Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Filozofi / Shkencë

PËR ZOTIN GJASOR

nga Shkëlqim Çela

Qasja gjasore qenësisë së Zotit ka hijen e rrekjes shkencore dhe të rreptësisë që lidhet me matematikën. Ka jo pak rravgime në këtë lëmë (për shembull, Can God Be Proved Mathematically, nga Manon Bischoff) , por këtu do të trajtohen problemet që mbart mirëfilli vlerësimi i qenies së Zotit me anë të gjasës. Mbarëvajtja e trajtesës kërkon përkufizimet e njësive përbërëse të saj: Zotit dhe Gjasës (probabilitetit).

Çdo veti e Zotit e lidhur me moralin njerëzor, me të mirën dhe të keqen, nuk ka rëndësi dhe domethënie për të qenët e tij. Ajo ka rëndësi për njerëzit, por jo për gjasën në fjalë (Zoti para se të jetë i përsosur, duhet të jetë (të ekzistojë dhe pavarësisht nga njeriu), edhe pse përsosmëria është pjesë themelore e shumë llogaritjeve për të, në kuptimin që përsosmëria e kërkon Zotin në mënyrë matematike.

Mbetet funksioni krijues i Zotit (kozmogonik).

Krijimi nënkupton të qenët e Asgjësë, si nënshtrat i Krijimit, dhe Krijuesin. Krijuesi është i përhershëm, absolut, i pakrijueshëm dhe i paasgjësueshëm. Ai krijon Gjënë, si e kundërta e Asgjësë dhe prej saj. Përhershmëria, absolutja, pakrijueshmëria dhe paasgjësueshmëria janë cilësi që i vishen Zotit, por jo Gjësë. Gjëja duhet të ketë një fillim e fund, ngaqë e krijuar. Në qoftë se cilësitë e Krijuesit do t’ia vishnim Gjësë, sistemi do të ish më i thjeshtë, me dy përmasa më pak, pa Asgjënë dhe pa Krijuesin, duke i marrë ato të paqena, dhe duke e lënë Gjënë edhe vetmore, edhe të përhershme. Krijimi ka gjithashtu problemin kohor (gjashtë ditët simbolike të Biblës nuk ndihmojnë), pasi kalimi nga Asgjëja në Gjë është cilësor dhe gishti që luan çelësin apo tërheq këmbëzën e kërkon me domosdo një “grimëkohë” absolutisht të pandashme në nënnjësi përbërëse kohore (një atom kohe në daçi), që të ndajë vërtetësisht një “dynja”. Turbullia e paqartësuar kurrë e prej askujt e mbarimit të njëjësisë (singularitetit jopërmasor), çastit të parë të Shpërthimit të Madh (Big Bang), nuk është veçse një shfaqje e ngërçit mendor në kuptimin e kalimit prej Asgjësë në Gjë. Pra Krijuesi ka një problem më të madh se vetë krijimi, thënë thjesht kalimin nga Moskoha në Kohë. Kjo mungesë vijueshmërie doradorëse sjell më pas një mori pyetjesh prej mbështetësve të Krijimit, më e spikatura e të cilave është ajo e rastësisë: Sa është gjasa që Gjëja të jetë ajo që është (aq e ndërlikuar dhe e përsosur) në mënyrë të rastësishme e “prej vetiu”? Kjo është një pyetje që mundësohet prej mendimit të “pakohësisë” të kalimit nga Asgjëja në Gjë. E njëjta pyetje do të bëhej po të kishim pranë e pranë një lende lisi dhe një dru lisi: si ka mundësi që nga kjo farë kaq e vogël të krijohet kjo pemë kaq e madhe? Por këtë pyetje ne nuk e bëjmë, pasi nga lendja te pema ka një vargan njësish kohore dhe transformuese që ne i njohim mirë. Ne i japim kohë një lendeje, por jo një gjithësie!

Por me gjithë këto më lart, le ta marrim të mirëqenë Krijuesin; në fakt, gjithë sa më sipër ishte për filtrimin e elementeve morale dhe të përsosmërisë, që janë thelbësisht të lidhura me njeriun, kur ç’po diskutojmë kërkon të jetë me domosdo e përgjithësueshme, pra edhe pa njerëzoren. Veç në pranofshim që nuk ka patur Gjë pa qenien e njeriut si lloj biologjik në të, me ç’rast kjo trajtesë do të ish e kotë dhe shumë e këshillueshme për të mos u ndjekur.

Pjesa e dytë, ajo e Gjasës (probabilitetit) është edhe më problematike se e para. Gjasa nuk ka përkufizim. Ajo është shumë e dobishme dhe ndihëse, por përkufizim nuk ka. Ajo llogaritet dhe parashikohet, por futet në aradhen aspak të vogël të gjërave që i shpëtojnë përkufizimit edhe pse përdoren me dobi, dhe kjo e fundit, meqë ra fjala, është kriteri marksist për kategorinë filozofike të Njohjes. Ato “ndjehen”, por të ndjerët nuk përbën shpjegim, ai shumë-shumë mund të shkojë deri te përshkrimi. Në këtë kuptim, gjasa është gjendje mendore. Si e tillë ajo shfaqet ose dendurore (frequentist-e), ose besim i sjellë në shkallë midis njëshit dhe zeros (a scaled belief), dhe kurrë jashtë tyre. Pra, ç’do të thotë në të vërtetë Gjasë e Zotit (Probabilitet i të qenit të Krijuesit, ose P(God))? Do të thotë që në shumë vërtetësi apo gjithësi të mëparshme, të kemi patur një pjesë syresh me Krijues, dhe një pjesë pa Krijues. Thjesht përqindja e të dyjave do jepte shifrën (midis zeros dhe njëshit) të vlerësimit të gjasës. A është qenia e shumë vërtetësive apo gjithësive me Krijues dhe pa të, një mundësi e pranueshme për trajtesën në fjalë? Kjo mbetet një zgjedhje vetjake e gjithkujt, pasi ky domen është një “eksperiment mendimi” pa luksin e provës së prekshme dhe të vëzhgimit të drejtpërdrejtë. Si e tillë, e parathënë të përfundojë në të famshmen “se kështu më pëlqen”.

Besimi i sjellë në kufijtë midis zeros dhe njëshit është ana tjetër e dhënies së Gjasës. Ky besim është i lidhur me përvojën individuale (të mirënjohurat ”mrekulli” në jetët e shumë individëve janë një shembull që e çojnë Gjasën e krijuesit te njëshi i sigurisë vetjake absolute), dhe përvoja është në thelbin e vet dendurore. Edhe pse ajo bën themelin e mendimit Bayesian, që mbahet si mundësia tjetër ndaj qasjes dendurore në statistikë, përmes Gjasës Paraprake (Prior Probability). Gjasa paraprake, edhe në rastet kur është parandjenjë, mbështetet krejtësisht në përvojë e përjetime. Parandjenjë në eter nuk mund të ketë. Nuk mund të ketë asnjë përjetim mbi vërtetësi apo gjithësi me Krijues apo pa Krijues. Rasti i padijes së plotë, ajo që e bën Gjasën Paraprake gjysmë për gjysmë (Prior Probability = 0.5), nuk ndihmon në rastin në fjalë. Sepse nuk është fjala për besimin që Tirana do ta mundi Partizanin me 70 për qind; Zoti nuk i luan zaret, tha Ajnshtajni, dhe pyetje madhore si kjo e Krijuesit apo jo nuk mund të zhbëhen në mesele bastesh e skedinash. Të thuash që kemi shumë Gjithësi të mëparshme, një pjesë e të cilave kanë Krijues dhe pjesa tjetër jo, përmban një lloj tradhtie ndaj vetes dhe hipokrizi mendore që nuk do ta përballonte dot as agnostiku më i kulluar. Sepse nëse të dhënat e mëparshme ku Partizani e mund Tiranën, mund të bashkëjetojnë me të anasjelltën, ku Tirana e mund Partizanin, një gjithësi pa Krijues e përjashton një të tillë me Krijues (janë mutually exclusive si mundësi); eksperimenti mendor duhet të ketë edhe ai kushtet e veta kufitare. Në rastin e padijes së plotë “50/50” të Gjasës Paraprake, kjo e fundit nuk do të kishte asnjë peshë në përfundim të llogaritjes Bayesiane (Posterior Probability); gjithçka do të vendosej prej të dhënave të vëzhguara të ndërfutura prej vetë llogaritësit, të cilat janë kryekëput të anshme. Pra ky është pikërisht rasti ku “padija nuk është argument”. Çdo Gjasë tjetër Paraprake me pabarazi (pra jo ½) do anonte nga Krijuesi ose jo pa ndonjë mbështetje përvoje të vërtetë. Dhe do përfundonte me Gjasa “të pershtatshme” të Zotit, sindozot ai 67-përqindshi i famshëm i Stephen Unwin-it (https://www.amazon.com/Probability-God-Simple-Calculation-Ultimate/dp/1400054788).

 

© 2024 Shkëlqim Çela, PhD, Senior Data Scientist. Të gjitha të drejtat janë të autorit.

Shënim: imazhi në kopertinë është realizuar me Midjourney.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin