të pushtetit”, etj.; edhe kur nuk është dëshmuar se këto i ka lexuar ndonjëherë një palë e tretë. Edhe hetuesit e regjimit të Hoxhës e kanë ditur se shumë njerëz i mbajnë sekret krijimet e tyre letrare; madje se ky sekret është edhe arsyeja pse ato krijime ekzistojnë. Të arsyetosh se një dorëshkrim, me përmbajtje “subversive”, mbulohet nga neni 55, është njëlloj si të akuzosh dikë se po dëgjon radio të huaja vetëm e vetëm ngaqë i është gjetur në zotërim një radio me valë të shkurtra.
Në rastin e një ditari intim, do të shkoja më tutje dhe do të pranoja se shumë njerëz mbajnë ditare të tilla pikërisht për t’u mbrojtur nga persekutimi policor; në kuptimin që mendimet e tyre, potencialisht “kundra” ose subversive, kanë preferuar t’i formulojnë e t’i zbrazin a t’i shfryjnë në sekret, për të shpëtuar – qoftë edhe simbolikisht – nga nevoja e parezistueshme për t’ia thënë ato gjëra dikujt, një shoku a një familjari.
Derisa këto materiale të shkruara, ditare ose shënime ose poezi ose krijime të tjera letrare, nuk i ka lexuar kush veç autorit të tyre, ato nuk mund të konsiderohen si agjitacion e propagandë; madje as si potencialisht të përdorshme si agjitacion e propagandë në të ardhmen; sepse synimi i tyre nuk është komunikativ, por konfesional. I vetmi informacion që mund të nxirret prej tyre është se autori i ka pasur këto mendime, vizione dhe përfytyrime; por i ka mbajtur për vete.
Prandaj edhe neni 55, sa kohë që ka vepruar kundër dorëshkrimeve “të palexuara”, duhet gjykuar si një lloj ligji që dënonte drejtpërdrejt mendimin subversiv; ose një person që bluante mendime kundër pushtetit popullor, shtetit të dikaturës së proletariatit, etj., pavarësisht nëse ia komunikonte një të treti apo jo. Dorëshkrimi vlente, në këtë rast, si dëshmi e mendimit, por jo e komunikimit a e synimit për të komunikuar.
Për njerëz të tillë, që kultivonin në heshtje mendime dhe gjykime “kundra”, përdorej shprehja kanë lakra në kokë. Cilësimi për “lakrat” ishte gjithnjë deduktiv, meqë ekzistenca e tyre do të supozohej vetëm nëpërmjet qëndrimeve të personit në fjalë, indiferencës ose ironisë, mefshtësisë ose përçmimit; pamjes së jashtme, shijeve dhe modës që ndiqte; shprehjeve të fytyrës dhe sjelljeve në shoqëri, mungesës së entuziazmit revolucionar, distancimit nga “masat punonjëse” ose kolektivi. Të gjitha këto mjaftonin për një qortim ose kritikë publike, një fletë-rrufe ose, në raste ekstreme, edhe për të mbështetur një masë ndëshkimore, p.sh. përjashtimin nga shkolla ose thyerjen e notës në sjellje. Por vështirë se mund të arrestoje dikë, për “lakra në kokë”; përveçse po të zbulohej ndonjë provë, si një raportim i një bisede ose, në raste të tjera, i një dokumenti shkruar dhe të mbajtur sekret, si ditari.
Natyrisht, kishte edhe nga ata që – të shtyrë nga vaniteti, ose nga dëshira për ta bashkëndarë ndjenjën e fajit, ose nga nevoja për të dalë nga vetmia – ia tregonin sekretet e tyre dorëshkrimore një të treti: një miku të ngushtë, një të dashuri a të dashure, ose një personi që dëshironin të impresiononin. Sekrete të tilla, kur komunikoheshin, ishin edhe si ajo kafsha që sakrifikohet në themelet e shtëpisë: e vinin miqësinë mbi baza sakrale, duke ia dhënë veten tjetrit në dorë. Vetëm ai që po të dojë të shkatërron mund të quhet mik i vërtetë. Dyshoj edhe disa nga këto biseda subversive ose “kundër” i shërbenin më shumë edhe nevojës për të farkëtuar lidhje të tilla, mbi një bashkëfajësi fatale. Të shaje Enver Hoxhën, me një të tretë, ishte të bëheshe “vëllam” me të – përndryshe rrezikoje sakaq burgun.
Përndryshe, një ditar – por edhe poemë a skicë letrare “dekadente” – si materializime të brishta të mendimit potencialisht subversiv, do të ishin zgjidhja më komode e konfliktit mes vullnetit të parezistueshëm për t’ia përcjellë mendimet e tua një tjetri dhe frikës nga persekutimi policor; duke ofruar një lloj lehtësimi surrogato, nëpërmjet jashtëqitjes së fajit.
© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.