Një tjetër dritë në „kaosin“ e formave eptimore të foljes në gjuhën shqip
nga Emine Sadiku
Refleksion laudativ për monografinë e Leonard Dautit “Gjedhet e eptimit foljor në gjuhën shqipe“
Autori Leonard Dauti, studiues i njohur në fushën e gjuhësisë morfologjike, punonjës në Akademinë e Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, botoi në vitin 2021 monografinë „Gjedhet e eptimit foljor në gjuhën shqipe“. Studimi u diskutua, u analizua në redaksinë përkatëse të Institutit të përmendur. Pasi u vlerësua nga zëra të njohur në fushën e gramatikës shqiptare (Albert Riska – redaktor shkencor, Ludmila Buxheli, Adelina Çerpja – recensues, dhe diskutues të tjerë), u botua me logon e veçantë, prestigjioze asa. Sot libri qarkullon në bibliotekat universitare, në libraritë tona dhe mund të përdoret nga kushdo që kërkon një informacion më shumë nga ai i prezantuar tashmë në gramatika të ndryshme të shqipes (kryesisht standarde). Shkrimi i prezantuar komplet në link përmban çështje si:
Kaosi eptimor
Për të dhënë idenë e shumësisë së formave eptimore të klasave të ndryshme të fjalëve, që i nënshtrohen lakimit ose zgjedhimit në gjuhën tonë, sidomos të grupit të stërmadh, për nga format, të foljeve, po citojmë një fragment recensioni të autorit Klaus Steinke (në: Digitales Rezensionsorgan für Bibliothek und Wissenschaft) mbi librin „Albanisch – Fremdsprachengrammatik“: „Një detyrë herkuliane për çdo autor gramatikash të gjuhës shqipe është që pasurinë, bollëkun e formave t’i konceptojë në skema të qarta dhe t’ua paraqesë nxënësve dhe palëve të interesuara në një formë të kuptueshme. Për problemin e grupimit të foljeve në zgjedhime autori Leonard Dauti del me teorinë e tij të 13 modeleve zgjedhimore. Kjo teori e “armatosur” me argumente, me shembuj, figura, grafikë e lista synon të jetë zgjidhja e problemit. Teoria ka shumë avantazhe krahasuar me zhvillime të tjera të së njëjtës fushë.
Tematika
Monografia tematizon (nën)sistemin foljor të gjuhës shqipe, më konkretisht gjedhet e eptimit foljor. Brenda kësaj tematike autori ka përmbledhur e analizuar shumë çështje dhe probleme. Çështjet i parashtron dhe i shpjegon me mënyrën e tij tejet logjike dhe argumentative. Për problemet propozon zgjidhje, rrallë të njohura, shpesh të panjohura, që përmbajnë gjithnjë qëndrimin e tij, gjithnjë të arsyetuar. Pikënisja, qëllimi i një ndërmarrjeje të tillë, siç shprehet vetë autori nuk është për të shtuar edhe një klasifikim të ri në mozaikun tepër të pasur të klasifikimeve të deritanishme, por për të synuar drejt një zgjidhjeje sa më transparente dhe parashikuese, ku çdo foljeje të gjuhës sonë t’i gjendej vendi në tabelën përkatëse klasifikuese. Të shmangeshin zgjidhjet ad hoc.
„Revolucioni“ në konceptimin dhe konceptet e L.Dautit
Duke lexuar shkrime të ndryshme gjuhësore të këtij autori, shpesh jam befasuar me qëndrime, me pozicione krejt të reja gjuhësore. Intuitivisht i kam quajtur këto risi “revolucion”. Të tilla do të ishin disa përfundime në studimin mbi substantivimin e mbiemrave të gjuhës shqipe, në trajtimin e trajtave të shkurtra përemërore para disa foljeve, konceptim i ri i nyjave të përparme etj. Edhe në librin në shqyrtim nuk mungojnë “refuzimet” ndaj disa mendimeve të shkuara në çështjen e formave të eptimit të foljes në gjuhën tonë. Ndodh që autori të citojë, madje të analizojë mendime të gjuhëtarëve të ndryshëm për problemin e prezantuar, (citimet dhe referimet janë të shumta), por rrallë ndodh që L. Dauti të pajtohet tërësisht me përmbajtjen e materialit të cituar (siç pajtohet me mendimin e gjuhëtarit gjerman H.J. Sasse). Dikur linja e ndjekur prej tij shmanget nga ato të njohura. Ai del në shtigje të reja. Terminologjia, ashtu siç paraqitet në monografi, është gjithashtu “një kantier” konceptesh të reja dhe rikonceptimesh.
Sistem versus inventar
Bie në sy përdorimi i shpeshtë i listave krahas figurave, tabelave, të cilat, edhe pse, në pamje të parë, të befasojnë me mënyrën e tyre ndryshe, joshkrimore, të prezantimit, janë lehtësisht të deshifrueshme. Autori vetë jep informacion të bollshëm për përfshirjen e grafikave etj. në receptimin e momenteve të ndryshme teorike. Kombinimi i tabelave me listat përkatëse e qartëson dhe e lehtëson marrjen e dijes mbi eptimin, modelet eptimore të një numri pa kufi foljesh. Duke përdorur përcaktimin „pa kufi“ kemi dalë në një truall tjetër, kemi braktisur sistemin dhe jemi hedhur në universin e shumësisë së panumërueshme të njësive gjuhësore. Këtë e dëshmojnë listat e gjata pas çdo prezantimi, edhe njëherë, të modeleve zgjedhimore. Është vështirë t’i trajtojmë listat si sistem në kuptimin e numrit e tyre të pacaktuar të elementeve përbërëse. Në nëntitull ne i kemi emërtuar me termin e njohur (edhe në gjuhësi, sidomos në atë parastrukturaliste) inventar.
Duke qenë se listat zënë një vend të spikatur në kapitullin qendror të punimit; duke dashur të praktikojmë dhe një lloj qasjeje didaktike ndaj kësaj vepre të mirëfilltë shkencore, po ndalemi disi më gjatë e më shumë në këtë dukuri argumentative, të dhënë me bollëk e tepri.
Ekskurs: a) Logjika dhe estetika e listave
Me referenca speciale në veprën e Umberto Eco-s “Die unendliche Liste” (Lista pa fund) është përshkruar dukuria “listë” përdorimi i saj në disa fusha, por sidomos në librin e promovuar. Për evidentimin e vlerave të shumëfishta të listave janë dhënë veçori të tyre, si: aftësitë retorike, mundësia për të kapërcyer kufirin e thënies drejt së pathënshmes etj.
Punimi mbyllet me një pasthënie.
Lexojeni recensionin të plotë duke klikuar në vijim:
Rreth monografisë së Leonard Dautit “Gjedhet e eptimit foljor në gjuhën shqipe“
© 2024 Emine Sadiku. Të gjitha të drejtat janë të autores.
Shënim: imazhi në kopertinë është krijuar me Midjourney.
Shënim i redaksisë: për lehtësi leximi, por edhe faqosjeje nga ana jonë, vendosëm që ta sjellim këtë artikull si PDF, në marrëveshje me autoren. Shpresojmë që lexuesi do të ndihet kështu i shërbyer më mirë.