Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Lexim

LEXUESI I THJESHTË

Përfytyroni lexuesin pa cilësi. The reader without qualities. Le lecteur sans qualités. Der Leser ohne Eigenschaften. Tundohem ta quaj ndonjëherë lexuesi zero, vendmbajtësi në komunikimin letrar, kategori gramatikore sa e padukshme aq e gjithëfuqishme.

Lexuesi i thjeshtë nuk ka kompetencë letrare; as pretendime ndaj tekstit. Për shkak të demagogjisë së përgjithshme, ndoshta ka zhvilluar disa pretendime – prej viktime – ndaj autorëve që i bien në dorë, establishmentit letrar dhe elitave.

Është tabani i letërsisë si demokraci rrënjësh.

I vetëdijshëm se vlera e një vepre qëndron përtej aftësive të tij për ta përtypur, kërkon megjithatë vëmendje, sepse beson – edhe sikur në sekret – se letërsia ekziston për hir të tij.

Lexuesi i thjeshtë është zeniti dhe nadiri njëherazi; idhulli pagan i komunikimit letrar dhe tmerri i çdo autori. Edhe zot, edhe demon. Autori që shkruan për lexuesin e thjeshtë, shpesh ka turp që t’ia pranojë këtë vetes; kërkon gjithnjë të arrijë një lexues që nuk është i thjeshtë.

Si çdo agjent minimal, lexuesi i thjeshtë të paktën di të lexojë; ose më mirë, t’i lidhë shkronjat e faqes në fjalë dhe fjali dhe të nxjerrë prej tyre kuptim. Një kuptim. Përtej këtij virtyti elementar, ai nuk di praktikisht asgjë. Është tabula rasa. Për ndonjë autor, kjo e të qenit enë bosh mund të shfaqet si shans – për ta mbushur enën me kuptim.

Sipas një paragjykimi fin, lexuesi i thjeshtë lexon rregullisht letërsi të keqe (“letërsi bulevardesh”) – romanca, fantazi, libra të verdhë, madje është produkt i saj. Sipas një paragjykimi tjetër – cirkular – letërsi e keqe është çfarë konsumon dhe, kësisoj, përfton lexuesi i thjeshtë.

E thashë që lexuesi i thjeshtë është edhe sentimental nga natyra dhe e vlerëson një libër kryesisht nëse e ka bërë për të qarë?

Dikur flitej për vepra që e krijojnë lexuesin, duke i mësuar këtij si dhe çfarë të lexojë. Por sot lexuesi “i thjeshtë” vjen nga rrjetet sociale, e ka vëmendjen të shkurtër dhe, si rregull, kërkon nga një libër konfirmim për ato pak gjepura që i kanë hyrë në kokë.

Lexuesi i thjeshtë është mishërim i popullit në komunikimin letrar, dhe populli sot e ka për sport që të “gjykojë”.

Edhe pse i zgjedh librat nga kopertina dhe zhurma që është bërë rreth tyre dhe nga çfarë ka dëgjuar për autorin. Kur nuk i zgjedh nga nevoja – intime – për të trajnuar identitetin e vet.

Shpesh establishmenti letrar ia vë vetes si detyrë që ta bëjë për vete lexuesin e thjeshtë, duke e qasur në qarqet ekskluzive të letërsisë “së hollë”; në mënyrë që lexuesi i thjeshtë të ndihmohet të kuptojë.

Thuhet se botimet “duhet t’i shkojnë lexuesit të thjeshtë” (dhe jo që lexuesi i thjeshtë t’u shkojë botimeve). Ftohet lexuesi i thjeshtë të bëjë durim me veprën: “Krijimet e tij janë studime të holla dhe mjeshtërore të njeriut, që nga lexuesi i thjeshtë kërkojnë durim.”

Thuhet për një revistë se ishte “mjaft elitare dhe nuk depërtonte dot tek lexuesi i thjeshtë.” Thuhet për Martin Camajn: “lexuesi i thjeshtë nuk e njeh veprën e tij.”

Madje, madje, se “lexuesi i thjeshtë është ftohur me letërsinë në përgjithësi.”

Ka lexues, nga ata që ngrenë zërin në publik, dhe që identifikohen lirisht si të tillë, të thjeshtë: “Lexuesi i thjeshtë, brezi im, me siguri do të gjejë vetveten, qytetin e tij të vogël që në fëmijërinë e tij as emrin nuk ia kishte dëgjuar.”

Sipas një pohimi tjetër, lexuesi i thjeshtë është ai që lexon për vete (“Por ndofta do të jetë akoma më mirë në qoftë se mik i librit do të konsiderohet jo vetëm lexuesi i thjeshtë, ai që lexon për vete.”)

Motivet që e shtyjnë lexuesin e thjeshtë të jetë edhe lexues edhe i thjeshtë, janë pra që “të gjejë vetveten.” Po pse ta gjejë? Vallë ngaqë e ka humbur? Apo ngaqë nuk arrin të shohë dot përtej hundës?

Ja edhe një shpjegim tjetër: “Lexuesi i thjeshtë është qindra herë më i vërtetë se studiuesi.” Sa centimetra distancë e ndajnë populizmin nga anti-intelektualizmi?

“Nji mitizim vulgar ka shoqnue rrjedhën e kritikës letrare në dekadat e fundit, e ma së shumti lexuesi i thjeshtë ka qenë viktima e këtij mitizimi që e ka mbushë atmosferën tonë letrare me avuj eterikë.”

Në një demokraci letrare, lexuesi i thjeshtë voton duke lexuar; dhe preferon shkrimtarët që e lajkatojnë, me qasje të tipit jeni ju pa jemi ne.

Këta shkrimtarë shkruajnë me një “gjuh[ë] [të] pastër, [të] kuptueshme jo vetëm nga intelektualët, por edhe për lexuesin e thjeshtë.” Ose u rekomandohet të shkruajnë kështu.

Pikënisja e komunikimit, me këtë lloj lexuesi, është premisa se ai nuk di asgjë; se është një lloj sakati letrar, për t’u trajtuar me përparësi e kujdes – p.sh. kur kapërcen rrugën.

Ai jo vetëm nuk di dhe nuk kupton asgjë, por këtë padije dhe paaftësi për të kuptuar e paska imponuar – tërthorazi – si kusht të produksionit letrar.

Le t’i kërkojmë pra ndjesë: “ky shkrim duhet nisur me një ndjesë të madhe për lexuesin e thjeshtë,” ngaqë ky nuk di dhe duhet prandaj ndihmuar. Atij, për shembull, “nuk i intereson se me ç’varg janë shkruar poezitë, se ç’hijeshi kanë rimat e tij.” Përndryshe, një autori mund t’i kushtojë fakti që “shprehjet e tij fluturojnë në lartësi të mëdha mbi re, dhe e bëjnë të vështirë të kuptohet pastër nga lexuesi i thjeshtë.”

Ndonjëherë duket sikur kështu përvijohet edhe misioni utilitar i kritikës letrare: të afrojë letërsinë me “lexuesin e thjeshtë”. Si në rastin e autores M.M.: “Të gjitha tregimet e M.M. e vënë në vështirësi lexuesin e thjeshtë.”

I shkreti lexues dhe e shkreta M.M.

Prandaj porosia për autorët, njëlloj si porositë e djeshme të “Partisë” për intelektualët, është që t’i rrinë afër lexuesit të thjeshtë, të mbeten në kontakt me ta. Mbase edhe t’ia dëgjojnë hallet dhe ankesat.

Dhe t’i përgjigjen, lexuesit të thjeshtë, me thjeshtësi.

Duket sikur establishmenti letrar e ka vendosur lexuesin e thjeshtë në piedestal; duke iu dorëzuar populizmit më brutal të mundshëm.

Por nuk është kështu. Sepse shumë nga këta që flasin për “lexuesin e thjeshtë” e mbajnë veten për “lexues të pathjeshtë” – njerëz të ditur, me shije të hollë, intelektualë dhe ekspertë, estetë dhe eruditë; në thelb, njerëz që e identifikojnë veten pikërisht duke u distancuar nga ky “lexues i thjeshtë”, që shpesh nuk është veçse një straw man, një dordolec që u duhet, për të kultivuar megalomaninë e tyre kulturore.

Shpesh, muhabeti dhe vetë preokupimi për “lexuesin e thjeshtë” tradhton një formë vulgare të elitizmit. Një lloj padronizimi, gati-gati avunkular.

Aq sa të bën të pyesësh: a ekziston ky “lexues i thjeshtë”? Apo nuk është veçse një fiksion i identitetit elitar?

Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve nuk ka të bëjë me atë, që e njëjta vepër mund të lexohet në disa nivele – për shembull, “Emri i trëndafilit” i Umberto Eco-s, mund të lexohet si roman policor, si rrëfim për andrallat e kishës në Mesjetë, si aventurë në teorinë e shenjave e kushedi çfarë tjetër. Asnjë nga këto rrafshe leximi nuk mund të quhet “i thjeshtë”.

Nëse ka lexues, që i hyjnë veprës dhe i dalin në krye duke i dhënë një interpretim – të themi – të çuditshëm, këta nuk janë “lexues të thjeshtë”; përkundrazi. Kodet e tyre të leximit, aq aberrante, i shndërrojnë në lexues të komplikuar.

Edhe ata lexues që e nisin veprën dhe e lënë përgjysmë, sepse nuk e shtyjnë dot, nuk janë “lexues të thjeshtë” – sepse, në rrethanat specifike, nuk janë lexues fare. Refuzojnë të jenë lexues (duke e shprehur kritikën e tyre me performativin e lënies së librit përgjysmë).

Kanë thënë se, idealisht, një vepër e përzgjedh vetvetiu lexuesin e vet (ideal). Nëse ti, si studiuese e feminizmit dhe e letërsisë feministe, e lexon Emrin e trëndafilit si alegori për përjashtimin e gruas nga një botë e sunduar nga kisha katolike, e cila ka zgjedhur pikërisht një grua – Shën Mërinë – si simbol të saj mistik, kjo të bën ty lexuese jo-tipike, vërtet të rafinuar, por gjithsesi jo përfaqësuese për atë çfarë bëjmë zakonisht me veprën letrare. Dhe rafinimi yt, stërhollimi yt, kompetenca jote letrare, lehtësia me të cilën ti negocion mes shtresave të tekstit, nuk është se e bën atë tjetrin, lexuesin e Emrit të trëndafilit si roman policor, “lexues të thjeshtë”.

Për disa që identifikohen si “të establishmentit”, lexuesi i thjeshtë nuk është veçse lexuesi i përjashtuar nga institucioni letrar, por që duhet përfshirë me çdo kusht në tregun e librit – në kuptimin edhe ekonomik, edhe kulturor. Në analizë të fundit, lexuesi i thjeshtë nuk është lexuesi që të përjashton ty, autorin elitist të një vepre; por është lexuesi që përjashton ti, për të konfirmuar identitetin tënd të imagjinuar, prej autori elitist.

Lexuesi i thjeshtë është alibia jote prej snobi.

Aq më keq pastaj kur qëllon që lexues, nga të gjitha grup-moshat, kategoritë dhe kompetencat, fillojnë ta “gjejnë veten” te kjo etiketë dhe të sillen me arrogancën e lexuesit zero – të atij që nuk ka asgjë, por që pretendon gjithçka.

© 2024 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.

Shënim: të gjithë shembujt e sjellë në tekst janë nxjerrë nga uebi.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin